LAJMI I FUNDIT:

Për luftën, kundër korrupsionit…

Për luftën, kundër korrupsionit…

Hekuran Nikçi

Për lexuesin: ky shkrim nuk është sulm ndaj ndonjë qeverisje apo estasblishmenti politik të caktuar në të kaluaren ose ndaj qeverisjes dhe establishmentit politik aktual, përkundrazi është rekomandim për qeverinë aktuale dhe shoqërinë civile dhe qeveritë e ardhshme se si tí qasen luftës kundër korrupsionit.


Në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën thuhet se çështja e korrupsionit ka përshkuar të gjitha sferat e jetës në Republikën e Kosovës. Natyra e tij e përhapur nënkupton se kjo dukuri negative ka prekur pothuajse të gjitha nivelet dhe institucionet e qeverisë, por pa lënë anash gjithashtu edhe sektorin privat.

Korrupsioni në vendin tonë ka një efekt hemorragjik mbi ekonominë në përgjithësi dhe gjithashtu mbi fuqinë e ndërmarrjeve private për të krijuar vende të reja pune. Në të njëjtën kohë, raporti i Komisionit Evropian tregon se korrupsioni ka një efekt dobësues në aftësinë e institucioneve për t’i përçuar mandatet e tyre tek populli. Si rezultat, kjo e metë e shoqërisë ka krijuar një shërbim civil masiv në numër dhe joefektiv me qasje letargjike dhe anemike në shërbimin e qytetarëve në të gjitha sektorët, si në drejtësi, shëndetësi, arsim, kulturë etj., e deri te ruajtja e rendit publik.

Republika e Kosovës vazhdon ta ketë popullsinë më të re në Evropë, dhe si e tillë investimi në kapitalin e kësaj popullsie rinore është thelbësor. Mirëpo, studimet tregojnë se të rinjtë e Republikës së Kosovës vazhdojnë të jenë më të diskriminuarit dhe izoluarit në Evropë dhe si pasojë edhe më të radikalizuarit. Kjo është një recetë për fatkeqësi kombëtare në te ardhmen e vendit. Mungesa e investimit ne edukim dhe trajnime për ta përgatitur rininë për të ardhmen është shenjë e keqe për jetëgjatësinë e modelit aktual të qeverisjes.

Raporti i UNDP-së për Kosovën tregon se Republika e Kosovës ka bërë pak progres në luftimin e korrupsionit. Për më tepër, sipas Institutit Demokratik të Kosovës pak progres është arritur ndër vite në luftën kundër kësaj veçorie negative të shoqërisë. Arsyeja për këtë sukses të kufizuar është natyra shumë e përhapur e korrupsionit që ka goditur pothuajse çdo aspekt të qeverisë dhe shoqërisë. Si pasojë, korrupsioni është i pashmangshëm për investimet e huaja në vend dhe për bizneset që dëshirojnë ta zgjerojnë veprimtarinë e tyre.

Studimet e shoqërisë civile tregojnë se ligjet e Republikës së Kosovës për antikorrupsion ekzistojnë, por pengesa kryesore është mungesa e implementimit të tyre.

Ekziston nevoja për një vullnet të mirë të institucioneve publike dhe atyre private që të kontribuojnë në frenimin e kësaj dukurie negative. Por, forcat politike dhe ekonomike të përfshira në korrupsion e bëjnë korrupsionin të fuqishëm dhe potencialisht të rrezikshëm për tu luftuar. Mungesa e bashkëpunimit midis institucioneve të rëndësishme qeveritare dhe sektorit privat ka kontribuar në një luftë të pamundur kundër korrupsionit dhe me pak efekt. Në këtë rast, ekziston nevoja për një përpjekje të bashkërenduar nga të gjitha palët e interesuara për të krijuar një shans për sukses kundër kësaj dukurie negative.

