LAJMI I FUNDIT:

Për Bibliotekën Kombëtare, ideja lindi në Shkodër

Për Bibliotekën Kombëtare, ideja lindi në Shkodër

Nga: Aurel Plasari

Edhe pse i botuar mes një mori dokumentesh të tjera, njoftimi duket të mos ketë tërhequr vëmendjen për përmbajtjen e tij. Në 100-vjetorin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë ai meriton të lexohet siç lypset, duke u nxjerrë në dukje. Njoftimi gjendet ndër dokumentet diplomatike të shërbimit konsullor austro-hungarez që mbulonte “Shqipërinë turke”, më vonë edhe Shqipërinë e pavarësuar deri kur vetë monarkia e Danubit ra.

Në një telegram të datës 8 shkurt 1912, që konsulli i Austro-Hungarisë në Shkodër i ka dërguar eprorit të tij në Vjenë, kontit Von Aerenthal, e ka vënë në dijeni për një Qarkore të Klubit “Gjuha Shqype” të Shkodrës. Do t’i kthehem këtij Klubi në vendin përkatës. Edhe pse në botimin shqip të korpusit të dokumenteve “Shqipëria në dokumentet austro-hungareze”, vëll. I (Tiranë 2014) është shënuar për nënshkrimin e konsullit “firma e palexueshme”, nënshkrimi i përket pa dyshim konsullit Zambaur. Simbas njoftimit të konsullit, Klubi “Gjuha Shqype” ua ka shpërndarë Qarkoren e përmendur konsullatave të huaja, veprimtarëve që punojnë në vend, si edhe personaliteteve të huaja që interesohen për zhvillimin e kulturës së vendit: Miss. Durham, Baron Nopcsa, Dr. Steinmetz etj., pra, tre albanologëve veprues të asaj kohe për çështjen shqiptare. Në lidhje me të konsulli ka njoftuar ministrin: “Sikurse Shkëlqesia juaj do të denjojë ta kuptojë nga ajo vetë [Qarkorja], Klubi në fjalë ka ndër mend të ngrejë një Bibliotekë Kombëtare në Shkodër”: “Wie Eure Exzellenz demselben hochgeneigtest zu entnehmen geruhen beabsichtigt der erzahnte Klub die Errichtung einer nationalen Bibliothek in Scutari”.


Konsulli Zambaur ka shtuar që ka biseduar vetë, për këtë qëllim, me disa nga personalitetet drejtuese të Klubit në fjalë dhe ata i kanë thënë se Klubi do të jetë mirënjohës për çdo dhurim librash, “të cilët merren me çështjet shqiptare dhe me gjuhën shqipe”. Pra, fjala qenkësh për një bazë albanologjike të “bibliotekës kombëtare”, kështu të ideuar. “Duke mbajtur parasysh ndikimin që ushtron Klubi mbi çështjet e këtushme kombëtare, – u ka sugjeruar konsulli eprorëve, – jam i mendimit se është në interesin tonë që, me anë të një dhurimi të madh librash, të zëmë një vend kryesor në listën e mirëbërësve”. Për të mundësuar përzgjedhjen e veprave që t’i shërbenin qëllimit, konsulli ka rekomanduar edhe përdorimin e bibliografisë së Pekmezit. E ka pasur fjalën për veprën unike në atë kohë – ende sa pa qarkulluar Bibliografia shqiptare e z. Legrand – Albanesische Bibliographie, Zusammengestellt von Ing. F. Manek, Dr. G. Pekmezi, Ob-Leut. A. Stotz, Wien 1909. Konsulli ka propozuar edhe një shumë që do të duhej shpenzuar për blerjen e librave: 6 deri 7 mijë korona.

Qarkorja, që duket të ketë qarkulluar gjerë, do të duhet kërkuar ende në fondet e AQSH-së, ku me siguri kopje do të gjendet. Të mbahet parasysh që Klubi “Gjuha Shqype” ka shpërndarë më shumë se një qarkore. Në vargun e dokumenteve të përmendura të diplomacisë austro-hungareze të vitit 1912 nuk del e regjistruar Qarkorja, por një “kërkesë” pak më e hershme e Klubit drejtuar konsullit Zambaur në Shkodër, e formuluar si vijon: “Shkodër, më 15 janar 1912. Shkodër e Shqipërisë.

