LAJMI I FUNDIT:

Histori e shkurtë e familjes Dino

Histori e shkurtë e familjes Dino
Abedin Dino
Dinastia shqiptare e patriotëve, ushtarakëve dhe intelektualëve: Karikaturisti i madh “grek” dhe piktori i madh “turk”!
Lexo po ashtu Dinastia shqiptare e patriotëve, ushtarakëve dhe intelektualëve: Karikaturisti i madh “grek” dhe piktori i madh “turk”!

Nga: Hasan Bello

Abedin Pasha u lind në trevën e bukur të Çamërisë, në qytetin e Prevezës në vitin 1846. I ati i tij, Ahmed beu, ishte pjesëtar i familjes më të njohur të kësaj treve i fisit Dino, i cili mbeti një burim i pashtershëm personalitetesh që kanë lënë gjurmë në historinë tonë kombëtare.

Mësimet fillestare Abedin Pasha i mori në vendlindje, për të vazhduar më tej me shkollimin e mesëm në gjimnazin e njohur të Janinës “Zosimea”. Në këtë gjimnaz, përveç njohurive të shumta që mori në fusha të ndryshme të dijes, ai u shqua si zotërues i disa gjuhëve të huaja, si nxënës inteligjent dhe me prirje letrare.


Por, ajo që ndikoi më shumë në këtë periudhë do të ishte njohja me disa figura të tjera shqiptare, të cilët pak vite më vonë u bënë drejtuesit kryesor të Lëvizjes Kombëtare.

Si pinjoll i një familjeje me prestigj dhe me ndikim jo të pakët në Shqipërinë e Jugut, në vitin 1864 u thirr të bënte pjesë në gardën ushtarake të sulltan Abdylazizit. Por, nuk zgjati shumë kohë dhe u kthye përsëri në Prevezë si ndihmës mytesarrif (drejtues sanxhaku) dhe nënprefekt i qytetit. Nga këtu u transferua në Izmir si nënkryetar i Gjykatës së Apelit, e pak më vonë si kryetar i një Komisioni të Jashtëzakonshëm. Me suprimimin e këtij komisioni u emërua si mytesarrif i Sofjes, por pasi nuk pranoi të shkonte atje u dërgua në Tekfurndag dhe pastaj në Varnë.

Më pas u kthye në Stamboll ku u emërua në postin e rëndësishëm si komisar perandorak i bursës, detyrë të cilën e ushtroi për pesë vjet e disa muaj. Në kohën që ushtronte këtë detyrë botoi një vepër mbi borxhet e Perandorisë Osmane, për operacionet e bursës dhe operacionet financiare, që tregon mbi njohuritë e kompetencën që Abedin Pashë Dino kishte fituar në fushën e ekonomisë.

Sipas një relacioni që ministri i Francës në Athinë, Tiso i dërgonte ministrit të Jashtëm në Paris Vadingtonit mbi karakteristikat e Abedin Pashës, ky i fundit kishte arritur të fitonte një autoritet edhe më të madh në botën politike në kohën e luftës turko-serbe.

Kur kryeministri dhe reformatori i njohur Mit`hat Pasha kishte mbledhur një kuvend për t`u shprehur lidhur me përfitimet territoriale që Konferenca e Stambollit kërkonte në dobi të Malit të Zi, në këtë kuvend Abedin Pasha ishte vënë në krye të intransigjentëve dhe luftarakëve, që kishin shkruar mbi një flamurë këtë parullë të pëlqyer prej popullit: “Asnjë pëllëmbë e truallit osman nuk u duhet lëshuar të huajve”, kishte zotëruar asamblenë e lartpërmendur duke përcaktuar kështu shpërthimin e Luftës Ruso-Turke (1877-1878). Që prej kësaj kohe, sa herë që duhej vepruar apo shprehur ndonjë qëndrim anti-sllav, ai ishte gjithmonë në radhë të parë.