Prandaj, ky shkrim ka për qëllim të rris ndërgjegjësimin e organeve dhe shoqërisë në raport me korrupsionin, ndikimin e tij në shoqëri dhe në jetën e përditshme në Republikën e Kosovës. Gjithashtu, do të ekspozojë marrëdhëniet dhe strategjitë për tu përdorur kundër korrupsionit. Kjo për arsye sepse një sfidë që kuptohet mire nga të gjithë është e lehtë për tu ballafaquar më të dhe mposhtur.

Sipas qendrës Sussex ekziston nevoja për një përpjekje gjithëpërfshirëse apo një strategji të gjatë shumëvjeçare për t’u siguruar që korrupsioni të luftohet nga të gjitha frontet. Kështu që ky shkrim do të përqendrohet në disa qasje apo politika publike për luftimin e korrupsionit, do t’i përmend arsyet se pse keto politika publike nuk do të jenë efikase dhe do të propozojë një qasje apo politikë publike qe do të kishte efekt në luftimin e korrupsionit në rrethanat që ndodhemi .

Së pari, duhet të ketë bashkëpunim ndër-institucional në luftën kundër korrupsionit. Së dyti, ekziston nevoja për të përmirësuar dhe vetëdijesuar tutje institucionet e ngarkuara me përgjegjësinë e luftimit të korrupsionit. Së treti, duhet të ndërtohen kapacitete në sistemin e drejtësisë për të trajtuar çështjen e korrupsionit në mënyrë objektivë dhe të drejtë, pa kompromis. Me këtë rast, është thelbësore të sigurohet që kuadri ligjor të funksionojë në mënyrë efikase dhe efektive në adresimin e çështjeve dhe veçanërisht rasteve të korrupsionit.

Republika e Kosovës është duke u ballafaquar me çështjen e korrupsionit për shumë vite. Problemi i korrupsionit është ngulitur në diskutimet politike dhe socioekonime të vendit pa ndonjë rezultat progresiv. Kjo veçori negative ka depërtuar fuqishëm në shërbimin publik, sektorin e korporatave, shëndetësinë, arsimin, drejtësinë, kulturën etj., prandaj kjo lë të kuptohet se koha është e domosdoshme për luftimin e korrupsionit. Për më tepër, koha është e domosdoshme për luftimin e kësaj dukurie negative sepse modeli aktual socio-ekonomik dhe politik në vend nuk është i qëndrueshëm. Kjo do të thotë se personat me pozita me ndikim kanë keqpërdorur dhe vazhdojnë të keqpërdorin burimet e destinuara për shërbimet jetike për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Lufta dështuar kundër korrupsionit në vend mund t’i atribuohet mungesës së vullnetit të klasës politike dhe ekzekutivit për të pranuar dhe garantuar pavarësinë e institucioneve bazë të shtetit dhe gatishmërisë së qeverisë për të vepruar. Parimi i “ndarjes së pushteteve” nuk ka lëshuar ende rrënjë në vend. Pa këtë parim, rrolet dhe përgjegjësitë e luftës kundër korrupsionit nuk mund të ekzekutohen në mënyrë efektive duke marrë parasysh edhe ndikimin, mbizotërimin dhe dominimin e klasës politike. Klasa politike në ekzekutiv ka një kontroll të madh dhe ndikim të madh mbi organet e pavarura. Ky është tregues i qartë se pse Republika e Kosovës vazhdon të mbetet para në rajon dhe globalisht ne progresin e luftimit të korrupsionit. Për shembull, Kroacia renditet në vendin e 62, Maqedonia në vendin e 69, Bosnja në vendin e 72, ndërsa Republika e Kosovës renditet në vendin e 105-të. Kjo është një diferencë e madhe midis shteteve brenda të të njëtit rajon gjeografik të cilat po ashtu kanë një diskurs pothuajse të ngjashëm historik.

