LAJMI I FUNDIT:

Pas tri dekadash tranzicion, a do t’i shpëtojë Shqipëria ‘kurthit të nën zhvillimit?’

Pas tri dekadash tranzicion, a do t’i shpëtojë Shqipëria ‘kurthit të nën zhvillimit?’

Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, doktor në shkencat ekonomike në Universitetin e Tiranës ka kryer një numër kualifikimesh post doktorale në tematika të veçanta në universitete prestigjioze, si në Purdue University, Indiana, John Keneddy School of Government, Harvard University, IMF Institute.

Xhepa ka qenë Deputet i Kuvendit të Shqipërisë për legjislaturën 2009-2013. Është përkthyes, autor dhe bashkautor i një numër botimesh, materialesh kërkimore dhe artikujsh shkencorë. Në këtë intervistë për bota.al, Xhepa flet për ngjarjet që pasuan rënien e Murit të Berlinit dhe tridhjetë vitet e tranzicionit të Shqipërisë. Si dhe bën një parashikim interesant për të ardhmen…


Xhepa, ky vit shënon 30 vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, një nga ato ngjarje epokale, kur gjithsecili e kujton “ku ishte dhe çfarë po bënte në ato momente”. Nëse ju vjen ndërmend, ku ndodheshit dhe cili ka qenë përjetimi juaj në atë kohë, mbi ngjarjet që po shpaloseshin, me shembjen e barrierës që ndante më dysh Berlinin, Gjermaninë, Evropën dhe Lindjen me Perëndimin?

Imazhet e të rinjve gjermanë të ngjitur mbi mur dhe tek shqyenin me varé atë ngrehinë që kishte ndarë një popull për aq vite, nuk mund të shqiten nga kujtesa. Unë sapo kisha përfunduar studimet në Fakultetin e Ekonomisë dhe isha përzgjedhur si asistent lektor po aty. Çdo ditë për mua fillonte në Bibliotekën Kombëtare dhe ndryshe nga çdo herë ku secili përqëndrohej në tavolinën e vet me librat, ato ditë ishin librat që rrinin të vetmuar mbi tavolina, ndërkohë që në grupe miqsh dhe kolegësh uleshim duke diskutuar mbi këto zhvillime në Lindje. Zhvillimet ishin aq intensive sa çdo mëngjes kishte një temë të re debati, por një pyetje mbetej e përditshme: çfarë do të ndodhte në Tiranë? Si do të reagonte regjimi politik i vendit? Përjetimi emocional dhe shpirtëror ishte një ndjesi e veçantë ku ndërthurej entuziazmi i pritshmërisë për liri, me ndjenjën e pasigurisë mbi zhvillimin e mundshëm ngjarjeve. Ekranet e censuruara nuk mund të fshihnin dramacitetin e zhvillimeve të asaj periudhe në pjesën tonë të botës.

A mendoni që shembja e Murit të Berlinit mijëra kilometra larg Shqipërisë, pati një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë?

