LAJMI I FUNDIT:

Për cilat grushte shtetit e institucione bëhet fjalë?!

Në kushtet kur mllefi dhe marrazi i politikanëve e ka masakruar gjuhën shqipe duke vjellë sharje e fyerje nga më të ulëtat ndaj kundërshtarëve politikë, nuk është aspak rastësi përdorimi i fjalës grusht shteti nga njerëz që e kanë humbur sensin e peshës së fjalëve, thonë fjalën e fundit të parën dhe përdorin superlativa e fjalë ekstreme në mënyrë të pafre. Mirëpo me sa duket edhe të huajt e kanë kuptuar se në Shqipëri ka njerëz që i nxjerrin fjalët pa hesap dhe në asnjë media të huaj fatmirësisht nuk janë marrë seriozisht këto akuza absurde. Fjala grusht shteti është një fjalë jashtëzakonisht e rëndë dhe mund të konsiderohet si një njollë e hidhur në historinë e një shteti. Ka shtete që kanë pësuar realisht grushtin e shtetit (si për shembull Greqia nga kolonelët në 1967 apo Turqia në 1960, 1971 dhe 1980) që madje përpiqen ti fshehin ose zbusin këto ngjarje në historinë e tyre që të mos i japin damkën e keqe shtetit. Kjo sepse grushtet e shtetit zakonisht ndodhin në vende autoritare të udhëhequr nga individë diktatorial dhe asociohet kryesisht me vende afrikane apo amerikano-latine. Ia vlen të përmendet për ilustrim që grushtet e shtetit gjatë dekadës së fundit janë zhvilluar në Niger, Madagaskar, Mauritani, Fixhi dhe në Republikën e Afrikës Qendrore. Fatkeqësisht në vendin tonë edhe kur s’ka një ngjarje të tillë, ajo sajohet. Edhe kur jemi në zemër të Evropës, përpiqen të na asociojnë me skutat më të errëta të rruzullit tokësor.

Pikësëpari grushti i shtetit sikurse e përkufizon Luttwak që është studiuesi me më shumë autoritet në këtë fushë, kryhet kryesisht nga një segment i aparatit shtetëror, zakonisht ushtarakë, dhe synon të heq nga pushteti dhe zëvendësojë vetëm figurat drejtuese. Ajo që vjen nga rruga dhe shkaktohet nga masat quhet revolucion në fakt. Në rastin tonë pati protestues me gurë e shkopinj siç shihen në këtë periudhë edhe në rrugët e Parisit dhe Londrës dhe nuk pati ndonjë grup kolonelësh që të rrëzonin qeverinë sikurse ka bërë Gadafi ndaj mbretit Idriz te Libisë në 1969 apo Pahlavi kundër kryeministrit iranian Mosadek në 1953.

Një tjetër abuzim i jashtëzakonshëm është padyshim përdorimi i fjalës institucion, me vetëdije ose prej injorancës, duke krijuar përshtypjen e gabuar se institucioni është një ndërtesë fizike pompoze, dhe se ato sulmohen vetëm kur goditen me gurë apo çadra. Në fakt sulmi më i madh që iu bëhet institucioneve është nxjerrja e tyre jashtë funksionit, bllokimi apo mosrespektimi i rolit të tyre, e jo thyerja e xhamave të godinave ku kryejnë funksionet këto institucione. Nobelisti Douglass North thotë se institucionet janë rregullat e lojës në një shoqëri dhe se janë mekanizma sociale formale që i japin formë ndërveprimit njerëzor. Institucioni nuk është detyrimisht një ndërtesë e ruajtur me gardistë, por nënkupton pikësëpari principe e procese të sjelljes njerëzore si ndarja e pushtetit, respekti ndaj ligjit, të drejtat e pronës. Institucionet mund të jenë formale siç janë kushtetutat, ligjet, procedurat administrative apo joformale siç janë normat, konvencionet apo stili i sjelljes.


Në aspektin formal pra institucionalizmi nënkupton respekt dhe përkushtim ndaj kushtetutës dhe ligjit, dhe ne e dimë që këto institucione janë shkelur me këmbë prej kohësh në Shqipëri nga elita aktuale. Mazhoranca e tanishme qoftë duke ndërmarrë sulme të panumërta ndaj kushtetutës e qoftë duke mos i nxjerrë para ligjit zyrtarët e lartë të akuzuar për korrupsion, por edhe për krime makabre si Gërdeci, ka treguar mungesën më të madhe të mundshme të respektit ndaj këtyre institucioneve formale. Kur flitet për aspekte joformale pastaj mjafton të kujtohet banaliteti i manifestuar me sulmet personale në seancën e fundit parlamentare ku ishte e pranishur opozita për të kuptuar se në ç’masë respektohen normat më bazike joformale institucionale.

