LAJMI I FUNDIT:

Nëse Rusia ka të ardhme, duhet të bëhet shtet tjetër

Nëse Rusia ka të ardhme, duhet të bëhet shtet tjetër
Sergei Lebedev në Potsdam (foto: Zoe Noble / Financial Times)

Autori rus në ekzil, Sergei Lebedev, rrëfen se si karriera në gjeologji e shtyu të gërmonte në tmerret e fshehura të atdheut të vet – për një përmbledhje të re tregimesh.

Intervistoi: Guy Chazan / The Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Kur e pyes shkrimtarin Sergei Lebedev se si ndihet për pushtimin e Ukrainës nga vendi i vet, tiparet e tij marrin një pamje me ngjyra të fajit. “Çfarë ndjej? Tmerr dhe turp”, thotë ai. “Më vjen turp t’i shikoj ukrainasit në sy, turp sepse nuk mund të bëj asgjë për ta ndaluar këtë”.


Ndjenja zgjerohet te njerëzit e vet, te shtresat e mesme të kulturuara ruse. “Më vjen turp që ne nuk mund ta hapim gojën, e lëre më ta rrëzojmë atë”. Me “atë” ai e nënkupton Vladimir Putinin, njeriun që e nisi këtë luftë. Ai është kopuku i bisedës sonë dy-orëshe, gjatë një dreke, është fantazma i cili te rrëfimet e Lebedevit i mishëron të gjitha kthesat e gabuara që ka marrë Rusia gjatë 30 vjetëve të fundit.

Një nga shkrimtarët më të shquar bashkëkohorë të Rusisë, Lebedevi, 41 vjeç, është çmuar për një seri romanesh që janë pasqyrë e së kaluarës shkatërrimtare të Rusisë. Si ish-gjeolog, ai i heq shtresat e thella të historisë së shekullit XX të vendit të vet, shtresat e traumave të fshehura nga një fushatë e harresës që miratohet nga shteti. Siç shkruan ai në parathënien e përmbledhjes së tij me tregime, E kaluara e tashme: Titani dhe kronikat e tjera, që botohet në ShBA në këtë muaj: “Gjatë gjithë ekzistencës së vet, shteti sovjetik i shkatërroi njerëzit dhe e shkatërroi çdo kujtim të shkatërrimit”.

Takohemi në një restorant në Potsdam, një qytet jashtë Berlinit që ka qenë shtëpia e Lebedevit për katër vjetët e fundit. Në ditët e para paramendonte se po lëviz pa probleme midis Moskës – qytetit të tij të lindjes – dhe Perëndimit. Por, lufta në Ukrainë i ka tretur të gjitha mendimet për t’u kthyer në Rusi. “Tani nuk është në radarin tim”, thotë ai.

Potsdamii është vend i pëlqyeshëm për shkrimtarin e fiksuar pas historisë. Shtëpia e tij është afër rrugës së Murit të Berlinit, vijës së parë të frontit mes Lindjes dhe Perëndimit gjatë epokës së Luftës së Ftohtë. Aty pranë ka ende hapësira boshe që ta kujtojnë atë vijë të keqe të demarkacionit. “Këtu jeni afër historisë, me të shkuarën që tani është ringjallur nga vdekja dhe që po na ndjek”, thotë ai.

Imazhi është therës dhe ma kujton njërin prej tregimeve të shkurtra të Lebedevit, Nata sot është e ndritshme, pjesë e përmbledhjes së re që në anglisht është përkthyer nga Antonina W Bouis. Ngjarja e e vendosur në fund të viteve 1980, përshkruan ish-të burgosurit e Gulagut – “të tejdukshëm si vorbullat e mjegullës” – që marshojnë drejt Kremlinit dhe rimarrin vendin e vet mes të gjallëve.

