Shqipëria e viteve 1913-1914: 96 pamje nga koha e Wiedit dhe Misionit Ushtarak Holandez
Nga: Robert Elsie (1950-2017)
Falënderim oficerëve holandezë të dërguar në Shqipëri në vitet 1913-1914 për të themeluar xhandarmërinë e parë të Shtetit të sapokrijuar shqiptar iu dhanë jo vetëm pajisje të zakonshme ushtarake, por – për fatin tonë të mirë – edhe nga një aparat fotografik. Ata fotografuan gjërat që i panë dhe i përjetuan në një kohë përcaktuese të historisë shqiptare: pavarësia e vonuar e kombit pas pesë shekujve të sundimit osman, ardhja e një mbreti të ri gjerman për qeverisjen e vendit të vogël ballkanik, dhe rënia e vendit në kaos të shkaktuar nga trazirat e brendshme dhe nga Luftërat Ballkanike në prag të Luftës së Parë Botërore.
Shumë fotografi të oficerëve holandezë janë ruajtur deri sot dhe po paraqiten këtu, shumica për herë të parë. Ky koleksion fotografik, botuar për herë të parë në albumin “Dritëshkronja: fotografia e hershme nga Shqipëria dhe Ballkani jugperëndimor”, Prishtinë 2007, përmban shumë pamje unikale të një bote të zhdukur të cilat – shpresoj – do të mrekullojnë të gjithë njerëzit e interesuar për historinë shqiptare dhe ballkanase.
Autori u është mirënjohës familjeve të oficerëve holandezë, shumë prej të cilave kanë ruajtur koleksionet e diapozitivave të vjetra prej xhami dhe i kanë ofruar bujarisht për këtë prezantim. Me këtë rast dëshiroj t’u shpreh falënderimet e mia edhe personave dhe institucioneve të tjerë që kanë ndihmuar në mënyra të ndryshme në realizimin e këtij prezantimi, ndër ta: Institutin Holandez për Historinë Ushtarake (Nederlands Instituut voor Militaire Historie) në Hagë dhe arkivistin e tij Okke Groot, si dhe Durim Banin në Hagë, Jolien Berendsen-Prins-in, kryetarja e Fondacionit Thomson, në Groningen, Kastriot Dervishin në Tiranë, Gerda Mulder-in e Muzeumit Fotografik të Hollandës (Nederlands Fotomuseum) në Rotterdam, Harrie Teunissen-in në Leiden dhe Richard van den Brink-un në Utrecht.
Shqipëria ishte pjesë përbërëse e Perandorisë Osmane që prej pushtimit turk të pjesës jugperëndimore të Gadishullit Ballkanik rreth viteve 1390-1400 dhe deri në shembjen e perandorisë të madhe në vitin 1912. Gjatë këtyre pesë shekujve, pjesa dërrmuese e popullatës së krishterë u konvertua në Islam dhe shqiptarët morën zakonet dhe mënyrën e jetesës së Lindjes. Shqiptarët u shquan edhe për ndihmesën e tyre të spikatur në Perandorinë Osmane. Shumë vezirë (kryeministra) dhe sundues të lartë të Perandorisë ishin me prejardhje shqiptare.
Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit nëntëmbëdhjetë, një periudhë e rënies së dukshme të Perandorisë Osmane, doli në pah lëvizja kombëtare shqiptare. Për herë të parë, vetëdija kombëtare u bë më e rëndësishme për shqiptarët e arsimuar se sa përkatësia fetare ose lavdia perandorake. Shqiptarët filluan të kërkonin gjithnjë e më shumë autonominë dhe vetëvendosjen brenda Perandorisë – ideja e pavarësisë politike ishte ende një ëndërr e largët. Kjo lëvizje, e njohur me emrin Rilindja, u kristalizua gjatë viteve 1878-1881 në Lidhjen e Prizrenit. Mirëpo, me gjithë zgjimin e lëvizjes kombëtare, pushteti osman në Shqipëri zgjati edhe gati tridhjetë vjet. Në qershor 1908, Perandoria Osmane u trondit nga revolucioni i Xhonturqve. Kjo revoltë e brendshme gëzoi fillimisht mbështetjen e udhëheqësve shqiptarë në Stamboll dhe Selanik. Mirëpo, pak kohë pas revolucionit, shumica e shqiptarëve të arsimuar kuptuan se, për sa i përkiste kërkesës për autonominë shqiptare, Turqit e Rinj nuk ishin aspak më mirë se Turqit e Vjetër. Duke qenë se nuk u plotësua asnjë kërkesë shqiptare, gjatë viteve 1909-1912 ndodhën kryengritje të shumta në Shqipërinë e Veriut dhe Kosovë.
Shqipëria vetë nuk luajti ndonjë rol të veçantë në Luftërat Ballkanike gjatë viteve 1912-1913, mirëpo, si pjesë faktike e Perandorisë Osmane, ajo ishte në mes të zjarreve. Gjatë Luftës së Parë Ballkanike nga tetori 1912 deri në maj 1913, shqiptarët ndodheshin vërtet në një gjendje tepër të ndërlikuar. Kundër turqve ishin zhvilluar kryengritje të panumërta në Shqipëri dhe Kosovë, por tani udhëheqësit shqiptarë i druheshin më shumë koalicionit kërcënues të forcave të krishtera të Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë se sa pranisë ushtarake në vendin e tyre të forcave osmane të dobësuara. Ata donin të ruanin tërësinë territoriale të Shqipërisë. Brenda dy muajve, forcat osmane ishin mundur pothuajse tërësisht, dhe vetëm në Shkodër dhe Janinë qëndronin ende disa njësi turke. Vetë ekzistenca e Shqipërisë ishte në rrezik.