Zotëri, kemi nderin t’ju bëjmë në dije se Klubi “Gjuha Shqype” është duke mbledhur gjithfarë veprash që kanë lidhje me gjuhën tonë dhe me kombësinë tonë [sic] me qëllim që të ngrejë një bibliotekë për të ndihmuar arsimin popullor. Duke pasur bindjen, zotëri, se ju do të keni mirësinë t’i jepni ndonjë libër kësaj biblioteke për të kontribuar në këtë mënyrë në çështjen e ngritjes së ndjenjave patriotike të popullit, kemi nderin t’ju drejtojmë shprehjen e mirënjohjes sonë më të thellë dhe të përshëndetjeve tona më të mira.

Kryesia e Klubit “Gjuha shqype”, Shkodër. Adresa: “Klubi shqiptar”, Shkodër e Shqipërisë”. Vihet re që teksti i 15 janarit (Shqipëria në dokumentet austrohungareze, I, nr. 43) nuk e përmend konceptin “kombëtare” për bibliotekën që është ideuar të ngrihet. Përveç kontrollit të Qarkores që Zambauri ka përmendur, konceptin e “bibliotekës kombëtare” konsulli mund ta ketë përsaktësuar edhe prej vetë drejtuesve të Klubit posa që në telegramin drejtuar eprorit në Vjenë kishte shënuar: “Në lidhje me këtë [idenë për ngritjen e bibliotekës] unë jam kujdesur të zhvilloj bisedime me drejtuesit kryesorë të këtij bashkimi…”

Për ç’u takon “drejtuesve” të Klubit, mendja nuk mund të mos të shkojë, më së pari, te një mësues dhe atdhetar aktiv si Matí Logoreci (1867-1941), ndër themeluesit dhe drejtuesit e Klubit “Gjuha Shqype”. Edhe pak vite më vonë, emri i tij do të rezultojë mes emrave që hedhin bazat e Bibliotekës mirëfilli kombëtare. Marrëdhëniet e Logorecit me autoritetet austro-hungareze do të kenë qenë të favorizuara edhe nga faktet që jo vetëm Kolegja Saverjane e Etërve Jezuitë, ku ai qe shkolluar qysh në të parin vit të themelimit të saj (1877), mbahej me subvencionet e Austrisë, por edhe shkolla e Prizrenit ku ai kishte shërbyer si mësues, ishte mbajtur për do kohë me të tilla subvencione si juridiksion i Arkipeshkvisë së Shkupit (Mémoire über Albanien, tabelat e subvencioneve gjatë viteve 1894, 1895, 1896, për kryedioqezat dhe dioqezat në Shqipëri, f. 6: Lehrer Logoresi und Gehilfe Ljumezzi in Prisren). Për qarkoret e lëshuara nga vetë Logoreci duhet thënë se ai rezulton autor i një numri të tillash të Klubit “Gjuha Shqype” deri te njëra nga të fundit, e vitit 1938, që e ka filluar pikërisht me fjalët: “Kemi thanë e rithanë, shkrue e rishkrue, deri sa me mërzitë lexuest e ktyne qarkorevet…” (“Java”, Tiranë 1938, nr. 46/4, 8 prill).

