LAJMI I FUNDIT:

Ndarja e Kosovës është utopi!

– Para së gjithash, në politikë dhe në diplomaci, duhet të merret parasysh maksima realiste se, “the afterthought is good for nought” –
“Formula” e Montogomerit për ndarjen e Kosovës, është e gabuar dhe e papranueshme për shqiptarët, për Amerikën, për BE-në dhe për NATO-n, sepse është e njëanshme dhe shumë e vonuar, të paktën 15 vjet.

Na habit fakti se si ish-ambasadori amerikan me njohje brilante të rrethanave dhe të marrëdhënieve politike ballkanike dhe, me një stazh të gjatë të misionit të tij diplomatik në Ballkan (Bullgari, Kroaci, Serbi/Mal të Zi) dhe, ish-këshilltar special i kryetarit të Bosnjës, William Montgomery ka dalë me një propozim të ri për “zgjidhjen e çështjes” së Kosovës dhe të Bosnjës, për shkak se, sipas vlerësimit të tij politik dhe diplomatik, me gjithë përpjekjet e mëdha investuese, pothuajse njëzetvjeçare të Evropës dhe të Amerikës, në këto dy vende ballkanike, paskësha dështuar krijimi i shteteve multietnike”!?


Pikërisht ndarja e Kosovës, do të shkaktonte destabilizimin e Ballkanit dhe të Evropës! Kjo është arsyeja kryesore pse Amerika, as NATO-ja e as Bashkimi Evropian nuk e kanë pranuar dhe, nuk do të pranojnë ndarjen e Kosovës.

Prandaj, ndarja e Kosovës nuk mund të jetë kurrfarë zgjidhjeje racionale politike, por vetëm një bombë vetëvrasëse për mbarë Ballkanin, sepse shqiptarët nuk do të pranojnë që Kosovës, t’i hiqet asnjë pëllëmbë territor i saj ngase historikisht dhe ligjërisht i përket tërësisë territoriale të Shqipërisë Etnike, jo Serbisë, e cila me gjenocid dhe me agresin pushtues e ka kolonizuar në vitin 1912. Kosova mund të ndahet vetëm me luftë, mirëpo, këtë luftë nuk do të mund ta fitonte kurrë Serbia as Rusia, por shqiptarët, Amerika, NATO-ja dhe Evropa. Atëherë lind pyteja, kush është ai FAKTOR VENDIMTAR, që do të tentonte për ta copëtuar me luftë Kosovën, kur kjo është në mbrojtje të shumëfishtë nga faktorët e theksuar ndërkombëtarë?

(1) “Dështimi” i multietnikes në Bosnjë dhe në Kosovë!

Ja, se si William Montgomery i ka shtruar argumentet e tij për “investimin e dështuar evro-amerikan” në krijimin e shteteve multietnike në Bosnjë dhe në Kosovë gjatë 15 viteve të shkuara (1995-2009):

”1. In both those countries, we have become trapped in policy “boxes” that make it impossible to achieve stability or long-term solutions, despite enormous investments of personnel and resources for almost two decades.

This is because we continue to insist that it is possible, with enough pressure and encouragement, to establish fully functioning multiethnic societies in Bosnia and Kosovo with no change in borders. And we have consistently ignored all evidence to the contrary and branded as obstructionist anyone who speaks openly about alternative approaches.

The reality is that no amount of threats or inducements, including fast membership in the European Union or NATO, will persuade the Bosnian Serbs to cede a significant portion of the rights and privileges given them under the Dayton Agreement to the central government, as the Bosnian Muslims (Bosniaks) and the international community are determined to bring about. The Bosnian Serbs are determined to have full control over their own destiny, and fear that if they continue to transfer authority to a central government, the more numerous Bosniaks will end up in control. “(See: The New York Times, June 4, 2009).

“1. Në të dy vendet jemi bërë robër të ‘kutive politike’, të cilat po na pengojnë që të arrijmë qëndrueshmërinë ose zgjidhjet afatgjata, me gjithë investimet e mëdha në njerëz dhe në burime pothuajse gjatë dy dekadave të shkuara.

