LAJMI I FUNDIT:

Në kujtim të poetit

Pas shkrimeve me dhembje të madhe për dy poetët e shkuar në një afat të shkurtër dhe vetëm pak kohë më parë në përjetësi, Din Mehmeti dhe Teki Dervishi, me po aq dhembje dhe pikëllim të thellë bëjë edhe këtë shkrim, për vdekjen e poetit Ali Podrimja. Askush se kishte pritur që për kohë kaq të shkurtër do të na linin përgjithmonë tri pena të mëdha shqiptare lamtumirën e kësaj jete pa kthim, si Din Mehmeti, Teki Dervishi dhe Ali Podrimja, për të shkuar njëri pas tjetrit vetëm brenda dy tre vitesh në amshim.

Lajmin e hidhur për gjetjen e trupit të pajetë të poetit Ali Podrimja derisa ai po qëndronte në kuadër të festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée”, në qytetin e Lodève në Francë si të gjithë shqiptarët e morëm me dhembje dhe pikëllim .Ndaj në këto çaste të rënda, shpreh ngushëllimet e thella për familjen, miqtë, dashamirët dhe të gjithë ata që e njihnin dhe e donin poetin tonë të mirënjohur shqiptar.


Vepra e Ali Podrimjes, do të mbetet përgjithmonë, simbol i lidhjes së tij të ngushtë, të sinqertë dhe njerëzore me fatin e vendit dhe ardhmërinë e popullit që i takonte

Me vdekjen e Ali Podrimjes shqiptarët humbën poetin e tyre bashkëkohor ndër më të mëdhenjtë të kohës së sotme, rapsodin e vuajtjeve shqiptare dhe dhimbjeve tona të mëdha, poetin e dinjitetit njerëzor dhe kombëtar, si dhe frymëzuesin e paepur të qëndresës për Kosovën "Gjaku ynë që nuk falet" siç diti ai i pari, ta quante.

Poeti qysh herët u bë simbol i një poezie të ndershme, të cilës ia veshi një kostum të qëndrueshëm kombëtar dhe e hijeshoi atë me stil të veçantë artistik. Madje , në krijimet e tij ndriçuese, digjej natë e ditë, qiriu i pashuar i artit të metaforës së përshtatur me ndjeshmëri të zgjedhur poetike, për ti bërë dritë rrugës së kombëtares në ecjen e atdheut të robëruar dhe ngritur vetëdijen e shqiptarëve që për shumë kohë, kërkonin liri dhe çlirim.

Ali Podrimja me krijimet e tij të përzgjedhura poetike do të udhëtonte nga Prishtina në Paris për të përfaqësuar edhe kësaj radhe dinjitetshëm Kosovën dhe përfunduar me nder luftën e tij të gjatë për te, në mënyrë që nga aty të nisej faqebardhë për ta takuar Lumin dhe shuar dhimbjen e tij të madhe njerëzore, e cila e kishte munduar poetin për aq shumë kohë, që kur Lumi u nda nga i ati dhe e priste atë në amshim për tu bashkuar- Babë e Bir në Përjetësi.

Poeti ynë do të shquhej për atdhetarin të flakët, dhe si krijues i një arti të rrallë i letrave shqipe, do të quhej edhe princi i poezisë, poet e mendjendritur i kombit tonë i cili tërë jetën dhe veprën e tij ia përkushtoi me gjithë shpirt, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Ai gjatë gjithë kohës u shkroi me zemër vuajtjeve dhe shpresës së popullit që përfaqësonte duke i kërkuar besën edhe Lum- lumit të tij, nga Parisi ku kishte shkuar për të "bashkë"-recituar një poezi, me betimin se nuk do të përuleshin para asnjë fuqie dhe as harronin vendlindjen e tyre.

Ndaj shuarja e tij ishte trishtuese, dhe me pikëllim të thellë e morëm lajmin për vdekjen e këtij poeti të madh shqiptar në Francë, ngase shqiptarët vetëm brenda pak vjetësh, humbën tre bij të shquar dhe poet të mëdhenj, të penës dhe fjalës së shkruar shqipe, pas Din Mehmetit dhe Teki Dervishit, tani edhe Ali Podrimjen – poetin i cili aq shumë shkroi për Kosovën dhe bëri gjithë atë që mundi për të deri me vdekjen e tij në Paris.