Në atë kohë, u kthye në Shqipëri Ismail Qemal bej Vlora (1844-1919) me mbështetjen e Austro-Hungarisë i cili shpalli pavarësinë e vendit në Vlorë më 28 nëntor 1912. Megjithëse shpallja e pavarësisë ishte një veprim historik për popullin shqiptar, ajo ishte më shumë abstrakte sesa reale. Malazezët kishin marrë Lezhën dhe Shëngjinin dhe kishin rrethuar Shkodrën; serbët kishin pushtuar jo vetëm Kosovën dhe Maqedoninë perëndimore, por edhe Elbasanin, Tiranën dhe Durrësin; dhe grekët kishin shtënë në dorë Sarandën dhe kishin vendosur forcat e tyre në ishullin e Sazanit para gjirit të Vlorës. Luftimet në Shkodër dhe rreth saj vazhduan nga marsi deri në maj 1913, kur edhe trupat turke edhe trupat serbe filluan të tërhiqeshin nga vendi. Njohja ndërkombëtare e pavarësisë shqiptare u arrit në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitet 1912-1913.
Kjo konferencë e gjashtë Fuqive të Mëdha (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia) filloi punën e saj më 17 dhjetor 1912 në Ministrinë e Jashtme britanike nën udhëheqjen e ministrit britanik të punëve të jashtme, Sër Eduard Grej (Sir Edward Grey, 1862-1933). Për sa i përket Shqipërisë, ambasadorët vendosën fillimisht që ajo të njihej si shtet autonom nën sovranitetin e sulltanit. Mirëpo, pas shumë diskutimeve, më 29 korrik 1913 u vendos formalisht që Shqipëria të ishte principatë apo mbretëri autonome, sovrane dhe e trashëgueshme prej lindjes, e garantuara nga gjashtë Fuqitë e Mëdha. Kështu, pavarësia e Shqipërisë u njoh zyrtarisht, megjithëse pushteti i qeverisë së re së përkohshme shqiptare, të krijuar më 5 korrik 1913, në të vërtetë përfshinte vetëm Vlorën dhe rrethinat e saj. U ra dakord që mbreti i ri të caktohej nga të gjashtë Fuqitë e Mëdha pas propozimit të të dy shteteve më të interesuara për Shqipërinë: Austro-Hungaria dhe Italia. Ato zgjodhën princin gjerman, Wilhelm cu Vid (Wilhelm zu Wied, 1876- 1945).
Vidi ka lindur në një familje protestante në Nojvid (Neuwied) mbi lumin Rin, midis Bonit dhe Koblencit. Nëna e tij ishte Maria, princesha e Holandës. Vidi, oficer në ushtrinë prusiake, ishte kushëriri i perandorit gjerman dhe nipi i Mbretëreshës Elizabeta të Rumanisë. Ai u martua me Princeshën Sofia (1885-1936) të Shënburg-Valdenburg (Schönburg-Waldenbug) në Saksoni. Në tetor 1913, Fuqitë e Mëdha i ofruan atij, kandidat kompromisi, fronin e shtetit të sapolindur shqiptar, një vend për të cilin ai nuk dinte pothuajse asgjë. Më 1 nëntor 1913, pasi kishte menduar thellë për propozimin dhe kishte vendosur disa kushte për vete, Vidi pranoi fronin shqiptar dhe arriti në Durrës më 7 mars 1914 me anijen ushtarake austro-hungareze Taurus. Që prej fillimit, gjendja kaotike brenda Shqipërisë dhe marrëdhëniet e saj me vendet fqinjë bënë të pamundur që princi gjerman qëllimmirë të mbretëronte. Ai u braktis nga bashkësia ndërkombëtare dhe nuk mori mbështetjen financiare dhe ushtarake të premtuar, në veçanti si pasojë e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Më 3 shtator 1914, pas gjashtë muajve në Shqipëri, Vidi u largua me anije italiane Misurata, pa dhënë dorëheqjen zyrtare, dhe nuk u kthye më.
Në korrik të vitit 1913, mbretëria e re shqiptare kishte nevojë jo vetëm për një mbret, por edhe për kufij të njohur, një qeveri dhe – gjë me një rëndësi të dukshme – një forcë policore për të garantuar qeverisjen e mbretit dhe për të siguruar rendin publik. Konferenca e Ambasadorëve në Londër kishte vendosur që rendi publik të sigurohej prej një xhandarmërie të udhëhequr nga oficerët e huaj të cilët do të kishin komandë dhe kontroll efektiv. Fillimisht u vendos që oficerët të vinin nga ushtria suedeze, mirëpo Mbretëria e Suedisë ishte e angazhuar me një mision të ngjashëm në Persi, kështu që u zgjodh Holanda, duke qenë shtet politikisht asnjanës, pa interesa të caktuara në Shqipëri dhe, pa dyshim, sepse, me kolonitë e saj në Inditë Lindore Holandeze (tani Indonezi), ajo kishte mjaft përvojë me një popullsi me shumicë myslimane. Kështu, më 1 gusht 1913, Qeveria Holandeze mori kërkesën zyrtare nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit për të ofruar oficerë për rivendosjen e rendit publik në Shqipëri. Më 19 shtator të atij viti, pas diskutimeve të brendshme, Holanda e njoftoi Komisionin se, në plotësimin e kërkesës, ajo do të vinte në dispozicion oficerë holandezë për misionin shqiptar.
