LAJMI I FUNDIT:

Parku Kombëtar i Alpeve nën mbrojtjen e Shqipërisë dhe Kosovës

Parku Kombëtar i Alpeve nën mbrojtjen e Shqipërisë dhe Kosovës

Parku Kombëtar i Alpeve do të jetë parku më i madh në Shqipëri dhe në Ballkan, me një sipërfaqe që shkon në 86 mijë hektarë. Parku do të shtrihet nga Vermoshi në Valbonë dhe do të përfshijë Parkun Kombëtar të Thethit dhe atë të Luginës së Valbonës. Në këtë projekt janë angazhuar edhe Kosova dhe Mal i Zi, me synimin për ta kthyer në të ardhmen në një park ndërkombëtar ku të vijnë vizitorë nga të gjithë anët e botës.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), Zamir Dedej tha gjatë një interviste për Kosovapress se Agjencia që ai drejton synon zgjerimin e kësaj zone, nga Vermoshi deri në Valbonë.

Parku Kombëtar i Alpeve do të ketë një sipërfaqe të propozuar prej 86 mijë hektarë dhe do të jetë më i madhi në vend.


Sipërfaqja aktuale e zonave të mbrojtura në vend është 16% e territorit të Shqipërisë, por AZMK veç menaxhimin dhe mbrojtjes së këtyre zonave ka si qëllim edhe zgjerimin e tyre, ndaj dhe ka nisur të marrë jetë ky projekt.

"Ka filluar një përpjekje që nga viti 2014 falë edhe mbështetjes së donatorëve të huaj, kryesisht Agjencisë Gjermane GIZ, për të filluar një proces të zgjerimit të zonave aktuale të mbrojtura që kemi ne në territor. Ne aty kemi Parkun Kombëtar Theth, Parkun Kombëtar Valbonë,dhe zonën strikte të mbrojtur të lumit Gash. Janë 3 zona të mbrojtura të cilat janë ngjitur me njëra-tjetrën, por janë tre qarqe të ndryshëm dhe janë bërë këto lloj ndarjesh. Tani mendohet të zgjerohet e gjithë kjo zonë dhe të kalojë në një sipërfaqe prej rreth 86 mijë hektarë, duke u futur në pjesën e Vermoshit. Pra e gjithë pjesa e Alpeve Shqiptare që fillon që nga pjesa e Vermoshit dhe përfundon në Valbonë.

Ky do jetë gjithë territori i Parkut të propozuar. Më shumë se 55 për qind është pjesë e Qarkut Shkodër dhe pjesa tjetër e qarkut Kukës dhe si bashki janë tre bashki me ndarjen e re, është bashkia në Malësi të Madhe, që kryesisht përmbledh pjesën e Vermoshit, Bashkia Shkodër që përmbledh pjesën e Thethit dhe të Shalës, dhe bashkia Tropojë që përmbledh pjesën e Valbonës. Pra është si të thuash një lloj ‘eksperimenti’ i parë që po bëhet në Shqipëri me një park me një shtrije kaq të madhe", tha Zamir Dedej, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Por, Alpet kërkojnë një mënyrë tjetër zhvillimi pa betonizim dhe pa ndërtime shumëkatëshe sikurse është vepruar deri më sot në zonat urbane. Dedej thotë se tani kanë filluar të rikthehen edhe shumë nga banorët që dikur e braktisën këtë vend, madje kanë ardhur nga Amerika e largët për të investuar në këto zona të veriut të Shqipërisë.

"Pati një lloj abandonimi, ku shumica e banorëve të këtyre zonave duke parë vështirësitë, sepse aty ka një periudhë gati 5-6 mujore me borë; ka vështirësi në infrastrukturën dhe komunikimin dhe kjo ka bërë që shumë nga këta banorë të largoheshin, dhe 3-4 vjetët e fundit ka një drejtim invers, tani po rikthehen dhe po ndërtojnë sërish shtëpitë e tyre, ku ndonjëherë fatkeqsisht mund ta themi që ka edhe drejtime pak të tepruara, të egzagjeruara, dhe më të drejtë u ngrit ky shqetësim; A do i betonizojmë dhe Alpet siç kemi betonizuar…?

Unë mendoj dhe dua të jem besimplotë që: Jo. Ne nuk mund të bëjmë hotele 5-katshe apo 8-katëshe në një zonë ku një njeri vjen për të parë natyrën. Pra pati një rikthim goxha pozitiv të banorëve, kemi të ardhur nga SHBA-të që janë kthyer atje, dhe që kanë filluar të kuptojnë, janë bërë rreth 1.200 shtretër, Valbona ka më shumë. Dhe kjo them që këtu ka filluar të ndryshojë mentaliteti. Vetëm se tani duhet të fillojmë të bëjmë ato detyrat që kërkohen; infrastrukturën e nevojshme;moslejimin e ndërtimeve pa kriter; dhe mbetjet. Ardhja e turistëve automatikisht sjell disa ndikime që duhet të jenë pjesë e menaxhimi t të zonës," tha Dedej.