Ali Podrimja, larg vendlindjes, u nda përgjithmonë nga familja dhe jeta, u nda nga miqtë, të afërmit shokët, u nda nga shkrimet dhe poezia për të mos u ndarë asnjëherë nga kujtimet për te dhe vepra e tij, kushtuar popullit shqiptar dhe Kosovës që aq shume e donte edhe në momentet e fundit, para shkuarjes së përjetshme te Lum Lumi i tij.

Me vdekjen e papritur të poetit, u shua edhe një penë e madhe e letrave shqipe, duke lënë zbrazëti e dhembje në këto trojet, për të mbetur përjetësisht në zemrat e të gjithë shqiptarëve, si udhërrëfim për brezat që do të vijnë. Shuarja e poetit nuk është humbje vetëm për familjen, të afërmit, miqtë dhe dashamirët e tij, por edhe për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët, artin dhe kulturën kombëtare në përgjithësi.

Krijimtaria e tij letrare la gjurmë të pa shlyera , në kujtesën e lexuesve, duke kapërcyer kufijtë etnik dhe përkthyer edhe në shumë gjuhë të botës, për të arritur deri në piedestalin e përjetshëm të poezisë, artit dhe kulturës ndërkombëtare.

Ali Podrimja ishte krijues i veçantë dhe skalitës i vlerave të rralla artistike, i cili me veprën "Lum Lumi"përgjithësoi dhembjen e tij të madhe shpirtërore, me të gjithë shpirtrat e pafajshëm kudo, që kanë mundur të përjetojnë tragjedi. Poet i cili do të hynte në histori përmes fjalës së shkruar në mënyrë të veçantë metaforike ku shprehte ndjenjat e vrara me shumë plagë të popullit të tij, shprehte vuajtjet e atdheut të kthyer në "Gjak që nuk falet" dhe përpjekjet për çlirim kombëtar dhe atdhedashuri.

Patriotizmi i kulluar i Ali Podrimjes dhe lidhjet e pa shkëputura shpirtërore me Lumin e tij, ai do ti dëshmonte edhe një herë në vargjet e fundit, të poezisë së përgatitur para nisjes për në Festivalin që mbahej në Paris duke ju drejtuar atij me emër ani pse ai që disa kohë kishte zënë vend në amshim, me të cilin siç duket nuk i ka shkëputur kurrë lidhjet dhe as është ndarë me të ndonjëherë shpirtërisht, duke ju drejtuar për herë të fundit me fjalët të cilat po u thanë një herë ato nuk njohin më kthim, ngase që nga kohët e lashta tregojnë vendosmëri dhe simbolizojnë "Betim" :
“Ma jep besën, Lum Lumi, se nuk do të harrojmë vendlindjen"…

PARISI, VENDLINDJA

Do të hyjmë në Paris
gurin tonë aty do ta ngulim,
nuk do të na presë Teuta, Genti,
nuk do të na presë hordhi e egër romake,
nuk do të na presë njeri i gjallë.
Në Paris do të hyjmë;
ëndrrat do t’i varim në krahë të lejlekëve
te një krua do t’i lajmë sytë, duart lythore,
do t’i lëmë netët ballkanike pas shpine
vallet, këngët, baladat, përrallat,
vetëm fyellin do ta marrim
t’i biem kur të na rrokë malli,
kur humbim në grumbullin e klosharëve,
të hijeve,
të minjve,
deri vonë rrugëve të Parisit në metro marramenthi:
do t’i marrim erë ftoit të vendlindjes
për kohët pis do të flasim me gishta,
nuk do të shkelim asnjë mizë,
nuk do të trembim asnjë zog,
nuk do të derdhim zjarr, vrer,
mbi kokë të njeriut,
Evropës së përgjumur s’do t’i përulemi
as perëndive të krisura.
Ma jep besën, Lum Lumi,
se nuk do të harrojmë vendlindjen.

Poeti Ali Podrimja sipas mediave kishte ndërprerë kontaktet me kolegët, miqtë dhe familjarët e tij që nga data 18 korrik, derisa po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée”, në qytetin e Lodèvei, ku do të gjendej i vdekur më 21 korrik 2012, për të mos u kthyer më kurrë i gjallë në atdhe.

