LAJMI I FUNDIT:

Obama mund ta fitojë edhe një mandat presidencial

Rreshtat e këtij shkrimi i hapim me një proverb të famshme meksikane që pasqyron një domethënie të thellë politike: “E gjora Meksikë, sa larg nga Zoti, sa pranë Shteteve të Bashkuara”!

Edhe pse fqinj i afërt i ShBA-ve, është shumë larg nga idealet liberal-demokratike që promovon kjo e para. Kjo diferencë shfaqet konkretisht në traditën elektorale që kanë këto vende. Përderisa në Meksikë Partia e Revolucionit Institucional udhëhoqi me vendin për më tepër se tri dekada, duke e lënë kështu të etur një pjesë të popullit meksikan për shijen e demokracisë amerikane, në SHBA tradita elektorale mund të vlerësohet si më e zhvilluara në botë, duke i dhënë kështu këtij vendi epitetin e demokracisë së kulluar. Një gjë e tillë mund të kuptohet nga analizimi i zgjedhjeve presidenciale që po zhvillohen në këtë vit.


Pa dyshim që të gjithë jemi dëshmitarë të realitetit, që përveç opinionit amerikan, tanimë kemi edhe sensibilizimin e opinionit botërorë lidhur me evenimentin e zgjedhjeve për shefin e Shtëpisë së Bardhë. Megjithatë, përderisa dihet nga vjen interesimi i popullit amerikan, e që padyshim i referohet faktit se mirëqenia e amerikanëve varet direkt nga ajo se kush do të vihet në krye të ekzekutivit amerikan, atëherë shtrohet pyetja se çfarë rëndësie ka kjo për popujt e vendeve tjera gjithandej globit, të cilët janë të interesuar për atë se kush do t’i fitoi këto zgjedhje?!

Tentativa për t’u përgjigjur në këtë pyetje, gjithsesi duhet fokusuar në një analizë në makro nivel, pra në sqarimin e pozicionit që kanë sot SHBA-të në skenën e politikës botërore. Duke qenë në pozicionin e të vetmes superfuqi që shihet në horizont, SHBA-të kanë ndikuar shumë herë që komplet struktura e sistemit ndërkombëtar të marr kahe të caktuara. Në këtë stad, mund të pohojmë se orientimet strategjike të politikës amerikane, përveç që kanë qenë shpalosje e platformave të politikave zyrtare të shtetit amerikan, praktikat flasin për shumë raste kur këto orientime strategjikë kanë qenë nën patronatin e të parit të vendit, i cili varësisht nga orientimet e tij ideologjike, ka bërë që qëndrimet e tij të shndërrohen në faktorë determinues për organizimin e rendeve botërore, duke e ndikuar kështu ecurinë e shumë zhvillimeve në shoqërinë mbarë botërore.

Lidhur me këtë, vlen të përmenden vetëm disa prej tyre: Doktrina Washington – “Amerika e amerikanëve”; Doktrina Monro – “Manifest Destiny”; Doktrina Reagan – “Lufta e Yjeve”; Doktrina Bush – “Rendi i Ri Botëror” etj.

Nga ky konstatim, vërejmë se qasja bihevioriste për të analizuar këtë eveniment politik është e një rëndësie të veçantë. Kjo qasje e vë theksin te orientimet psikologjike të liderëve dhe vendimmarrëseve, e në këtë rast të kandidatëve për president të SHBA-ve. Sipas bihevioristëve, këto orientime – si karakteri emocional e edukativ, bindjet religjioze, përkatësia shtresore e etnike, idealet politike dhe kulturore – janë faktorë të fuqishëm për t’i ndikuar në mënyrë vendimtare platformat politike që i hartojnë dhe aplikojnë këto personalitete me ta marrë pushtetin. Andaj, këtu e ka bazën edhe interesimi për të kuptuar rëndësinë se cili nga kandidatët, ai demokrat (Presidenti aktual Barack Obama) apo ai republikan (Guvernatori Mitt Romney), kanë gjasa më optimale për ta fituar një mandat presidencial.

Në fakt, përpjekjet për të parashikuar rezultatet para evenimentit të zgjedhjeve (kuptimi i faktit para aktit), e marrin epitetin e një periskopi politike. Kjo do të thotë se kemi të bëjë me përpjekje për ndriçimin e anës subjektive të një “realiteti politik”. Për më tepër, kjo ka qenë dhe mbetet sfida më e madhe për shkencëtaret politikë.

Për të qenë më konkret, në esencën e kësaj analizë parashikuese, është shtruar hipoteza në formën e pyetjes: “Përse kandidati demokrat Obama ka më shumë gjasa që të fitojë edhe një mandat presidencial”? Në argumentimin e kësaj hipoteze do të analizohen një sërë faktorësh dhe rrethanash që për ne janë me rëndësi në mbrojtjen e qëndrimit se Obama do të fitojë në garë me republikanin Mitt Romney. Ndër këta faktorë, disa janë të karakterit parimor apo të nënkuptuar, kurse disa të tjerë janë të karakterit teknik apo derivativ. Përgjatë analizimit të këtyre faktorëve do të ndriçohen njëkohësisht edhe një sërë çështjesh, si: kultura politike në ShBA, natyra e sistemit elektoral, dispozitat kushtetuese, konteksti historik… të cilat na ndihmojnë të nxjerrim konstatime të caktuara.

Mandati i parë mund të jetë përparësi krahasuese! Dekadave të fundit, duket sikur është krijuar një lloj “praktike e nënkuptuar” që kandidatët për president që garojnë për një mandat të dytë. Duket sikur kanë gjasa më të mëdha për ta fituar atë në konkurrencë me kandidatin që promovohet për herë të parë. Përse ndodhë kështu? Në shpjegimin e kësaj ka disa arsyeje prej të cilave i veçojmë ato më të rëndësishmet. Në radhë të parë, te votuesit amerikanë krijohet opinioni se një mandat katërvjeçar sikur nuk mjafton për t’i dhënë kohën e duhur një presidenti që ta realizoi platformën e tij politike mbi bazën e së cilës e fituar mandatin. Kjo zakonisht mund të ndodh për faktin se qytetarët amerikanë, duke e ditur se qëndrimet politike të presidentit amerikan hartohen në linja afatgjata – për shkak të pozicionit specifik që kanë SHBA-të – i bëjnë ata gjithnjë e më tepër të prirë t’i votojnë edhe për një mandat. Kjo mund t’i shkoi për shtati edhe Obamas. Por, në rastin e tij, ky fenomen është edhe më delikat!

Kur Obama e fitoi mandatin e parë (duke u bërë i pari president me ngjyrë në historinë amerikane), në sytë e shumë njerëzve kjo u vlerësua si një mesazh i qartë që populli amerikan i përcolli botës, duke u treguar se njëmend SHBA-të ishin vendi i demokracisë së kulluar. Përndryshe, pa këtë justifikim, retorika e SHBA-ve si reklamuesi më i madh në glob i vlerave demokratike, nuk do të kishte një pozicion çfarë e ka tani. Për më tepër, për të dëshmuar se kjo nuk ishte vetëm një fasadë politike dhe se aparteidi, racizmi, segregacioni tani i përkasin memoareve të historisë, ka shumë të ngjarë që kjo të përsëritet edhe në këto zgjedhje. Po ashtu, fakti që zgjedhja e Obamas në krye të SHBA-ve u pa si shansi historik për komunitetet me ngjyrë, pakkush mundet ta besojë se këto komunitete munden të heqin dorë lehtë nga ky lloj statisfaksioni moral.

Zgjedhjet dhe matematika! Mënyra e zgjedhjes së presidentit është karakteristike për sistemin amerikan. Megjithëse emrat e kandidatëve shënohen në fletëvotim, teknikisht populli i secilit shtet nuk voton direkt për presidentin! Në vend të kësaj, elektorati i çdo shteti zgjedh një listë “elektorësh” presidencial, të barabartë me numrin e senatorëve dhe përfaqësuesve që çdo shtet ka në Kongres. Kandidati që merr më së shumti vota në çdo shtet, i fiton të gjitha “votat elektorale” të atij shteti. Pas kësaj formohet kolegjiumi elektoral i përbërë nga 538 elektorë dhe menjëherë pas zgjedhjeve elektorët hedhin votat për kandidatin me numrin më të madh të votave të zgjedhësve në shtetin e tyre respektiv. Andaj, për të fituar, një kandidat për president duhet t’i arrijë 270 vota elektorale nga 538 gjithsej. Kjo matematikë interesante secilit prej kandidatëve i ofron më tepër shanse?

Në zgjedhjet e vitit 2008, Obama e mundi kandidatin republikan McCain me vetëm shtatë për qind të votës së popullit, por e tejkaloi atë në kolegjiumin elektoral. Në anën tjetër, Romney është i përafërt me Obaman, por ai duhet të fitojë në gati çdo shtet të madh, nëse dëshiron të arrijë përparësi. Të gjitha shtetet e mëdha u bënë me demokratët në vitin 2008, por hapësira për t’u rimarrë këtu është shumë e madhe. Romney, sipas disa analistëve, gjithsesi po e humbë votën elektorale prej 272 në 266. Ai duhet të marrë New Hampshiren ose Iowan për të fituar, ndoshta edhe Nevadan.

Popullariteti i Obamës është i padiskutueshëm! Kjo, përveç që është vërtetuar në shumicën e sondazheve, u vërtetua edhe nga tri debatet që ai pati ballë për ballë me kandidatin republikan Romney. Shifrat për pëlqyeshmërinë e Obamas janë ende mbi 50 për qind dhe është shumë e qartë përse! Ai flet me ndjenja, me konsideratë dhe ndjeshmëri. Ai është shumë i famshëm në mesin e minoriteteve dhe femrave, për arsye të ndryshme, disa prej tyre të qarta. Për shembull, gjatë mandatit të parë, ai “përfundoi” luftën në Irak, vrau Bin Ladenin dhe kënaqi kampin militar duke rritur retorikën për luftën në Afganistan dhe Pakistan. Kreditët e tij rriten akoma për shkak të prioriteteve që u ka dhënë reformave shëndetësore, për të cilat Kongresi ka miratuar numër enorm të legjislacionit gjatë mandatit të tij të parë, duke ia atribuuar të shumtën e meritave vet presidentit.

Po ashtu, kur jemi te popullariteti, vetë fakti i të qenurit president për katër vite, të ofron mundësi të pakrahasueshme në arritjen e këtij popullariteti, i cili fundja ka të ngjarë t’i garantojë edhe një mandat tjetër. Në të kundërtën, disa analistë amerikanë, fjalimet e Romneyt i vlerësojnë “sikur ai fsheh diçka, sikur mashtron dëgjuesin”! Këta analistë janë bazuar në disa deklarata të mëhershme të Romneyt, të cilat i ka ndërruar herë pas here, duke i bërë ata ta quajnë “politikan i lubrifikuar dhe i ndryshueshëm si moti”!

Ekonomia pararendëse! Nga shumë studiues është pohuar se gjatë administratës tetëvjeçare Bush, sektori i ekonomisë amerikane nuk ka qenë për t’u lavdëruar. Si duket, gjatë kësaj kohe është krijuar një vrimë enorme që kërkon kohë të gjatë për t’u mbuluar. Kjo në të vërtet i ka shërbyer Obamas që kritikat për rregullativat e tij ekonomike të deshifrohen si politike, sidomos kur merren në konsideratë pasqyrat e gjendjes ekonomike të viteve 2008-9. Përveç kësaj, stimulimi i ekonomisë nëpërmjet luftës si duket është një ide që Romney e përkrah! Retorikat e tij mbi Iranin tregojnë se ai do të rivendosë imperializmin ushtarak Bush/Cheney në Lindjen e Mesme.

