LAJMI I FUNDIT:

Ndryshimi varet nga Ne!

Çdo ditë është e njëjtë për ne. E njëjtë sepse çdo ditë në jetët tona nuk po ndryshon pothuajse asgjë. Situata e tensionuar në veri, papunësia e lartë, varfëria ekstreme, ambient të ndotur, institucione të korruptuara dhe krimi i organizuar na u janë bërë pjesë e jetës tonë. Ne po pimë kafe e po rrimë, dhe në bisedat tona të përditshme pothuajse çdoherë zënë vend gjendja e rende në të cilën po jetojmë. Në sytë e tonë po shihet pasiguri, frikë dhe mllef. Ditët po kalojnë, ne po vazhdojmë të sillemi rrugëve, problemet tona po mbesin, premtimet e liderëve po zbehen ndërsa mllefi jonë po rritet.

Çfarë të bëjmë? Të presim për ndonjë mrekulli për të na i zgjedhur problemet tona? Apo të presim për zgjedhje të reja dhe të dëgjojmë përsëri premtime të kota?


Ne si qytetarë kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi dëshmitarë të politikës në Kosovë. Ne kemi parë se problemet tona qofshin ato probleme sociale apo ekonomike kanë hasur në vesh të shurdhur. Liderët tanë nuk po ngrehin zëri për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve te saj. Ligji për mbrojtjen historike të Prizrenit e tregon këtë gjë më së miri. Presioni i ndërkombëtarëve mbi deputetët e Kosovës që të miratojnë këtë ligj i cili konsiderohet i dëmshëm për të ardhmen dhe funksionimin e qytetit të Prizrenit e tregon shumë qartë se janë të tjerët e jo ne që po vendosin për të ardhmen tonë.

Prandaj unë mendoj se neve na ka mbetur vetëm një alternativë – t’’i marrim çështjet në duart tona. Qytetarët në Kosovë duhet të organizohen në një shoqëri aktive në mënyrë që të marrin pjesë direkte në zhvillimin dhe implementimin e politikave që prekin interesat e qytetarëve. Edhe ne si të gjitha shoqëritë moderne duhet patjetër të kemi një qytetari aktive në mënyrë që ti luftojmë politikat e dëmshme me te cilat po ballafaqohet shoqëria jonë.

Çështjet si ligji për Prizrenit, ndotja e ajrit dhe rreziku i jetës së qytetarëve të Drenasit, mungesa e energjisë elektrike, gjendja e rëndë në spitale, sistemi i dobët arsimor, ambient të ndotur e shumë problem tjera duhet të adresohen nga vetë qytetarët. Sepse jemi ne qytetarët që po i bartim pasojat.

Për shembull çfarë kishin mundur qytetarët e Prizrenit të bëjnë për të ndaluar implentimin e një ligji që në mënyrë direkte i dëmton ata. Së pari qytetarët duhet ta marrin këtë çështje në duart e tyre. Nuk mjafton vetëm të kundërshtohen vendimet e qeverisë apo të formohen iniciativa përmes faqeve elektronike në internet, por duhet të veprojnë së bashku në mënyrë aktive. Ti identifikojnë, së bashku me organizatat jo qeveritare, problemet dhe dëmet që ky ligj sjell dhe të japin sugjerimet dhe mendimet e tyre për një ligj më të zbatueshëm dhe më të mirë për Prizrenin. Në këtë mënyrë qytetarët duhet t’iu drejtohen organeve kompetente për këtë ligj dhe të bëjnë presion të vazhdueshëm në to derisa ti arrijnë qëllimet e veta.

Po e njëjta gjë mund të përdoret nga qytetarët e Drenasit. Fabrika e Ferronikelit e cila ne vend se të sjell zhvillim ekonomik sot ajo po paraqet rrezik serioz për qytetarët. Prandaj kjo çështje duhet të adresohet në mënyrë urgjente. Duke parë se qytetaret janë lënë të vetëm në këtë betejë kundër Ferronikelit dhe peticionet të cilat janë bërë nga vet qytetarët nuk kanë pasur sukses. Atëherë është e domosdoshme që qytetarët e Drenasit të fillojnë një fushatë aktive kundër Ferronikelit.

Qytetarëve nuk ju duhet lider për të kërkuar të drejtat e tyre legjitime. Krejt çka qytetarëve të Drenasit ju duhet është të bashkohen në mënyrë aktive rreth një qëllimi të përbashkët për ajër dhe ujë të pastër për të bërë presion tek organet përgjegjëse siç janë udhëheqësit e Ferronikelit, komuna e Drenasit, ministria e ambientit e deri tek organet më të larta të shtetit. Dhe pa dyshim se një iniciative të tillë do t’iu bashkohen qytetarët e qyteteve tjera të Kosovës dhe si rezultat presioni mbi organet kompetente do të rritet dhe në këtë mënyrë mund të çoj deri tek ndryshimi i gjendjes në Drenas.

Një shembull tjetër ku qytetarët mund të organizohen dhe të bëjnë presion për ndryshim është gjendja e rëndë në spitale e sidomos në spitalet e lindjes. Sipas raporteve të shumta për shkak të mungesës së barnave thelbësore dhe pajisjeve të posaçme në spitalet e lindjes shënohen vdekje të nënave dhe të foshnjave. Në këtë kohë kur shkenca dhe teknologjia kanë bërë që vdekjet e nënave dhe foshnjave gjatë lindjes në vendet evropiane pothuajse të eliminohet tek ne ky është një problem që kërkon qasje urgjente. Për këtë arsye është më se i nevojshëm vetëdijesimi i femrave në Kosovë për këtë çështje sepse janë femrat ato te cilat sot apo nesër do të përjetojnë të njëjtën gjë. Pra janë femrat të cilat duhet ta ngritin zërin dhe te veprojnë në mënyrë aktive kundër këtij problemi që çdo ditë po rrezikon jetën e nënave dhe foshnjave në spitalet tona.

Se sa e rëndësishme dhe e suksesshme një qytetari aktive mund te jetë e ka paraqitur Carne Ross në librin e tij të titulluar “Leaderless Revolution”. Carne Ross një ish diplomat Britanik ka ardhur në përfundim se është vetëm veprimi i qytetareve qe sjell ndryshim. Ne librin e tij Ross thërret për një revolucion jo kundër qeverisë apo për rrëzimin e qeverisë por për një ‘revolucion’ i cili do të na shpie drejt ndryshimit të politikë-bërjes. Autori i këtij libri nuk propozon fundin e shtetit ose utopi por disa metoda me të cilat çdo qytetarë mund te ngreh zërin për çështje të cilat e preokupojnë atë. Ai flet për një revolucion ku Ti dhe Unë në mënyrë paqësore mund t’i ndryshojmë gjërat rreth neve.

Ai e përmend si shembull qytetin Porto Alegre në Brazil me anë të cilit dëshmon se përfshirja direkte e qytetarit në vendimmarrje ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e qytetit. Ky qytet ishte i ndarë në dy grupe në shumë të pasur dhe shumë të varfër. Të pasurit ishin ata të cilët e kontrollonin qeverisjen e qytetit dhe buxhetin e tij ndërsa të varfrit jetonin në periferi të qyteti në kushte ekstreme. Për ta ndryshuar këtë gjendje në vitin 1898 kishte filluar zbatimi i një eksperimenti cili kishte si qëllim përfshirjen e të gjithë qytetareve në mënyrë direkte për të vendosur për të ardhmen e qytetit. Pra qytetarët ishin inkurajuar që të marrin pjesë në debatet që kishin të bëjnë me çështjet elementare si uji, shkollat, spitalet, vendbanimet, dhe rrugët dhe të vendosin se ku të shpenzohet buxheti. Me kalimin e kohës ky qytet filloj të ndryshoj ku edhe sot të gjitha vendimet që merren duhet të jenë në pajtim të plotë me qytetarët dhe çdo qytetarë (1.5 milion) informohen rregullisht rreth buxhetit. Edhe pse problemet e këtij qyteti dallojnë nga problemet tona, ne mund të shohim se si inkuadrimi direkt i qytetarëve në zgjedhjen e problemeve të përbashkëta ka pasur sukses.

Ky lloj aktivizimi i shoqërisë tonë nuk do të çonte vetëm tek qasja dhe zgjedhja e këtyre problemeve, por në të ardhmen mund të ndikoj në ndryshimin e politikë-bërjes në Kosovë duke iu u dhënë mundësi qytetarëve të jenë pjesëmarrës direkt në rregullimin e shoqërisë ku ata vetë jetojnë. Pra ne duhet të punojmë në atë drejtim që ne të bëhemi aktor aktiv e jo spektatorë të politikës në Kosovë.

(Autorja është studente në London School of Economics – MSc Politika dhe qeveria e Unionit Evropian)