Biografia e Ali Podrimjes

Ali Podrimja u lind në vitin 1942 në Gjakovë, i cili shkollimin fillor dhe atë të mesëm i mbaroi në vendlindje kurse studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës.
Ka punuar në gazetën "Rilindja" si dhe bashkëpunuar me të gjitha revistat dhe gazetat tjera.
Ai si poet dhe shkrimtar i mirënjohur, ishte edhe anëtar i nderuar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Kohët më të vështira për te dhe popullin shqiptar ishin i përjetoi nën terrorin e Aleksandër Rankovicit gjatë viteve të pesëdhjeta të shekullit të kaluar, kur shqiptarët në trojet e tyre vuanin shtypjen dhe terrorin më të egër që njihte historia e kohës së sllavo-komunizmit nën ish sundimin serbo-sllav.

Shtypja dhe represioni i asaj kohe është shfrytëzuar, për dëbimin në masë me forcë të shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone, për mes aksionit të shpikur të mbledhjes së armëve, kur shumë shqiptar të pafajshëm do të vdisnin nën torturat dhe keqtrajtimet e sigurimit famëkeq serb të UDB-s, ndërsa dhjetëra mijëra tjerë, do të shpërnguleshin me dhunë për në Turqi.

Krijimtaria letrare e Ali Podrimjes

Ali Podrimja është marrë kryesisht me poezi vargjet e së cilës ishin kryesisht lirike , të cilat çdo herë ishin të frymëzuar a dhe lidhur ngushtë me fatin historik e politik të popullit shqiptar. Ndaj, Poeti Ali Podrimja në qendër të shkrimeve të tij, gjithmonë kishte qëndresën heroike kombëtare.
Ndër veprat më kryesore dhe më të realizuara të tij konsiderohet, vepra Lum Lumi e botuar në vitin 1982, e cila njihet si vepra më e mirë që shënoi risi edhe në mënyrën e shkrimit të poezisë bashkëkohore shqiptare në Kosovë.
Përjetimet e vështira nga shtypja e rëndë politike gjatë viteve të 50-60, dhe tragjedia e përjetuar me rastin e vdekjes së të birit Lumit, ndikuan jo vetëm në jetën , por edhe në krijimet e tij letrare deri në ditët e fundit, kur do ti kërkonte besën Lumit për të mos ia kthyer shpinën-vendlindjes.

Nën këtë atmosferë kishte filluar shkrimet edhe Poeti, duke bërë thirrje për qëndresë kombëtare i cili poezinë e parë do ta botonte më 1957, në revistën "Jeta e Re".

Ali Podrimja është autor i rreth njëzet vëllimeve me poezi i cili nga kritika vlerësohet si njëri ndër përfaqësuesit më të vlerësuar të poezisë së sotme shqiptare dhe poet me emër të njohur edhe në shkallë ndërkombëtare.

Veprat kryesore të tij janë:

Poezi:

1.“Thirrje” 1961
2.“Shamijat e përshëndetjeve”1963
3.“Dhimbë e bukur” 1967
4.“Sampo” 1969
5.“Torzo” / “Hija e tokës” 1971
6.“Foleja”1973
7.“Credo” 1976
8.“Poema” 1978
9.“Sampo 2” 1980
10.“Drejtpeshimi” 1981
11.“Lum Lumi” 1982
12.“Fund i gëzuar” 1988
13.“Zari” 1990
14.“Në bisht të sorrës” 1994
15. “Buzëqeshje në kafaz” 1994
15.“Burgu i hapur”1998
17.“Hrakiri” /
18.“Ishulli Albani” 1999
19.“Dielli i zi” 2000
20.“Libri që nuk mbyllet” 2001

Dy libra në prozë:

1.Burgu i hapur 1998, dhe
2.Harakiri 1999.

Poezia e Ali Podrimjes është vlerësuar lartë dhe përkthyer edhe në shumë gjuhë të huaja, vargu i të cilit gjithmonë shprehu dhembjen ndaj Kosovës dhe shpresat e shqiptarëve për liri.

I përjetshëm qoftë kujtimi për poetin Ali Podrimja! /Telegrafi/