Megjithëse, kuadri ligjor në vend ka krijuar ligje dhe rregullore për luftimin e korrupsionit, raporti i UNDP-së raporton se zbatimi dhe funksionalizimi i këtyre ligjeve është joefektiv. Qeveritë e vendit deri më sot nuk kanë krijuar një mjedis të përshtatshëm për organet e pavarura si agjencitë e zbatimit të ligjit, si për shembull Agjensionin e Antikorrupsionit dhe gjyqësorin për te kryer detyrat e tyre pa ndërhyrje. Sipas UNDP-së ndikimi i ekzekutivit ka ndikuar negativisht në procesin e luftimit të korrupsionit për shkak se organet kompetente kanë hasur në sfida të mëdha në hetimin dhe ndjekjen penale të personave me ndikim. Mbrojtja e këtyre “personave me ndikim” nga ballafaqimi me drejtësinë për korrupsion do të thotë se ekzekutivi ka krijuar një mjedis që jo vetëm e bënë të vështirë luftën kundër korrupsionit, por gjithashtu e inkurajon këtë dukuri negative dhe e lejon të lulëzoj.

Studimet tregojnë se niveli i korrupsionit është më i lartë në nivelet e larta të pozitave politike që e bënë mjaft të vështirë që një iniciativë serioze për luftimin e korrupsionit të ndërmerret nga politika. Për më tepër, Transparency International tregon se koncepti i nepotizmit është masivisht i shfrenuar brenda sektorit publik, publiko-privat si dhe në politikë. Kjo është një kthim mbrapa në përpjekjet për ta luftuar korrupsionin. Prandaj, prania e nepotizmit në postet më të larta dhe më me ndikim në vend është një pengese e madhe për çdo proces apo institucion që përpiqet ta luftoj ose demaskoj korrupsionin në vend. Deri më tani qeveritë në vend dhe grupet e tjera të interesit kanë dështuar në eliminimin e nepotizmit nga postet publike gjithandej. Me konflikte të tilla interesi, institucionet dhe ligjet e hartuara për ta luftuar korrupsionin janë bërë “pa dhëmbë” në përçimin e mandateve të tyre për shkak të pengesave të fuqishme dhe me ndikim nga klasa politike apo edhe establishmenti në vend. Prandaj, zgjidhja e këtij problem më së miri do të duhej te fillonte nga brenda qeverisë.

Qasja në luftën kundër korrupsionit duhet që të synoj shkaktarin kryesor dhe përqendrimin e vazhdueshëm ndaj kësaj lufte. Në të njëjtën kohë, është thelbësore që të forcohen institucionet dhe të garantohet pavarësia e tyre në dhënien e mandatit tek populli i Republikës së Kosovës. Kjo vlen veçanërisht për institucionet e përfshira në interpretimin dhe zbatimin e sundimit të ligjit.

Anticorrp.eu tregon se rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve mund të ndihmoj njerëzit në vend dhe veçanërisht klasën punëtore që përbën pjesën dërrmuese për të rritur presionin mbi establishmentin për të ndërmarrë veprime konkrete kundër korrupsionit. Një presion i tillë mund të përbëj bazën për rritjen e veprimit dhe pavarësinë e institucioneve përkatëse për t’i kryer përgjegjësitë e tyre që ju takojnë në luftën kundër korrupsionit. Në të njëjtën kohë, ekziston nevoja për të arritur bashkëpunimin ndërinstitucional në mënyrë që të krijohet një shans për ta luftuar këtë dukuri negative që është përhapur kaq shumë.

Ideja e ndjekjes së pasurisë së çdo zyrtari të lartë dhe detyrimi që ai apo ajo zyrtare ta paraqes zbulimin e pasurisë së tij apo saj nëpërmjet Agjensionit të Antikorrupsionit ka rezultuar joefektive. Koncepti themelor në këtë politikë publike është parandalimi i korrupsionit. Ideja e kësaj politike për ta luftuar korrupsionin është e mirë, si për shembull zbulimi i pasurisë së zyrtareve të lartë nxit një mjedis te llogaridhënies dhe transparencës. Ne raste kur pasura e tyre është fituar ligjërisht, atëherë ai apo ajo zyrtare nuk do ta ketë problem në ofrimin e dokumentacionit dhe provave që dëshmojnë rritjen e pasurisë së tij apo saj në mënyrë ligjore.

