LAJMI I FUNDIT:

Ngërçi i shqiptarëve

S’ka gjë më të keqe për njeriun se sa t’i del vetvetja qejfit. “Mos t’dalt vetja hujit”, thotë populli. Nëse arrin kulmin e kësaj ndjesie, lehtë kalon në depresion të pashërueshëm – jeton gjallë e për gazep, ose edhe vetëvritesh. Por sado e dhimbshme të jetë humbja e një individi për një familje apo grup të caktuar, nuk është fundi i botes. Për një kohë të shkurtër, nëse jo prindërit, të tjerët rimëkëmben, vazhdojnë jetën. Por është e kobshme kur kjo ndjesi e keqe e vetnënçmimit e kaplon një komb të tërë. Dhe kjo ndjesi sikur i ka kapluar shqiptarët që prej vitesh. I zë ngërçi pikërisht atëherë kur duhet të jenë të bashkuar. Që të ndjehemi të tillë: të nënçmuar dhe të vetnënçmuar, me bisht, turq, kaurë, fundamentalistë, terroristë, kriminelë, janë investuar miliona lira, dinarë, euro nga dreqi e i biri. Ende ndodhemi në dilemë kur nuk jemi në gjendje të peshojmë vetveten, por nënçmojmë vetveten, dhe para të tjerëve kujtojmë sikur jemi “askushi”. Sepse, ende edhe sot, kemi “hoxhallarë”, “priftërinj”, “historianë”, “intelektualë”, “politikanë”, “medie”, që përpiqen të vënë në diskutim veprimtarinë e ndritur të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, të Ismail Qemajlit, Adem Jasharit…

“Skënderbeu kishte gabuar që i ishte kundërvënë sundimit otoman”; “Nënë Tereza nuk ka bërë asgjë për ne shqiptarët”; “Ismajl Qemajli gaboi që e shpalli pavarësinë në Vlorë”; “Adem Jashari nuk është dashur të flijohet me familje”; “Shtetet e Bashkuara kanë ardhur për interes këtu, nuk ju intereson për shqiptarët”;… Me siguri i keni dëgjuar këto komente të pështira që ende vazhdojnë të diskutohen nëpër kafenetë e Prishtinës, Tiranës, Shkupit… Njëjtë si në kohën e okupimit nga Serbia. Edhe atëherë vazhdimisht etiketoheshin figurat e mëdha të kombit, sepse atyre të cilët kishin reputacion te populli, ua kishte frikën okupatori. Serbia nuk kishte frikë nga ata që asokohe ishin në pushtet, sepse i kishte sjellë ajo vet. I kishte në grusht. Tmerrohej nga shqiptarët që e kishin bërë masën për vete, pa qenë në pushtet. Dhe përveç se përpiqej të shuante veprimtarinë e tyre kombëtare, Beogradit i duheshin edhe shqipfolës që në kohë të caktuara të dilnin në opinion dhe të “vlerësonin” se Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Albin Kurti,…, “janë spiunë të Serbisë”, “janë kriminelë”, e shpifje tjera si këto. Dhe kjo taktikë e Serbisë fatkeqësisht gjente terren, sepse të etiketuarit prej saj ishin “pikë e pesë”.


Vetnënçmimi është sëmundje e dhimbshme. Duhet vite për t’u shëruar. Shqiptarët në Shqipëri, në fund të shekullit të kaluar, ndodhte ta përdornin flamurin për leckë. Pothuajse gjithçka shqiptare nuk kishte vlerë. Gjithçka e huaj ishte e përkryer, “e përkryer” ishte edhe kripa greke, edhe coca-cola italiane. Madje mallrat nga Greqia prodhoheshin “ekskluzivisht” për shqiptarët, “të cilësisë së lartë”. I kam provuar edhe vetë. Me vinte për të vjellë. Megjithatë komenti i zakonshëm i shqiptarëve të mi ishte: “Është e mirë, është e huaj”. Gjatë kësaj kohe për disa vjet isha atje, në Tiranë, dhe kur ndodhesha në situata të tilla, lutesha ta kem një grusht të fortë… Kur kujtoja vitet e diktaturës së Enver Hoxhës, gjatë “debatit” me vetveten, përpiqesha të arsyetoja vetnënçmimin e tyre. Sado vlerësoja se komunizmi ishte fatkeqësia më e madhe e shqiptarëve, nuk mund t’i arsyetoja. Studentët shqiptarë të Shqipërisë që mendonin si unë më dukej sikur ishin të paktë. Për fat kishte profesorë që gjatë këtyre debateve me kolegët e mi studentë, ndërhynin dhe “mbanin anën time”, por jo për të më bërë qejfin, porse vërtet krenoheshin që ishin shqiptarë. Kjo më bënte mua dhe studentët tjerë shqiptarë që vinim jashtë Shqipërisë londineze që të shpresonim për ditë më të mira.

Sot në Kosovë fatkeqësisht shpeshherë ndjehem njëjtë si asokohe në Shqipëri. Produktet serbe “janë më të mira se sa ato shqiptare” (ato që i kemi), e ata që vlerësojnë ndryshe “janë arkaikë”. Kulmi i “injorancës” arrihet kur ngatërrohet shtetësia me kombin dhe flitet për “kombin kosovar”. Këtë fjalën “injorancë” e futa në thonjëza, pasi tendenca e disave për të formuar një komb të ri kosovar është e qëllimshme, nuk është se bëhet nga injoranca. Koha është ta duam dhe ta çmojmë flamurin e Kosovës derisa Kosova të jetë shtet, e nëse vjen dita që shqiptarët të bashkohen, atëherë le ta fusim “kaltëroshin” në arkiv. Por këtë flamur nuk duhet lejuar që ta fusë në arkiv presidenti i Serbisë, Boris Tadic, i cili “dëshiron” që më Tiranën të zgjidhë problemin 130-vjeçar shqiptaro-serb. Këtë paraardhësit e Tadicit e kanë pasur rastin ta kërkojnë para vitit 1999. Tani ka marrë fund ëndrra e Tadicit. A thua pse Serbia nuk e njeh Kosovën dhe më pas të flitet për zgjidhjen e problemit shqiptaro-serb? Sepse, me njohjen e Kosovës nuk përfundon borxhi i Serbisë ndaj shqiptarëve. Sepse, e do ndarjen e Kosovës. E derisa të na zë ngërçi do të dëgjojmë opsione të ndryshme të zgjidhjes së çështjes kombëtare. Fatmirësisht për “kombin kosovar” nuk kam dëgjuar të ketë folur ndonjëherë Adem Jashari, Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Ramush Haradninaj, Albin Kurti,…, andaj prapë mbaj shpresë për ditë më të mira.

E kur nuk do të na zë ngërçi neve shqiptarëve? Atë ditë kur të vendosim t’i heqim dilemat se kush jemi dhe t’i rrekemi punës pa hile. Atë ditë kur do të dimë të vlerësojmë dhe kërkojmë përgjegjësi nga të zgjedhurit tanë. Atë ditë kur t’i shohim në një zyrë së bashku duke biseduar për progresin e shqiptarëve, Sali Berishën me Edi Ramën, Hashim Thaçin me Ramush Haradinajn, Ali Ahmetin me Menduh Thaçin,… Sepse atë ditë do të përfundojë epoka e ndritur e spiunëve, dhe ajo e militantëve të të gjitha llojeve: partiakë, fetarë, … Askush nga ky soj i keq nuk do të ketë hapësirë veprimi për përçarje midis nesh dhe futjen e ndjenjës së vetnënçmimit. Do të bëhet mirë atë ditë kur do të kuptojmë se çfarë vërtet është demokracia, atë ditë kur do të dimë të ndajmë të mirën nga e keqja, atë ditë kur do të dëshmohet me vepër se askush nuk është mbi ligjin. Pra, do të bëhet mirë ditën kur ambasadorët Christopher Dell dhe Alexandar Arvizu, ose pasardhësit e tyre, të mos kenë nevojë t’i nxjerrin zarfet prej xhepave për të zgjidhur ngërçe “politike” mes shqiptarëve. Sepse, atë ditë, do të jemi të lumtur të dyja palët, edhe ne shqiptarët edhe amerikanët. Unë e pres atë ditë!