Marshuesit janë, shkruan Lebedev: “Të vdekurit nga kampet moçalore. Të burgosur që kishin prerë pemë, që kishin prerë degë, që me sharrë i kish bërë trungjet që i lëshuan në ujë. Ata u dërguan nga Lideri për ta kapërcyer pyllin e madh halor të veriut dhe vdiqën duke u bërë pjesë e tij, duke mbijetuar në rrënjë dhe në kurora, duke gjetur jetë të re në degë dhe hala”. Ndjehet si kryqëzim midis serialit televiziv me zombi, The Walking Dead, dhe të skenës në Makbethin e Shekspirit ku Mali Birnam vjen në Dansinën.

E pyes Lebedevin nëse ky procesion i fantazmave simbolizon kthimin e të shtypurve, kujtimin e krimeve të Stalinit që shpërthejnë në Moskën moderne. Ai tha se imazhi u frymëzua nga puna e tij gjeologjike në veriun e largët të Rusisë, në vitet 1990, ku u ndesh për herë të parë me gjurmët e gulagut: pasi ata u mbyllën në vitet 1950 dhe të burgosurit e tyre u liruan, kampet e punës të epokës së Stalinit thjesht u braktisën, duke u kthyer në gërmadha të peizazhit të ngrirë.

“Më ka habitur fakti se dukej se ishin dy Rusi – Rusia në të cilën jetojmë dhe Rusia e këtyre njerëzve të vdekur që veç u hodhën tutje, jashtë gjeografisë dhe historisë, përtej kujtesës dhe vetëdijes”, thotë ai. “Ata vdiqën ose u vranë atje, dhe është e përshtatshme të mos i kujtosh. Dhe, gjithmonë kam ndier se ne duhet të përpiqemi t’i bashkojmë këto dy Rusi”.

E kaluar e tashme është e mbushur me objektet që, si kullat e braktisura të rojeve të gulagut, veprojnë si dëshmitarë të heshtur të tmerreve të shekullit të XX. Është ndërtesa e titulluar “Hambari”, një tregim tjetër në përmbledhje, që rri bosh dhe i mbyllur, një mister për të gjithë banorët vendas: roli i tij në vrasjen masive të hebrenjve në Rusinë e pushtuar nga nazistët, zbulohet vetëm në fund.

Ndërkohë, “Titani” rrëfen për historinë e një shkrimtari të famshëm disident, të burgosur në gulag, të cilit i lejohet të shkojë në shtëpi, por nuk i lejohet kurrë të shkruajë ndonjë tjetër roman. KGB-ja vjedh ose shkatërron çdo dorëshkrim që ai krijoi pas lirimit.

Lebedev thotë se ngjarja bazohet në një dosje që ai e zbuloi në arkivat e KGB-së lituaneze. “U preka nga përpjekjet e mëdha që agjencia bëri gjatë disa dekadave, për ta ndaluar këtë njeri që ta shkruajë një libër”, thotë ai. “E shfaqte një respekt të çuditshëm për letërsinë, një besim në fuqinë e fjalës … Edhe pas vdekjes së tij ata ishin të frikësuar prej tij: vazhduan të pyesnin miqtë e tij nëse ai kishte lënë pas ndonjë dokument. Autori nuk e shkroi kurrë asnjë libër tjetër. Por, dosja voluminoze e KGB-së për të, është zëvendësim për këtë, për një ‘libër për të dhe për gjërat që ai bëri, si e çoi jetën e vet’”.

“Në mënyrë paradoksale, ata e ruajtën kujtimin e tij ashtu siç ishte në të vërtetë – dikush që nuk u dorëzua kurrë”, thotë Lebedevi. Është testament po aq ndjellës sa një roman autobiografik.

Historia sesi Lebedev u bë romancier është po aq e zymtë – dhe shpenguese. Si i ri zbuloi se burri i dytë i gjyshes së tij – një burrë disi misterioz – kishte qenë nënkolonel në sigurimin e shtetit dhe komandant i një kampi sovjetik të punës. Ai reagoi nga pafuqia dhe dëshpërimi.

“Nuk kishte rrugëdalje për mua, nuk mund ta pyesja askënd për asgjë, se të gjithë kishin vdekur”, kujton ai. “Nuk dija si të vazhdoja”. Dhe, zgjidhja ishte të shkruante një roman.