Sfida kryesore me të cilën ballafaqohet lufta kundër korrupsionit është zhvillimi dhe lulëzimi i një kulture të korruptive e ndërtuar dhe kultivuar me kalimin e kohës. Prandaj, përgjigjja për adresimin e kësaj çështje duhet të jetë zëvendësimi i etikës aktuale ne vendet e punës me një kulturë të re të llogaridhënies dhe transparencës.

Politika e deklarimit të pasurisë nëpërmjet Agjensionit Antikorrupsion edhe po të ishte efikase, kështu siç është konceptuar do ti duhej shumë kohë për të penguar korrupsionin në vend. Kështu që, kjo politikë e deklarimit të pasusrisë ka të metat e veta.
Së pari kjo politikë përfshin vetëm sektorin publik, pa përfshirë sektorin privat. Një qasje e tillë e njëanshme nuk është e suksesshme. Ekziston nevoja për një qasje të përbashkët që do të përfshinte të gjithë akterët e shoqërisë. Së dyti, mbikëqyrja e ofruar sipas kësaj politike do të vazhdojë te udhëhiqet nga status quo-ja në vend dhe si rezultat nuk ka asnjë indikacion se kjo politikë e deklarimit të pasurisë do të zbatohet me besnikëri. Mungesa e një zbatimi besnik të kësaj politike do të vazhdojë të rezultojë në dështimin e saj. Së treti, ekziston një klimë e frikës nga keqpërdorimi i kësaj politike të deklarimit të pasurisë për të luftuar në mënyrë selektive kundërshtaret politik dhe kundërshtaret në qeveri.

Arsyeja kryesore e dështimit të kësaj politike është ndikimi i establishmentit politik në vend. Qeveritë në vend deri më tani përmes emërimeve dhe agjendës së zbatimit kanë drejtuar dhe drejtojnë Agjencinë e Antikorrupsionit, prandaj rastet që prekin eliten e fuqishme, anëtaret e familjeve të tyre dhe bashkëpunëtorët e tyre mbrohen nga ky agjension. Mungesa e pavarësimit të këtij agjencioni nga ekzekutivi e ka bërë këtë agjension të komprometuar dhe joefektive në luftën kundër korrupsionit.

Inicimi i veprimeve të nevojshme ligjore për vënien para drejtësisë të zyrtarëve të korruptuar është një politikë tjetër në luftën kundër korrupsionit. Ideja këtu është krijimi i një ligji i cili do të lejonte fillimin e çështjeve ligjore kundër nëpunësve civil dhe zyrtarëve të lartë të dyshuar në përfshirjen e tyre në afera korruptive. Për shembull kur një zyrtar publik të dënohet për akuza korrupsioni, atëherë ai apo ajo zyrtare nuk duhet vetëm të pezullohet nga puna, por gjithashtu duhet te gjobitet dhe ti konfiskohet pasuria e paligjshme. Një shembull përkatës i kësaj është rasti i kryeministrit të Kroacisë Ivo Sanader, një zyrtar publik i nivelit të lartë i cili u dënua me dhjetë vite burgim në vitin 2012. Ndër akuzat e tjera ai ishte dënuar edhe për marrjen e ryshfetit prej 10 milion eurove nga një kompani hungareze për të siguruar pozitën e saj dominuese në kompaninë kroate INA.

Përparësitë e kësaj politike përfshijnë së pari krijimin e një pengesë të madhe ndaj korrupsionit ndërmjet punonjësve të sektorit publik dhe privat. Demonstrimi se të gjithë nëpunësit civil gjithashtu dhe zyrtarët e lartë pavarësisht nga pasuria, ndikimi, ose statusi i tyre në shoqëri do të përballen me ligjin do ta transformonte ndjeshëm mentalitetin në vend. Së dyti, kjo qasje e vënies para drejtësisë së zyrtarëve të korruptuar do të demonstronte pavarësinë e gjyqësorit dhe agjencive të tjera të përfshira në luftën kundër korrupsionit. Kjo gjë do të krijonte një ambient të përshtatshëm për një luftë të qëndrueshme kundër ryshfetit. Mirëpo, ashtu si politika e parë e përmendur më lartë, deklarimi i pasurisë së çdo zyrtari të lartë përmes Agjensionit Antikorrupsion, gjithashtu edhe kjo politikë, vënia para drejtësisë të zyrtareve të korruptuar, ka disadvantazhet e veta dhe është joefikase për shumë arsye.

