LAJMI I FUNDIT:

Mosvotimi i OSHP-së, lojë politike

Mosvotimi i OSHP-së, lojë politike

Mos votimi i anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit nga ana e Kuvendit të Kosovës vlerësohet të jetë një lojë politike. Derisa, analisti Nexhmedin Spahiu tha për Telegrafin se mos votimi i anëtarëve të OSHP-së nuk do të ndikojë në liberalizimin e vizave, analistët Dren Doli dhe Imer Mushkolaj theksuan se njerëzit partiak po ndikojnë në izolimin e qytetarëve të vendin.

Spahiu tha se liberalizimi i vizave po të ndodhte tani nuk do ishte gjë e mirë për shkak se rinia do të ikte jashtë vendit.

“Miratimi apo jo i OSHP-së nuk ndikon në liberalizimin e vizave. Është keq pse nuk u miratua vendimi i OSHP-së, por prapë se prapë nuk luan rol të madh në liberalizimin e vizave”, ka thënë Spahiu për Telegrafin.


Ndërsa, Dren Doli tha se partitë politike në koalicionin qeverisës nuk do të duhej që interesin e tyre ta vënë para interesit të Kosovës.

“Është një kërkesë e qartë e BE-së që ka të bëjë me liberalizimin e vizave dhe që flet për pavarësinë e plotë të OSHP-së. Në të njëjtën kohë kjo pavarësi duhet të shprehet edhe në anëtarët e emëruar të OSHP-së, duke mos bërë të mundur që anëtarët që emërohen të OSHP-së të jenë rezultat apo të jenë anëtar të partive politike në pushtet…”, tha Doli.

Po ashtu ai beson që mos propozimi i personave për miratim dje në Kuvendin e Kosovës  do të mund të ndikonte negativisht në vlerësimin pozitiv të Kosovës.

“Rrjedhimisht vendosja përpara e personave të partive politike përpara se të përmbushin edhe këtë kusht të mbetur në prag të vizitës të ekipit vlerësues, do të mund të ndikonte shumë negativisht në vlerësimin pozitiv të Kosovës edhe pse kjo është një çështje teknike, qeveria e Kosovës duhet të jetë e gatshme të raportojë dhe të mbajë përgjegjësi për çdo kërkesë që Bashkimi Evropian i ka adresuar Kosovës në këtë fushë, dhe garantimi i pavarësisë së OSHP-së nëpërmjet zgjedhjes së anëtarëve të bordit është njëri nga kushtet themelore që duhet plotësuar”, tha Doli.

Ndërkaq, Imer Mushkolaj, në një prononcim për Telegrafin tha se mosvotimi i djeshëm ishte një lojë për përfitime puro partiake.

“Është e tmerrshme që liberalizimi i vizave mbetet peng i mosplotësimit të një kriteri të tillë i cili në fakt do duhej të ishte plotësuar qysh më herët. Kjo do të ndikojë në liberalizimin e vizave. Më tepër se një kusht teknik, këtë problematik në kuptimin politik për arsye se ky rast na jep të kuptojmë deri ku janë në gjendje të shkojnë njerëzit partiak vetëm për t’i përmbushur interesat e veta partiake, duke mbajtur peng një vend të qytetarëve të izoluar për shkak të papërgjegjësive të veta”, përfundoi Mushkolaj. /Telegrafi/