LAJMI I FUNDIT:

Ndihma urgjente te mbytja në ujë

Ndihma urgjente te mbytja në ujë
Prof.ass.dr. Isuf Bajrami, Specialist i mjekësisë urgjente

Mbytja është zhytja (submerzioni) në një medium të lëngshëm që rezulton me vështirësi në frymëmarrje ose arrest

Prof.ass.dr.Isuf Bajrami
Specialist i mjekësisë urgjente
Qendra e Mjekësisë Urgjente-Prishtinë


Ashtu sikur vdekjet aksidentale nga shkaqet tjera, mbytja zakonisht përfshin individë të rinj të shëndetshëm, por mund të përfshijnë individë të çdo moshe ose kualifikimi.

Në mbarë botën, mbytja shkakton >370,000 vdekje në vit dhe është shkaku kryesor i vdekjes nga lëndimi tek fëmijët nën moshën 15 vjeç. Në Shtetet e Bashkuara, ka > 500,000 ngjarje mbytjeje çdo vit dhe 1100 vdekje, gjë që bën mbytjen shkakun e dytë kryesor të vdekjes së paqëllimtë të personave nga lindja deri në moshën 19 vjeçe.

Edhe pse shkalla e vdekjeve nga mbytja ka rënë gjatë 40 viteve të fundit, ajo mbetet e lartë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të cilat përbëjnë 91% të vdekjeve të paqëllimta nga mbytja në mbarë botën në vit.

Pjesa dërrmuese e viktimave mbijetojnë në ngjarjet e mbytjes, me efekte që variojnë nga dëmtimi minimal ose i përkohshëm deri në inzulte të thella neurologjike.

Incidenca e mbytjes ka ngritje kulmore në tri grupmosha: Më e larta është tek fëmijët mbytja është gjithashtu më e mundshme nëse përfshihen alkooli ose drogat. Të moshuarit gjithashtu kanë një rrezik të rritur të mbytjes në vaskë, shpesh e lidhur me gjendjet mjekësore shoqëruese ose medikamentet.

Edhe në zonat bregdetare, shumica e mbytjeve bëhen në ujëra të ngrohta, ose të freskëta të ëmbla, veçanërisht në pishina.

Vërejtje: Është i mundur reanimacioni edhe pas shumë kohe nga fundosja, në veçanti në ujin e ftohtë, reanimimin kardiopulmonar dhe transportin deri në spital duhet ndërmarr çdoherë.

Faktet e vdekjes duhet t’i supozojmë vetëm nëqoftëse viktima është gjetur në arrest kardiak 1,5 orë ose më tepër prej kur ka hy në ujë.

Çrregullimet që shoqërohen me mbytjen

• Alkooli ose intoksikantët tjerë
• Sinkopa (p.sh., për shkak të hiperventilimit para zhytjes nënujore)
• Konvulzionet
• Gjendjet kardiake (p.sh., aritmitë përfshirë sindromat QT të zgjatura, Sy.Brugada, sëmundja iskemike kardiake)
• Demenca
• Qëllimi (vetëvrasje, vrasje, abuzim i fëmijëve ose neglizhenca tek fëmijët e vegjël)

Lëndimet që shoqërohen me mbytjen

• Lëndimet e palcës kurrizore për shkak të zhytjes në ujë të cekët, rënie të konsiderueshme nga lartësitë, ose garat me varka/pajisje personale ujore
• Hipotermia
• Aspirimi
• Insuficienca respiratore, ose distress

Lëndim i dyshuar i boshtit kurrizore nëse mbytja ka rezultuar nga incidenti i zhytjes ose rënies nga lartësia

Anamneza

Anamneza shpesh është jo e plotë në vendin e ngjarjes si lidhur me fatkeqësinë ashtu edhe lidhur me viktimën.
Të evidentohet se mbytja ose fundosja a ka ndodhur në pishinë, vaskë, në ujë të nxehtë, lum, liqen ose det. Gjithnjë e më shpesh ndodhin raste në të cilat flokët e gjata lidhen në gyp ose filter, shembuj në basene.
Duhet përpjekur të dini kohen kur ka ndodhur fatkeqësia, kohen e shpëtimit dhe kohen e reanimimit kardiopulmonar efikas.
Duhet evidentuar kohen e fundosjes, temperaturën dhe llojin e ujit (deti, lumi, të pa pastruar ose të ndotur)

Masat e shpëtimit

Asnjëherë mos e sillni vetën në rrezik – kujdesuni për sigurinë personale, ndaj sigurisë së anëtarëve tjerë dhe ndihmësve.

Për shkak të ndryshimeve në hemodinamikë pas përmbytjes në ujë (‘veprimi hidrostatik i shtërngimit’) me siguri do të paraqitet hipotensioni pozicional, ndërsa shtypja e gjakut do të rritet vertikalisht nga uji.
Çdo herë duhet përpiqemi viktimën ta mbajmë në rrafsh dhe të anashkalojmë evakuimin vertikal nga uji.
Nëqoftëse anamneza dëfton për lëndim të qafës, atëherë duhet kujdesur në imobilizimin e unazave të qafës gjatë kohës së shpëtimit dhe ringjalljes.
Aspirimi nga ujë është i shpeshtë te përmbytja (rreth 80%).
Me përkuljen ose lakimin (tilting) e pacientit uji i aspiruar thjesht zbrazet nga lukthi dhe faringu, që mund të shpie deri te aspirimi i mëtejshëm në rrugët e frymëmarrjes.
Nuk guxon të zbatohet evakuimi mekanik nga mushkëritë.
Mushkëritë mund të ventilohen madje edhe kur kemi koncentrim me volumen të madh të ujit.

Vlerësimi dhe veprimet

• siguroni vendin e ngjarjes dhe zbatoni masat e sigurisë personale

Ngritja e dorës para fundosjes shenjë universale për kërkimin e ndihmës, ndërsa mjetet si druri, dysheku, litari, topi, goma. Etj., mund të ndihmojnë në shpëtimin e viktimës dhe sigurinë e shpëtimtarit

Ekzaminimi primar dhe reanimacioni kardiopulmonar

• Vlerësoni dhe filloni tretmanin ABCD
Prioritet është pastrimi i rrugëve respiratore dhe ventilimeve.
Ventilimi i mjaftueshëm dhe oksigjenimi mund të rikthejn aktivitetin kardiak te mbytja, prandaj ja vlen çdo përpjekje.
Kur pacienti këndellet, ekziston rreziku i madh nga vjellja. Vjellje do të shkaktojë posaçërisht alkooli ose drogat.
Nevojitet paisja për sukcion ose drenazh.
• administro oksigjen (shih udhërrëfyesin për oksigjen)
• me puls oksimetër përcakto dhe monitoro saturimin e gjakut me oksigjen
• kapnometria/kapnografi të përcaktojë dhe observojë presionin parcial të CO2 të ajrit të eksipiriumit në fund të ekspiriumit
• të zbatohet ventilimi mekanik joinvaziv sipas nevojës
• të zbatohet frymëmarrja artificiale e asistuar nëse:
– shpejtësia e frymëmarrjes <10 ose >30 frymëmarrje në min
– zgjerimi i pamjaftueshëm i kafazit të kraharorit

Në rast përmbytje frymëmarrja artificiale mund të jetë e vështirësuar, pasi që kompliansa e mushkërive zvogëlohet nëqoftëse është thithur uji.
Veprimet bazike të ringjalljes të fillohen me 5 frymëmarrje.
Intubimi i hershëm endotracheal është i dëshirueshëm me qëllim të sigurimit të rrugës së frymëmarrjes dhe ventilimi i mjaftueshëm.
Pulsi me vështirësi mund të palpohet në prani të hipotermisë.
Nëqoftëse nuk ka puls të fillohet me masazh kardiake të jashtme.
Bradikardia shpesh reagon në përmirësimin e ventilimit dhe oksigjenimit.
Barnat siç janë adrenalina dhe atropine janë pak efikase në hipotermi.
Këto barna mund të grumbullohen në cirkulacionin statik të viktimës së përmbytur dhe pas fundosjes dhe kthimit të cirkulacionit mund të veprojnë si bonus me rrezik kur fillon cirkulacioni.
Barnat nuk duhet dhënë gjatë RKP nëse temperatura e brendshme është më e ulët se 30°C e pas kësaj në intervale derisa arrihet temperatura prej 35 °C.
Te arresti kardiak hipotermikë defibrilimi shpesh do të jetë jo i suksesshëm nëse temperature e brendshme është e ulët.
Nëse temperatura e brendshme është më e ulët prej 30 °C zbato vetëm 3 defibrilacione, ndërsa tjerat kur temperature rritet mbi 30 °C.
Në 28 °C ventrikuli mundet spontanisht të fibriloj për këtë arsye veprimet me këtë pacient duhet të jenë të kujdesshme, pa lëvizje të pakordinuara ose të ngutshme.
Sepse
• te fibrilimi ventricular zbato 3 defibrilime sipas udhërrefyesëve në fuqi për reanimimin kardiopulmonar
• nëqoftëse kjo tregohet e pasuksesshme, duhet konstatuar temperatura e brendshme.

Duhet termometri i cili mund të lexoj temperaturat e ulëta.
Nëse ajo është nën 30 °C, të fillohet me ngrohje aktive dhe urgjentisht të transportohet pacienti në institucionin ku mund t’i ofrohet ngrohje aktive e brendshme (më i miri cirkulacioni ekstrakorporal).
Në ndërkohë duhet vazhduar me reanimim kardiopulmonar por defibrilimet e mëtejshme duhet shtyrë derisa temperatura trupore e brendshme nuk rritet mbi 30°C.

Administrimi i barnave gjithashtu varet nga temperatura e brendshme:

• pacientit i hiqen rrobat e lagëta dhe ngrohet
• të hapet rruga iv.dhe jepen kristaloide të ngrohta deri 42 °C, duke administruar edhe oksigjen të ngrohtë dhe të lagësht
• të vendosen elektrodat e EKG për monitorim të ritmit kardiak
• gjithçka që vërehet, matet dhe dokumentohet.

Ekzaminimi sekondar

Kur kemi prezencën e gjendjes për të cilat koha është vendimtare, psh. vështirësitë me sigurimin dhe mbajtjen e rrugëve të frymëmarrjes dhe ventilimit/ose trauma e rëndë e rrezikshme për jetë, atëherë nuk guxon të humbet koha në vendndodhje, por pacientin duhet menjëherë të transportohet në spital.
Nëqoftëse kemi prezent veçoritë ose parametrat kur koha nuk është vendimtare, atëherë duhet bërë vlerësim të hollësishëm të pacientit dhe ekzaminim të shkurtë dytësor.
Kur nuk bëhet fjalë për lëndim të unazave cervikale, atëherë viktimën duhet transportuar në pozicion anësor ose krahu dhe me sukcion në dorë.
Nëse lëndimi i unazave cervikale nuk mund të eliminohet, atëherë pacienti duhet të imobilizohet në dërrasë të gjatë ose barrel dhe të përgatitet për kthim të herëpashershëm anash por edhe aspirim sipas nevojës (shih udhërrëfyesin për trauma të qafës dhe shpinës).
Pacientin duhet mbuluar me qëllim të humbjes së mëtejme të nxehtësisë.
Vendosni vijën iv.gjatë rrugës për spital nëse kjo nuk ka qen e mundur të bëhet.
Spitalin duhet informuar për arritjen ose transferimin e pacientit.

Përmbytja sekondare

Përmbytja sekondare rëndom paraqitet brenda 4 orëve prej incidentit të përmbytjes dhe mundet gjithashtu të jetë vdekjeprurëse.
Megjithatë, këto raste mund të lajmërohen deri 24 orë pas përmbytjes. Prandaj çdo pacient ndaj të cilit ekziston dyshimi më i vogël për përmbytje duhet transferuar në spital, pa marr parasysh që jepet përshtypja se pacienti duket mirë.

Problem më i shpeshtë te përmbytja sekondare janë me sa vijon:

• sindromi akut i distresit respirator
• edema cerebrale
• insuficienca renale
• infeksioni
• përveç hipotermisë, problem kryesor janë çrregullimi i elektroliteve, balanca acidobazike dhe funksioni i mushkërive.

Dallimi mes përmbytjes në ujin e ëmbël ose të kriposur nuk është i rëndësishëm.
Qëllimi i mjekimit është parandalimi i arrestit kardiak.
Nëse vjen deri të arresti, stopa e ringjalljes bie nga 70%-90% afërsisht 15%.

Ndihma urgjente te mbytja në ujë dhe këshilla për mbrojtje
Lexo po ashtu Ndihma urgjente te mbytja në ujë dhe këshilla për mbrojtje

Prognoza, sistemimi dhe përcjellja

Anëtarët e familjes duhet të këshillohen për pasojat e mundshme.
Bazuar në prezantimin fillestar, reanimimin, të dhënat laboratorike dhe ekzaminimet serike, praktikuesit me përvojë duhet të jenë në gjendje të japin parashikime të sakta të rezultateve në shumicën e rasteve. Nuk ka terma të standardizuar për përshkrimin e incidenteve të mbytjes.

Përmbledhje

• kujdes ndaj sigurisë personale
• ringjallja e suksesshme është arritur edhe pas përmbytjes në kohë të gjatë
• kujdes të veçantë kërkon trajtimi i arrestit kardiak dhe prania e hipotermisë
• komplikimet mund të manifestohen disa orë pas përmbytjes

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Uthulla e mollës për shëndet të mirë

Uthulla e mollës për shëndet të mirë

Kalo në kategori