Së pari, ekziston nevoja për një gjyqësor të pavarur për të siguruar që kjo politikë të funksionojë pa kompromis apo ndikimin e marrëdhënieve korruptive. Mungesa e pavarësisë të gjyqësor në vend nënkupton që kjo politikë nuk mund të jetë efikase. Për shembull, ky proces aktualisht është ankoruar në kuadrin ligjor të vendit. Megjithatë, zbatimi i kësaj politike ka dështuar deri më tani për shkak të ndikimit të përhapur të korrupsionit. Kjo do të thotë se sistemi gjyqësor dhe zbatimi i ligjit janë prekur nga korrupsioni. Si rezultat, në këtë situatë është shumë sfiduese për ta zbatuar këtë politikë dhe për të arritur sukses në çrrenjosjen e korrupsionit nga vendi.

Prekja e gjyqësorit nga korrupsioni nuk është për shkak të mungesës së një kuadrit ligjor apo një legjislacioni për të garantuar një liri të tillë. Për shembull, kapitulli XXXIV i kodit penal të Republikës së Kosovës siguron një plan të përgjegjësive të zyrtarëve. Si për shembull, neni 442 përcakton se prokurorët dhe gjyqtarët kanë kompetencë dhe juridiksion mbi rastet që ata procedojnë. Neni 424 përcakton procedurën dhe drejtimin e duhur për rastet kur konflikti i interesit mund të ndikojë vendimin ose aktgjykimin e arritur. Neni 425 udhëzon për shmangien e keqpërdorimit të pushtetit ose keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga ana e individëve që mbajnë përgjegjësi dhe kompetenca të një zyrtari shtetëror. Neni 428 trajton çështjen e ryshfetit dhe pasojat juridike të veprimeve të tilla. Në të njëjtën kohë, neni 431 jep një pasqyrë mbi ndikim e tregtimit mes zyrtareve në pozita publike. Të gjitha këto nene dëshmojnë se ligji ka krijuar një analizë të gjerë të çështjes së korrupsionit, por sfida kryesore është në zbatimin e këtyre neneve.

Prezantimi i fushatave informative antikorrupsion për të rritur ndërgjegjësimin e publik për çështjen e korrupsionit është një politikë tjetër për luftën kundër korrupsionit. Qëllimi i kësaj politike është të informohet opinion përmes fushatave informuese rreth shkallës së korrupsionit në vend dhe gjithashtu të informohet se si do të mund te kontribuonte në parandalimin e tij.

Fushatat informative kundër korrupsionit janë provuar të jenë efektive në shtetet e rajonit si në Kroaci dhe Serbi. Përparësitë e kësaj politike janë si në vijim: së pari kjo qasje nuk është e varur nga qeveria dhe establishmenti në vend. Kjo do të thotë se ndikimi i klasës politike është shumë i vogël mbi të. Për me tepër kjo politikë ka gjasa të rezultojë e dobishme sepse suksesi i saj është i pavarur nga infiltrimi i qeverisë apo zyrtarëve të korruptuar, por përkundrazi varet nga mbështetja e popullit dhe palëve të interesit.

Së dyti, krijimi i vetëdijes së përgjithshme tek qytetarët do të krijonte një fuqi masive kundër korrupsionit. Frika më e madhe e një politikani është humbja e pushtetit dhe pozitës përmes votës së lirë, prandaj një qasje e tillë kundër korrupsionit do t’i shtynte politikanët të bënin lëvizje në luftën kundër korrupsionit.

