LAJMI I FUNDIT:

Pamjet e tymosura në Parlament, mesazh negativ për investitorët

Pamjet e tymosura në Parlament, mesazh negativ për investitorët

Po bëhet një muaj që kur vendi është futur në një bllokadë politike, ku organi më i lartë legjislativ, Kuvendi i Kosovës, është futur në kolaps në mungesë të zhvillimit të punimeve të tij nga opozita e cila me anë të hedhjes së gazit lot sjellës po e pamundëson mbajtjen e seancave.

Një situatë e tillë po e pengon vendin në sferën ekonomike, ngase dekurajon investitorët e huaj të cilët e shohin Kosovën si vend të përshtatshëm për të investuar. Edhe ashtu Kosova nuk qëndron mirë në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, duke marrë parasysh edhe konkurrencën e ashpër të vendeve të rajonit për t’i tërhequr investimet e huaja. Vendet për rreth ofrojnë kushte, lehtësira e oferta atraktive për të tërhequr investitorët e huaj.


Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, profesorë e njohës të rrethanave ekonomike tërheqin vërejtjen se me pamjet e tymosura në Parlament është vështirë të mendohet se ndokush prej investitorëve të huaj do të investojë në Kosovë.

Ata bëjnë thirrje që sa më shpejt të zgjidhet kjo situatë e krijuar, në të kundërtën po dëmtohet rëndë imazhi i vendit në sferën ndërkombëtare.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se me pamje të tilla në Parlament po krijohet një perceptim enorm negativ duke dëmtuar imazhin e Kosovës.

“Jemi të shqetësuar për një situatë të tillë, sepse është utopike të mendohet se me këto pamje të tymosura në Parlamentin e Kosovës do të vijë ndokush të investojë në Kosovë. Mirëpo, vetëm dialogu dhe partneriteti konsultiv mund të jenë zgjidhje për të dalë nga kjo situatë dhe vetëm atëherë kur t’i jepet mundësi dialogut me argumente mund të hapet perspektivë për të dalë nga kjo situatë dhe për të tërhequr investitorë të huaj”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka shtuar se është koha kur duhet bërë më tepër në promovimin e vlerave, prandaj pamjet e tilla duhet t’i takojnë të së kaluarës dhe të bisedohet me gjuhë të argumenteve dhe të hapet perspektivë e mirë për Kosovën.

“Do të kisha dëshirë që të gjitha këto ndodhi të jenë në të mirë të zhvillimit ekonomik dhe të mirën e Kosovës, por kam drojë se shumë më tepër janë për mbrojtje të interesave personale, për mbrojtje të pozitës dhe luftë për pushtet, sesa për popull dhe për vend. Nuk mund të zgjaten pamje të tilla që po e përcjellin Parlamentin… Nuk e meriton Kosova që mos të vijnë investitorë të huaj, por edhe ata që kanë investuar të kenë hamendje si të veprojnë më tutje. Është koha që duhet ta ndajmë politikën prej ekonomisë”, ka theksuar Gërxhaliu.

Ndërsa, Alban Zogaj, drejtor i hulumtimeve në institutin “Riinvest”, ka thënë për KosovaLive, se çdo bllokadë e institucioneve si të legjislacionit ashtu edhe të ekzekutivit e pengojnë ekonominë dhe e fusin në pasiguri, e sidomos bllokimi i institucionit, i cili miraton ligjet.

Pamjet e fundit në skenën politike, ai thotë se pa diskutim që krijojnë edhe pasiguri ekonomike dhe politike, të cilat janë të lidhura njëra me tjetrën. “Këto pamje janë shpërndarë nga mediat e jashtme dhe janë parë nga investitorët e huaj dhe krijojnë një pasiguri te ta. Investitorët presin që të krijohet stabilitet politik në mënyrë që ata të investojnë. Në vendet ku s’ka stabilitet politik, investimet rrezikojnë të ndalen”, ka thënë Zogaj.

Ndërsa sa i përket dekurajimit të investitorëve aktual dhe mundësisë së tërheqjes së investimeve nga vendi, ai ka thënë se kjo varet nga tregu i tyre dhe nga profiti i tyre që janë duke krijuar. “Nëse janë duke krijuar profit të mirë, pamjet e tilla nuk u krijojnë përshtypje, por në qoftë se fillojnë t’u bien numrat si rezultat i pasigurisë, ose i destabilizimit politik dhe ekonomik, atëherë mendojnë tërheqjen nga ky treg, për arsye se investimi i tyre është i lidhur me profitin e krijuar. Në anën tjetër shitjet, konsumi, dhe profiti bien si rezultat i këtyre destabilizimeve politike”, ka thënë Zogaj.

Ndërkaq, profesor i ekonomisë, Bekim Marmullaku, thotë se bllokada politike dhe pamjet e tilla që janë parë në skenën politike në vend, kanë ndikim tek investitorët e huaj, sepse ata sipas tij, si kusht të parë që të investojnë kanë stabilitetin politik dhe juridik. Kusht i dytë, sipas tij, qëndrueshmëria fiskale, trendët e zhvillimit ekonomik, standardi apo shkalla e konsumit.

“Sidomos ndikimi i saj bllokadës politike është te investimet e huaja direkte, edhe te subjektet afariste vendore të cilat kanë në plan të zgjerojnë biznesin, ose me rrit aktivitetin afarist, e në këto situata ata i ndalin dhe presin derisa ka stabilitet politik dhe të sigurisë”, ka thënë Marmullaku.

Sipas tij, në situata të tilla segmentet e shtetit përqendrohen më shumë në këto ngjarje dhe bie kontrolli ndaj evazionit fiskale, apo ekonomisë informale dhe krijohet një terren që të zhvillohet këto, të cilat ndikojnë negativisht në zhvillimin ekonomik.
“Kjo është ndryshim i strategjisë, në momentin kur kanë ardhur, brenda strategjisë së zhvillimit të tyre, e kanë pasur edhe Kosovën. Por më e pakta që mund të ndodhë në këtë situatë është se planet që i kanë pasur për zhvillim dhe rritje të ndërmarrjes, ato ndërpriten. Mbesin me këto nivele çfarë i kanë”, thotë Marmullaku.

Sipas njohësve të çështjeve ekonomike, Kosova ka pasur një vit kalendarik shumë të vështirë, sepse problemet e grumbulluara ekonomike dhe politike të vitit 2014 janë bartur në vitin 2015, duke pasur sfida dhe vendime të shumta. Ndërsa, kjo që po ndodhë në skenën politike është duke i demotivuar bizneset. /KosovaLive/Telegrafi/