LAJMI I FUNDIT:

Mjedisi si sfidë për Kosovën

Në Kopenhagë po mbahet samiti për ndryshimet klimatike, ku e gjithë bota po kërkon një marrëveshje për ta reduktuar lirimin e gazrave, e sidomos reduktimin e dioksidit të karbonit (CO2) dhe ruajtjen e mjedisit me qëllim që ta kemi një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Kosova, si shteti me i ri në hartën botërore, e cila kaloi nëpër një fazë të vështirë ekonomike, politike e kulturore pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e sidomos gjatë viteve të luftës 1997-1999, edhe sot po kalon nëpër një faze transitore, në të cilën po ballafaqohet me shumë sfida, siç janë zhvillimi i ulët ekonomik, papunësia në shkallë të lartë, pa i përmendur shqetësimet e tjera të shumta politike e juridike etj. Njëra ndër problemet më shqetësuese pa dyshim se është ruajtja e mjedisit, si një komponentë themelore e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.


Meqenëse sot mjedisi është një sfidë globale dhe mbetet një problem edhe i vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim, tash kjo vërehet edhe në maksimën – shtetet e varfra, në radhë të parë tentojnë të bëhen me të pasura, ndërsa shtetet e pasura tentojnë të bëhen më të gjelbëruara.

Është e natyrshme që pas një periudhe të vështirë të pasluftës, nëpër të cilën kaluam, mjedisi nuk mund të konsiderohet si prioritet i institucioneve të Kosovës, por nuk do të duhej as të harrojë deri në atë masë sa të arrijmë deri në degradim total të këtij komponenti mjaft të rëndësishëm ekonomik.

Sot, ndotja e ajrit në Kosove i kalon 18 herë vlerat e normales dhe të asaj që është e lejuar me standardet ndërkombëtare, ndotja e ujit, shkatërrimi i lumenjve, degradimi i pyjeve në mënyrën më të shëmtuar të mundshme, humbja e biodiversitetit dhe mosmenaxhimi i mbeturinave, janë vetëm disa prej fakteve që duhet t’i brengosë, jo vetëm institucionet e Kosovës, por secilin qytetar të vendit tone, kur dihet se të gjitha këto janë pasuri kombëtare dhe të gjithë ndiejmë përgjegjësi për ruajtjen dhe kujdesin ndaj tyre në një mënyrë apo në një tjetër.

Të gjitha qeveritë e pasluftës u arsyetuan me faktin se nuk ishte prioritet mjedisi, por statusi i padefinuar dhe problemet politike që ndikuan në marrjen e masave të nevojshme për ruajtjen e mjedisit dhe të burimeve natyrore! Me krejt çfarë u mburrën këto qeveri ishte hartimi i legjislacionit dhe krijimi i disa institucioneve përgjegjëse për këtë fushë në Kosovë. Por, një gjë është e qartë – hartimi i legjislacionit nuk është vetëm ushtrim kopjimi, por është përkthim i nevojave të shoqërisë në rregulla.

Janë për t’u përshëndetur hapat që ka filluar t’i ndërmarrë Qeveria e kryeministrit Thaçi me iniciativën e tij për mbjelljen e fidanëve, me moton “Një qytetar – një fidan”, iniciative kjo që u përkrah nga shumë qytetarë të vetëdijshëm për ruajtjen e mjedisit si nevojë ekonomike, shëndetësore dhe kulturore.

Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, si institucioni më përgjegjës në fushën e mjedisit, ka financuar disa projekte të iniciuara nga komunat e ndryshme të Kosovës dhe ka nxjerrë disa udhëzime administrative, hapa këta që janë për t’u lavdëruar, , por mbetët ende shumë për tu bërë.

Tani kur Kosova synon integrimin në strukturat euroatlantike, si në NATO dhe BE, duhet marrë masat e nevojshme në fushën e mjedisit, siç janë harmonizimi i legjislacionit mjedisor me standardet e BE-së, nënshkrimi, ratifikimi dhe zbatimi i konventave ndërkombëtare që kanë të bëjnë me çështjet mjedisore, nxjerrja e legjislacionit sekondar me qëllim zbatimin e legjislacionit në tërësi, si dhe monitorimi dhe inspektimi sistematik i nevojshëm për një mjedis më të pastër.

(Autori i vazhdon studimet master për menaxhim mjedisi në Estoni)