Së treti, nëpërmjet ekspozimit të zyrtarëve të korruptuar në media dhe fushata antikorrupsion, efekti do të jetë i ndjeshëm, kjo për faktin se do të përçohej mesazhi që zyrtarët e korruptuar nuk do të mund të vazhdonin me aferat e tyre korruptive pa dijeninë e qytetarëve të vendit. Ekspozimi i së keqes që shkaktohet përmes korrupsionit në vend duke përfshirë këtu keqpërdorimin e arkës së shtetit do te krijonte një mjedis ku të korruptuarit nuk do të lartësoheshin, por përkundrazi do të injoroheshin. Prandaj ekziston një besim se kjo politikë do të ndihmonte në zvogëlimin e korrupsionit.

Se katërti, një fushatë informative antikorrupsion mund të përqendrohet në spektrin e gjerë të korrupsionit. Kjo do të thotë se do të mbulonte veprimet, individët, si dhe keqmenaxhimet e qeverisjes së shëndetësisë, arsimit, kulturës, policisë etj. dhe do t’i ekspozonte shkaktarët e këtyre keqmenaxhimeve. Duke i lidhur këto sfida të përbashkëta të qytetarëve me korrupsionin kjo politikë mund të rezonojë në masë të madhe.

Në rrethanat në të cilat ndodhen Agjensioni Antikorrupsion dhe sistemi i drejtësisë, aplikimi i dy politikave të përmendura më lartë në këtë shkrim si deklarimi i pasurisë dhe inicimi i veprimeve të nevojshme ligjore për vënien para drejtësisë të zyrtarëve të korruptuar, nuk japin ndonjë shpresë se do munden të aplikohen me sukses ne luftimin e korrupsionit. Prandaj, politika e prezantimit të fushatave antikorrupsion për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për këtë çështje, më të gjitha sfidat që i ka do të ishte politika më e mundshme për tu realizuar dhe do të kishte më shumë gjasa të arrinte efektin e vet.

Politikat aktuale të dështuara deri më tani si zbulimi dhe deklarimi i pasurisë dhe vënia para drejtësisë te dyshuarve për korrupsion nuk kanë arritur të bëjnë ndonjë lëvizje përpara vetëm e vetëm që nuk kanë një mjedis të lirë nga kontrolli i klasës politike dhe establishmentin në vend. Për më tepër, këto dy politika po dështojnë sepse nuk përfshijnë qytetarët në proces.

Prandaj, politika e fushatave te informimit për të luftuar korrupsionin do të arrinte dhe do t’i korrigjonte dështimet e këtyre dy politikave për këto arsye:

Së pari, elita dhe klasa politike në vend nuk do të kenë ndikimin e tyre mbi këtë politikë në atë masë siç e kanë mbi Agjensionin Antikorrupsion dhe sistemin e drejtësisë. Kjo do të thotë se kjo politikë do të jetë e lirë të ndjek një mandat të pastër antikorrupsion në shoqëri pa ndikimin e ndonjë interesi tjetër të caktuar. Së dyti, fushatat informative kundër korrupsionit do të përqendrohen mbi korrupsionin në përgjithësi dhe ndikimin e tij në vend. Kjo qasje e gjerë do të thotë se do të adresojë të gjitha çështjet me të cilat përballet Republika e Kosovës në raport me korrupsionin. Së treti, kjo politikë do të përfshijë pjesëmarrjen, kontributin dhe pasionin e qytetarëve për ta luftuar korrupsionin. Fushatat e vetëdijesimit do të fokusoheshin në aspektet socio-ekonomike që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve si për shembull në cilësinë e shëndetësisë, arsimit, kulturës, etj.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara një gjë e tillë do të nxiste mbështetjen masive popullore, e cila do të përkthehej në presion ndaj elitës qeverisëse në Republikën e Kosovës për të bërë hapa transformues në luftën kundër korrupsionit dhe për të krijuar një mjedis të lirë nga ryshfeti.

