LAJMI I FUNDIT:

Papërgjegjësitë tona politike të pasluftës

Fjalimet mbi momentet historike nëpër të cilat po kalojnë shqiptarët dhe politika e tyre gjithkujt mund t’i duken të tepërta dhe gati të panevojshme. Ashtu edhe do të duhej të ishte. Vërtet do të duhej të ishin të tepërta sikur mos të ishte realiteti kokëfortë ai që do na shtynte t’u ktheheshim prapë atyre. Realiteti ynë në përgjithësi dhe ai politik në veçanti na shtyn dhe thërret të mendojmë dhe pyesim se jemi apo jo vërtet plotësisht të vetëdijshëm për shanset historike politike që i kemi para vetes? E nëse dikush do të ndjehej i fyer nga kjo pyetje (ndoshta me të drejtë!), do të ngulmoja që megjithatë kjo pyetje të parashtrohej pa përjashtim në të gjitha nivelet e shoqërisë sonë, qoftë e njohur për dikë e apo e panjohur për dikë tjetër. Të parashtrohej edhe më fuqishëm madje. Nëse dikush do që ta modifikojmë, mund të pyesnim edhe kështu se, a mos po i shpërdorim këto shanse historike politike?

Një pyetje e tillë s’do mend se parakonstaton se ne nuk qenkemi plotësisht të aftë t’i shfrytëzojmë ato. Ndër shumë prej dukurive, të cilat po e shkatërrojnë tërësisht politikën tonë dhe të cilat më shtynë ta ngre këtë pyetje, e ndaj të cilave duket se politika jonë ende nuk është në gjendje të krijojë raporte të duhura dhe të domosdoshme, dy prej tyre janë esenciale, marrëdhënia e saj me dijen dhe marrëdhënia e saj me pasurinë. Politika jonë ka krijuar marrëdhënie inverse (me kokë teposhtë) me të dyja. Në vend që të pajiset me dije e pasurinë t’ia lë publikut, ajo e injoron dijen dhe pasuron bartësit e saj.


Marrëdhënia e politikës sonë me dijen – duke u ngazëllyer nga rezultatet që ia solli lufta jonë çlirimtare, politika jonë u krekos, iu “rrit mendja” dhe qartazi e vendosi veten mbi dijen. Ajo e injoron hapur dijen, nuk e konsulton, nuk i kërkon shërbimet e saj, bile shumë shpesh distancohet prej saj duke e parë si të rrezikshme për shëndetin e vet.

Me vendimet e saj, politika jonë jo vetëm që e ka shkatërruar marrëdhënien e dijes me veten e saj, por edhe marrëdhënien e dijes me shoqërinë. Më e keqja që mund t’i ndodhë një shoqërie moderne. Dihet se në luftën tonë për liri, arma jonë kryesore ishte kapitali njerëzor. Politika jonë e pasluftës nuk u fokusua në të, në arsimimin e saj. Kapacitetet tona arsimore të shkollimit të lartë nuk e kapërdijnë dot numrin e institucioneve arsimore të hapura. Nën kushte të tilla, në vend që të ofrohet sa më shumë mundësi për të nxënë dije, u ofruan shumë më shumë mundësi për të marrë diploma. Sikur akumulimi i dijes gjendet vetëm në diploma, duke injoruar faktin se diploma s’është gjë tjetër veçse dëshmi pas një procesi të gjatë dhe intensiv arsimor. U shfytyrua fakti se diploma është vetëm një akt pas një procesi, e jo procesi vet. Këto i bëri politika jonë e pasluftës. Një mashtrim i madh përkundrejt mundësive të mëdha që sot ekzistojnë për ta bartur dijen tek njerëzit.

Me një arsimim të tillë krejt çka na ofron e ardhmja do të jetë shndërrimi ynë në masë të madhe në shërbëtor me shkollë në vendin tonë, e jo në një shoqëri të arsimuar, “intelektualisht aktive” dhe zot të vendit tonë.

Marrëdhënia e politikës sonë me pasurinë dhe pushtetin – politika (jo kjo e jona!) duke i njohur interesat e publikut, është ajo që me vizionin e saj i realizon ato. Përkundër kësaj, politika jonë edhe pse i njeh interesat e publikut, nuk e ka dhe nuk interesohet ta krijojë vizionin t’i realizojë interesat e tij, por vetëm interesat e bartësve të saj. Në vend që ajo të ofrojë hapësirë konkurruese politike për të gjithë ata që pretendojnë se kanë “vizionin t’i realizojnë interesat e publikut”, politika jonë është shndërruar në një “inkubator” ku varfanjakët e futur aty prej saj dalin milionerë. Milionat e tyre e kalojnë shumëfish buxhetin e shtetit (ironikisht, sikur me ata miliona të krijonin vende pune, por i kapitalizojnë në vila, xhipa ose i transferojnë diku jashtë, duke e lënë qytetarin prapë pa asnjë përfitim!). Si e tillë ajo në sytë e publikut duket se i shërben vetëm një qëllimi, pasurimit të bartësve të saj. Në sytë e publikut, me të drejtë, askund nuk shihet misioni i vërtetë i politikës sonë, ku të gjithë do të shpresonin prej saj. Në sytë e publikut, me të drejtë, politika jonë e ka humbur besimin e saj.

Duke e parë deformimin e saj, vetëkënaqësinë e saj, Serbia të gjitha përparësitë tona politike i ka shndërruar në favorin e saj, sidomos pas vendimit të GJND-së. E deformuar kësisoj politika jonë nuk mund të bëjë më tepër. E deformuar kësisoj politika jonë s’mund të bëhet partnere e demokracive të zhvilluara. E deformuar kësisoj politika jonë shumë pak mund t’u ndihmojë shanseve të mëdha të kombit shqiptar për të kaluar njëherë e përgjithmonë nga një gjendje mbijetese në një gjendje të stabilitetit të plotë. Asaj i duhet aderim i potencialit të mirëfilltë politik që ta përmirësojë shëndetin e saj, ta rikuperojë veten, të bëhet vetvetja, ashtu siç do të duhej të ishte.