Të shkoqisim tani diçka lidhur me Klubin “Gjuha Shqype” të Shkodrës. Ai ishte një ndër klubet e shumta që u çelën në viset shqiptare të Perandorisë osmane – edhe përtej tyre – duke përfituar nga i ashtuquajturi revolucion xhonturk, në të cilin shqiptarët luajtën rol të dorës së fortë, dhe përkatësisht nga lëshimet që kishte premtuar për kombësitë e ndryshme të Perandorisë partia e paraqitur si “Komiteti Bashkim e Përparim”: Ýttihat ve Terakki Cemiyeti. Të tilla klube, me profil patriotik-kulturor të nënkuptuar politik, u organizuan nga shqiptarët në Stamboll, Kostancë të Rumanisë, Manastir, Gjirokastër, Janinë, Filat, Shkup, Dibër, Korçë, Pogradec, Elbasan, Tiranë, Shkodër, deri në Mitrovicë (AQSH, fondi 102: Koleksioni i shoqërive dhe klubeve shqiptare 1893-1912). Një dëshmi nga koleksionet e Bibliotekës Kombëtare: njëri prej ekzemplarëve të këngës së dytë të veprës “Lahuta e Malcís” të Fishtës (Zadra 1907), që ruhet aty, mban vulën “Klubi Shqyptar n’Shkup”. I ka përkitur bibliotekës së publicistit atdhetar Jashar Erebara, që ka shënuar në të me dorë të vet: “Klubi shqyptar në Shkup: sa u ba – shpallë Hyrieti u hap edhe Klubi”.

E shumta e këtyre klubeve u mbyllën përdhuni prej xhonturqve mbas lëvizjeve politike të shqiptarëve që patën marrë guxim nga të shpallurit e “Kushtetutës” (1908). Klubet në fjalë e kishin kundërshtinë brenda vetes posa që në statutet e tyre qenë detyruar të shënonin se nuk do të merreshin me politikë, ishin pra organizime “me një deriçkë anadollake”, siç e vuri re Noli (“Dielli”, Boston 1909, nr. 1, 15 shkurt). Shqiptarët, me t’u zhdehur, ia dolën t’i organizonin përsëri disa syresh.

Klubi “Gjuha Shqype” në Shkodër, që këtu intereson, u themelua për herë të parë më 29 shtator 1908. Revista “Leka”, ndoshta për shkak të një konflikti të hershëm me nismëtarin e vërtetë të themelimit të Klubit dhe me idetë e tij për një arsim laik, e ka përshkruar themelimin në fjalë me “nismën” e fotografit shkodran Kel Kodheli, vijues i firmës “Marubbi” (“Leka”, Shkodër 1937, nr. 6, 272-275). Kontributi i spikatur i Kelit të Marubbit në këtë histori nuk mund të mohohet: atelieja e tij, për vetë veçantinë si studio fotografike e hapur për publikun, kishte funksionuar qysh prej vitit 1903 si njëfarë “klubi i mbëshehët”, ku mblidheshin në takime atdhetarë të Shkodrës dhe jo vetëm. Ndër shumë emra që fotografi atdhetar ka kujtuar më vonë bien në sy: Ndoc Çoba, Át Gjergj Fishta, Át Pashko Bardhi, Mit’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Matí Logoreci, Fuad Toptani, Lazër·Gurakuqi etj. (“Leka”, po aty. Edhe AQSH, fondi 102, dosja 192).

Pos avantazhit që i krijonte atelieja, Kel Kodheli kishte qenë anëtarësuar në partinë Ýttihat ve Terakki, çfarë i jepte edhe mundësinë të shpërndante në Shkodër organe që hynin ilegalisht nga jashtë, si “La Nazione Albanese” të Anselmo Lorecchios dhe “Albania” të Faik Konicës, duke i mbuluar me shpërndarjen e së përkohshmes “Osmanlí” të xhonturqve të Brukselit, pra, të partisë së tij. Si anëtar i partisë xhonturke, ai kishte nxjerrë edhe lejen që është ruajtur për botimin e një gazete gjysmë turqisht dhe gjysmë shqip (“Leka”, Shkodër 1938, nr. 1-3, 89/691-90/692). Duke përfituar nga ky status “partiak” i fotografit u mundësua edhe krijimi më 1908 në Shkodër i Klubit “Gjuha Shqype” dhe në historikun e Klubit është shënuar: “Per leje s’kish nevojë, pse mjeftote cilltija e Kelit si jeun-turc”.