Shqipëria ishte një vend shumë konservator, që mendoj se i atribuohet edhe prapambetjes kulturore dhe fanatizmit që kishte zënë vend ndër popullsinë e vendit. Shtoji kësaj edhe një sistem shumë efiçient të propogandës komuniste në krijimin e “njeriut të ri”. Por, efekti ‘domino’ në rrëzimin e diktaturave nuk do vononte të ndihej edhe në Shqipëri. Nga fillimi viteve ’90 filluan të zhbëheshin disa nga masat politike thellësisht të gabuara që ishin kryer në raport me fshatin. Pas tufëzimit që kishte ndodhur në fillimet e viteve ’80 dhe një gjendjeje të kolektivizimit total të bujqësisë, filloj të lejohej një ekonomi e vogël bujqësore private dhe një liri më e madhe e kooperativave bujqësore. Në sistemin ekonomik filluan të zbatoheshin disa masa që e rrisin lirinë e ndërmarrjeve shtetërore në veprimtarinë ekonomike në mënyrë që të stimuloheshin në rritjen e të ardhurave dhe fitimeve (edhe pse ky term ishte herezi për sistemin). Ky u quajt “mekanizmi i ri ekonomik”. Edhe pse këto masa kishin një karakter liberalizuese, kujtoj se në grupe të caktuara intelektualësh fanatikë, flitej për një kthim pas dhe rrëshqitje drejt kapitalizmit. Në fakt, sistemi ekonomik i vendit ishte shembur prej kohësh dhe ndryshimet në Lindje vetëm se e përshpejtuan këtë proces. Sistemi i tregtisë në klering mbi të cilin ishin ndërtuar marrëdhëniet mes vendeve lindore, me të cilat Shqipëria kryente pothuaj në mënyrë ekskluzive shkëmbimet me jashtë, tashmë nuk funksiononte më. Në mungesë të plotë të valutës që nevojitej për të blerë lëndët e para të importit mbi të cilat funksiononte e gjithë industria e vendit, sistemi i prodhimit shumë shpejt do të shkonte drejt falimentimit total. Qeveria e kohës shpalli të famshmi “80 përqindësh”, ku punëtorët paguheshin me 80% të pagës, pa shkuar në punë. Edhe në planin politik pati një reflektim zbutës duke paraqitur masa demokratizuese të brendshme, duke rritur peshën e grupeve të ndryshme të interesit në vendim-marrje (për shembull në universitete, në ndërmarrje, etj), por edhe një “demonstrim force të diktaturës” për të përcjellë mesazhin tek populli se regjimi do të mbetej në këmbë i pacenuar. Pati për shembull, dënime mizore në vende publike të një poeti të ri, “gabimi” i të cilit ishte një poezi ku i referohej konventës së Helsinkit dhe të drejtave të njeriut! Por edhe këto demonstrime force, shiheshin si një shenjë dobësie e regjimit dhe e një frike në rritje nga establishmenti partiak për vetë fundin e sistemit.

Unë besoj tek një shprehje e thënë nga dikush në atë kohë se, nëse nuk do të ishin radhët e gjata në dyqanet e bukës, ndoshta as komunizmi nuk do të kishte rënë. Ironike që komunizmi i cili kishte pretenduar se do të triumfonte mbi kapitalizmin kryesisht në planin ekonomik, ishte pikërisht dhe aty ku ai do të dështonte.

Ka patur shumë kritika mbi mosrealizimin e aspiratave të 1989-ës. Janë kritika të shfaqura në disa vende të Evropës Lindore. Edhe rrugëtimi historik dhe politik i Shqipërisë në këto tre dekada ka qenë disi i pazakontë. Sot, kur ktheni kokën pas si e shikoni këtë rrugëtim?

Shqipëria ka kaluar në një rrugëtim shumë të vështirë jo vetëm në planin ekonomik, por edhe politik e shoqëror. Tre dekada janë një periudhë relativisht e gjatë për të ndërtuar një histori të re moderne, për më tepër që dinamikat globale kanë qenë mjaft të favorshme. Triumfi i lirisë dhe demokracisë në shkallë globale, i sistemit të ekonomisë së tregut dhe lirisë së sipërmarrjes, bashkë me një zhvillim të paprecedentë në historinë e ekonomisë së një revolucioni të ri industrial, e kishin të gjithë potencialin që me politikat e duhura dhe me një lidership të përgjegjshëm politik dhe me vizion të qartë për të ardhmen, në këto tre dekada ne të kishim arritur një demokraci më funksionale, një ekonomi më moderne dhe me baza solide të rritjes së saj dhe për pasojë dhe një shoqëri më kohezive dhe të shëndetshme. Emigracioni masiv në fillimet e tranzicionit, bashkë me një shoqëri me një ndjenjë të lartë kursimi, duke i shtuar dhe investimet e huaja si një faktor suplementar, do të kishin mundësuar një sipërmarrje më të zhvilluar dhe një integrim më të mirë të ekonomisë sonë në zinxhirin e prodhimit botëror. Fatkeqësisht, sot pas tre dekadash, demokracia mbetet shumë e dobët dhe institucionet jofunksionale, ekonomia e brendshme akoma ka një strukturë disi arkaike ose që nuk ngjet me tiparet e një ekonomie moderne dhe një popullsi me disparitete shumë të larta në shpërndarjen e të ardhurave. Edhe vlerat shoqërore kanë përjetuar një kolaps, ku disa nga vlerat e mira të trashëguara, kapitali social shumë i fortë që mund të ishte një burim i fortë zhvillimi, i lanë vendin një rënie të fortë të rolit të familjes dhe komunitetit, një paaftësie të sistemit të edukimit për të ndërtuar sistemin e vlerave të një shoqërie të transformuar. Zhgënjimet e qytetarëve mund të lexohen jo vetëm tek rikthimi nostalgjisë për sistemin e kaluar që kanë raportuar disa anketime, por tek vazhdimi, së fundmi me ritme edhe më të shtuara, i emigrimit të popullsisë drejt perëndimit.

Le të bëjmë një udhëtim pas në kohë, me tridhjetë vite. A jeni në gjendje të kujtoni, si e imagjinonit Shqipërinë pas 2 apo 3 dekadash, në atë vit të largët 1989?

Kishte një eufori deri në naivitet në ato vite të hershme. Pritej që brenda një dekade vendi të shndërrohej në një vend me një ekonomi moderne, me institucione demokratike dhe funksionim të shtetit ligjor, një vend që do të anëtarësohej në BE dhe që procesi i konvergjencës, kryesisht në saj të fluksit të menduar të investimeve të huaja, do të konvertonte shumë shpejt drejt niveleve të vendeve të zhvilluara. Libri i Fukuyamas mbi fundin e historisë tingëllonte shumë bindës dhe rendi i ri botëror i një shoqërie të harmonisë globale po bëhej një realitet. Në fakt, gjërat do të ndryshonin shumë shpejt edhe në planin global, por ngjarjet që ndodhën në Shqipëri në vitin 1997 do të tregonin se sa jorealiste kishin qenë pritshmëritë tona. Personalisht kam patur pritshmëritë naive mbi suksesin e shpejtë të reformave transformuese të vendit, dhe mbi këto pritshmëri refuzova një mundësi për të punuar si ekonomist në një nga zyrat e OKB-së, pas një procesi konkurues përzgjedhës që u zhvillua atë kohë nga kjo organizatë.

Pavarësisht entuziazmit që përfshiu të madh e të vogël në ato ditë kur Shqipëria linte pas një herë e përgjithmonë 50 vite të regjimit totalitar dhe hynte në një fazë të re, të panjohur, të një shoqërie demokratike, të paktë ishin ata që e ndjenin se rruga që do të ndiqej nuk do të ishte një autostradë, por një garë me pengesa. Pyetja është e drejtpërdrejtë: Çfarë shkoi mirë në tranzicionin shqiptar gjatë këtyre 30 viteve? Dhe çfarë shkoi keq?

Pa diskutim që realitetet në të cilat ka ecur tranzicioni kanë qenë shumë komplekse, gjykuar jo vetëm nga konteksti i brendshëm, por dhe zhvillimet në rajonin tonë, më ngushtësisht, dhe proceset rajonalizuese dhe globalizuese, më gjerësisht. E them këtë pasi kur gjykojmë mbi “të drejtën” dhe “të gabuarën”, duhen mbajtur në konsideratë shumë rrethana e zhvillime influencuese. Për shembull, niveli i dijes sonë për reformat në tërësi ka evoluar në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë këtyre viteve, ashtu si dhe kuptimi ynë për fenomenet ekonomike e shoqërore.

Në dhënien e disa vlerësimeve, unë po i referohem disa prej politikave kryesore të realizuara gjatë kësaj periudhe. Dhe natyrisht që brenda secilës prej tyre mund të evidentohen elementë pozitive dhe negativë që kanë bashkëjetuar, duke ndikuar në eficiencat e politikave përkatëse.

Shpërndarja e tokës bujqësore. Ishte një ndër reformat e para të tranzicionit, e cilësuar si ndër më të suksesshmet. Suksesi i saj matet me rritjen e shpejtë të sektorit bujqësor dhe kontributin e pazëvendësueshëm të tij në prodhimin e përgjithshëm ekonomik dhe në punësim. Ishte hapi i parë për ndërtimin e kapitalizmit në fshat. Por, nga ana tjetër, kjo reformë është edhe shumë e kundërshtuar pasi krijoi probleme serioze me pronarët e vërtetë të tokës, duke lënë pronarët e vërtetë pa pronën e tyre. Po kështu, fragmentarizimi i thellë i pronës ka krijuar një mori fermerësh me sipërfaqe shumë të kufizuara  ku rendimenti bujqësor është mjaft i ulët për shkak të gjendjes së prapambetur teknike dhe teknologjike në prodhimin bujqësor. Pra, sektori që ushqeu rritjen ekonomike për thuajse gjatë gjithë dekadës së parë të tranzicionit, është shndërruar në një sektor që po frenon ritmet e rritjes. Masat e konsolidimit të tregut të tokës janë mjaft akute për të nxitur investimet private në modernizimin e sektorit dhe rritjen e rendimentit të prodhimit.

Privatizimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, megjithë disa kritika që lidhen me procesin e zbatimit, ishte gjithashtu ndër reformat që vazhdon të cilësohet si ndër më të suksesshmet. Mendoj se ajo mbajti në konsideratë si shpirtin sipërmarrës të investitorëve vendas, ashtu dhe adresimin e kërkesave legjitime të ish-pronarëve si partner në këtë proces. Procesi i privatizimit të këtyre objekteve krijoi dhe shtratin e zhvillimit të sipërmarrjeve të reja dhe në disa raste riaktivizimin e industrive tradicionale që ishte zhvilluar dhe më parë në to. Në analizë të fundit, ishte ky proces që së bashku me liberalizimin e hyrjes në treg të investitorëve të rinj, krijuan bazat e zhvillimit të sektorit privat në ekonominë e vendit dhe burimin kryesor të rritjes ekonomike. Natyrisht që në procesin e zbatimit mund të ketë patur edhe mangësi apo praktika të konsideruara si jo të drejta, si për shembull, kërkesat e vazhdimit të aktivitetit ekonomik për tre vjet pas privatizimit, praktika e privatizimit nëpërmjet bordeve, etj. Sidoqoftë, në analizë të fundit rezultati final i këtij veprimi mund të konsiderohet si një reformë me impakte mjaft pozitive për ekonominë e vendit.

Privatizimi i bankave dhe ndërmarrjeve strategjike. Siç edhe është vlerësuar nga studjues të ekonomisë dhe financave dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, progresi i reformave në këtë fushë ka patur mjaft mangësi, përveçse është zvarritur mjaft në kohë. Ngadalësitë në privatizimin e bankave, për shembull, rezultuan në përsëritjen disa herë të ristrukturimit të tyre, duke e bërë ristrukturimin bankar si një ndër operacionet më të kushtueshme për buxhetin e shtetit dhe taksapaguesit shqiptar. Të njëjtat konsiderata ndaj edhe për vonesat në privatizimin e ndërmarrjeve të mëdha. Vonesat në këtë drejtim nuk kanë veçse efekte negative për vetë këto ndërmarrje.

Liberalizimi i tregtisë dhe integrimi i saj në sistemin botëror të tregtisë mendoj se mund të konsiderohet gjithashtu si një sukses i reformave të tranzicionit. Anëtarësimi në OBT, rrjeti i marrëveshjeve të tregtisë së lirë me rajonin, marrëveshja e tregtisë së lirë me Bashkimin Europian, mendoj se janë “milestones” në matjen e suksesit të politikave tregtare. Natyrisht që ka grupe të ndryshme interesi reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj përmbajtjes së tyre, ndaj produkteve të veçanta apo industrive të caktuara.

Një ndër reformat më të prapambetura janë ato të mbrojtjes së pronës private. Mbrojtja e të drejtave të aksionarëve të vegjël, zbatimi i kontratave, eficienca e dobët e ligjit dhe institucioneve që operojnë në këtë fushë, si hipotekat, marka dhe patentat, pronësia intelektuale, etj., vazhdojnë të jenë shqetësim për ekonominë.

Duke e mbyllur përgjigjen e kësaj pyetje, siç e theksova , është e lehtë të gjykosh mbi suksesin apo mossuksesin e një reforme sot dhe nisur nga pozita komode e analistit. Çdo reformë e ndërmarrë mbart në vetvete edhe presionet e kohës para të cilës gjenden shpesh vendimmarrësit që udhëheqin këto reforma, nivelin e dijeve të akumuluara nga shoqëria në atë kohë dhe shkallën e kuptimit tonë mbi gjërat dhe nga ana tjetër, edhe nga kriteret mbi të cilat ne bazojmë gjykimet tona mund të jenë të ndryshme.