Ministri i Luftës, Hendrikus Colijn, kontaktoi mikun e tij, majorin Lodewijk Thomson (1869-1914), një figurë politike dhe ushtarake e njohur dhe e pyeti nëse kishte interes. Thomson-i, i lindur në Voorschoten afër Hagës më 11 qershor 1869, kishte qenë deputet i Bashkimit Liberal për Leeuwarden-in midis viteve 1905 dhe 1912. Përvojën ushtarake e kishte nga Inditë Lindore Holandeze (veçanërisht në veri të ishullit Sumatra), si vëzhgues në Luftën e Afrikës së Jugut dhe gjatë rrethimit të Janinës dhe në Shkodër gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Mirëpo, para se të zyrtarizohej emërimi i tij si shefi i misionit, kabineti holandez dha dorëheqjen, dhe Ministri i ri i Luftës, Bosboom, vendosi që duheshin marrë në konsideratë edhe kandidatë të tjerë. Për këtë arsye, u vonua emërimi i shefit të misionit megjithëse ishte miratuar zyrtarisht caktimi paraprak.
Me dekretin mbretëror të 20 tetorit 1913, përfundimisht u zgjodh koloneli Willem De Veer, komandanti i regjimentit të tretë të artilerisë fushore, kurse Thomson-i, i regjimentit të dymbëdhjetë të këmbësorisë, u caktua zëvendësi i tij. Që prej fillimit, bashkëpunimi midis të dyve rezultoi i vështirë sepse De Veer-it i mungonte aftësia organizuese dhe përvoja e Thomson-it. Misioni paraprak i të dy oficerëve holandezë dhe ndihmësve të tyre, rreshterët Van Reijen dhe Stok, arriti në Vlorë më 10 nëntor 1913, ku ndodheshin selia e qeverisë së përkohshme si dhe selia e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Ishte humbur shumë kohë dhe oficerët donin të udhëtonin në vend për të kuptuar më mirë problemet me të cilat do të ballafaqoheshin. Trupat turke, serbe dhe malazeze ishin larguar nga Shqipëria, por vendi nuk ishte i bashkuar.
Pjesa më e madhe e Shqipërisë së Mesme në veri të Vlorës ishte nën pushtetin e Esad pashë Toptanit (1864-1920), i cili në historiografinë shqiptare njihet si një ndër personazhet më dredharakë, të shitur dhe egoist. Më 16 tetor 1913, Esad pasha kishte formuar qeverinë e vetë në Durrës, për rajonin midis Matit dhe Shkumbinit. Oficerët holandezë u nisën më 20 nëntor 1913 të shoqëruar nga Melek bej Frashëri, i cili më vonë u bë ndihmësi i Thomson-it, dhe nga Et’hem bej Vlora, biri i Ismail Qemalit. Ata udhëtuan për në Fier, Berat, Elbasan dhe në Tiranë ku e takuan Esadin më 25 nëntor. Esadi i mirëpriti me respekt megjithëse tregoi haptas pakënaqësinë e tij ndaj pranisë së Et’hem beut, djalit të rivalit të tij. Prej Durrësit, De Veer-i dhe Thomson-i vazhduan rrugën për në Shkodër ku arritën më 29 nëntor për të inspektuar trupat ndërkombëtare aty. Në Ndërfushas, takuan Prenk Bibë Dodën (1858- 1920), prijësin e njohur të Mirditës katolike.
Më 9 dhjetor pas tri javëve udhëtimi dhe të takimeve me udhëheqësit vendas të Shqipërisë së veriut dhe të mesme, De Veer-i dhe Thomson-i u kthyen në Vlorë. Kufiri jugor i Shqipërisë nuk ishte përcaktuar përfundimisht dhe trupat greke kishin marrë shumë pjesë të vendit, duke mos pranuar të largoheshin derisa Shqipëria të mos mund të garantonte rend. Në këtë situatë, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit kërkoi që te dy oficerë holandezë të krijonin një trupë ushtarake për të vendosur rend në jug. Qeverisë holandeze iu transmetua kërkesa për më shumë oficerë. Ndërkaq, De Veer-i dhe Thomson-i mobilizuan 1,000 ushtarë në Shqipëri, kryesisht refugjatë në Vlorë, dhe luftëtarë nga Kosova dhe Shkodra. Në formën përfundimtare, xhandarmëria shqiptare do të kishte 5000 trupa në dispozicion, prej të cilëve rreth 800 ishin stërvitur në mënyrë të duhur. Më 24 dhjetor 1913, Mbretëresha Vilhelmina e Holandës emëroi De Veer-in shef të xhandarmërisë së re shqiptare. Në fillim të janarit 1914, filloi kryengritja e forcave pro-osmane të cilat kundërshtonin ndikimin e shtuar perëndimor në Shqipëri.
Në nëntor 1913, këto forca, të ndikuara nga Xhonturqët, ia kishin ofruar fronin shqiptar gjeneralit Izzet pasha (1864-1937), ministrit turk të luftës, i cili ishte me prejardhje shqiptare. Gjendja kaotike në Shqipëri u shtua qëllimisht nga Izzet pasha i cili synonte të përçante popullin për marrë pushtetin dhe fronin. Me këtë qëllim ai dërgoi një oficer xhonturk me prejardhje shqiptare, të quajtur Beqir Grebena, të njohur turqisht edhe si Bekir aga Grebenali apo Bekir Fikri efendi, nga Maqedonia në Shqipëri për të krijuar rrëmujë dhe për të përmbysur qeverinë e përkohshme me grusht shteti. Në Shkodër, Grebena fitoi simpatinë e bashkësisë islame e cila shihte me dyshim Kultusprotektorat-in austro-hungarez, dhe në Durrës ai arriti të fitonte besimin e Esad pashës për një kohë të caktuar.
Në fund të vitit, në mbështetje të Grebenës, Xhonturqit dërguan 375 ushtarë, të veshur civil, në Vlorë, shumë prej tyre me anijen austriake Meran. Mirëpo, Syreja bej Vlora dëgjoi për planin e tyre dhe e informoi pa vonesë Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit. I shqetësuar se trupat turke mund të zbarkonin në Vlorë, Komisioni iu dha oficerëve holandezë plotfuqishmërinë për të vepruar si donin. Më 6 janar 1914, Thomson-i dhe De Veer-i e inkuadruan policinë vendase pa vonesë në xhandarmërinë e re, e cila ishte parashikuar fillimisht për të pushtuar jugun e vendit, dhe morën nën kontroll telegrafin dhe doganën. Kur erdhi Meran-i në Vlorë, ata arritën të zinin rob dhe të çarmatosnin 19 oficerë dhe i kthyen 161 ushtarë nëpërmjet Triestit në Stamboll. Beqir Grebena u dënua me vdekje. Në të njëjtën kohë, Esad pasha, i vetmi njeri në Shqipëri që dispononte ushtrinë e vetë, përpiqej të merrte sa më shumë territor.
Më 9 janar, njerëz të tij u përpoqën të merrnin Elbasanin, por u zbrapsën nga udhëheqësi i qytetit, Aqif pashë Biçaku, i njohur gjithashtu si Aqif pashë Elbasani. Në memorandumin e tij për Shqipërinë, e botuar në gusht të vitit 1917, Mbreti Vid tha se: “Esad pasha dhe Ismail Qemal bej i ishin hedhur në fyt njëri-tjetrit dhe komplotonin kundër njëri-tjetrit në mënyra të ndryshme. Esadi, më i rëndësishmi dhe më i fuqishmi prej të dyve, përpiqej të zgjeronte pushtetin e tij në drejtim të jugut, drejt Elbasanit. Me dhurata dhe premtime ai arriti të shtonte mjeshtërisht ndikimin e tij dhe të njerëzve të tij. Haptas nuk e kundërshtoi kurrë Komisionin Ndërkombëtar, por dredhonte si ngjalë duke pohuar vazhdimisht besnikërinë e tij, madje pretendonte se ishte kurdoherë i gatshëm ti shërbente Evropës dhe mbretit të ri. Që në atë kohë, raportet mbi karakterin e tij shkaktuan dyshime që ai bënte lojë të dyfishtë dhe synonte vetëm zgjerimin e pushtetit të tij.
Ndikimi i Ismail Qemalit në jug po zvogëlohej vazhdimisht. Atij i mungonte mbështetja e duhur nga ushtria, në kundërshtim me Esadin i cili dispononte forcat që i kishte tërhequr nga Shkodra si dhe forca të reja… Mungonte një administrim financiar në shërbim të vendit. Esad pasha kishte duart mbi doganën e Durrësit dhe Ismail Qemal bej kishte shtënë në dorë të ardhurat e doganës së Vlorës. Kështu të dy i kishin kaluar burimet kryesore financiare të vendit në shërbim të nevojave personale të tyre.
Ismail Qemali caktoi një pjesë të të ardhurve doganore për refugjatët dhe krijimin e xhandarmërisë së re, por Esad pasha refuzoi kategorikisht të jepte fonde publike të mbledhura prej tij për këto aspekte kaq të nevojshme. Oficerëve holandezë të cilëve, në vend të oficerëve suedezë të parashikuar fillimisht, u ishte besuar detyra e krijimit të një xhandarmërie ndërkombëtare dhe të cilët i kishin kushtuar shumë energji dhe entuziazëm këtij synimi, nuk u mbëshetën fare nga Esad pasha në Shqipërinë qendrore. Ai veç u shkaktoi telashe. Që prej fillimit dhe deri në fund ai pengoi punën e tyre, duke u bërë të qartë se dispononte tashmë një xhandarmëri të mirë shqiptare. Jugu i Shqipërisë ishte një problem i veçantë.
Shumë banda të udhëhequra nga ish-oficerët grekë, siç duket me mbështetjen e qeverisë greke (megjithëse për këtë nuk kishte prova), po punonin për nxitjen e një kryengritjeje për përhapjen e kaosit në rajon. Gjatë veprimtarisë së tij, Komisioni kuptoi se eliminimi i këtyre dy figurave të fuqishme, Esad pasha dhe Ismail Qemal bej, ishte kusht i domosdoshëm për paqe dhe qetësi në Shqipëri dhe për të mundësuar qeverisjen e mbretit të ri. Ata kuptuan se kishte ardhur koha që të largoheshin Esad pasha dhe Ismail Qemal bej sepse, sipas tyre, i pari ishte fuqizuar së tepërmi dhe i dyti ishte përgjegjës për qeverisje të keqe. Ky mendim u përforcua nga përfshirja e tyre në komplotin e dështuar të Xhonturqve për të instaluar gjeneralin turk, Izzet pasha, si mbret të Shqipërisë. Komisioni Ndërkombëtar arriti të bindte Ismail Qemal beun që të jepte dorëheqjen si kryetar i ‘qeverisë së përkohshme,’ post për të cilin ai ishte krejtësisht i paaftë, por Esad pasha vazhdoi të qeveriste i papenguar si kryetar i kryesisë së senatit për Shqipërinë e Mesme.”
