LAJMI I FUNDIT:

Pavarësia formale – 4 vite më vonë

Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës prezantojë (nxori) një “Deklaratë” përmes së cilës Kosova u shpall shtet i pavarur, sovran e demokratik. Në këtë deklaratë (letër) shkruante se më në fund po bëheshim të pavarur, por që realiteti ishte se nuk po bëhej fjalë për një pavarësi të njëmend e as për një sovranitet të plotë. E para që na bënte ta kuptonim se nuk ka pavarësi ishte se në tekstin e kësaj deklarate, në fillimin e sajë ashtu qysh do të duhej të ishte, nuk shkruante ose nuk thirrej në historinë dhe përpjekjen e popullit shqiptar për liri e vetëvendosje, për të ardhur deri të pavarësimi i vendit.

Një deklaratë e shkruar për t’u lexuar me rastin e shpalljes së një shteti të pavarur e sovran, nëse nuk fillon me historinë e atij vendi dhe atij populli, me përpjekjet e vazhdueshme të tij për të qenë i lirë, dhe nuk merren për bazë sakrificat e shumta për të ardhur deri këtu, atëherë me të drejtë themi se këtu nuk po bëhet fjalë për pavarësi, e rrjedhimisht nuk do të ketë shtet e as sovranitet.

Në “Deklaratën e pavarësisë” të datës 17 shkurt 2008, në vend se të përmendej termi shqiptar, kjo zëvendësohej duke përmendur disa herë planin famëkeq të Ahtisaarit, i cili padyshim se është plani më i dëmshëm gjatë dekadës së fundit, meqë është pikërisht ky plan i cili e cungon shtetësinë e Kosovës, përmes decentralizimit etnik që vendin tonë e ndanë në baza etnike e fetare, dhe përmes eksterritorialitetit të kishave dhe manastireve të cilat janë monumente fetare shqiptare, e që sot padrejtësisht quhen kisha e manastire serbe dhe kontrollohen nga ta. Këto pra janë institucionet e Kosovës që shkelën dhe po vazhdojnë të shkelin mbi vlerat kombëtare. Këto institucione duke mohuar historinë dhe kulturën tonë, ata po shkatërrojnë të tashmen për ta bërë edhe më të vështirë të ardhmen.


Me 17 shkurt 2008, qytetarët me padurim po prisnin që Kosova të shpallej shtet i pavarur e sovran. Festa në Prishtinë por edhe në qytete tjera të vendit kishte nisur, teksa Kuvendi po përgatitej për ta zyrtarizuar këtë shpallje. Gëzimi i qytetarëve ishte i madh në ato orë të ftohta, por që zgjati vetëm deri atëherë kur u lexua “Deklarata e pavarësisë” me ç’rast jo se nuk u dëgjua fjala shqiptar, e as nuk u morën parasysh përpjekjet njëshekullore për të qenë të lirë dhe të barabartë me popujt tjerë të botës, por kulmi i së keqes dhe padrejtësisë arriti kur lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u cilësua aty si një konflikt duke shmangur sërish historinë e të qenit popull i robëruar për më shumë se një shekull. Dhe, këtu me të drejtë shumë njerëz pyesin edhe sot për Hashim Thaçin, i cili e zë në gojë shumë shpesh luftën duke thënë se paska luftuar, e në anën tjetër lexonte “Deklaratën e pavarësisë” në të cilën shkruan konflikti në Kosovë gjatë viteve 98-99.

