LAJMI I FUNDIT:

Nga debati me Trumpin te kritikat për moshën, Biden deklarohet për performancën e tij

Nga debati me Trumpin te kritikat për moshën, Biden deklarohet për performancën e tij

Presidenti amerikan, Joe Biden, së fundmi në një intervistë televizive ka vlerësuar performancën e tij në debatin e javës së kaluar kundër Donald Trump, ndërsa pyetjet kryesisht ishin rreth të ardhmes së kandidaturës së tij.

Gjatë intervistës me George Stephanopoulos, Biden hodhi poshtë çdo nocion të heqjes dorë nga kandidimi, ndërkohë që ofroi edhe justifikime të ndryshueshme për performancën e tij të dobët.

Bëhet e ditur se biseda ishte intervista e parë televizive e Biden që nga performanca e tij në debat, një moment kyç për të ardhmen e tij politike.


Këto janë gjashtë temat kryesore nga intervista e Bidenit me ABC News.

Biden tha debati ishte një ‘natë e keqe’, jo një problem më i madh

Presidenti tha se ishte “i sëmurë” dhe “ndihej i tmerrshëm” përpara debatit me Trumpin. I pyetur nëse ishte një episod i keq apo shenjë e një gjendjeje më serioze, Biden i hodhi poshtë këto shqetësime.

“Ishte një episod i keq. Asnjë indikacion për ndonjë gjendje të rëndë. Nuk i dëgjova instinktet e mia për sa i përket përgatitjes dhe kalova një natë të keqe”, tha ai.

Gjithashtu, ai dha më shumë detaje se si ndihej gjatë debatit, duke thënë se ishte i lodhur, madje ishte testuar për Covid-19.

Një ditë më vonë, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti në fakt kishte vizituar mjekun, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Presidenti merr përgjegjësinë e performancës së dobët, por ofron një justifikim të ri

Kur u pyet nëse e dinte se sa keq po shkonte debati, ai tha se nuk ishte “faji i askujt përveç i imi”.

I pyetur përsëri për performancën e tij, ai tha: “Epo, thjesht po kaloja një natë të keqe.”

Por, më vonë në intervistë, Biden ofroi një shpjegim tjetër. Ai tha se ishte i hutuar nga Trump duke folur jashtë radhës edhe pse mikrofoni i tij ishte i ndalur.

“Jo vetëm që po kaloja një natë të keqe, por edhe më keq kur kuptova se unë po i përgjigjesha një pyetje, Trumpit ia fikën mikrofonin e ai ende bërtiste. E lashë të më shpërqendronte. Nuk po e fajësoj për këtë, por kuptova se thjesht nuk e kisha nën kontroll”,  i tha Biden Stephanopoulos.

Biden nuk do t’i nënshtrohet një testi njohës dhe nuk do t’ua japë atë votuesve

Biden tha se “askush nuk tha se duhej” të bëja provime njohëse dhe neurologjike, duke theksuar se ai kryen një test të plotë neurologjik çdo ditë.

“Kam mjekë që udhëtojnë kudo. Çdo president bën, siç e dini. Mjekët nga më të mirët e botës udhëtojnë me mua kudo që shkoj. Unë kam një vlerësim të vazhdueshëm të asaj që po bëj. Ata nuk hezitojnë të më thonë nëse mendojnë se diçka tjetër nuk është në rregull”, tha ai.

Kur u pyet nëse ai ka pasur teste njohëse dhe një provim nga një neurolog, Biden tha jo.

“Askush nuk tha se duhej. Ata thanë se jam mirë”, shtoi ai.

Në një analizë të botuar së fundmi, neurokirurgu Dr. Sanjay Gupta i kërkoi Bidenit t’i nënshtrohej një testimi të plotë kognitiv dhe neruologjik dhe të ndajë rezultatet e tij.

Gupta shkroi se ishte shqetësuese të shikoje performancën e Bidenit në debat.

Testimi i detajuar “mund të ndihmojë në përcaktimin nëse ka një shpjegim më të thjeshtë për simptomat e shfaqura ose nëse ka diçka më shqetësuese”, sipas mjekut.

Biden mohon se sondazhet tregojnë se ai ka humbur ndaj Trump

I pyetur nga Stephanopoulos nëse ai ishte i sinqertë me veten në lidhje me aftësinë e tij për të mposhtur Trumpin, Biden tha: “Po. Po po po.”