Për saktësi historike, nisma për themelimin e Klubit “Gjuha Shqype” duhet t’i njihet Matí Logorecit, sikundër është dëshmuar edhe në shtypin e kohës: “N’ marim t’ mujt Shtatorit u ngrehnë n’ gjytet t’ Teutës dy klube, njeni i emnuem ‘Gjuha Shqype’, tjetri ‘Gegnia’. Klubi i parë i themeluem prej t’nershmit zotnij Mati Logoreci, atdhetar i përmendun n’çastje t’kombit t’onë e n’përmirsi t’gjuhës […] Ka për qëllim t’përhapunit e ndjenjave kombtare e mësimin e gjuhës nër ata Shqyptarë qi s’e dinë të këndojnë e të shkruejnë” etj. (“Kombi”, Boston 1908, nr. 106, 26 tetor 1908). Për Karl Gurakuqin, njohës nga pranë i personazheve të kohës, lejen për Klubin e kishte nxjerrë Matí Logoreci së bashku me Lazër Gurakuqin (“Mësuesi”, Tiranë 1929, nr. 8-9-10, 276). Në listat e anëtarësisë së Klubit të 1908-s emri i Matí Logorecit del i shënuar me nr. 1.

Qysh në themelimin e Klubit “Gjuha Shqype” qenë regjistruar 146 anëtarë, të cilët sa venin e shtoheshin, të interesuar për të ndjekur fjalimet atdhetare që mbanin Matí Logoreci, Lazër Gurakuqi, Karlo Suma e të tjerë (“Leka”, Shkodër 1937, nr. 6, 273). Selia ku mblidheshin ishte një lokal që e kishte marrë me qira Imz. Jak Serreqi, arkipeshkv i Shkodrës (po aty). Me synimin për të përfshirë edhe pjesën myslimane të popullsisë së qytetit në veprimtaritë për gjuhën shqipe, Klubi formoi edhe një degë më vete të emërtuar “Bashkimi”. Të mos ngatërrohet me “Bashkimin” e 1899-s. Atdhetari Riza Dani u dallua në drejtimin e këtij “Bashkimi” të 1908-s. Atëherë shpërtheu një konflikt mes dy bashkësive të qytetit, myslimane e katolike. Puna kishte shkuar deri në armiqësi të shpallur mes mbështetësve të alfabetit latin dhe mbështetësve të alfabetit arab për shkrimin e gjuhës shqipe. Ishte, siç do të zbulohej, konflikt i provokuar nga vetë xhonturqit nëpërmjet agjentëve të tyre gjysmëzyrtarë dhe autoritetet turke përfituan për ta mbyllur Klubin përdhuni, me polici. Për atë bandë aventurierësh, në të cilën kishte përfunduar partia “Bashkim e Përparim”, në çdo hap emancipimi kulturor që hidhte bashkësia katolike e Shqipërisë kishte gisht diplomacia austrohungareze.

Në një raport të konsullit austro-hungarez Pallavicini nga Stambolli për ministrin Aehrenthal, të 16 marsit 1910, citohen në ligjëratë të drejtë fjalët e vezirit të madh, Ibrahim Haki Pasha, një deputeti të njohur të Shqipërisë: “Dëshirën e shqiptarëve për të pranuar alfabetin latin, Qeveria [xhonturke] e quan si hap të parë për shkëputjen e tyre nga Turqia. Qeverisë i duhet të bëjë çmos dhe do të bëjë çmos për ta ndaluar përdorimin e alfabetit latin” (HHStPA, PA XIV/24 Albanien). Në një broshurë pak të njohur, të botuar më 1911, nën inicialet E. b. V., Eqrem bej Vlora citonte një qarkore që autoriteti më i lartë i myslimanëve, ShehUl-Islami, u kishte dërguar më 5 prill 1910 të gjithë myftinjve të Shqipërisë për ta refuzuar alfabetin latin për gjuhën shqipe dhe për ta ndaluar “rreptësisht” përdorimin e tij në shkollat shqipe (Die Wahrheit ûber das Vorgehen der Jungtürken in Albanien, Wien / Leipzig 1911, 21).