Tani kur u bënë 4 vite, Qeveria e Kosovës dhe pushteti lokal gjithandej, para se të mendonin për të festuar, do të ishte më e rrugës dhe më mirë sikur t’i bënin analizë kronologjike situatës politike, ekonomike e sociale në vend. Të shohin se çka ka ndryshuar për të mirë? Çka ka shkuar keq? Çka ka mundur të bëhet e nuk është bërë? Si është gjendja reale e shtresave qytetare dhe mirëqenia e tyre? Si është gjendja në veri të vendit? Në çfarë gjendje janë familjet e shumta të dëshmorëve të kombit, invalidëve dhe veteranëve të luftës së UÇK-së? Dhe, në përgjithësi ku janë të metat? Por, këta politikanë e kjo Qeveri jo se nuk merren me analiza të tilla, por për më keq se kaq, pas katër viteve shfaqen po të njëjtit duke vazhduar ta dëmtojnë vendin me politika anti-qytetare dhe anti-demokratike, të cilat padyshim se po e rrënojnë edhe atë pak që është arritur. Pra, po e rrezikojnë edhe vetë shpalljen që megjithatë ishte një hap pozitiv ose një hap para, meqë u njohë nga shtete të fuqishme të cilave padyshim u falënderohemi si popull.

Negociatat me Serbinë ne vend se të ndërpriten ato po vazhdojnë madje duke na dërguar në rreziqe të reja siç edhe jemi mësuar tashmë me këta politikanët servil e të shantazhuar. Pra, po shkohet drejtë heqjes së emrit Republikë në përfaqësimet e ndryshme rajonale të vendit tonë. Kjo Qeveri edhe pas katër vjet shteti mbetët shkelësi më i madh i Kushtetutës së vendit, me çka u dëshmua disa herë, e së fundmi ishte vendimi i Kuvendit të Kosovës i datës 7 dhjetor të vitit të kaluar, kur u votua mocioni i propozuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! për reciprocitet të plot politik, ekonomik e tregtarë me Serbinë, gjë që nuk u respektua deri më sot, përveç atyre 2 ditëve të protestave qytetare ku edhe u bllokua malli i Serbisë, por që kjo Qeveri përmes policisë rrahu, arrestoi, lëndoi e burgosi deputetë, aktivistë dhe qytetarë të shumtë vetëm pse po mbronin Republikën dhe një vendim të Kuvendit që është organi më i lartë vendimmarrës.

Papunësia dhe varfëria pas katër viteve shtet po rriten nga dita në ditë. Populli gjendet në një udhëkryq ngase Qeveria e Kosovës nuk ka plan e as vullnet që të përmirësoj mirëqenien qytetare dhe të rrisë prodhimin vendorë. Korrupsioni tashmë ka përfshirë pothuajse të gjitha institucionet qeveritare dhe ato komunale, duke u bërë e zakonshme nëse në një gazetë ose në një medium tjetër shkruan se filani apo fisteku qenka i korruptuar. Shumë familje ende janë në ankthin e pritjes së ndonjë lajmi për familjarët e tyre të zhdukur gjatë luftës së fundit, për të cilët Qeveria e Kosovës nuk bëri asgjë gjatë këtyre katër viteve e as më herët.

Veriu i vendit është i barrikaduar nga struktura paralele kriminale të Serbisë, ndërsa Qeveria në Prishtinë flet për sovranitet, ndërkohë që 25 korriku i vitit të kaluar doli të jetë vetëm fushatë politike e Hashim Thaçit. Acari i kohëve të fundit bashkë me pavarësinë katër vjeçare e gjen Kosovën pa energji elektrike deri në 5 orë pa të. Pra, pavarësisht se pagesa e energjisë elektrike nga ana e konsumatorëve është rritur, KEK-u dhe Qeveria mbetën të papërgjegjshme karshi kërkesave të qytetarëve për të pas drita 24 orë. Meqë situata është e tillë, këtu nuk ka vend e as arsye të vetëkënaqemi e të ndihemi mirë. Përkundrazi, po rrezikohemi nga dita në ditë si në aspektin politik ashtu edhe në aspektin social e ekonomik. Për tu bërë shtet normal duhet punë. E për të punuar duhet vullnet. Kjo i mungon kësaj Qeverie e këtij pushteti.

Në trend

Më shumë
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Kalo në kategori