Është thënë se vendet e Evropës Lindore, hynë në periudhën post-komuniste duke zgjedhur qasje të ndryshme. Ata shtete që zgjodhën një qasje më radikale ndaj tranzicionit – një lloj “big bang”-u – e përfunduan më shpejt këtë proces (si Republika Çeke dhe Polonia), apo edhe Sllovakia, ndërkohë që shtetet që e “humbën” vrullin dhe zgjodhën një qasje më graduale (Hungaria dhe Sllovenia), mbetën më mbrapa. Sipas këndvështrimit tuaj, cilën qasje zgjodhi Shqipëria. Dhe a ishte e duhura?

Gradualiteti kundrejt “terapisë shok” ka qenë një nga temat më të zjarrta të debatit tonë publik në atë periudhë, dhe një temë që akoma vazhdon të mbetet e diskutueshme. Shqipëria përqafoi “terapinë shok”, në gjykimin tim një zgjedhje e drejtë e diktuar nga konteksti i brendshëm ekonomik, politik dhe kulturor. Të zgjedhësh gradualitetin, transformimin e ngadaltë të strukturës ekonomike, do të thoshte që ndërmarrjet të kishin burimet e duhura financiare, njerëzore e menaxheriale, teknologjike dhe të lidhjeve me tregjet, në mënyrë që privatizimi i tyre të ishte i ngadaltë dhe jo të ngjante si një ‘fire sale’, ose një privatizimin nëpërmjet likujdimit ose falimentimit. Në fakt, siç edhe e theksuam, ndërmarrjet pothuajse të gjitha qëndronin të mbyllura prej kohësh, lidhjet me tregjet ishin ndërprerë për shkak të mungesës së mjeteve të nevojshme financiare. Mbi të gjitha, vendi nuk kishte kapacitetet e duhura menaxheriale që të përshtaste ndërmarrjet me sistemin e tregut të lirë. Teknologjia në shumë raste ishte tepër e vjetëruar dhe që nuk garantonte një konkurueshmëri me mallrat e huaja. Shqipëria eksperimentoi me një program të ristrukturimit të ndërmarrjeve, sipas modelit të gradualitetit që fillimisht të ristrukturonte ndërmarrjet, nëpërmjet një procesi spin off (duke veçuar njësitë e pasuksesshme dhe duke lënë vetëm njësitë ekonomikisht eficiente), të mbështetjes me likuiditet dhe lëndë të para, dhe që pasi ato të viheshin në eficiencë të plotë, t’i nënshtroheshin më pas privatizimit si sipërmarrje të vërteta operuese. Rezultati ishte një dështim i plotë. Rreth 30 milionë dollarë që ishin huazuar nga Banka Botërore nuk arritën qëllimet e saj në të gjithë portofolin e rreth 30 ndërmarrjeve që ishin përzgjedhur në këtë program. Vendi gjithashtu zgjodhi të kalonte në regjimin e kursit luhatës të kursit të këmbimit të monedhës, jo aq shumë si një zgjedhje e saj se sa për shkak të pamundësisë financiare për të mbështetur një zgjedhje të kursit fiks, që është një politikë e arritjes më të shpejtë të stabilizimit makroekonomik. Kur rezervat valutore ishin inekzistente, nuk mund të kishte vend për tu menduar për zgjedhje strategjike.

Në thelb, zgjidhjet që bënte vendi ynë ishin më shumë të diktuara se sa një përzgjedhje e studiuar mes alternativave. 93 përqind e shqiptarëve janë pro integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjë që na bën ndoshta popullin më pro evropian, në një kohë të lulëzimit të populizmave dhe ekstremizmave. Megjithatë, sot 3 dekada më vonë, Shqipëria “ende pret tek porta”. Pse kjo vonesë? Cilët mendoni se janë faktorët që kanë bërë që ta humbasim “trenin e integrimit” gjatë këtyre 30 viteve.