Në fund të vitit 1878 u dërgua në Janinë si komisar i një komisioni në krye të të cilit ishte komandanti i ushtrisë osmane të Vilajetit të Janinës Muhtar Pasha. Komisioni kishte për detyrë të zhvillonte bisedime me përfaqësuesit e qeverisë greke mbi kufirin greko-osman në Shqipërinë e Jugut e në Thesali dhe mbi dorëzimin e disa territoreve Greqisë mbi bazën e rekomandimeve që kishte dhënë Kongresi i Berlinit.

Sipas diplomatit francez, ai u dërgua në Janinë për të nxitur e për të ndezur ndjenjën kombëtare tek shqiptarët myslimanë në lidhje me mbrojtjen e vendit nga aspiratat greke që synonin aneksimin. Aty, me cilësinë e komisarit të qeverisë, kryesoi Komitetin e Shpëtimit Publik Ushtarak që shqiptarët myslimanë e kishin krijuar me urdhër të qeverisë osmane, me qëllim që të rekrutonin e të stërvitnin besnikë të çdo moshe e të çdo shkalle shoqërore, t`i pajisnin me armë dhe të furnizonin vendet e fortifikuara. Në këtë periudhë Abedin Pasha shprehu ndjenjat më armiqësore ndaj helenizmit dhe sipas optikës subjektive të diplomatit në fjalë “fanatizmi i tij e la në hije edhe atë të turqve më të ekzaltuar”. Ky fanatizëm kishte si qëllim mbrojtjen e territoreve shqiptare, që kërcënoheshin direkt nga vendimet e Fuqive të Mëdha.

Në ngjarjen e Lëkurësit, lokalitet në afërsi të Sarandës, kur disa banda andartësh grekë nxitën popullsinë e krishterë shqiptare për t`u hedhur në kryengritje e për të kërkuar më pas bashkimin me Greqinë, Abedin Pasha mori pjesë aktive duke mobilizuar 400 veta nga fisi i tij me qëllim për ta shtypur këtë kryengritje.

Në prag të mbledhjes të Kongresit të Berlinit (1878), i cili ndonëse në një masë më të reduktuar krahasuar me Shën Stefanin përsëri i copëtonte shumë rëndë trojet shqiptare, Abedin Pasha shkoi në Stamboll dhe i dorëzoi Portës së Lartë disa raporte në favor të mbrojtjes së territoreve të banuara me popullsi shqiptare. Prandaj, duke u nisur nga kjo ai u ngarkua përsëri me detyrën për të shkuar në Epir, me qëllim për të nxitur zemërimin e shqiptarëve kundër idesë së lëshimeve territoriale në favor të Greqisë.

Në këtë periudhë ai ishte gjithashtu organizator kryesor i nxitjes së popullsisë vendase për të hartuar telegrame ku protestohej kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe në favor të çështjes shqiptare, të cilat më pas i dërgoheshin Stambollit dhe kancelarive të vendeve evropiane. Në mënyrë po aq aktive ai ishte në kontakt me Abdyl bej Frashërin dhe Mehmet Ali Vrionin, dhe së bashku me degën jugore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit organizuan rreth 30 mijë forca vullnetare, të vendosur për të mbrojtur çdo pëllëmbë të trojeve shqiptare.

Porta e Lartë, e cila ishte në kundërshtim me kërkesat greke dhe vendimet e imponuara nga Kongresi në fjalë, duke pasur parasysh origjinën çame të Abedin Pashës e emëroi këtë të fundit si ministër të Jashtëm dhe si kryetar të komisionit që do të zhvillonte bisedimet me Greqinë lidhur me përcaktimin e kufirit.

Për disa muaj me radhë të gjitha bisedimet që ai kryesoi me palën greke u zvarritën aq shumë sa që Athina së bashku me kancelaritë evropiane i bënë presion Stambollit për ta larguar nga detyra. Sipas disa studiuesve, fakti që Janina dhe disa qytete të Çamërisë mbetën pjesë e perandorisë dhe territore shqiptare deri në 1912 ishte merita e Abedin Pashës, i cili me zotësinë dhe ndjeshmërinë e tij prej atdhetari nuk pranoi assesi që vendlindja e tij t`i aneksohej Greqisë. Pas largimit nga detyra si ministër i Jashtëm ai ushtroi funksionin e kryetarit të komisionit të reformave në zonat lindore të Turqisë së sotme, vali i Sivasit, Ankarasë dhe Rodosit nga ku u thirr për të marr pozitën e kryeministrit, por që për fat të keq nuk mundi sepse vdiq nga shkaqe të pashpjegueshme.

