LAJMI I FUNDIT:

Oligarkia e vërtetë është ajo politike

Oligarkia e vërtetë është ajo politike
Ilustrim

Ervis Iljazaj

Ka disa kohë, që në fjalorin publik, nga ata që kanë akses në mediume të ndryshme, flitet për oligarkinë financiare dhe marrëdhëniet e saj me politikën, duke vënë nën shënjestër disa nga bizneset e mëdha si e keqja më e madhe e shoqërisë shqiptare.


Janë vënë nën akuzë, me pretendimin se po kontrollojnë tregjet, për kapjen e politikës apo për përfitime të paligjshme të pasurisë publike etj. Këto akuza nuk vijnë vetëm nga mendje të cilat janë tërësisht nostalgjike të periudhës puniste dhe që kanë një urrejtje patologjike për biznesin, të cilën e tregojnë hapur, por dhe nga një pjesë e politikës, që biznesmenin shqiptar e sheh në paradhomën e pushtetit duke ndikuar vendimmarrjet politike.

Sigurisht që raste të tilla edhe mund të ketë. Lidhjet klienteliste me politikën kanë ekzistuar dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë. Mirëpo, në opinion publik ka një ekzagjerim apo një keqpërdorim të fjalës oligarkë.

Në të vërtetë, një opinion i tillë jo vetëm që është krejtësisht i pabazuar, por përkundrazi, biznesi shqiptar, ndoshta është i vetmi sektor i cili meriton mirënjohjen e shoqërisë shqiptare. Për më tepër oligarkia, siç është në imagjinatën tonë që na çon drejt e në Rusi, nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë për shkak të fuqisë financiare që biznesi shqiptar nuk e ka në atë masë sa të ndikojë vendimmarrjet politike.

Nëse shikojmë xhirot financiare të biznesit shqiptar, shumë pak prej tyre, mund të kenë një të tillë, sa që mund të konsiderohet një forcë pushteti që mund të kontrollojë politikën.

Në fakt, oligarkët e vërtetë të Shqipërisë janë liderët politikë, të cilët kanë më shumë se 20 vite që janë në skenën politike, duke kontrolluar çdo vendimmarrje politike dhe shoqërore, madje dhe vetë biznesin.

Prandaj, biznesi shqiptar meriton çdo respekt të opinionit publik për iniciativën e lirisë individuale, që vetëm i ka sjellë të mira vendit. Saje tyre, me gjithë vështirësitë që hasin çdo ditë, në një shtet ku efikasiteti është minimal dhe korrupsioni galopant, ia kanë dalë të krijojnë vende pune dhe të zhvillojnë ekonominë.

Biznesmeni shqiptar, ka meritë jo vetëm në aspektin ekonomik, por dhe në atë shoqëror. Falë iniciativës së individëve që rrezikojnë me kapitalin e tyre, shoqëria shqiptare ka arritur të emancipohet dhe të krijojë ura ndërlidhëse edhe me perëndimin, që nga vitet e para të ndryshimit të regjimit politik e deri më sot.

Është absurde të shtrosh diskutimin e oligarkisë shqiptare, ndërkohë që është totalisht e kundërta. Biznesi është “ viktimë” e politikës, dhe jo politika “viktimë” e biznesit.

Për të gjitha këto arsye, në opinionin publik i duhet dhënë fund marrëzisë së akuzave që drejtohen kundrejt biznesit si e keqja më e madhe që ndikon negativisht në vendimmarrjet politike.

Kjo është një mendësi, e cila kërkon më shumë shtet dhe më pak iniciativë të lirë ekonomike, duke krijuar në këtë mënyrë, edhe më shumë pushtet për politikën, dhe automatikisht, më shumë abuzim me të dhe tendencë korruptive.

Kjo është mendësia që e kemi të trashëguar nga e kaluara, e cila ka krijuar lider politik, që janë oligarkët e vërtetë. Sepse nëse krijojmë një frymë të tillë agresive kundër biznesit, nuk bëjmë gjë tjetër veçse shtojmë edhe më shumë peshën e pushteti politik. Ndërkohë që duhet të shtojmë “presionin” ndaj politikës për të krijuar kushte sa më të favorshme për iniciativën e lirë ekonomike dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike. Vetëm liria ekonomike mund të ndërtojë liri politike dhe një demokraci që funksion. Çdo tendencë tjetër, është e rrezikshme për të gjithë.