LAJMI I FUNDIT:

Mos i fajësoni fëmijët!

Mos i fajësoni fëmijët!
Ilustrim

Nga: Agim Baçi

A dimë ne t’u flasim fëmijëve në shtëpi apo në shkollë duke pranuar se janë të ndryshëm e jo njëlloj qoftë me vëllezërit e motrat e tyre biologjikë ashtu edhe me shokët e shoqet në shkollë? Sa nga ne të rriturit ua shpjegojmë fëmijëve se si duhet të sillen përballë një hendeku tronditës për botën e tyre – hendekun e asaj që ata duan të kenë, që atyre u pëlqen, me atë që marrin realisht në jetë apo me atë që duhet të marrin? A ka nga prindërit apo mësuesit një rrugë përshkrimi se si rregullohet ai hendek mes dëshirave dhe realitetit? A dimë t’u shpjegojmë se sa e vështirë është të orientohesh në një botë ku simpatia dhe mirënjohja – dy ndjesi kaq të rëndësishme në jetën njerëzore – po humbin nga komunikimi i përditshëm? A arrijmë ne si të rritur të kuptojmë se humbja e durimit te adoleshentët ndërpret të gjitha udhët për një vendmbërritje të qartë dhe me ide?

Për të qenë të vërtetë me fëmijët, ne nuk duhet të shmangim përgjigjen për pyetjen se, cila është përgjegjësia jonë si të rritur nëse adoleshentët e sotëm nuk mendojnë për ndonjë vendmbërritje me kuptim.


A është dhe përgjegjësia jonë, si të rritur, që mjaft adoloshentëve sot u duket gjithçka e kotë, pa ngjyra? A është edhe faji ynë për faktin se shpesh në komunikimet e tyre mungon përgjegjësia morale apo ndjesia e fajit ndaj tjetrit me të cilin kanë gabuar, janë nxituar? A dimë ne t’u përgjigjemi apo do të fajësojmë ata se përse ky debat mund t’u duket i pavlerë?

Çfarë ndodh me adoleshentët kur intelekti i emocioneve nuk prek më dashurinë, duke e kthyer gjithçka vetëm në seksuale dhe jo në të menduarit për tjetrin si shok, si shoqe? A mjafton sot vetëm të kalërosh mbi protagonizmin vetëm si qëllim për të qenë i njohur pa e vrarë mendjen nëse nuk je i qartësuar moralisht apo në ndjesitë për gjithçka që bën e thua?

Në fakt, mungesa e objektivave që kanë brenda tyre të rinjtë, është ajo që duhet të na shqetësojë. Për këtë mungesë objektivash nuk mund të fajësojmë vetëm fëmijët. Bota e tyre e brishtë është sot një botë në duart e teknologjisë, e cila i ka thjesht klientë të kohës së tyre dhe statistikë për atë që bëjnë, ndërkohë që ne si prindër duhet të këmbëngulim, bashkë me mësuesit, për të mos i braktisur në skajet e veprimeve të tyre.

Niçe na ka paralajmëruar se “rinia zhytet thellë në ekzistencën e vet”. Paralajmërimi i tij i fortë ishte në atë kohë kur nuk parashikohej ky pushtim i kohës dhe qëllimeve nga teknologjia. Sot, kjo thënie e Niçes nuk vlen vetëm për t’iu besuar më shumë të rinjve, por edhe si një nevojë për të gjetur shtegun e komunikimit që të mos u humbë etja për jetën, etja për dijen.

Të rinjtë e sotëm shpesh na tregojnë se janë vitalë, se janë të zgjuar. Përballë vitalitetit të tyre, kreativitetit që ua ka shtuar edhe pushteti teknologjik, duket se ne prindërit nuk po mundemi të rindërtojmë me ta hartën e duhur të rrugëtimeve, të emocioneve, e sidomos të vendmbërritjeve, duke i lënë në një vetëvlerësim të ulët për atë që mund të arrijnë. Duket se jemi në atë fazë që paralajmëronte filozofi Ivan Iliq në librin e tij “Shoqëria pa shkollë”, i cili na paralajmëronte ne prindërve se, me pafuqinë tonë për të komunikuar me ta, rrezikojmë t’u krijojmë bindjen se nuk do të kenë asnjë fuqi ta ndryshojnë realitetin. E nëse i krijojmë këtë iluzion, të një varke pafuqie, përballë dallgëve të përditshmërisë, a e kemi ne më pas moralin që t’u kërkojmë atyre që të mos heqin dorë nga ëndrrat, që të mos i jepen tanishmërisë, që të mos flenë vetëm në shtratin e argëtimit?