Prishja e Klubit “Gjuha Shqype” të Shkodrës u bë lajm ndërkombëtar, e trajtoi jo vetëm shtypi shqiptar jashtë Shqipërisë, por edhe shtypi anglez (“Times”), ai grek (“Pyrros”) etj. Nga gazeta “Kombi” e Bostonit reagoi vrazhdë Fan Noli duke ia vënë fajin fanatizmit të myslimanëve të Shkodrës që, simbas tij, kurrë nuk ushqyen shpresën e guximshme që mund të bëheshin “njerëz të rinj” me të shpallurit e Kushtetutës. Mundet edhe e teproi duke i ballafaquar ata me myslimanët e Toskërisë, “të cilët që prej kohe kanë kuptuar ç’do të thotë qytetërim” (“Kombi”, Boston 1908, nr. 108, 26 nëntor). Gjithsesi, edhe ai ishte i vetëdijshëm që konflikti i Shkodrës qe provokuar nga intrigat e xhonturqve: “Xhonturqit zunë të tremben kur panë që shqiptarët e paskan me gjithë zemër atdhetarizmën dhe çelë brënda në aqe pak kohë 15 klube dhe 4 gazeta, edhe menjëherë zunë të vënë spica. Sa për intrigantë s’mënuan të gjenin sa të donin. Shqiptarë grekomanë e turkomanë ka sa të duash” (“Kombi”, Boston 1909, nr. 2, 27 shkurt).

Klubi “Gjuha Shqype” u organizua përsëri. Më 24 dhe 31 dhjetor 1910, një grup të rinjsh shkodranë, pa iu trembur rrezikut, i paraqitën Bedri Pashës lutjen për lejen e çeljes së Klubit “Gjuha Shqype” në bazë të të drejtave që u jepte “Kushtetuta” e shpallur. Leja, e ruajtur me tekstin në turqishte osmane, u erdhi më 3 janar 1911 dhe Klubi i riorganizuar u lidh me “Bashkimin” e Stambollit, që konsiderohej klub “central” (“Leka”, Shkodër 1937, nr. 6, 322-326). Gazeta “Bashkimi” e Dom Ndoc Nikajt, organ i shoqatës “Bashkimi” të 1899-s, e ka njoftuar këtë “të çelun” të Klubit të ri në numrin e saj të datës 29 janar 1911. Ka çekur aty edhe faktin se ceremoni përurimi nuk ishte kryer ende ngaqë pritej ardhja e Imz. Jak Serreqit, kryetar nderi i Klubit. Në AQSH ruhet certifikata e lejes lëshuar nga valiu i Shkodrës, shpallja e kryesisë së Klubit, “Kanunet” e tij, letrat e aderimit në Klub të Luigj Gurakuqit dhe Dom Ndoc Nikajt, ftesa dhe lajmërime për mbledhjet e anëtarësisë së Klubit, procesverbale të mbledhjeve, dëftesa të financave të Klubit etj. (AQSH, fondi 102, dosje 188, 189, 190). Duke mbajtur parasysh që bëhej fjalë për një shoqatë të miratuar e të kontrolluar nga administrata xhonturke, në variantet e statuteve të Klubit (Kanune të Klubit “Gjuha Shqype”) të ruajtura në AQSH dhe të riprodhuara nga Leka, çështja e “bibliotekës” duket të jetë trajtuar në mënyrë të kamufluar, duke u shënuar vetëm “T’ çilunit e t’ mbajtunit e nji salon leximit”.

Nga listat e ndryshme të anëtarësisë së Klubit të 1911-s rezultojnë 161 anëtarë, një përzierje kërshërore personalitetesh intelektuale të saj kohe dhe përfaqësuesish të familjeve të njohura tregtare të Shkodrës. Nuk mund të mos bien në sy ndër ta arkipeshkvijtë në zë për përfshirjen e tyre në lëvizjen kombëtare, të cilët kanë qenë edhe baza e shoqërisë së mëhershme “Bashkimi”, të themeluar më 1899 në Shkodër nga Abati Prend Doçi: Imz. Jak Serreqi, Imz. Nikollë Kaçorri dhe Imz. Gjergj Koleci ipeshkv. Ashtu bien në sy edhe emra veprimtarësh të tjerë të spikatur po të “Bashkimit” të dikurshëm, si Dom Ndoc Nikaj, Át Gjergj Fishta, Át Pashko Bardhi, mësuesit Gaspër Beltoja, Gaspër Mikeli, Matí Logoreci etj. Po, sepse edhe Matí Logoreci pati qenë ndër anëtarët e “Bashkimit” të mëparshëm dhe qe larguar prej tij tok me vëllezërit Mjeda – i kishte kushërinj – kur Dom Ndreu qe prishur me “Bashkimin” për shkak të mendimit të ngulmët në alfabetin e vet. Prandaj, meqë ra fjala, Logoreci vajti në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Agimi” të vëllezërve Mjeda dhe i alfabetit të saj, jo i “Bashkimit”, që aty u përfaqësua nga Fishta dhe Gurakuqi.