Në parim qeveria dhe kushdo tjetër që deklaron se opozita duhet të mos e bëj politikën në rrugë, por në institucione, e në mënyrë të veçantë në parlament, kanë shumë të drejtë. Kështu duhej të ndodhte zakonisht. Mirëpo në realitet institucionet kryesore politike të vendit, duke nisur nga zgjedhjet e nepërkëmbura, janë nxjerrë tërësisht jashtë funksionit. Normalisht aktorët marrin pjesë në institucione sepse shpresojnë që nëpërmjet tyre të mund të përmbushin të paktën një pjesë të interesave të tyre si dhe kur kanë besimin se këto institucione karakterizohen nga rregullsia, parashikueshmëria dhe garancia për përmbushjen e rregullave të lojave.

Tanimë është bërë e qartë që parlamentarizmi në Shqipëri është hedhur në kosh të plehrave. Me kushtet që jemi tani, opozita nuk ka ndonjë dobi që të futet në parlament përderisa është e qartë që brenda tij nuk mund të sigurojë as një gjë minimale të parlamentarizmit, siç është një komision hetues. Për mos të thënë pastaj që parlamenti është shndërruar në një arenë sulmesh vulgare ku kryeparlamentarja bën edhe punën e kryetarit të grupit të parlamentar të mazhorancës dhe nuk humbet rast për të poshtëruar, bllokuar apo cenuar opozitën.

Deri diku mund të thuhet që opozitës i intereson më shumë të dalë jashtë institucioneve sesa pushtet-mbajtësve, meqenëse duke qenë në opozitë nuk ke shumë për të humbur dhe me një klimë konfliktuale mund të rritet më tepër ndjesia publike e pakënaqësisë dhe të mbahen të mobilizuar militantët. Shumicës sidomos në kushtet kur jemi nën monitorime ndërkombëtare, i intereson që ta mbaj opozitën të futur në institucion në mënyrë që ti mbajë ato të legjitimuara. Fundja po u delegjitimuan institucionet shtetërore si parlamenti apo procesi zgjedhor prej bojkotit të opozitës, delegjitimohet edhe vetë pushteti i mazhorancës dhe krijohet reminishenca e monizmit.

Porse e kundërta ka ndodhur, arroganca e pushtetit e ka detyruar në njëfarë mënyre opozitën të largohet e mos të besojë më tek institucionet. Disa herë prej fillimit të protestave për zgjedhjet në 2009, opozita është detyruar që të riformulojë, zbusë e tërheqë kërkesat. Qoftë prej intrasigjencës së shumicës e qoftë si pasojë e presionit të ndërkombëtarëve, Ramës i është dashur disa herë të zmbrapset nga pozicionet e mëhershme, por me sa duket kjo nuk i ka mjaftuar shumicës e cila si duket do mund të kënaqej vetëm me kapitullim të plotë apo asgjësim total. U hoq dorë nga shqyrtimi i fletëve të votimit dhe u mjaftua vetëm me materialet e kutive. Por edhe pse në retorikë këtë gjë e pranoi shumica, në një kohë të dytë u tërhoq nga ky pozicion. Edhe kur opozita hoqi dorë nga bojkoti i parlamentit apo nga greva e urisë, në vend që t’i akomodonte në parlament për hir të rivënies në funksion të institucioneve, shumica e shfrytëzoi zmbrapsjen e opozitës për ta poshtëruar akoma më tej atë. Normalisht do të duhej që mazhoranca t’i jepte një mundësi opozitës që të tërhiqej me njëfarë nderi, sikurse rregullat kalorësiak kërkojnë që në një fortese të dorëzuar, ushtria rrethuese i lejon mbrojtësve nderin e armëve dhe dorëzimi bëhet me ceremonial tërë respekt. E kundërta ka ndodhur, sapo opozita është kthyer e zmbrapsur në parlament kanë vërshuar fyerje të tipit “unë jam kalorës që ua kam hypur” ose “opozita s’ka dhëmbë” që e ka shndërruar sallën e parlamentit në një vend të padurueshëm për pakicën.

Për rrjedhojë rikthimi i opozitës në parlament, nuk kërkon vetëm kërkesa patetike për zbutje gjakrash apo negociatorë të huaj, por mbi të gjitha kërkon rivënie në funksion në mënyrë të besueshme të institucioneve politike. Pikësëpari duhet që të bëhet e qartë që institucioni bazë, kushtetuta e ligjet, funksionojnë, duke lënë të lira institucionet e drejtësisë që të vihen në veprim në garantimin e zbatimit të ligjit. Së dyti do të duhej medoemos që edhe parlamentit t’i kthehet nderi që i takon, duke e zëvendësuar lidershipin e parlamentit me individë që janë më institucional, më të përmbajtur e më të kujdesshëm ndaj procedurave. Pra duke bërë që në raportin e ardhshëm të “regresit” të mos përmendet sërish keq-drejtimi i parlamentit shqiptar si barrierë për procesin e integrimit.

Në trend

Më shumë
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Magazina
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Magazina
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së

Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Evropa
Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Botë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Kalo në kategori