Parulla e viteve ’90 “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” ishte motivi i revoltës popullore ndaj sistemit komunist dhe aspirata për të ndërtuar një shoqëri me institucione moderne dhe mirëqenje për qytetarët. Suksesi i reformave të para të tranzicionit që lidheshin me liberalizimin e çmimeve dhe tregtisë, vënien e çmimeve nën kontroll në saj të shtrëngimeve të forta fiskale dhe privatizimin e shpejtë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, krijuan një atmosferë shumë mbështetëse tek vendet anëtare të BE-së lidhur me një perspektivë shumë të shpejtë të integrimit të Shqipërisë në këtë familje. Që në vitin 1996 u ngrit një grup pune ndërqeveritar për të filluar procesin përgatitor të negociatave, të cilat do të hapeshin në një të ardhshme të afërt. Por zhvillimet politike të zgjedhjeve të vitit 1996, të pasuara nga anarkia dhe konflikti civil i armatosur i vitit 1997, treguan se vendi ishte shumë larg standarteve demokratike që kërkon Europa. Kriteret kyç të Kopenhagës janë të natyrës politike, që lidhen me institucionet demokratike dhe funksionimin e shtetit ligjor dhe të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve. Fatkeqësisht, edhe sot e kësaj dite vendi ynë përballet me sfida serioze në këto drejtime: demokracia mbetet e brishtë dhe e dobët, zgjedhjet nuk gëzojnë integritetin e duhur dhe standardet më të mira të një shoqërie të lirë dhe demokratike, institucionet janë jofunksionale, sistemi i drejtësisë u provua të jetë thellësisht i korruptuar dhe joefektiv, korrupsioni me fondet publike dhe përdorimi abuziv i diskrecionit të rregullave qeveritare për biznesin janë sëmundje endemike, ekonomia kriminale e trafiqeve nuk po vihet nën kontroll, etj. Të gjitha këto dobësi janë pengesa serioze në procesin e integrimit dhe vendet anëtare po tregohen skeptike për progresin e Shqipërisë. Nga ana tjetër, lidershipi politik i vendit në vend që të merret seriozisht me këto sfida, luan kartat e gjeopolitikës së rajonit si instrument presioni për anëtarësim. Mendoj se kjo mbështetje popullore e pazakontë, që nuk ndeshet gjetkë, është shprehje e mungesës së besimit të publikut tek klasa e saj politike dhe e besimit tek institucionet evropiane. Besoj se kjo është dhe merita apo përfitimi kryesor që do të ketë shoqëria jonë nga anëtarësimi në BE.

A mendoni se klasa politike shqiptare në tërësi – në të gjithë spektrin e saj – ia ka dalë që të ngrihet në lartësinë e peshës dhe rëndësisë që kjo periudhë 3-dekadëshe ka në historinë e Shqipërisë?

Do tingëllonte shumë nihiliste të mos theksohet se këto tre dekada kanë shënuar dhe mjaft arritje që unë u përpoqa t’i analizoj më lart, dhe ku padyshim që forcat politike qeverisëse kanë meritën e tyre. Shqipëria e nis rrugëtimin drejt sistemit të ri demokratik dhe ekonomisë së tregut si vendi jo vetëm më i prapambetur ekonomikisht, por dhe të një mungese të fortë të traditës demokratike, shtetit ligjor dhe sipërmarrjes private. Edhe para komunizmit, vendi ishte thjesht një shoqëri protoindustriale dhe sistem monarkie, me një traditë demokratike shumë të re dhe të pazhvilluar. Nga kjo pikëpamje, ndryshimet janë madhore. Por, nëse udhëheqësit e vendit do të kishin demonstruar më shumë përgjegjshmëri, do të ishin më ‘humble’ dhe jo me sjellje autokratike e arrogante, ndoshta vendi do të ishte shumë më pranë realizimit të aspiratave të fillimit të viteve ’90.

Themeli i një shoqërie demokratike perëndimore është sundimi i Ligjit. Sa mendoni se e kemi “ndërtuar” këtë themel gjatë tranzicionit post-komunist shqiptar.

