LAJMI I FUNDIT:

Nuk arrihet marrëveshje rreth planit të shpëtimit

Nuk arrihet marrëveshje rreth planit të shpëtimit

Presidenti i SHBA-së George Bush dhe liderët e Kongresit nuk arritën marrëveshje për planin e Shtëpisë së Bardhë për shpëtimin e sistemit financiar dhe vendosën që të vazhdojnë konsultimet, deklaroi dje zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Diana Perino pas mbarimit të takimit mes Bushit dhe ligjdhënësve, ku mori pjesë edhe kandidati presidencial i demokratëve dhe republikanëve John Mecain dhe Barak Obama.

Plani i Shtëpisë së Bardhë, i cili duhet të miratohet nga Kongresi, parasheh që Qeveria për 700 miliardë dollarë të blejë kreditë hipotekare të këqija dhe të marrë autorizime më të gjera për blerjen e çdo institucioni financiar në SHBA gjatë dy viteve të ardhshme.

Ndërkohë që Kongresi nuk dëshiron që ta miratojë paketën 700 miliardë dollarëshe derisa atij t’i garantohet se do të ketë kontroll mbi mënyrën se si do të përdoren këto fonde.

Plani gjithashtu parasheh ngritjen e shkallës ligjore të borxhit shtetëror prej 10,6 trilionë dollarësh në 11,3 trilionë dollarë, që jep mundësi që qeveria të ndërmarrë masa më të mëdha për shpëtim.


Ndërsa zhvillohen bisedime për paketën e shpëtimit të propozuar nga presidenti Bush, njëra prej bankave më të mëdha në vend, J. P. Morgan, njoftoi se kishte blerë një bankë tjetër amerikane, Washington Mutual.

Aksionet në këtë bankë kishin humbur 80% të vlerës që prej fillimit të këtij viti për shkak të grumbullimit të borxheve të këqija.