Kjo ndodhi, për shkak se ne kemi vazhduar me këmbëngulje, duke ushtruar trysni dhe kurajim të mjaftueshëm se është e mundur të krijohen plotësisht shoqëritë funksionale multietnike në Bosnjë dhe në Kosovë, pa ndryshimin e kufijve. Ndërkaq, në anën tjetër, ne i kemi injoruar të gjitha faktet që flasin ndryshe, duke i cilësuar ato si obstruksione, që haptazi flisnin në favor të qasjeve alternative.

E vërteta është se, asnjë dozë e kërcënimeve dhe e shtytjes, duke përfshirë edhe anëtarësimin e shpejtë në Bashkimin Evropian ose në NATO, nuk do t’i bindë serbët boshnjakë, që të cedojnë në qeverinë qendrore një pjesë të rëndësishme të drejtave dhe privilegjeve të tyre, të njohura sipas Marrëveshjes së Dejtonit, ashtu siç po përpiqen në mënyrë të vendosur, t’ua mohojnë myslimanët boshnjakë dhe bashkësia ndërkombëtare. Serbët boshnjakë janë të vendosur që fatin e vet, ta kenë nën kontrollin e plotë të tyre. Mirëpo, po frikësohen se, nëse vazhdojnë që kompetencat e veta t’i transferojnë në qeverinë qendrore, atëherë kontrollin do ta marrin boshnjakët që janë më shumë në numër.” (Shih: The New York Times, m. 4.06.2009).

Sipas këtij konkluzioni të ambasadorit amerikan William Montgomery as politika evropiane e as ajo amerikane nuk është dashur që të këmbëngulin në “imponimin” e zgjidhjes multietnike dhe multipluraliste në Bosnjë dhe në Kosovë, por është dashur të merren në konsideratë edhe opsione të tjera politike, të sugjeruara nga të tjerët, të cilat do të çonin në një zgjidhje më oportune për statusin përfundimtar të Bosnjës dhe të Kosovës.?!

Pavarësisht nga kjo bindje interpretuese e William Montgomeryt se, kanë ekzistuar edhe “opsione të tjera” politike për zgjidhjen e problemit të statusit politik të Bosnjës dhe Kosovës, shtrohet edhe kjo pyetje: -Pse derisa W. Montgomery gjatë kohës së ndërtimit dhe të vendosjes së shoqërive pluraliste funksionale në Bosnjë dhe në Kosovë(1995-1999), kur ishte ambasador në Beograd, në Zagreb, në Sofje dhe këshilltar special i kryetarit të qeverisë së Bosnjës, nuk doli me propozimin se serbët e Bosnjës, duhet të deklaroheshin me referendum për zgjidhjen e statusit të tyre politik (brenda, apo jashtë federatës multietnike të Bosnjës), dhe se duhej të ndahej në dy entitete të pavaruara shtetërore?!

Për shkak të dështimit të promovimit të shoqërive multietnike dhe multipluraliste në Bosnjë dhe në Kosovë, ish-diplomati William Montgomery ka ardhur në përfundim se Evropa është ajo, që duhet ta korrigjojë gabimin e vet, duke iniciuar “Referendumin e serbëve të Bosnjës dhe ndarjen e Kosovës si zgjidhje më të mira për këto dy vende. “Shqiptarët e Kosovës nuk e pranojnë idenë e ndarjes dhe është vetëm çështje kohe para se dhuna të shpërthejë në Kosovë në lidhje me këtë, ka thënë Montgomery për gazetën Blic të Serbisë. Gjithashtu, Njerëzit në administratën e SHBA-së që janë personalisht të përfshirë në rajon, sikur Richard Holbrooke, Zëvendëspresidenti Joseph Biden dhe Zëvendëssekretari i Shtetit James Steinberg, do të kundërshtojnë idenë”, ka thënë Montgomery për gazetën Blic të Beogradit. Mendoj se iniciativa për të konsideruar alternativat ndaj çështjes së Kosovës do të duhet të vijnë nga Bashkimi Europian. Montgomery ka shtuar se nga ndarja e Kosovës asnjë palë nuk duhet të fitojë ose humbas. Që të dyja duhet të marrin diçka konkrete nëpërmjet ndarjes”, ka thënë Montgomery.” (Shih: www.lajme.net, 14. 06. 2006).

Si është e mundur të bëhet ndarja e Kosovës, e në atë rast, të “dy palët-serbët dhe shqiptarët të jenë fitues”, sipas formulës së William Montgomeryt?!

