LAJMI I FUNDIT:

Pastruesit gjejnë 170 mijë euro

Pastruesit gjejnë 170 mijë euro

Duket se puna e pastruesve të mbeturinave nuk është edhe aq e keqe. Pasi që para disa ditësh disa pastrues rrugësh në Amerikë gjetën 100.000 dollarë në një gomë kamioni pranë rrugës, të enjten kolegët e tyre në qytetin gjerman Henningsdorf, nuk kanë mundur t’u besojnë syve - kur në mesin e mbeturinave kanë gjetur një kasë me 170.000 euro.

Kasa kishte ardhur në mbeturina në kuadër të javës së hedhjes së mbeturinave metalike në Berlin, shkruan gazeta “Henningsdorfer Generalanzieger”. Pastruesit e kanë gjetur të enjten, derisa policia e ka vërtetuar këtë të premten, duke përjashtuar mundësinë se bëhet fjalë për vjedhje.

Është vërtetuar se bëhet fjalë për kasën e bankës gjermane “PostBank” të punësuarit e së cilës gjatë zhvendosjes kanë harruar ta zbrazin. Pasi që banka e ka zbuluar se shuma e caktuar mungon, zëdhënësi i saj Ralf Palm ka thënë se “po ndërmarrin të gjitha masat që paratë të gjenden”.

Kur banka ka rënë në kontakt me kompaninë komunale, fillimisht u është thënë se kasa është dërguar jashtë vendit. “Kemi pasur fat të madh”, ka thënë Palm pasi që kasa është gjetur në kompaninë e mbeturinave në Henningsdorf.


Artikull që ndërlidhet:

Pastruesit gjejnë 100 mijë dollarë në gomë kamioni