Ky ka qenë, pra, Klubi që në janar të vitit 1912, ende në “Shqipërinë turke” dhe pikërisht në ndërkohën e Xhemijetit xhonturk, pati ndër mend të ngrinte një “bibliotekë kombëtare” në Shkodër, siç njoftonte konsulli Zambaur dhe siç kuptohet nga fushata e Klubit për grumbullimin e librave dhe botimeve periodike. Për kërshëri të organizimit le të saktësohet që në qershor të po atij viti kryetar i Klubit rezulton Ndoc Çoba, i cili në mbledhjen e përgjithshme të Klubit, më 9 qershor 1912, ka mbajtur ligjëratën Giûhë e komsí (“Leka”, Shkodër 1937, nr. 8-12, 508-513). Tani, duke pasur para syve qoftë edhe vetëm emrat autoritarë të përmendur sipër, emra që në kulturën shqiptare kanë bërë histori, ideja e një projekti për “bibliotekë kombëtare” vjen plotësisht e kuptueshme.

Do të ishte me interes që zhvillimi i atij projekti të ndiqej edhe më imtë nëpër burimet dokumentare në dy drejtime: 1) Nga njëra anë, në ato të diplomacisë austro-hungareze, prej të cilave kuptohet që puna për mbledhjen e librave për bibliotekën në fjalë ka vijuar qysh atë vit (1912), duke filluar më 23 shkurt me telegramin e udhëzimeve që Ministria e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë i jepte konsullit Zambaur në Shkodër për blerjen e librave “pa përmbajtje politike” për bibliotekën në fjalë (Shqipëria në dokumentet austro-hungareze, I, nr. 191); 2) Nga ana tjetër, në letërkëmbimin e Klubit me personalitete të ndryshme jashtë Shqipërisë, të cilëve u qe drejtuar me Qarkoren e përmendur për projektin në fjalë. Në AQSH ndodhet një pjesë me vlerë e letërkëmbimit të kryesisë së Klubit “Gjuha Shqype” me klubet e tjera shqiptare, si Klubi “Bashkimi” i Stambollit, Klubi “Bashkimi” i Elbasanit etj., por edhe me personalitete të ndryshme të kohës, si Mihal Grameno, Mihal Xoxa etj., pikërisht për të mbledhur libra për bibliotekën e ideuar (AQSH, fondi 102, dosje 192).

Një numër librash që mbajnë vulën “Klubi ‘Gjuha Shqype’ Shkodër” janë trashëguar në Bibliotekën Kombëtare. Ata fillojnë nga një botim i rrallë i vitit 1908 me titull Rrnésa e bulkut n’ t’ maajtun t’ baktís. Është, me sa kuptohet, fillimi i një kolane botimesh, të këputur në mes, të Klubit të 1908-s nën syzën “Libra për popull”. Me riorganizimin e Klubit më 1911, edhe botimet e tij rezultojnë të riorganizuara tanimë nën emërtesën editoriale si “Klubi ‘Gjuha Shqype’ n’ Shkodër”. Nr. 1; ndër këto botime është Kndime t’para për t’rritshëm, Shkodër 1911 (Shtypshkronja “Nikaj”). Edhe pse pa autorësi, i ka gjasat të jetë vepër e Matí Logorecit, posa që edhe numrat 2 dhe 3 të së njëjtës kolanë janë vepra po të tij: Ndollina historiket t’motshme t’përmbledhuna prejë M. Logorecit, Blêe i I / Blêe i II (Klubi “Gjuha shqype” n’ Shkodër, Nr. 2 dhe Nr. 3, Shtypshkroja “Nikaj” 1911). Klubi i 1911-s i ka shtypur botimet në një shtypshkronjë private, atë të klerikut atdhetar Dom Ndoc Nikaj, deri më 1914 kur duken të jenë ndalur për shkak të shpërthimit të Luftës së Madhe. Një listë e botimeve të Klubit mund të shihet po në AQSH (fondi 102, dosje 193).