Për më tepër, kjo politikë do të jetë me kosto të ulët për tu implementuar. Kjo gjë do të ishte një avantazh i madh për disa arsye, së pari, kjo do të thotë që qytetarët dhe akterët tjerë të përfshirë në implementimin e kësaj politike nuk do të sfidohen për shkak të mungesës së burimeve financiare. Së dyti, dhe ndoshta më e rëndësishmja është se kjo politikë do të jetë e lidhur me interesa të veçanta në vend.

Financimet apo sponsorimet dinë të kenë qëllime anësore. Politika e propozuar, prezantimi i fushatave informative antikorrupsion për të rritur ndërgjegjësimin e publik, do të ishte e pavarur nga interesat ose financuesit e tillë. Kjo do të thotë se kjo politikë do të kishte mandatin, vullnetin dhe lirinë për të zbatuar një luftë të egër kundër korrupsionit në vend.

Si faktorë i rëndësishëm i kësaj politike do të ishin mediat konvencionale. Këto lloje të mediave do ta shtonin prezencën e këtyre fushatave në rrjete sociale dhe si rezultat do ta angazhonin rininë e lënë pas dore dhe do te siguronte që ata të jenë pjesëmarrës direkt dhe gjithashtu të informohen për çështjet e korrupsionit dhe efektet e tij të dobëta në ekonomi, qeverisje, dhe aspekte të tjera socio-ekonomike.

Periudha në të cilën do të zbatohej kjo politikë do të ndikonte në efektivitetin e saj. Prandaj, kjo politikë duhet të zbatohej fillimisht në afat të shkurtër prej tre viteve. Por, nëse arrin suksesin e pritur gjatë kësaj periudhe, atëherë duhet të vazhdohej të zbatohet në afat të mesëm prej pesë viteve dhe pastaj në afat të gjatë prej dhjetë viteve në mënyre që efekti i saj të jetë sa më i kënaqshëm.

Kjo politikë është e hartuar në atë mënyrë që të hyj në fuqi dhe të ndikojë mbi politikat, organizimin dhe kulturën e qeverisjes në vend.

Ekzistojnë disa mënyra për zbatimin e kësaj politike duke përfshirë mediat e shkruara, mediat sociale, televizionet, radiostacionet, tubimet publike, dhe protestat dhe marshimet paqësore. Përdorimi i mediave konvencionale do të sigurojë që mesazhi të arrijë sa më shumë qytetarë. Pasi që këto fushata informative antikorrupsion do të vareshin nga qytetarët është e rëndësishme të përdoren mënyra të ndryshme për të arritur te ta. Në këtë rast mediat e shkruara dhe televizionet do të luanin një rol të rëndësishëm në arritjen tek dhe informimin e qytetarëve. Për më tepër, kjo politikë gjithashtu do te përdorte platforma tjera për të arritur tek të rinjtë si shkollat, institucionet terciare, dhe universitetet.

Kjo politikë do të ketë disa objektiva si për shembull së pari do t’i bënte qytetarët në masë të madhe të flisnin hapur kudër korrupsionit dhe ryshfetit. Së dyti, do të kontribuonte në nisjen e protestave dhe marsheve paqësore të ndërgjegjësimit që do të detyronin pushtetin që të ndërmarrë veprime ndaj korrupsionit. Së treti, do të inkurajonte inicimin e legjislaturës dhe të qeverisë për të ndërmarrë veprime sipas kompetencave që u janë dhënë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Së katërti, kjo politikë do të përkthehej në vendimet për zgjedhjen e liderëve dhe zyrtarëve publik me kredencialet për të luftuar korrupsionin.

Përveç kësaj se fundmi kjo politikë do të vetëdijesonte qytetarët që të kërkonin nga qeveria e tyre për të miratuar masa për llogaridhënie financiare të detajuar siç është transparenca e detajuar financiare. Si për shembull, kontratat në të cilat qeveria e vendit është e angazhuar duhet të lirohen për shqyrtim me publikun para se të procedohen për ekzekutim. Dhe si përfundim kjo politikë do ta shtynte qeverinë që të lejonte mbikëqyrjen direkte të qytetarëve mbi aktivitetet e saj nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur nga vota e tyre.