LAJMI I FUNDIT:

Ndërmarrjet publike vazhdojnë me “borde politike”

Ndërmarrjet publike vazhdojnë me “borde politike”

Qeveria e Kosovës është zotuar se do të bëjë përpjekje për depolitizimin e bordeve të ndërmarrjeve publike, duke dhënë mundësinë që në këto pozita të emërohen njerëz profesionalë dhe jo politikë.

Shoqëria civile konsideron se gjatë kësaj qeverisjeje, bordet publike vetëm sa janë politizuar edhe më shumë.


Përfaqësues të organizatave joqeveritare vazhdimisht kanë gjetur shkelje serioze në Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe kanë kërkuar nga Zyra e Kryeministrit ndalimin e praktikës së shkeljes së ligjit dhe anulimin e vendimeve të paligjshme.

Ata, madje, kanë kërkuar që të shkarkohen të gjithë anëtarët partiakë, të zgjedhur në mënyrë të paligjshme në bordet e ndërmarrjeve publike.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi, thotë se autoritetet përgjegjëse nuk kanë marrë asnjëherë parasysh kërkesat e shoqërisë civile.

“Edhe Zyra e Komisionarit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ika kërkuar qeverisë të ndryshojë vendimet për politizim të bordeve të ndërmarrjeve publike. Por, asnjë nga këto nuk është marrë parasysh prej Zyrës së Kryeministrit, çka lë të kuptohet se kur është puna për interesa personalë, integrimet evropiane dhe efikasiteti i ndërmarrjeve publike nuk janë shumë me rëndësi”, thotë Demi, duke shprehur shqetësimin se politizimi i bordeve të ndërmarrjeve publike dëmton performancën e këtyre ndërmarrjeve dhe procesin e integrimit evropian.

Arton Demëhasaj, ushtrues i detyrës se drejtorit në organizatën “Çohu”, thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht faktit se vazhdimisht është kritikuar emërimi politik i anëtarëve të bordeve, qeveria ka vazhduar me avazin e vjetër.

Sipas tij, kjo është dëshmuar edhe në njërën nga seancat e Kuvendit Kosovës, ku nuk është arritur të miratohen anëtarët e rinj të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, gjë që është kusht për liberalizimin e vizave për Kosovën me vendet e Bashkimit Evropian.

“Gjithmonë, partitë politike që po vijnë në pushtet, qëllim kryesor e kanë punësimin e njerëzve partiakë në agjencitë e pavarura, në mënyrë që t’i shtrojnë kontrollet në ato agjenci. Njëkohësisht, i punësojnë edhe militantët e tyre partiakë. Kjo është arsyeja përse partitë politike nuk po arrijnë ta tejkalojnë këtë dhe të propozojnë dhe emërojnë njerëz profesionalë nëpër bordet e ndërmarrjeve publike”, thotë Demëhasaj.

Me emërimet politike dhe joprofesionale në këto pozita, Agron Demi thotë se kandidatët profesionalë diskriminohen gjatë konkurseve.

“Ka me dhjetëra zyrtarë publikë, të cilët janë diskriminuar, edhe pse kanë pasur pikë më shumë nga komisioni profesional vlerësues. Do të thotë, nuk merret parasysh profesionalizimi”, thotë Demi.

Vendosja e personave partiakë dhe joprofesionalë në krye të bordeve të ndërmarrjeve publike, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, shërben si joshje apo shpërblim nga partia për anëtarët apo votuesit e saj.