Kjo “zgjidhje përfundimtare”, e sugjeruar nga W. Montgomery, është sa qesharake aq edhe absurde, sepse (as mbi bazën historike, etnike. Gjeopolitike, e as mbi atë të drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara) nuk është reale dhe e pranueshme për shqiptarët as për Shqipërinë Etnike, kur tërë bota e di se, Kosova që nga viti 1912 e deri më 12 qershor të vitit 1999 (Rezoluta 1244 për Kosovën e KS të Kombeve të Bashkuara) ka qenë vetëm një koloni klasike e Serbisë gjenocidale në zemër të Evropës.

Unë, do thoja se, edhe në Bosnjë, edhe në Kosovë ka dështuar vendosja e shoqërive multietnike dhe pluraliste, jo për shkak se Amerika dhe Evropa kanë qenë “robër” të strategjisë së gabuar të tyre politike dhe diplomatike, që të zgjidhin në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme probelmin e Bosnjës dhe të Kosovës, por për arsye të papajtueshmërisë dhe të kundërshtimit vehement 10-vjeçarë të politikës zyrtare të Republikës serbe dhe të politikës zyrtare të Beogradit, si dhe të Kishës Ordokse Serbe, të cilat nuk e kanë braktisur formulën strategjike të rikrijimit të Serbisë së Madhe të Slobodan Milosheviqit, që nënkupton ndarjen edhe të Republikës serbe nga shteti multietnik dhe pluralist i Bosnjës, si dhe ndarjen e Kosovës. Kjo është “alternativa” irracionale politike dhe diplomatike radikale serbomadhe, të cilën me plot të drejtë morale dhe ligjore e kanë hedhur poshtë politika dhe diplomacia e peshuar shtetërore e Amerikës, BE-ja, NATO-ja dhe OKB-ja.

Pra, si rrjedhim, me krijimin e këtyre dy shteteve multietnike dhe pluraliste (Bosnjës dhe Kosovës), qe 20 vjet rresht nuk po pajtohen bashkideatorët dhe bashkëpunëtorët nacionalshovinistë ekstremë të Ratko Mladiqit, të Radovan Karaxhiqit, të Slobodan Milosheviqit dhe të Kishës Ortodokse Serbe etj. Kjo është arsyeja dhe shkaku kryesor pse ka dështuar modeli multietnik dhe multipluralist i evro-amerikan në Bosnjë dhe në Kosovë, jo as Uashingtoni, as Brukseli e as Nju-Jorku.

Mirëpo, kjo “alergji” dhe kjo pakënaqësi politiko-propagandistike e tyre, me primesa serbomëdha, (ende,veç kërcënimit dhe obstruksioneve të ndryshme politiko-propagandistike dhe diplomatike në favor të synimeve dhe të pretendimeve territoriale të Serbisë së Madhe) nuk nënkupton definitivisht dështimin e modelit multietnik dhe multipluralist evropian as në Bosnjë, as në Kosovë, edhe pse këta eksponentë ekstremistë radikalë serbomëdhenj së bashku me politikën zyrtare të Beogardit, tanimë , haptazi dhe, pa asnjë të drejtë morale, as ligjore, i kundërshtojnë si shtetin e ri të Bosnjës, ashtu edhe shtetin e ri të pavarur të Kosovës, me të vetmin qëllim që ta copëtojnë edhe territorin e Bosnjës, edhe territorin e Kosovës në favor të krijimit të Serbisë së Madhe, sipas Projektit të vjetër shekullor “Naçertanija” të Ilija Garashaninit (1844) dhe, sipas Memorandumit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë (1986).

Pikërisht kjo strategji nacional-socialiste “Lebensraum” serbe e Slobodan Milosheviqit “Të gjithë serbët në një shtet-All Serbs in one state” ka qenë shkaktari kryesor që Serbia ka zhvilluar tre gjenocide dhe tre agresione kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës (1990-1999), jo, në asnjë mënyrë, “lufta civile”, siç e kanë cilësuar gabimisht dhe, pa të drejtë disa analistë, publicistë dhe shkencëtarë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Rasti i Kosovës nuk ka asnjë ngjashmëri (historike, gjeopolitike as etnike) me atë të “Republika Srpska” të Bosnjës! Ky është argumenti kryesor që e demanton “formulën e re” sugjeruese diplomatike” të William Montgomeryt për vënien e shenjës simetrike të Kosovës me Republikën e Bosnjës, të cilën në të gjitha format po e minojnë dhe, po e sabotojnë kryeliderët nacionalshovinistë serbomëdhenj , me qëllim që “Republika Srpska”, të shkëpusin nga federata e Bosnjës, dhe t’ia bashkëngjisin Serbisë së Madhe të Slobodan Millosheviqit.

Këto përpjekje dhe synime negative serbomëdha në funksion të shkatërrimit të shtetit multietnik të Bosnjës, me të drejtë i pat kritikuar edhe nënkryetari I SHBA-së, Joseph Biden me rastin e vizitës së tij, që i bëri Bosnjës më 19 maj 2009, duke ua tërhequr vërjtejen eksponentëve të nacionalizmit serb se “kanë zgjedhur rrugën e gabuar të drejtimit të shtetit multietnik”.

Gjithashtu, në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare, rasti i Kosovës nuk ka asnjë element të përbashkët me atë “Republika srpska”, sepse krijimi i shtetit të Kosovës është bërë në mënyrë të ligjshme, paqësore dhe demokratike.

Ndërkaq, “Republika Srpska” është krijuar me forcë, me terror dhe me gjenocid nga themeluesit e saj, tanimë të njohur për gjithë opinionin vendor dhe ndërkombëtar, siç janë serbomëdhenjtë: Gjeneral Ratko Mladiq, Dr. Radovan Karaxhiq, Dr. Momçillo Kraishnik, Dr.Bilana Plavshiq, Dr. Nikola Koleviq, si dhe kryeideatori dhe “kryearkitekti” nacionalshovinist, akademiku Milorad Ekmeçiq etj.Kjo rrugë dhe kjo procedurë e formimit të shtetit “Republika srpska”, është plotësisht në kundërshtim me të gjitha rregullat dhe me normat e së drejtës ndërkombëtare dhe me dispoitat e Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Me gjithë zgjidhjen e statusit politik të Kosovës dhe të Bosnjës nga ana e Amerikës dhe e Bashkimit Evropian, ish-ambasadori William Montgomery postfestum kërkon “zgjidhje të re” politike për Kosovën dhe për Bosnjën. Këtë “strategji të re” të tij, Wiliam Montgomery, së pari e bëri të ditur përmes artikullit të tij me titull “The Balkan Mess Redux-Rirregullimi i kaosit ballkanik”, të botuar në rubrikën opinione të gazetës më prestigjioze dhe më të lexuar në Amerikë “The New York Times” të datës 4 qershor të vitit 2009.

Nëse agjenda strategjike e ideve dhe e koncepteve të Evropës ka dështuar në krijimin e shoqërisë multietnike në Bosnjë dhe në Kosovë, atëherë nuk është kurrfarë zgjidhjeje politike e qëndrueshme as racionale ndarja e Kosovës, as e Bosnjës, sepse kjo do të sillte në pikëpyetje kredibilitetin dhe sinqeritetin e politikës së BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan. Si rrjedhim i një gabimi të tillë eventual, Ballkani sërësh do të kthehej në një vatër krize dhe konfliktesh të armatosura si pasojë e nacionalizmit ekstremist dhe e politikës “lebensraum” serbe në llogari të ripërtëritjes dhe të rizgjerimit të Serbisë së madhe të Slobodan Millosheviqit në kurriz të territoreve të Kroacisë, të Bosnjës dhe të Kosovës.

Me gjithë këtë angazhim post festum të William Montgomeryt (që bëhet ndarja e Kosovës, si të bëhet ndonjë referendum për “zgjidhjen” e statusit politik të “Republika srpska” në Bosnjë), kjo “formulë alternative”, është e dëmshme edhe për federatën shtetërore të Bosnjës, edhe për Kosovën e pavarur shqiptare, sepse shpie në një luftë të përgjithshme, që do të përfshinte jo vetëm Ballkanin, por edhe Evropën.

Fundja, edhe sikur kjo “zgjidhje e re” e William Montogomerit për Bosnjën dhe për Kosovën, të kishte qenë e pranueshme për të gjitha palët në konflikt, si dhe për të gjithë faktorët e involvuar euro-ndërkombëtarë në të, është e vonuar për të paktën 15 vjet.