Rezultatet nga të dy raundet e zgjedhjeve lokale në Maqedoni paralajmërojnë ndryshime edhe në përbërjen qeveritare dhe parlamentare. Është e pasigurt gjithashtu se cilët do të jenë hapat e ardhshëm dhe se si do të ndikojnë ndaj qeverisë dhe Parlamentit paralajmërimet e mbrëmshme për mosnjohje të zgjedhjeve lokale nga ana e Aleancës për Shqiptarët, e cila ëhtë pjesë e koalicionit qeveritar dhe nga ana e OBRM-PDUKM-së opozitare, e cila tani për tani ka numër mëtë madh të deputetëve në Kuvend.
Ndryshime në përbërjen qeveritare tani për tani priten në pozitën udhëheqëse në Ministrinë e Shëndetësisë pasi Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët është zgjedhur kryetar i Komunës së Gostivarit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Funksionarë i ri në qeverinë e Zaevit duhet të vijë edhe në vendin e ministrit pa resor i angazhuar për investime të huaja, Ramiz Merko, i cili fitoi në Komunën e Strugës përballë Ziadin Selës.
Në mesin e kësaj jave pritet që Parlamenti të vazhdojë me punë pas mbarimit të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale. Sipas paralajmërimeve nga kabineti i Talat Xhaferit, në seancën e parë do të konstatohen dorëheqjet e deputetëve nga blloku shqiptarë të dorëzuara përpara zgjedhjeve, do të ndiqet edhe informata për disa deputetë të cilët kanë marrë mandate, si dhe verifikimi i mandateve të deputetëve të rinj.
Në vend të Bilall Kasamit nga Lëvizja Besa, i cili nuk arriti që të bëhet kryetar i Komunës së Tetovës, deputet do të bëhet Nexhbedin Karemani. Dorëheqje ka dhënë edhe Bardhyl Dauti i cili ishte kandidat për kryetar të Tetovës, ndërkaq në vend të tij pritet që të vijë Meral Uzairi-Fetai.
Grupi i deputetëve të LSDM-së gjithashtu do të ketë ndryshime pasi që për kryetar të Bashkisë së Shkupit u bë Petre Shilegov, për kryetar të Komunës Karposhit Stefan Bogoev, Shuto Orizares Kurto Dudush, Kumanovës Maksim Dimitrievski, Gjevgjelisë Sashko Pockov, Strumicës Kosta Janevski dhe të Shtipit Bllagoj Boçvarski.
Në vend të tyre pritet që të bëhen deputetë: Tatijana Llallçevska, Aneta Simeska-Dimoska, Lidija Tasevska, Riste Tashev, Kostandin Kostadinov, Agim Murtezanov dhe Kostadin Acevski.
Pritet që të ketë ndryshime parlamentare edhe për atë pasi që në mesin e dy rretheve zgjedhore Çedomir Sazdovski nga GROM e ka njoftuar kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, se do të funksionojë si deputet i pavarur dhe jo si pjesë e grupit parlamentar të opozitës./Telegrafi/