Së fundmi, sulmi ndaj fushatave po drejtohet drejt Romneyt për shkak të mos publikimit të tatimeve. Në opinion qarkullojnë deklarata se Romney ka diçka që fsheh. Kërkesat e tij për privatësi dhe trajtim të veçantë nuk përfillen. Mendjet e njerëzve do të mendojnë se çfarë po fshehë ai deri në ditën e zgjedhjeve.

Konfiguracioni demografik! Aktualisht struktura demografike në ShBA ka ndryshuar konsiderueshëm, e bashkë me të ka ndryshuar edhe orientimi i tyre politik. Përderisa dikur ka qenë diçka krejt tradicionale që meshkujt e bardhë të votonin për republikanët, tani për tani, me përhapjen e sulmit të republikaneve ndaj përkujdesjes mjekësore dhe sigurisë sociale, shumë amerikanë të moshuar do të përkrahin presidentin Obama. Tanimë meshkujt e bardhë përbëjnë më pak se 40 për qind të popullatës, duke i lënë mangët republikanët me një të katërtën e votave totale. Ndërsa, në anën tjetër, përderisa femrat janë shumicë e popullatës, kjo do të thotë se pozicioni i Obamas forcohet edhe më shumë nëpërmes popullaritetit që ai mori kur për Sekretare të Shtetit e emëroi zonjën Hillary Clinton.

Masmediat dhe imazhi! Jo rastësisht, Edmund Burke i etiketoi mediat si “pushteti i katërt” dhe këtë e bëri për shkak të fuqisë magjike që ato kanë në sensibilizimin e opinionit publik, organizimin e masave dhe ndërtimin e imazheve. Fakti që qytetarët amerikanë për katër vite me radhë janë familjarizuar me paraqitjet e shpeshta të Obamas, do të thotë që kjo figurë politike tanimë banon në kokat e tyre. Këtë mediat nuk ia bënë dhuratë, por ai e fitoi atë më kujdes dhe oratori të pakrahasueshme. Figura e Obamas për shumë studiues është cilësuar si një imazh i pranishëm nga njerëzit dhe që krijon prezencë dominuese në ekran. Kjo do të thotë shumë për ta orientuar atë pjesë të elektoratit amerikan që ka qenë në mëdyshje se për kë të votohet.

Këta ishin vetëm disa faktorë me rëndësi që mund të na forcojnë bindjet për një fitore të lehtë të Obamas ndaj kandidatit Romney. Sigurisht që kanë mbetur edhe shumë faktorë pa u analizuar, e që padyshim se në mesin e tyre ka të tillë që e favorizojnë fitoren e Romneyt. Por, ajo çka më duhet të them ka të bëjë me përpjekjet për ta thjeshtëzuar analizën në mënyrë që parashikimi të dalë sa më i saktë. Natyrisht, duke qenë të vetëdijshëm për kompleksitetin e parashikimit të fenomeneve politike që janë më të ndryshueshme se moti, ne i kemi parasysh sugjerimet e shkencëtarit Karl Popper që na fton vetëm për parashikime afatshkurtër apo teknologjike në mënyrë që të mos bëhemi kontribuues në varfërimin e historizmit. Sido që të jetë rezultati i parashikimit, megjithatë më e rëndësishmja është që ne kemi bërë përpjekje për të provuar diçka që ende nuk ka ndodhur. Andaj, mos ndodhja në politikë është diçka e mirëqenë pasi që në politikë nuk ka pikë.

Duke e parafrazuar politologun amerikan Hainer, se si republikanët ashtu edhe demokratët bashkohen nën ombrellën e përbashkët të quajtur liberalizëm, kjo na lë me shpresë se cilido nga kandidatët që fiton, do ta trasojë rrugën që etërit themelues të këtij kombi e nisën para 200 vjetësh, e që ishte bërja e vendit të sigurt për demokracinë e jo demokracinë të rrezikshme për botën.