Këtij Parku do t’i jepet jetë dhe do të mbrohet falë një koordinimi dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi dhe, ashtu siç natyra është lidhur mes malesh, do të krijohet edhe kjo lidhje infrastrukturore dhe administrative.

"Kemi rritur dhe bashkëpunimin me fqinjët. Unë jam takuar vetë me drejtorin e Parqeve të Malit të Zi dhe kemi rënë dakord që për pjesën që është pak a shumë pjesa përballë Bjeshkëve të Nemuna tonat, dhe pjesa e Bjeshkëve të Nemuna të Kosovës që mund në një farë mënyrë të lidhet me Malin e Sharrit, që është dhe Parku i Sharrit që vazhdon mbi Prizren dhe ajo që po mundohemi të bëjmë është; që të bëjmë një lidhje organike; ku natyra e ka bërë nëpërmjet maleve, tani do ta bëjmë dhe një lidhje administrative dhe do ti japim jetë duke bashkëpunuar.

Kjo sigurisht bëhet nëpërmjet projekteve pra do të ketë donatorë të interesuar, dhe ka donatorë të interesuar dhe organizatat ndërkombëtare që do të sjellin një eksperiencë tjetër, por që do ti japi një dimension ndërkombëtar kësaj zone, dhe them se në fund fare të gjithë këto konvergojnë në një gjë; rritjen e popullaritetit, komunikimit, ndërgjegjësimit, edukimit, të gjithë komunitetit dhe turizmit," tha drejtori Zamir Dedej.

Ajo çka kanë fqinjët më shumë se ne, nuk është natyra por sjellja dhe ndërgjegjësimi i njerëzve ndaj natyrës dhe biodiversitetit. Është ky problemi që duhet të ndryshojmë, mentaliteti, për ti bërë njerëzit të kuptojnë se përfitojnë më shumë duke e ruajtur natyrën dhe jo duke e shkatërruar apo dëmtuar atë.

"Varet nga këndvështrimi, nëse do të flasim për infrastrukturën do të them ndoshta po (vendet fqinje janë më të zhvilluara se ne), por ndonjëherë infrastruktura nuk është domosdoshmërisht pozitive, pra lehtëson afrimin e njerëzve që ndonjëherë reflekton atë sjelljen jo akoma të ndërgjegjësuar ndaj natyrës. Prandaj do thoja, vërtet kanë infrastrukturën më të mirë por kanë edhe një ndërgjegjësim më të madh se i kanë filluar këto procese më përpara. Por, nga ana tjetër ne kemi si të thuash, me ngritjen e Agjencisë dhe me politikat që po bëjmë të paktën ato që kemi dëgjuar së fundmi dhe nga donatorët, ne po fillojmë të kalojmë, domethënë qëndrimin shtetëror si të thuash të qeverisë karshi këtyre zonave sepse ka një staf të madh, ka një politikë më agresive për mbrojtjen e natyrës. Dhe dua të them që ligji për n dalimin e gjuetisë, vendimi politik për ndalimin e HEC-eve në zonat e mbrojtura, policia që po vihet në këmbë dhe është folur dhe nga kryeministri për krimin mjedisor, pra kanë filluar të ndalen dhe ndërtimet pa leje, dhe të gjitha këto në një farë mënyre kontribuojnë në një gjë; ndalimin e parregullsisë së zhvillimit dhe futjen e zhvillimit në linja të rregullta, kjo për ne është shumë e mirë," tha Zamir Dedej.

Qëllimi i Parkut Kombëtar të Alpeve nuk është vetëm mbrojtja por edhe një zhvillim i qëndrueshëm lokal për Valbonën, Thethin dhe Vermoshin. Deri më sot zonat e mbrojtura, sidomos ato malore, janë lënë në harresë totale nga pushteti lokal dhe qendror, ndaj ka ardhur momenti që të rikthehet vëmendja për të sjellë një zhvillim më të madh.

Në shkurt të këtij viti u bë një takim mes ministrave të Mjedisit të Shqipërisë dhe Kosovës për të diskutuar për Parkun Kombëtar të Alpeve. Ministri i Mjedisit të Shqipërisë Lefter Koka dhe homologu i tij nga Kosova Ferid Agani diskutuan për bashkëpunim në shpalljen e Parkut të Alpeve Shqiptare, planin e menaxhimit të tij, si dhe shpalljen zonë ndërkufitare të mbrojtur trepalëshe me Kosovën dhe Malin e Zi.