LAJMI I FUNDIT:

Ngushëllimet politike

Kur u shpërbë ish-sistemi komunist, në Kosovë kishte një vakum institucional. Në vend të të ashtuquajturave komitete komunale dhe krahinore, zuri të flasë qytetari i cili në formë reagimi kolektiv shprehte revoltën e dyfishtë, të grumbulluar me dekada ndaj asaj që dikur e kishin bërë apo për atë që ishte dashur të bëhej nga “përfaqësuesit e zgjedhur” të popullit (dhe rezistencës që të mbaheshin në këmbë ato pak institucione vitale të shoqërisë).

Ky proces i veprimit në formë kundërshtimi kolektiv ishte ndëshkuar në mënyrën më brutale nga strukturat policore dhe ushtarake serbe. Nuk kishte javë a muaj që nuk vritej dikush, ndërsa vendi po hynte në fazën e mortjes që po përcillej me ceremoninë e ngushëllimeve dhe lotëve.


Kështu pak a shumë ngjante bashkëshortja e ish-policit të njësisë speciale të Kosovës, i cili u vra gjatë një aksioni në veri të vendit, Enver Zyberi. Kështu pak a shumë ngjante edhe bashkëshortja e Selver Haradinajt me fëmijët e mbledhur në prehër, duke kërkuar te e ëma ndjenjën e sigurisë.

A mbeti veriu i vendit ta vazhdojë rrugëtimin e mortjes sonë të dikurshme, e cila po na e provokon ndërgjegjen, na i shprish ndjenjat kolektive, na nxjerr nga “dehja” me gjysmë lirinë tonë të vonuar dhe na bën që të zihemi çdo ditë me vetveten në kërkim të fajtorit. Brenda kornizës së menduarit psikologjiko-politik nuk po mund ta kapim askënd në thumb, sepse objektivi është zgjeruar në një rreze tepër të madhe: institucionet e shtetit, ambasadat, KFOR-i, EULEX-i, Policia e Kosovës dhe nuk e di kush a na mbeti pa u përmend…?

A janë këta emra që nuk e ndalin apo nuk po mund ta ndalin mortjen në veri? A fshihet e vërteta dhe e pavërteta këtu diku mes tyre? Çka bëjnë dhe çka nuk bëjnë? Hajde nëse na lejohet kushtimisht ta zhveshim çdo subjekt për ta parë se cila është dukja e tij e vërtetë apo e pavërtetë që struket nën “petkun” e tyre…

Gjendja në veri të Kosovës, që nga paslufta, ka një cikël të njëtrajtshëm të zhvillimit dhe perceptimit: vendorët presin dhe besojnë – jo si në masën e dikurshme, se ky episod që sa vjen e shndërrohet në tragjik – se një ditë me të gdhirë s’do të ketë më struktura paralele serbe, se do të shpërbëhen nga KFOR-i, EULEX- i, cili do të na dorëzojë “çelësin” e lirisë së plotë.

Si duket me këtë logjikë të pritjes politike trashëguam po këtë gjendje pak a shumë konstante, e cila më në fund po na zhvesh nga një lloj iluzioni deus ex machine, se adresa ku fillon zgjidhja jemi ne vendorët, ndërsa alternativat e veprimit politik do të duhej të ishin pjesë e atyre strategjive që nuk mbesin në letër, por që fillojnë ta ndryshojnë esencialisht gjendjen për t’ i dhënë sa më pak hapësirë ndërhyrjeve politike nga jashtë (sepse rezultati i zgjidhjes nuk do të jetë i kënaqshëm).

Duhet pranuar një fakt se politika vendore nuk kishte asnjëherë ofertë konkrete për zgjidhje, dhe se ende po veprohet në mënyrë fragmentare pa unifikim qëndrimesh.

Vetëmbrojtja individuale, qytetare, si akt i kushtëzuar nga rreziku i ekzistencës fizike e materiale, është një solucion i zbatimit, mu kur fillojnë të pushojnë apo nuk mund të funksionojnë institucionet e sigurisë.

Në veriun e vendit duket se kemi të bëjmë me paradoksin e dytë. Vendi njihet se ka shumë akterë seriozë të thirrur për sigurinë. Por, pjesa e iks shërbimeve shtetërore vendore dhe ndërkombëtare i nisin dhe kurrë nuk i përfundojnë procedurat e pafundme të hetuesisë, në kërkim të personave që konsiderohen se mund të jenë bartësit e krimeve.

E tha apo nuk e tha me përgjegjësi kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, se duhet të mbrohet “pragu i shtëpisë”, kjo ide e tij buron nga pafuqia e një njeriu që është i thirrur t’u përgjigjet qytetarëve të vetë, dhe të ekzistimit të dy situatave kundërthënëse se po dështojnë faktorët vendorë dhe ndërkombëtarë në planin e sigurisë.

Mungesa e sigurisë dhe dobësim i pozicionit të qëndrimit karshi dhunës, po e prodhon zhvendosjen nga në të përkohshmen drejt të përhershmes.

E para veç ka filluar të ndodh kaherë, ndërsa tani mund të besohet se po hyhet në fazën e dytë: një rast për Beogradin që t’ia jap ofertën politike bashkësisë ndërkombëtare para Prishtinës zyrtare!

Nuk është e largët dita kur do të na trokasin në derë bisedimet e reja – ashtu siç jemi mësuar ne t’i quajmë, me kompromise të dhimbshme – me çka kohezioni brendshëm politik i shtetit të Kosovës do të dobësohet aq shumë sa do të vë në pikëpyetje ekzistencën e tij.

Qytetarë e veriut të vendit po e humbin luftën me mortjen dhe janë lodhur me ngushëllimet e pafundme politike.