LAJMI I FUNDIT:

Nga e premtja Serbia i njeh diplomat e Kosovës

Nga e premtja Serbia i njeh diplomat e Kosovës

Nga e premtja e ardhshme (1 prill) shteti i Serbisë pritet t’i njohë të gjitha diplomat që nga niveli fillor deri tek ai i doktoratës të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Kosovapress, Arjeta Rexhaj, këshilltare e ministres për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri.


Sipas saj, nga negociatat e fundit në Bruksel të zhvilluara para një jave lidhur me këtë çështje, është arritur që marrëveshjet e realizuara tash e pesë vjet lidhur me njohjen e diplomave, të fillojnë së zbatuari nga një prilli 2016.

Po ashtu, Rexhaj ka thënë se duke filluar nga data 1 prill 2016, brenda tre muajve do të njihen edhe të gjitha diplomat që nuk janë njohur tash e pesë vjet.

“Më 1 prill 2016 fillon zbatimi i marrëveshjes së diplomave. Serbia ka dështuar në zbatimin e marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave universitare për më shumë se pesë vjet që nga arritja e marrëveshjes më 2011. Një marrëveshje e re është arritur më 29 shtator 2015, e bazuar në atë të vitit 2011 dhe e zgjeruar për të përfshirë njohjen e të gjitha diplomave që nga shkolla fillore deri në doktorata. Në vend të zbatimit, Serbia përsëri ka kontestuar disa pjesë të saj me tendenca politike, mirëpo pala e Kosovës ka refuzuar kategorikisht ndryshimet e propozuara. Pas heqjes dorë të kërkesave nga ana e Serbisë, më 19 janar 2016 është arritur rikonfirmim i marrëveshjes së 29 shtatorit 2015. Më 1 prill fillon zbatimi i marrëveshjes, ndërsa diplomat që janë në pritje të njohjes tash e pesë vjet do të njihen brenda tre muajsh”, ka thënë Rexhaj nëpërmes adresës elektronike.

Ndërkohë, i pyetur lidhur me këtë çështje ditë më parë, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka thënë për Kosovapress-in se kjo çështje i takon pikërisht zëvendësministres Edita Tahiri.