Ai vuri në dukje sondazhet e mëparshme që tregonin se ai nuk mund të fitonte as në vitin 2020.

I shtyrë për vlerësimin e tij dhe nëse do të ishte më e vështirë për të fituar katër vjet më vonë, Biden tha: “Jo kur po konkurroni kundër një gënjeshtari patologjik. Jo kur ai nuk është sfiduar në mënyrën se si do të sfidohet”.

“Vetëm ‘Zoti i Plotfuqishëm’ mund të më detyrojë të largohem nga gara”, u shpreh presidenti

“Por nëse ju thonë me besueshmëri nga aleatët tuaj, miqtë dhe mbështetësit tuaj në Partinë Demokratike, në Dhomën e Përfaqësuesve, në Senat se ata janë të shqetësuar se ju do të humbni Dhomën dhe Senatin nëse qëndroni brenda, çfarë do të bëni?”, Stephanopoulos u përgjigj.

“Kjo nuk do të ndodhë,” tha Biden.

Presidenti më vonë vuri në dyshim nëse ndonjë lider tjetër demokrat ka zgjuarsinë e tij të politikës së jashtme.

“Kush do të jetë në gjendje ta mbajë NATO-n të bashkuar si unë?”, pyeti Biden.

Siç raportohet, këto pyetje vijnë ndërsa katër anëtarë demokratë të Kongresit i kanë bërë thirrje presidentit amerikan të tërhiqet nga gara.

Biden tregon energjinë e tij në tubimin e Wisconsin

Biden pak para intervistës u përballë me shqetësimet e votuesve, teksa po dilte në skenë në një tubim në Wisconsin.

Një pjesëmarrës në tubim shpalosi një tabelë ku shkruhej: “Kaloje pishtarin, Xho”.

Shenja ishte e dukshme për disa momente përpara se dikush tjetër të përpiqej të mbulonte një pjesë të saj me një tabelë Biden-Harris.

Fjalimi i Bidenit gjatë atij tubimi ishte i gjallë dhe energjik – megjithëse ai dukej se e kuptonte se çdo fjalë e tij do të analizohej dhe shqyrtohej me kujdes në këtë periudhë politikisht vendimtare.

Ai u zotua të “rrahë Trumpin përsëri në 2020” përpara se të kuptonte shpejt gabimin e tij dhe të korrigjonte veten: “Meqë ra fjala, ne do ta bëjmë përsëri në 2024.”

“Unë nuk isha shumë i vjetër për të krijuar mbi 50 milionë vende të reja pune, për t’u siguruar që 21 milionë amerikanë janë të siguruar sipas Aktit të Kujdesit të Përballueshëm, për të mundur Big Pharma. A isha shumë i vjetër për të lehtësuar borxhin e studentëve për gati 5 milionë amerikanë? Shumë i vjetër për të vendosur gruan e parë me ngjyrë në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Për të nënshkruar Aktin e respektimit të martesës?”, tha Biden gjatë fjalimit duke iu adresuar kritikave për moshën e tij. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Biden thotë se do të peshonte alternativat ndaj goditjes së naftës iraniane nëse do të ishte në vendin e Izraelit

Biden thotë se do të peshonte alternativat ndaj goditjes së naftës iraniane nëse do të ishte në vendin e Izraelit

Azia
Janë numëruar gabimisht të vdekurit nga përmbytjet në Bosnje e Hercegovinë, gjithsej 13 persona humbën jetën

Janë numëruar gabimisht të vdekurit nga përmbytjet në Bosnje e Hercegovinë, gjithsej 13 persona humbën jetën

Bosnja
Trump inkurajon Izraelin të godasë objektet bërthamore të Iranit

Trump inkurajon Izraelin të godasë objektet bërthamore të Iranit

Azia
I vendosin bombë nën veturë, momenti kur automjeti i ukrainasit që punonte për rusët në Zaporizhzhia hidhet në erë

I vendosin bombë nën veturë, momenti kur automjeti i ukrainasit që punonte për rusët në Zaporizhzhia hidhet në erë

Evropa
Vritet komandanti i Hamasit në një sulm ajror në kampin e refugjatëve

Vritet komandanti i Hamasit në një sulm ajror në kampin e refugjatëve

Azia
Gjatë një sulmi ajror, ushtria izraelite godet depon ruse në bazën ushtarake në Siri

Gjatë një sulmi ajror, ushtria izraelite godet depon ruse në bazën ushtarake në Siri

Azia
Kalo në kategori