Në historiografinë shqiptare, si rezultat i reminishencave të literaturës greke që e konsideron armik, nuk kanë munguar vlerësime negative për Abedin Pashën. Në tekstin “Historia e popullit shqiptarë” botuar në periudhën e komunizmit, ai paraqitet si njeri që kishte ndjekur një politikë dyfytyrëshe, se ishte kundër idesë mbi autonominë e Shqipërisë duke pasur frikë mbi çifligjet e veta. Por burimet e kancelarive evropiane dëshmojnë të kundërtën. Prandaj me kalimin e kohës akuzat në fjalë kanë ardhur duke u zbehur për shkak të dokumentacionit, i cili edhe kur e kritikon si “shqiptarofil”, “antigrek” e “antisllav”, s`bën gjë tjetër veçse na tregon për rolin pozitiv që ai ka luajtur brenda kuadrit të Perandorisë Osmane.

Abedin Pashë Dino vdiq në Stamboll në vitin 1906. Njihet si hartues, përkthyes dhe autor i disa librave letrar dhe studimor. Kështu, ka përkthyer dhe komentuar në një formë krejt moderne veprën e Rumiut “Mesnevi” nga gjuha perse në atë turke; ka shkruar një libër me titull “Trajtesë e dobishme mbi kolerën” në kohën kur ai ishte vali i Ankarasë, ku jepen të dhëna rreth masave preventive ndaj kësaj sëmundjeje; ka polemizuar me ateistët dhe darvinistët me librin “Lumturia në këtë botë” duke u mbështetur në disa autorë si tek Paskali, Flamarion, Montegacen etj., ka përkthyer dhe komentuar nga gjuha arabe “Kasidatu l-burda”, ka hartuar një gramatikë moderne të gjuhës arabe etj. Të gjitha këto tregojnë se ai ishte një personalitet poliedrik, me njohuri nga fusha të ndryshme të dijes.

Edhe i biri i Abedin Pashës, Rasih bej Dino ishte patriot dhe diplomat i njohur në shërbim të çështjes shqiptare. Ai njihet si organizator dhe financues i hapjes së shkollave shqipe në Çamëri. Në vitin 1913 ishte drejtues i delegacionit shqiptar që së bashku me Mehmet bej Konicën dhe Filip Nogën i paraqitën ministrit të Jashtëm britanik dhe drejtuesit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, Eduart Grej, vijën e kufirit shtetëror të viseve etnike dhe një pasqyrë të hollësishme mbi përbërjen e popullsisë që banonte krahinat që duheshin përmbledhur brenda shtetit shqiptar. Por ky memorandum i delegacionit shqiptar nuk u mor parasysh.

Gjatë kësaj kohej Rasih Dino do të ishte një nga bashkëpunëtorët kryesor të Ismail Qemalit dhe Qeverisë së Vlorës për politikën e jashtme. Në vitet e Luftës së Parë Botërore ai do të vendoset në disa shtete, si: në Zvicër, Francë dhe Itali. Në dhjetor të 1920 qeveria e Sulejman Delvinës do ta ngarkoi me detyrën e kryetarit të delegacionit ekonomik shqiptar që u dërgua në Romë për të vendosur marrëdhënie ekonomike mes dy vendeve.

Pjesë e kësaj familjeje është dhe nipi i Abedin Pashës, Xhemil Dino, i cili nga viti 1920 deri në 1939 do të mbajë funksione të larta në diplomacinë shqiptare, si ministër dhe përfaqësues i Shqipërisë në disa shtete.

Pasardhësit e familjes Dino nga Preveza e Çamërisë edhe më pas vijuan të shkëlqenin në fusha të ndryshme të artit, biznesit dhe politikës qoftë në Greqi, qoftë në Paris dhe vende të ndryshme të botës.

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori