LAJMI I FUNDIT:

“Muzeu i memories”, kur shqiptarët gatuanin në banjë

“Muzeu i memories”, kur shqiptarët gatuanin në banjë

Diktatura vjen në shifra, imazhe e detaje. Për të gjithë ata që nuk e njohën, e për të gjithë ata që e harruan. Një muze online, i quajtur i memories, a i kujtesës, rifreskon të dhënat mbi atë se çfarë ndodhi në Shqipërinë komuniste.

Imazhet e shqiptarëve në radhë, autorizimet për të blerë televizor a lavatriçe, tollonat e famshëm për sasinë e mishit që lejohej të blihej. Mandej, disa të dhëna pothuajse të paimagjinueshme, për shqiptarët e sotëm metropolitan, e sidomos për shtresën që i ka harruar hapat para pasurimit. Sipas muzeut online "muzeuimemories.com" financuar si projekt nga Ministria e Kulturës, 600 mijë familje shqiptare kanë gatuar në banjë në vitet 1980-1990 (Shumëkush do habitej se sa familje e bëjnë të njëjtën gjë edhe sot, në rrethinat e afërme të metropolit me drita llamburitëse). Në kuadër të këtyre të dhënave, në sajtin online thuhet se 300 mijë familje shqiptare konsumonin gjysmë kilogrami mish në javë dhe 500 mijë të tilla 1 kg gjalpë në muaj.

Për të blerë, sallam ose mish të grirë, në komunizëm merrje një "leje", që quhej tollon. Në një fletë e zverdhur, shënohej se filan fisteku, i lagjes x, për 1 javë mund të merrte djathë, sallam apo mish të grirë përmes kësaj letre. E sikundër kishte radhë për qumështin, radhë kishte edhe për vajgurin.


Muzeu
‘Muzeu i Memories’ është një projekt i ideuar dhe realizuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Politike dhe i mbështetur nga Ministria e Kulturës për ndërtimin e një muzeu virtual në kujtim të krimeve dhe viktimave të komunizmit. Qëllimi i këtij projekti "është ti përgjigjet nevojës për të nderuar dhe memorializuar viktimat e krimeve të komunizmit dhe nevojës për të informuar brezin e ri dhe shqiptarët që jetojnë në emigracion me krimet, dënimet, apo burgjet e diktaturës komunistë në Shqipëri", thuhet në sajt. Ndërsa për realizimin e tij kanë kontribuar Ministria e Kulturës, Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Muzeu i Kujtesës Shkodër ndërsa referencat dhe burimet e informacionit janë Arkivi i Ministrisë së Brendshme, Arkivi i ISSK, Arkivi, Muzeu i Kujtesës Shkodër si edhe librat e Tomor Alikos, Femi Isufajt, Agim Mustës, Uran Butkës, etj, drejtuesi i projektit është Prof.As. Afrim Krasniqi dhe në realizimin e tij kanë ndihmuar Ark. Migen Qiraxhi, Lazer Stani, Rigels Xhemollari dhe Borana Elezi. Sajti ofron të dhëna të ndryshme, sipas nënndarjeve të ndryshme si: "Shqipëria në burg", "Një ditë në komunizëm", "Qëndresa antikomuniste", "Gjyqet speciale dhe ushtarake", "Stalinizmi në Shqipëri", "Torturat", "Gra, të dënuara e internuara", "Artistë, të dënuar e të internuar", "Religjioni", "Vetizolimi", "Punë të detyruara dhe veprat", "Diktatori dhe bijtë e tij", "Revoltat" dhe mbyllet me "20 shkurtin e vitit 1991", kohë kur diktatura filloi të shkërmoqej. Secila kategori, ilustrohet me foto, të dhëna në shifra, që përmes statistikave janë informacionet bazë mbi ngjarjet kryesore të asaj periudhe, duke mos lënë jashtë vëmendjes, ish-bllokun, parajsën e parisë që ruhej me vetëmohim.

Torturat
Ndonëse në Shqipërinë komuniste thuhej se "ushtrimi i torturës në hetuesi dhe në burg ndalohet me ligj", në realitet tortura përdorej kudo, në hetuesi e qeli. Pos torturave fizike, përdoreshin edhe ato psikologjike që shkatërronin personalitetin e viktimës. Në Shqipëri sipas të dhënave, torturat më të përdorura kanë qenë: Djegie e mishit me cigare, thyerje kockash dhe shkulje e mishit me darë dhe përdorimi i korrentit, jeleku i torturës, dëmtimi i organeve gjenitale, lënia pa bukë, pa ujë e pa gjumë në këmbë për ditë të tëra, varje në qafë të zinxhirëve me pesha, varje prej krahësh të lidhur mbrapa, në një dritare ose çengel në lartësi, mbushja e gojës me kripë,etj, etj. Në çdo qytet, kishte qeli me dimensione 2mX 1.20 m dhe qeli speciale me dimensione 1mX0.5mX 1m, ku i arrestuari as nuk mund të shtrihej, as nuk mund të rrinte në këmbë, por vetëm ulur këmbëkryq.

Një ditë në komunizëm
Në kohën kur biçikleta ishte e vetmja pronë private, e Garda e Republikës ruante me vigjilencë vilat luksoze të bllokut, Shqipëria ishte një ndër 15 vendet më të varfra në botë, të gjithë visheshin njësoj, lodrat për të vegjlit bliheshin vetëm për Vitin e Ri dhe deri më 1984, mustaqet, syzet e diellit, çanta e vogël në sup ndaloheshin si shfaqje të huaja. E nëse në këtë muze virtual nuk thuhet, për një kohë të gjatë problem përbënin edhe disa modele pantallonash e flokët e gjata për meshkuj. /GSH/BW/