LAJMI I FUNDIT:

Paradoksi i integrimeve dhe ksenofobisë

Në Evropën e integrimeve, një proces masash të tëra me qëllim të përafrimit politik dhe ekonomik të kontinentit sot shfaqet pashmangshëm si një synim në planë të parë i agjendave shtetërore. Sado që mund te kishte në të kaluarën armiqësi si ajo gjermano-frënge apo italo-austriake, ato sot paraqesin jo më shumë se një kapitull të historisë së tejkaluar nga politika e shëndoshë ditore ku bashkëpunimi ekonomik por edhe respekti i ndërsjellë kulturor tregoi rezultatet e tij.

Përderisa vet Evropa rikonsideron kufijtë e saj përtej qasjes shkencore dhe tradicionale mbi shtrirjen gjeografike, Ballkani perëndimor në hartën gjeopolitike përveç që mbetet një vrimë e zezë, lë edhe përshtypjen e çështjeve të papërfunduara nga të cilat gjithmonë mund të gjenerohet një erupsion pakënaqësish i masave e që ndërlidhet me mosndëshkimin e gjenocidit në Bosnje, krimet e bëra me qëllim të spastrimit etnik, fatin e të pagjeturve në Kosovë dhe vende tjera të sulmuara nga Serbia apo edhe me çështje si injorimi i implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.


Integrimet janë motori shtytës i ndryshimeve në Evropë. E gjithë kjo nuk mund të jetë një rast i njëjtë në cepin juglindor të kontinentit të vjetër nëse mendohet në përafrim brenda regjionit. Në Ballkanin e trazuar fqinjësia ndërshtetërore dhe ndëretnike fare lehtë di të shprehet në formë fobie dhe në kompleks paragjykimesh sa të lë pa fjalë edhe antropologët. Me gjithë sponzorimin nga miqtë perëndimor, urrejtja nuk lejon shumë vend për integrime ndër-ballkanike përderisa ajo nuk ndëshkohet thellësisht.

Në mjegullinën e shkaktuar nga Naçertania apo ide të këtij lloji që ndryshojnë emrat varësisht nga nevoja për tu kamufluar, gati se tradicionalisht ndeshemi me koncepte politike të zhytura në urrejtje ku kombi shqiptar dhe jo vetëm ai ka fatin e hidhur që të ketë rolin e viktimës.

Sot Serbia është një ndër vendet e rralla në regjionin e gjerë ku plotësisht haptaz dhe legalisht ushtrojnë veprimtarinë e tyre organizata dhe lëvizje neo-naziste. Vet opinioni dhe mendimi qytetar vazhdon të mbetet peng i politikës që nuk gjeti shkëputje as pas largimit të “vozhdit”. Ky opinion akoma nuk shqetësohet dhe për aq më tepër e konsideron normale faktin e dëshmuar të vrasjeve masive dhe akteve gjenocidale të kryera nga institucione të vendit të tyre. Nuk ka si të na çudit atëherë mosgatishmëria e tyre kolektive për të dënuar krimet.

Për fat të keq edhe sinjalet e sotme që sot lëshohen aspak nuk ngecin në promovimin e urrejtjes, këto mesazhe vazhdojnë të mbajnë opinionin qytetar tek fqinjët tanë verior në formën e tij të mpirë nga propaganda, duke e vazhduar gjer në agoni dehjen kolektive të një gjenerate e cila është rritur me qëndrimet antishqiptare dhe ndërdija e të cilës është e stërmbushur me “rrezikun” potencial që kanoset nga shqiptarët.

Nëse është duke ndikuar ky promovim i racizmit kundër shqiptarëve edhe në formulimin e mesazheve politike që lëshohen edhe kundër grupeve tjera etnike, këtë mund ta vërejmë në vetë ngjyrën e toneve që lider politik të fqinjëve tanë i lëshojnë sado që përpiqen të fshihen prapa imazheve të të moderuarve demokrat, mesazhet dinë të përcillen edhe me vepra. Gjuha e ashpër dhe e pakontrolluar e atyre që përfaqësojnë “demokracinë” sot lë pasojë fatale në formimin e një gjenerate të re ekstremistësh tek të cilët konceptet hegjemoniste tradicionalisht të lansuara në Beograd mishërohen së bashku me albanofobinë, antisemitizmin e deri te propagandimi i hapur i nacional-socializmit. Në Beogradin apo Novi Sadin e sotëm dhuna ndaj romëve apo ndonjë turisti nga Izraeli më nuk paraqet ndonjë lajm.

Në gjithë kontekstin e trajtimit të ksenofobisë institucionale, opinioni serb ngel i verbër para faktit që përgjatë kësaj fushate të pafund ndonëse në një formë tjetër gjendet po ashtu i viktimizuar edhe vet fshatari i zakonshëm diku në Shumadi. Ky ushtar i devotshëm i të keqes që mbushte radhët e ushtrisë apo paramilitarëve që kryen krimet, ngel i ngërthyer në prapambeturinë e cila e stagnon si një pasojë e racizmit që ndjen për të tjerët dhe që jo rrallë buronte nga mendjet e elitës intelektuale të tipit Cubrilovic apo Andric.

Racizmi ndaj shqiptarëve tani ka kaluar në një ksenofobi totale duke e sëmurë vetë Serbinë, por në këtë kontekst duhet pohuar që jo pak nga fqinj tjerë janë të ndikuar nga teoritë serbe mbi “zgjidhjen” e çështjes shqiptare ndonëse kjo ndeshet me heshtje publike. Disa nga vende fqinje të kombit shqiptar tradicionalisht kanë rra peng të kësaj ideologjie që di të reflektojë edhe në veprimet e tyre të politikës të sotme e që konkretisht po del në shesh nga rezistimi që po i bëjnë afirmimit të Kosovës si shtet përkundër deklarimeve formale të lëshuara sa për ti bërë lajka perëndimit. Mosgatishmëria e tyre për ti pranuar vetvetes krijimin e një realitetit të ri flet mbi paradoksin e gatishmërisë deklarative për integrime dhe ksenofobisë nga e cila nuk po arrijnë të çlirohen.