LAJMI I FUNDIT:

Mbizotërimi i interesit politik

Globalizmi, që është prirja aktuale, shkakton kundërshtime në rrafshin ekonomiko – tregtar, duke lënë disi në hije rolin dhe peshën e politikës në këtë proces. Është politika që i paraprinë globalizmit, sikurse është po ajo që i inicion dhe vendos për vendosjen e kufijve të pakalueshëm për realizimin e raporteve tregtare në mes shteteve.
Nuk kam qëllim dhe, aq më pak kompetencën të flas për raportet aktuale euroatlantikve me Iranin, por ndihem i detyruar të jap një mendim për ecurinë e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, nisur nga fryma dhe përmasat e globalizmit në përqasje me interesat e sotme të politikës zyrtare në Serbi dhe Kosovë.

Raportet në mes të këtyre dy shteteve (Kosovës dhe Serbisë) u krijuan, ekzistojnë dhe po vazhdojnë të funksionojnë nën trysninë dhe monitorimin e ndërkombëtarëve. Me nismën dhe ndërmjetësimin e tyre filluan bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit që dhe do të vazhdojnë. Ky fakt dihet dhe pranohet botërisht, por tërheq vëmendjen një dukuri: qeverisësit e të dy vendeve i konsiderojnë arritjet e derisotme të bisedimeve dhe vazhdimin e tyre si procese në favor të interesave të tyre politike, ndërkohë që fragmente të rëndësishme të opozitës në Serbi dhe në Kosovë i kundërshtojnë këto procese, duke i etiketuar si favore “të papërgjegjshme” apo “të qëllimshme” ndaj palës kundërshtare.


Ky përfundim paradoksal, i arritur tej çdo arsyetimi formal dhe që mbështetet mbi paragjykimet nacionaliste, nxitet, ushqehet, realizohet e manifestohet në Prishtinë dhe në Beograd, thjesht dhe vetëm për interesa të drejtpërdrejta politiko-partiake. Përgjegjëse ndaj shteteve përkatëse, qeveritë në Kosovë dhe në Serbi me nismën, trysninë dhe nën monitorimin e ndërkombëtarëve, duke respektuar kushtetutat, nisën dhe pritet të vazhdojnë bisedimet në mes të tyre. Finalizimi i tyre do të ketë kosto politike për mazhorancat aktuale kuvendore në Prishtinë e Beograd. Kjo mendoj se është arsyeja që fundi i këtij dialogu nuk do të jetë i afërt në kohë, sepse:

– Serbia është në prag zgjedhjesh. Tadiqi synon të rizgjidhet dhe pret marsin për të marrë statusin “e vendit kandidat” për në BE;
– Kosova duhet të zgjedhë kreun e shtetit (presidentin) dhe të përgatitet për zhvillimin e njëkohshëm të zgjedhjeve parlamentare, apo për shtyrjen e tyre.

Avantazhet apo disavantazhet në vlerësimin politik dhe mediatik të bisedimeve Kosovë – Serbi, të përcjella në kuadrin shtetëror (në Kosovë dhe Serbi) dhe ndërkombëtar, janë drejtpërdrejt vepruese dhe me peshë në rezultatin e zgjedhjeve të pritshme në të dy shtetet. Interesi politik për ecurinë e bisedimeve është thuajse përcaktues, sepse ende nuk e lejon faktori ndërkombëtar të jetë i pashmangshëm. Shpesh përdoret një thënie, që nuk besoj që duhet të jetë me orgjinë shqiptare: “U gjend në vendin e duhur, por jo në kohën e duhur” me kundërthënie: “Në vendin e duhur, por jo në kohën e duhur”.

U mora me një “rebus” për të sjellë në vëmendje dizavantazhet dhe përparësitë e ndikimit të krizës së eurozonës në zgjidhjen optimale dhe të shpejtë të ngërçit më jetëgjatë dhe më të rrezikshëm për Ballkanin në këtë fillim shekulli. Vëmendja e miqve tanë, bashkautorë të kontributeve determinues për statusin shtetëror dhe ndërkombëtar që sot gëzon Republika e Kosovës, nuk duhet, por, kryesisht, nuk mund të jetë po e njëjtë. Politika na ka larguar disi të gjithëve nga morali tradicional, por gjithsesi na ka bërë më realistë për të gjykuar rrethanat.

Dhe, nën zhvillimet në eurozonë, kur po diskutohet falimentimi shtetëror, si ai i Greqisë, ne po merremi “seriozisht” të vazhdojmë apo të ndërpresim bisedimet me Serbinë. Të jemi të sinqertë. Bota është e madhe. Në Siri vazhdojnë të vriten njerëz. Situata në Egjipt është e vështirë. Në Libi djali i Gadafit kërcënon. Në Pakistan vriten përditë me dhjetëra vetë. Mund të vazhdojmë! Po le të themi: Sasia e popullsisë dhe e sipërfaqes gjeografike kanë qenë, janë dhe do të mbeten kritere për vlerësimin e tyre.

Çështja shqiptare është tej fokusit të vëmendjes. Kemi avantazhin që jemi në qendër dhe në skajin më perëndimor të Ballkanit, pa të cilin BE-ja nuk mund ta pretendojë njësinë (Evropa s’mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin). Kemi mundësinë t’i kontribuojmë stabilitetit (nëse vazhdojmë të sillemi si deri tash), por dihet që shqiptarët kanë në dorë, natyrshëm, detonatorët e shpërthimit të konfliktit në Ballkan. Po përmend vetëm një fakt historik: Kryeqendra e vilajetit të Kosovës ka qenë Shkupi. Flamuri i Pavarësisë së Shqipërisë në gusht të 1912-ës u ngrit në Shkup. E përmenda këtë fakt për të theksuar: Fantazmat e historisë mes fqinjëve janë përherë mbytëse. Evropa demokratike arriti të mbytë supërfantazmat franko – gjermane. Në raportet Serbi – Kosovë, mendoj se pengesat historike dhe mitologjike, në kuadër të një Evrope dhe fryme universal demokratike, janë më të kalueshme dhe të asimilueshme.

Ardhmëria aktuale historike e të dy shteteve, e Kosovës dhe e Serbisë, është BE-ja. Fundi i njëjtë, pavarësisht nga koha e nisjes, unifikon strukturën shtetërore të të dy shteteve. Kosova, e njohur deri tani nga 88 shtete, do të jetë e barabartë mes të barabartëve. Rruga është e hapur ndërkombëtarisht. Dëshiroj ta ndihmojmë edhe ne, politika dhe politikanët kosovarë! Nëse dikush nuk do ta bëjë këtë, le të përpiqet të mos e pengojë.