LAJMI I FUNDIT:

MKRS: Refuzimi i një çmimi është e drejtë morale e çdo autori

MKRS: Refuzimi i një çmimi është e drejtë morale e çdo autori

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka vlerësuar vendimin e Jurisë që me Çmimin Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” të nderohet shkrimtari, Rexhep Hoxha, vepra letrare e të cilit në prozë dhe në poezi është një nga shembujt më të realizuar në letërsinë tonë për fëmijë dhe, si e tillë, ajo do të mbetet pjesë e pakalueshme e trashëgimisë sonë letrare.

Në këtë kontekst, ministri Valton Beqiri e ka nënshkruar vendimin me të cilin shkrimtari Rexhep Hoxha nderohet me këtë çmim të rëndësishëm letrar të përmasave kombëtare.

Ndërkaq, në kontekst me gjestin e refuzimit publik të këtij çmimi nga shkrimtari Rexhep Hoxha, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit konsideron se pranimi apo refuzimi i një çmimi është e drejtë morale e çdo autori. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e respekton vendimin e shkrimtarit Rexhep Hoxha, por, gjithashtu, shpreh keqardhje dhe mospajtim me shkaqet e refuzimit të çmimit dhe me politizimin e tij të panevojshëm.

MKRS qëndron prapa vendimit të saj për ndarjen e këtij çmimi, ndërkaq mjetet materiale të këtij çmimi, për shkak të refuzimit nga ana e laureatit, do t’i destinojë për botimin e letërsisë për fëmijë. /Telegrafi/