Ismail Qemal bej Vlora u detyrua të largohej nga Shqipëri pas kërkesës së Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, por komisioni nuk dispononte fuqinë e duhur për të larguar Esadin. Prandaj Esadi ngeli në vend dhe pranoi të largohej nga qeveria vetëm me premtimin se ai do të udhëhiqte dërgatën shqiptare e cila do të udhëtonte në Gjermani në shkurt 1914 për ti ofruar fronin shqiptar Princit Vid. Më 23 shkurt 1914, pjesa tjetër e oficerëve holandezë mbërriti në Vlorë, dy javë para arritjes së princit. Ata ishin: togeri i klasit të parë Gerard Mallinckrodt, i cili u bë ndihmës i Thomson-it; kapitenët Wouter De Waal, Hugo Verhulst, Henri Kroon, Joan Snellen van Vollenhoven, Lucas Roelfsema dhe Johan Sluys; dhe togerët e klasit të parë Carel De Iongh, Jetze Doorman, Jan Fabius, Julius Sonne, Hendrik Reimers dhe Jan Sar. Para misionit në Shqipëri, secili prej tyre u pajis jo vetëm me uniformë dhe me armë por edhe me një aparat fotografik. Kontingjenti përfshinte edhe inspektorin mjekësor Tiddo Reddingius, rreshterin sanitar J. van Vliet dhe mjekun civil F. De Groot.
Para fillimit të misionit në Shqipëri, të gjithë fituan një gradë më të lartë. Oficerët holandezë u shpërndanë shpejt anembanë vendit. Sluys, Roelfsema dhe Sar shkuan në Durrës, Kroon dhe Fabius në Shkodër, Snellen van Vollenhoven dhe Doorman në Korçë, Verhulst dhe Reimers në Elbasan, De Waal dhe Sonne në Gjirokastër, kurse De Iongh mbeti me De Veer në Vlorë. Në gjysmën e parë të vitit 1914 në jugun e Shqipërisë dhe në Epir mbretëronte kaosi. Shumë grekë, të cilët përbënin një të pestën e popullsisë aty, kërkonin bashkimin me Greqinë. Trupat greke kishin marrë Gjirokastrën dhe Korçën gjatë Luftës së Dytë Ballkanike dhe, me gjithë qortimin e bashkësisë ndërkombëtare, nuk u tërhoqën deri në shkurt, kur Austro-Hungaria kërcënoi të përdorte dhunë kundër tyre. Në Gjirokastër u krijua një qeveri (greke) e përkohshme për Epirin e Veriut e cila u mbështet politikisht dhe ushtarakisht nga Jorgios Hristaki Zografos, guvernatori i Epirit dhe ministri grek i punëve të jashtme (1912-1915).
Ushtria greke po përfshihej gjithmonë e më shumë në mbështetjen e grupeve të komitëve dhe të banditëve, dhe në mes të prillit 1914, forcat greke kishin pushtuar tokën përgjatë një vije nga Himara në Përmet dhe Leskovik. Krahasuar me to, forcat e pakta të oficerëve holandezë, ishin shumë pak. Në mars 1914, pak kohë pas ardhjes së tij në Shqipëri, Princ Vidi emëroi Thomson-in si komisioner të përgjithshëm për jugun. Emërimi i tij e gëzoi De Veer-in, i cili donte të lirohej nga Thompson-i, bashkëpunëtori i tij i rrëmbyer. Më 10 mars, Thomson-i erdhi në Korfuz për të negociuar me forcat greke, dhe tejkaloi kështu mandatin e tij. Pas pak kohe, më 6 prill, Vidi lëshoi një dekret për mobilizimin e të gjithë shqiptarëve të moshës 20 dhe 21. Ministri italian i luftës e nxiti Vidin që të sulmonte Gjirokastrën, duke i premtuar mbështetjen italiane.
Gjendja në jug të vendit vazhdoi të ishte e rëndë. Në mes të majit, De Waal dhe trupat e tij u përpoqën të rimerrnin Gjirokastrën. Me mbështetjen e vullnetarëve shqiptarë të drejtuar nga Çerçiz Topulli, ata erdhën në brigjet e lumit Drino dhe dëgjuan aty të shtëna në manastirin ortodoks të Kodrës afër Tepelenës. Kishte ndodhur një kërdi e llahtarshme – kufomat e 218 pleqve, grave dhe fëmijëve të masakruar nga forcat greke. Disa viktima, të krishterë ortodoks shqiptarë, u kryqëzuan, disa të tjerë u copëtuan. Gjenerali De Veer i raportoi Komisionit për ngjarjen tragjike më 10 maj kështu: “Në jug të fshatit të Kodrës (Hormovë), gjeta një kishë të vogël e cila përdorej pa dyshim si burg. Brenda asaj, muret dhe dyshemeja ishin larë e shpërlarë në gjak, kudo ishin kapele dhe veshje të gjakosura. Mjeku, anëtari i Komisionit të Hetimit, pa pjesë trush. Në altar gjetëm një zemër ende duke rrjedhur gjak. Njëqindnëntëdhjetëepesë kufoma u nxorën për ti varrosur më thellë sepse hendeku ku ishin hedhur ishte tepër i cekët. Të gjitha kufomat ishin pa kokë.”
Në Parlamentin anglez në Londër, Aubrey Herbert (1880-1923) foli me shumë pasion për masakrën, por opinioni publik perëndimor ishte lodhur me kërdi të shumta në Ballkan dhe tragjedia nuk pati jehonë. De Waal u përpoq të sulmonte Gjirokastrën më 12 maj me ndihmën e vullnetarëve të Sali Butkës (1857-1938), por u bllokua nga trupat greke të gjeneralit Papulias. Më 17 maj 1914 u arrit një marrëveshje politike, Dispozita e Korfuzit, sipas të cilës Epiri i Veriut mbeti pjesë e Shqipërisë, por do të ishte nën kontrollin e Komisionit Ndërkombëtar. Mirëpo, parlamenti (grek) i Epirit të Veriut refuzoi të ratifikonte marrëveshjen, dhe kështu luftimet vazhduan deri në kohën e verës kur, më 8 korrik, Korça ra në duart e trupave greke të gjeneralit Georgios Contos Vardhas.
Edhe pas ardhjes së Vidit në Durrës, pushteti faktik në Shqipërinë e mesme mbeti në duart e Esad pashës, i cili arriti të emërohej nga mbreti si ministër i luftës. Kështu një ballafaqim me oficerët holandezë, të cilët komandonin të vetmet trupa zyrtare të armatosura, ishte i pashmangshëm. Esadi kishte premtuar që të vinte në dispozicion 20.000 rezervistë për të luftuar kundër grekëve në jug, por duke qenë se ishte në kontakt të ngushtë me udhëheqësit e kryengritësve grekë, nuk e mbajti fjalën. Në fillim të majit 1914, Esad pasha u kthye fshehurazi në çifligun e tij në Rreth, afër Pazar Shijakut. Pas pak kohe aty u përhapën fjalë për një kryengritje të armatosur, në Shijak dhe në Krujë. Për Vidin dhe për oficerët holandezë ishte e qartë se prapa kryengritësve ishte Esad pasha.
Nga Austria erdhën topa dhe mitralozë për të mbrojtur Durrësin, dhe Esadi, i cili u kthye më 18 maj, donte ti shtinte në dorë për t’ia dorëzuar atasheve ushtarakë italianë, Muricchio dhe Moltedo. Johan Sluys-i, i cili i shikonte italianët me dyshim, nguli këmbë që topat të përdoreshin nga oficerët Klingspor dhe Tomjenoviq të cilët kishin ardhur posaçërisht për të udhëzuar trupat në përdorimin e tyre. Esad pasha kërkoi një takim me Mbretin dhe i bëri presion që të largonte majorin Sluys. Si pasojë, komanda e korpusit ushtarak në Durrës i kaloi përkohësisht Roelfsema-së. Në atë kohë, qarkullonin fjalë që Esad pasha strehonte 200 burra dhe municion në shtëpinë e tij në Durrës për përgatitjen e një grushti të shtetit. Në mëngjesin e datës 19 maj 1914, Sluys-i e rrethoi shtëpinë e Esadit dhe u përpoq t’i çarmatoste rojet.
Kur Klingspor-i qëlloi me top, duke dëmtuar çatinë dhe pastaj edhe dhomën e fjetjes të Esadit, ministri i pacipë i i luftës u dorëzua dhe u internua në anijen austrohungareze Szigetvar e cila qëndronte në Gjirin e Durrësit. Të nesërmen erdhën De Veer-i dhe Thomson-i nga Vlora me prova materiale – disa telegrame të shifruara – për tradhtinë e Esad pashës dhe për bashkëpunimin e tij me italianët. Mirëpo, ambasadori italian, Baron Carlo Alberto Aliotti, ndërhyri dhe e bindi Vidin që të mos ngrinte padi. Kështu Esad pasha u largua për të Itali, ku u prit si hero i çështjes italiane. Esad pasha nuk ishte i pranishëm më, por kryengritja në Shqipërinë e mesme vazhdoi. Në zonën e Pazar Shijakut midis Durrësit dhe Tiranës pas pushtimit të Bosnjës nga Austria në vitin 1878 ishin vendosur myslimanë të Bosnjës. Këta njerëz ishin të shqetësuar për rënien e pushtetit osman dhe nuk donin mbretin e krishterë të caktuar nga Perëndimi.
Çfarëdo që të ishin shkaqet e lëvizjes kryengritëse në Pazar Shijak dhe Kavajë, e cila filloi më 17 maj 1914 (dhe natyrisht nuk përjashtohet ndërhyrja e Esad pashës në mërgim), ajo u bë një kërcënim i drejtpërsëdrejtë ndaj pushtetit të Vidit në Durrës. Gjenerali De Veer urdhëroi Roelfsema-në që të merrte Rrashbullin, pak kilometra nga Durrësi, një pikë më rëndësi për mbrojtjen e qytetit. Roelfsema dhe trupat e tij, kryesisht vullnetarë nga Kosova me udhëheqësin e tyre, Isa Boletini (1864-1916), morën kodrën në fjalë më 20 maj dhe nuk hasën qëndresë. Pas fitorjes pasuan plaçkitja dhe Roelfsema – i frikësuar nga reagimi i popullatës së pushtuar – u tërhoq me trupat e tij. Xhandarmëria e vogël holandeze nuk krahasohej me forcat të mëdha kryengritëse të cilat po i afroheshin Durrësit. Mirëpo, gjendja e Vidit u përmirësua kur erdhi një anije nga veriu me 150 vullnetarë të Mirditës dhe të Malësisë nën komandën e Simon Dodës, nipit të Prenk Bibë Dodës.
Për të siguruar mbështetjen e kapedanit të Mirditës, Mbreti e kishte emërua Prenkun ministrin e ri të punëve të jashtme. Më 22 maj 1914, Jan Sar-i shtoi korpusin e 65 luftëtarëve të tij me trupa të reja dhe u nis në drejtim të Tiranës me një forcë ndëshkuese për vendosjen e rendit. Më 23 maj, kaluan Rrashbullin dhe hasën kryengritës myslimanë. Mirëpo, vullnetarët e veriut nuk pranuan të sulmonin kryengritësit për shkak të një bese të lidhur me ardhjen e mbretit Vid. Ata braktisën komandantin e tyre dhe u larguan. Sar-i dhe dyzet njerëz të tij u rrethuan dhe u zunë rob. Më vonë Edit Durham shkrojti për këtë ngjarje: “Një grup burrash të armatosur udhëhequr nga oficerët holandezë doli për të biseduar me kryengritësit, dhe morën me vete një mitraloz.
Për fat të keq, Kapiteni Sar nuk njihte zakonet e shqiptarëve. Kot ishte i shqetësuar sepse kur shqiptari të jep besë, ai e mban. Tepër i frikësuar, ai iu dha urdhër njerëzve të tij të hapnin zjarr kundër grupit tjetër prej 300 burrash të armatosur. Njëri prej tyre iku, shkoi në Shijak dhe përhapi fjalën se Mbreti kishte filluar të masakronte myslimanë. Një grup burrash shkuan me ngut në ndihmë të shijakasve dhe u bë përleshje.” Kur lajmet erdhën në Durrës për kapjen e Sar-it, forcat holandeze përgatitën një ekspeditë për ta liruar, por ndërkohë rebelët kishin pushtuar Rrashbullin dhe po qëllonin Durrësin me armë të lehta. Roelfsema doli me njësinë e tij, po u rrethua dhe u zu rob gjithashtu.
Në Durrës kishte panik dhe familja mbretërore kërkoi strehim në një anije italiane në gji. Ambasadori Aliotti e kishte bindur Vidin që të dërgonte familjen e tij në anije, por kur hipën në anije, Aliotti i dha urdhër kapitenit që të largohej nga bregdeti, duke penguar kështu kthimin e menjëhershëm e Vidit në tokë. Kjo “arrati” nga ana e Vidit dëmtoi rëndë imazhin e mbretit ndër shqiptarët. Rebelët e liruan Jan Sar-in atë mbrëmje dhe e çuan në Durrës për të paraqitur kërkesat e tyre, ndër të cilat ishin një amnisti e përgjithshme dhe kthimi i sulltanit. Vidi emëroi kolonelin Thomson si komandant të Durrësit dhe – në mungesë të ministrit të luftës – si “directeur de la force armée” (drejtor të forcave të armatosura). Kështu Thomson-i u bë këshilltari më i ngushtë ushtarak i mbretit. De Veer-i, dashur pa dashur, pranoi dhe u tërhoq në Vlorë më 4 qershor, prej ku u kthye në Holandë.
Mbretëria e sapokrijuar shqiptare ishte zvogëluar mjaft. Tani përfshinte vetëm Durrësin dhe disa kilometra përreth. Thomson-i filloi të ndërtonte fortifikime për të mbrojtur qytetin dhe mblodhi nën kontrollin e tij të rreptë tërë luftëtarë shqiptarë dhe të huaj. U krijua një njësi artilerie nën komandën e Kapitenit Fabius, i cili u kthye nga Shkodra e pushtuar nga trupat ndërkombëtare. Italianët fshehurazi po përkrahnin rebelët. Vidi e përshkroi situatën e asokohshme kështu: “Ditët e para të qershorit na sollën prova të pakundërshtueshme të dyshimit të krijuar prej kohësh se italianët bashkëpunonin me rebelët. Kur i fola ashpër, ambasadori italian Aliotti pezulloi udhëtimet e tij të përditshme me makinë te kryengritësit. Mirëpo, në vend të kësaj, shihnim drita flakëruese sinjalizimi të italianëve për komunikim me rebelët. Më në fund, Thomson-i arriti të kapte në flagrancë tre italianë (Kapiten Muricchio, Kapiten Moltedo dhe profesori i dyshimtë Chinigo). Gjatë kontrolit trupor u gjetën dokumente fajësuese. Kishim shumë probleme me italianët sepse thuhej se ishte shkelur marrëveshja e imuniteteve dhe privilegjeve në momentin kur kemi hyrë me forcë në ambasadën italiane për t’i arrestuar.
Duke u mbështetur mbi këto marrëveshje, Aliotti nguli këmbë që të arrestuarit të liroheshin, dhe ata u liruan. Por në mënyrë të përsëritur, Thomson-i hodhi poshtë kërkesën tjetër të Aliotti-t që ai të kërkonte ndjesë publikisht për raportet e gazetave ku pretendohej se italianët kishin shkëmbyer sinjale me rebelët dhe se kishin qenë vazhdimisht në kontakt të ngushtë me ta. Ai protestoi se kërkesa ishte e gabuar dhe se plotësimi e saj do të ishte fyerje ndaj nderit të tij si oficer: “Volontiers je donnerais ma vie au Roi, mais jamais mon honneur (Lirisht do të jepja jetën time për Mbretin, por kurrë nderin tim).” Aliotti kërkoi që Thomson-i të kthehej në Holandë, duke lënë kështu qytetin e Durrësit pa mbrojtësin e tij më të zellshëm dhe më energjik. Kjo trazirë pati mori një fund tragjik pak kohë më pas më 15 qershor 1914 kur Thomson-i vdiq gjatë një sulmi të ashpër të armikut.”
Atë ditë, rebelët e sulmuan dhe morën Rrashbullin dhe dy ditë më vonë po bëheshin gati për të sulmuar Durrësin. Herët në mëngjesin e datës 17 qershor, Jan Fabius, të cilin sekretari personal i Mbretit, Duncan Heaton-Armstrong (1886-1969) e quante oficerin holandez më të guximshëm dhe kokëkrisur, ishte me shërbim si roje dhe, kur mori vesh për sulmin, zgjoi mbrojtësit e qytetit me një të shtënë topi. Sar-i u dërgua për të mbajtur kodrat në veri të qytetit, kurse Roelfsema komandoi istikamët në pjesën perëndimore ku parashikohej sulmi kryesor. Thomson-i inspektoi artilerinë dhe shkoi te Roelfsema i cili ndodhej pranë depos së naftës, më pak se treqind metra nga vija e armikut. Aty u vra. Më vonë qarkulluan fjalë se e kishte goditur një snajper italian. Nuk dihet me siguri.
Sido që të jetë, Mbreti Vid kishte humbur përkrahësin e tij më të zellshëm. Për çudi, vijat mbrojtëse të qytetit qëndruan. Të nesërmen, më 16 qershor 1914, Thomson-i u varros në një ceremoni mortore të madhe. Madje edhe disa kryengritës, sipas traditës shqiptare, hynë në qytet për të përcjell trupin e pajetë të kundërshtarit të tyre holandez. Në fillim të korrikut, kufoma e Thomson-it u kthye në Amsterdam me anijen ushtarake Noord-Brabant dhe, pas një ceremonie madhështore më 18 korrik 1914, heroi i njohur u varros përfundimisht në Groningen. Gjendja politike ishte e rëndë edhe për oficerët holandezë në viset e tjera të Shqipërisë. Verhulst-i u përpoq të vinte në Tiranë nga Elbasani, por u kap. Edhe Reimers-i u zu rob në Elbasan. De Iongh-u në Fier shpresonte të shfrytëzonte trupat e familjes Vlora dhe të familjes Vrioni në Berat, por Aziz pashë Vrioni preferonte ti mbante njerëzit të vetë për të mbrojtur vendin nga grekët.
De Iongh-u kaloi lumin Seman, dhe qëndroi në Fier tri javë. Më 17 qershor, majori Kroon, i cili kishte ardhur nga Lezha për të marrë postin e të ndjerit Thomson, sulmoi Rrashbullin edhe një herë, por nuk pati sukses. Gjendja ishte kaq e rëndë sa që, më 21 qershor 1914, Aqif pashë Biçaku kërkoi një armëpushim me kryengritësit myslimanë, të udhëhequr nga dervishi melami Haxhi Qamili, nga myftiu i Tiranës Musa Qazimi, nga shehu i Pazar Shijakut Hamdi Rubejka, nga Mustafa Ndroqi dhe nga ish-oficeri osman Qamil Haxhi Fejza i Elbasanit. Oficerët holandezë nuk ishin dakord dhe deklaruan se tani e tutje do t’ua linin të tjerëve çështjet ushtarake për t’u përqendruar mbi misionin e tyre të mirëfilltë – organizimin e xhandarmërisë. Mirëpo vrasja e Kryedukës Franc Ferdinand i Austrisë (1863-1914) në Sarajevë më 28 qershor 1914 dhe shpallja e Luftës së Parë Botërore i lanë në hije ngjarjet e rrëmujshme në Shqipëri.
Oficerët holandezë u zëvendësuan hap pas hapi nga një korpus prej rreth 150 oficerësh vullnetarë gjermanë dhe austriakë të cilët mbërritën në Durrës më 4 korrik, organizuar nga skulptori austriak Gustav Gurschner (1873-1970), i cili kishte krijuar uniformat dhe medaljet e Mbretit Vid, si dhe nga një njësi vullnetarësh rumunë të ardhur në Durrës më 7 dhe 17 korrik. Berati ra në duart e kryengritësve më 12 korrik dhe Vlora u mor pa luftë më 21 gusht. Kështu, në mes të verës së vitit 1914, me rënien e pjesës më të madhe të Shqipërisë së Mesme, opinioni publik në Holandë e kishte të qartë se prania e mëtejshme e misionit ushtarak holandez në Shqipëri do të sillte vetëm më shumë vdekje dhe, si pasojë, Gjeneralit De Veer iu bë presion që të jepte dorëheqjen për vete dhe për trupat e tij. Kjo u realizua zyrtarisht më 27 korrik 1914, një ditë para shpalljes së luftës kundër Serbisë nga Austro-Hungaria.
Më 4 gusht shumica e oficerëve u largua dhe u kthye në Holandë sa më shpejt, disa prej tyre duke hasur pengesa gjatë rrugës. Verhulst dhe Reimers u liruan në Pazar Shijak më 19 shtator dhe u nisën për në Holandë të nesërmen. Kështu mori fund aventura holandeze në Ballkan, e cila zgjati më pak se një vit.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Rahatoj kamt’ qysh është ma s’miri këtë verë
Më të lexuarat
Detaje se si Michael Schumacher komunikon me familjarët pas 'paraqitjes së parë publike' në 11 vjet
“Me emër të Zotit, veç mos u mërzitni” – pamje e rrallë, Kadri Veseli me ushtarët e UÇK-së
Një pajisje përgjimi u gjet në banjën time pas vizitës së Netanyahu, pohon Boris Johnson
Genta Ismajli përfshihet në një aksident me makinë në Amerikë
Policia e Kosovës bëhet me dhjetëra automjete të blinduara
A do të funksionojë bonusi për shoferët në Gjermani, për t'i nxitur ata të blejnë automjete elektrike?