Siç po e fakton reforma në drejtësi, sistemi i drejtësisë në Shqipëri ishte thellësisht i korruptuar. Nuk duket se ka sunduar “rule of laë” por “rule of laëyer”. Kjo shthurje e sistemit të drejtësisë, bashkë me standardet aspak demokratike të qeverisjeve, kanë bërë që autoriteti i shtetit në publik të bjerë dhe të humbasë respekti për ligjin nga qytetari i thjesht. Kjo është një sëmundje e rrezikshme dhe mund të ketë pasoja afatgjata në zhvillimin e vendit. Prandaj, reforma në drejtësi, e diktuar dhe udhëhequr nga faktori ndërkombëtar, mbetet e vetmja shpresë që sundimi i ligjit do të zëvendësojë sundimin e gjyqtarit dhe se respekti për shtetin do të rivendoset.

Nuk ka dyshim se rrugëtimi i vështirë, plot gropa dhe pengesa i Shqipërisë në këto 3 dekada, na ka zbritur të gjithëve me këmbë në tokë dhe na ka bërë më realistë për atë çfarë duhet të presim nga e ardhmja. Çfarë mendoni se rezervon kjo e ardhme për Shqipërinë?

Përgjigjia e kësaj pyetje mendoj se lidhet ngushtësisht me atë që theksova më lart: me rezultatet e reformës në drejtësi. Nëse publiku do të shohë të vihen përpara ligjit abuzuesit e pushtetit, ata që me paratë e taksave të qytetarëve kanë krijuar pasurim personal e fisnor, favorizim oligarkësh dhe shpërdorim të pasurive të vendit, ka arsye për të shpresuar për një të ardhme shumë më të mirë. Shqipëria është një vend shumë i vogël dhe ku efektet e çdo ndryshimi ndihen shumë shpejt. Nëse merr fund epoka e liderëve autokratë dhe vetë pushtetarët janë seriozë në raport me institucionet, nuk ka arsye se përse publiku të mos ketë besim tek serioziteti i shtetit dhe institucioneve të tij. Nga ana tjetër, zhvillimi dhe modernizimi janë dhe një çështje kulturore dhe vendi ynë duhet të adresojë dhe këtë problem. Një pjesë e madhe e popullsisë, veçanërisht asaj rurale dhe suburbane kanë një nivel edukimi dhe shkollimi të cekët dhe një formim kulturor të dobët, duke filluar nga normat e sjelljes qytetare.

Historia ka treguar se disa vende kanë mundur të bëjnë një kërcim të madh dhe shkëputje nga stadi i një shoqërie në zhvillim duke hyrë në rrugën e modernitetit dhe të një shoqërie me standarte të larta ekonomike dhe demokratike. Disa të tjera kanë mbetur të ngërthyer në kurthin e nënzhvillimin, duke patur rritje ekonomike të përvitshme por pa mundur të çlirohen nga kthetrat e nënzhvillimit, një fenomen që ekonomistët e emërtojnë si ‘development trap’. Nëse Shqipëria do t’i shpëtojë këtij kurthi, kjo do të jetë meritë e klasës politike ose dështimi i saj në rastin e kundërt.

 Ku e shihni Shqipërinë, në 2049-ën?

Parashikimet, veçanërisht në këtë epokë të ndryshimeve të shpejtësisë kozmike, janë të pamundura. Në fakt ato kanë qenë gjithnjë të pamundura. Kur u shpik llampa elektrike, ish shefi i zyrës së markave dhe patentave të SHBA-së kishte dhënë dorëheqjen sepse, siç kishte deklaruar ai, “tashmë nuk ka mbetur më asgjë për t’u shpikur”. Ndërsa sot jetojmë në kufijtë e fantashkencës dhe ku njeriu po konkurron me Zotin në shumë drejtime. Në epokën tonë edhe e sotmja është histori, por ne duhet të punojmë që e ardhmja të mos mbetet një keqardhje e përhershme që sot nuk po bëjmë siç duhet detyrat që na takojnë.

Unë jam optimist për të adhmen e vendit. Nëse Bashkimi Europian do të vazhdojë të ekzistojë si organizatë, pa dyshim që vendi ynë do të jetë anëtare e saj. Demokracia do të jetë më e shëndoshë dhe pole të forta pushteti jashtë politikës do të krijojnë presionin e nevojshëm për qeverisje më të përgjegjshme. Teknologjia do të na mundësojë jo vetëm një ekonomi më efiçiente, por dhe një sistem demokratik dhe qeverisës më transparent, llogaridhënës dhe të përgjegjshëm.

/Bota.al/

Në trend Lajme

Më shumë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Kalo në kategori