Ky roman ishte Harresa (2011), një libër që vulosi reputacionin e Lebedevit si një nga shkrimtarët e rinj më premtues të Rusisë. Ka marrë letra të panumërta nga lexuesit të cilët thanë se kjo u kishte ndihmuar që ta kuptojnë historinë familjare.

“Ata thanë se falë librit tim ishin në gjendje t’i zbulojnë sekretet e errëta të fëmijërisë dhe të rinisë”, thotë ai. “Ai i afërmi i tyre që ishte gjithmonë në mbështjellje të heshtjes – ata papritmas e kuptuan se kush ishte ai … u zgjidh një mister i dhimbshëm.”

E kaluara dhe sekretet e saj mund të jenë tema kryesore e Lebedevit, por këtë ditë në Potsdam, biseda vazhdon të kthehet në të tashmen – dhe luftën. Për të, Putini është padyshim fajtori kryesor. Por, në sytë e tij kolegët e tij liberalë rusë mbajnë një pjesë të fajit për fatkeqësinë që i ka ndodhur Ukrainës. Ata i injoruan të gjitha shenjat paralajmëruese të Putinit, krimet e tij të luftës në Çeçeni dhe në Siri, neo-imperializmin dhe planet që ai i ushqente për fqinjët e Rusisë, duke zgjedhur në vend të kësaj që t’i shijojnë frytet e bumit ekonomik që sundimi i tij (së paku fillimisht) solli.

“Jemi përgjegjës, sepse nuk mendojmë sa duhet, nuk bëjmë sa duhet, nuk jemi sa duhet të vetëdijshëm për rreziqet”, thotë ai. “Ishim duke fjetur në timon kur presidenti ynë u kthye nga një autokrat racional dhe praktik në një maniak me bombë bërthamore”.

Putini, thotë ai, për vite me radhë ka punuar në aventurën e tij në Ukrainë, duke e nisur “ekspeditën e tij ndëshkuese” kundër Çeçenisë në fillim të viteve 2000, duke i shuar mediat e fundit të pavarura të Rusisë, duke e çmontuar gradualisht demokracinë.

“Por, atë bretkocë ai e ziente shumë ngadalë. E gëlltiti shtypin e pavarur për më shumë se 10 vjet dhe në fund i kishte gëlltitur të gjithat”. Ndërkohë, moskovitët e arsimuar e shijuan jetën e lulëzuar kulturore të kryeqytetit, “fotografitë, poezitë dhe këngët … dhe ata shpresonin se gjërat do të përmirësoheshin”.

Indiferenca e tyre politike, thotë ai, është bartur edhe në të tashmen. Ai është i frustruar se sa pak nga figurat kryesore kulturore në Rusi, e kanë dënuar luftën. Në këtë sfond, ai ka shumë simpati për thirrjet e ukrainasve për bojkotimin e artit dhe të letërsisë ruse.

“Ky është pikërisht momenti kur kultura, nëse është vërtet kulturë, duhet ta tregojë veten, por në Rusi thjesht nuk po e bën këtë”, thotë ai. “Tolstoi nuk heshti. Ai gjithmonë i përgjigjej asaj që ndodhte rreth tij dhe mbante një qëndrim”.

Ka të drejt. Më kujtohet dënimi i Tolstoit për luftën ruso-japoneze të vitit 1904, filozofia e tij e pacifizmit dhe e rezistencës jo të dhunshme që e frymëzoi kaq shumë Gandin në luftën kundër sundimit britanik në Indi. Kushdo që kërkon fanar moral të qëndrimit të Tolstoit në Rusinë e sotme, kot do ta kërkojë atë.

Lufta e Ukrainës është, thotë Lebedev: “Disfata e kulturës ruse. Dhe, ndoshta është humbja përfundimtare. Sepse, nëse Rusia ka ndonjë të ardhme, duhet të bëhet shtet tjetër. Një tjetër Rusi”. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori