LAJMI I FUNDIT:

Pacolli kërkon reciprocitet ose anulim të marrëveshjes për targat

Pacolli kërkon reciprocitet ose anulim të marrëveshjes për targat

Rrahim Pacolli kryesues të delegacionit të Kosovës për kartonin e gjelbër në Bruksel ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarr masa lidhur me marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë, për lëvizje të lirë.

Ai ka shkruar në Fcaebook se nëse nuk respektohet marrëveshja në mënyrë reciproke, do të shqyrtohet mundësia e anulimit të kësaj marrëveshje.
Ky është publikimi i Pacollit në Facebook:

Desha të ju informoj se marrëveshja e arritur në Bruksel me palën serbe për njohjen reciproke të policave të sigurimit kufitar po aplikohet në tërësi nga pala kosovare. Deri më tani mbi 40 mijë qytetarë janë pajisur me polica TPL Plus të cilët po levizin në territorin serb.


Çështje problematike mbetet ajo se qytetarët e Kosovës , me targa te automjeteve RKS po detyrohen të vënë targat “Proba” me rastin e hyrjes në territor serb.
Nga fillimi zbatimit të marrëveshjes në fjalë kam kërkuar zgjidhjen e këtij problemi, por me sa duket pala serbe nuk ka marrë parasysh këtë kërkesë.

Andaj, i bëj përsëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë masat e duhura lidhur me këtë çështje. Qytetarët serb të detyrohen po ashtu të zëvendësojnë targat e tyre me targa të përkohshme, e nëse nuk ka ndryshime deri në fillim të shtatorit, do të shqyrtohet mundësia për anulim të kësaj marrëveshje./Indeksonline/Telegrafi/