Në vitet ‘50 të shekullit të kaluar, kur u përvijuan skicimet e para të historikut të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, fillet e saj u lidhën tek institucioni i njohur si Komisija Letrare Shqipe. Afërmendsh që në atë kohë burimet dokumentare të shërbimit diplomatik austro-hungarez nuk njiheshin. Komisija Letrare Shqipe (1916-1918) ishte një komision gjuhëtarësh dhe shkrimtarësh që, në kontingjencat e Luftës I Botërore dhe nën regjimin e pushtimit austro-hungarez, u organizua në Shkodër pranë Drejtorisë së Arsimit me qëllim që të zgjidhte një varg problemesh të gjuhës shqipe dhe të përdorimit të saj në administratë dhe shkolla mbas dy kongreseve të Manastirit (1908, 1910). E pakta nga konferenca shkencore organizuar në Shkodër në 100-vjetorin e themelimit të saj (“Komisia Letrare Shqipe në Shkodër: ngjarje me rëndësi historike dhe gjuhësore”), Komisija ka filluar tanimë të rivlerësohet si një institucion ku janë hedhur bazat e institucioneve të mëvonshme kërkimore-studimore për gjuhën dhe letërsinë shqipe. Pjesa autoritare e anëtarëve të Komisís vinin sa nga “Bashkimi” i 1899-s, edhe nga Klubi “Gjuha Shqype” i 1911-s: Át Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Dom Ndre Mjeda, Matí Logoreci (këta edhe nga “Agimi”) etj. Dhe një saktësim për t’u vënë re nga Karl Gurakuqi: në ndërkohën e fundit të Komisís (1919) kryetar i saj ka qenë Matí Logoreci (“Shkrimtarët shqiptarë”, II, f. 132).

Lidhja e Bibliotekës Kombëtare te Komisija Letrare Shqipe nxirret nga një informacion që ka dhënë Fletorja Zyrtare e datës 10 dhjetor 1922, vit i përurimit të Bibliotekës Kombëtare. Duhet saktësuar “vit i përurimit”, duke qenë se Biblioteka Kombëtare rezulton e themeluar me një akt të Ministrisë së atëhershme të Arsimit, më 10 korrik 1920 dhe me drejtor pikërisht të njohurin Matí Logoreci (“Koha”, 28 gusht 1920). Vetë drejtori Logoreci qysh atë vit ka drejtuar disa thirrje për pasurimin e Bibliotekës Kombëtare (“Zani i ri”, 9 gusht 1920; “Gazeta e Korçës”, 18 gusht 1920; “Populli”, 27 gusht 1920 etj.). Ministria e Punëve të Brendshme, në fillim të vitit 1921, lëshoi njërin ndër aktet themelore detyruese të ekzistimit të një biblioteke kombëtare: Qarkoren “Mbi dërgimin e kopjeve të detyruara të çdo botimi Bibliotekës së Shtetit” (“Qarkoret e M.P.B të vjetit 1921”, nr. 2, 58). Pra, të merremi vesh mirë: nëse i qëndrojmë themelimit të Bibliotekës Kombëtare më 1920, duke ia festuar këtë vit 100- vjetorin, atëherë i pari drejtor i saj rezulton Matí Logoreci, jo siç mëton ndryshe Ministria e sotme e “Kulturës”.

Në njoftimin e çekur te Fletorja Zyrtare e 1922-shit, në një bisedë me rastin e përurimit të Bibliotekës Kombëtare pranë Ministrisë së Arsimit, drejtori i ri, Karl Gurakuqi, ka kujtuar sesi në rrethanat e “pushtimit t’ ushtrivet Austro-Magjare” Komisija Letrare në Shkodër më 1917 ka pas parë të nevojshme themelimin e një biblioteke. Kjo e dhënë lexohet në vetë botimin zyrtar periodik Lajmet e Komisís Letrare Shqipe në Shkodër, nr. 1, kallënduer 1918, si vijon:

“Më 16 të Prillit [1917] u themelue bibliotheka e Komisís Letrare, d.m.th. Biblioteka e Shqipnís. Muerën pjesë në këtë mbledhje z.z. Gurakuqi, Mjedja, Peci, Logoreci, Mosi, Naraçi. Kryekomanda i kishte çuem Komisís nji letrë me nr. 1106 me 28.III.1917, qi foli mbi trajtimin e bibliothekës së Komisís. U vendue: I ngarkohet z. Mosit me marrë listën e libravet, qi kanë shtypshkrojat “Nikaj” [dhe] e “Zojës papërlyeme”.”

“Biblioteka e Shtetit u themelua në Shkodër”: kështu e ka njoftuar shtypi atë ngjarje (“Dielli”, Boston 1919, 13 gusht). Puna për pasurimin e bibliotekës së Komisís ka vijuar edhe gjatë vitit 1918, kur nga “e Nalta Komandë në Shqypní” u lëshua edhe urdhri për dorëzimin e detyruar në bibliotekën e Komisís të dy kopjeve nga çdo botim në territorin shqiptar (Lajmet e Komisís Letrare Shqipe në Shkodër, nr. 1, kallënduer 1918, 27). Karl Gurakuqi ka treguar sesi në vitin 1920, kur qeveria e re qe vendosur në Tiranë, ministri i atëhershëm i Arsimit, Sotir Peci, ka dhënë urdhrin që biblioteka e Komisís të shpërngulej nga Shkodra në Tiranë. Duke qenë ai vetë njëri ndër pjesëtarët e mbledhjes së prillit 1917, kur ajo bibliotekë qe themeluar, Peci e ka ditur se për çfarë bëhej fjalë. I ngarkuar me shpërnguljen e saj, Karl Gurakuqi e ka kryer atë duke e bartur bibliotekën e Komisís pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë më 10 korrik 1920, çfarë pajton me datën zyrtare të vendimit të ministrit të atëhershëm të Arsimit për themelimin e Bibliotekës Kombëtare. Në korrik të vitit 1922, në gazetën pararendëse të Fletores Zyrtare njoftohej: “Karl Gurakuqi emërohet drejtor i Bibliotekës së Shtetit” (“Dit’ e re”, Tiranë 1922, nr. 20, 16 korrik).

Ndër materialet e pasura të veprimtarisë së Komisís Letrare Shqipe në Shkodër, që ruhen, mund të ndiqen të dhënat, prej të cilave kuptohet sesi kanë kaluar në trashëgiminë e Komisís edhe fonde në libra e botime periodike sa të vetë Klubit “Gjuha Shqype”, aq edhe të mbledhura prej tij për projektin e vet të bibliotekës (AQSH, fond 447 etj.).

Ideimi i një projekti të tillë qysh prej fillimit të vitit 1912, pra, kur Shqipëria nuk kishte dalë ende shtet i pavarur, e meriton të regjistrohet në histori si njëri nga aktet më të rëndësishme të Klubit “Gjuha Shqype” në Shkodër. Pa dyshim që ishte projekt, i cili nuk mund të kryhej sa hap e mbyll sytë; nuk bëhej fjalë thjesht për “grumbullim librash”, por për vendosjen e një guri themeli në institucionalizimin e kulturës kombëtare. Projekti i ideuar u zhvillua dhe bëri përpara shkallë nga një shkallë: nga biblioteka e Klubit “Gjuha Shqipe” në Shkodër, te biblioteka e Komisís Letrare Shqipe po në Shkodër, mandej te shpërngulja si bibliotekë pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë deri te themelimi i Bibliotekës Kombëtare më 1920 dhe përurimi i saj më 1922.

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori