LAJMI I FUNDIT:

Mbi origjinën etnike, biografinë, ndryshimet në emër e mbiemër, datën dhe vitlindjen e Migjenit!

Mbi origjinën etnike, biografinë, ndryshimet në emër e mbiemër, datën dhe vitlindjen e Migjenit!

Petro S. Luarasi

Skënder Luarasi tek përmbledhja “Migjeni” sqaron: ‘’Megjithëse Migjeni ka rrojtur e ka punuar në kohën tonë dhe shumë prej nesh e kanë njohur e kanë folur personalisht me të, në sa është shkruar për të, janë thënë edhe gjëra që nuk i përgjigjen së vërtetës. Për të dëftyer se të ç’natyre janë këto gabime, të cilat na bie për barrë t’i ndreqim, po e nisim me datëlindjen e Migjenit. E bazuar nuk e di se në ç’dokument, ‘Literatura Jonë’, viti 1948, jep motin 1910. Sipas librit të shtëpisë, në të cilin janë shënuar ngjarjet kryesore të gjithë familjarëvet, gjejmë datën e vërtetë të lindjes së Migjenit: 13 tetor 1911- me stilin e ri kalendarik (30 shtator 1911, me stilin e vjetër); dhe u nda nga jeta në moshën 27-vjeçare më 26 gusht 1938 (me stilin e ri)”.

Më tej, në librin e cituar S. Luarasit në mënyrë të hollësishme dëshmon gjakun shqiptar të Migjenit: “I gjyshi i Migjenit, Nikolla, e kishte origjinën nga Dibra e Madhe, nga fshatrat ortodokse shqiptare të Rekës (andej ka qenë edhe poeti patriot Josif Jovan Bagëri) – qe shpërngulur në Shkodër nga mezi i shekullit të XIX-të. Kemi plot këso familje të shpërngulura në këtë qytet të Veriut: Gjergaj, Trimçev, Siliqi, Banushi, Kadiqi, Dibra etj. Kur shkonte si murator nëpër katundet e ndryshme, në Mal të Zi, Nikolla u njoh dhe u martua me Stakë Milanin nga Kuçi, e cila edhe ajo si gjithë banorët e asaj krahine, kishte shqipen për gjuhë amëtare. Ata lindën dy djem: Gjergjin (Gjokën) dhe Kriston. Gjergji, tregtar, më 17 shtator 1900 u martua me Sofi Anastas Kokoshin. Nga këta prindër shqiptarë lindi Millosh Gjergj Nikolla, nga familja dibrane e Nikollave dhe ajo shkodrane e Kokoshëve… etj.”


Trillimet e Agronit të Lukajve (Agron Luka) e të tjerëve “Mbi origjinën etnike, biografinë, ndryshimet në emër e mbiemër, datë dhe vitlindjen e Migjenit!” prej vitesh synojnë të tjetërsojë, por më kot, vlerat e mirëfillta të Migjenit dhe familjarëve të tij. Asgjë të re nuk ofroi pas shumë vitesh diskutimi mes nesh: Dokumentet që i ka dorëzuar tjetërkush në arkiv dhe konkluzionet e studiuesve ndër vite, ai i quan zbulime personale… Mendimet e perifrazimet e tij të shoqëruara me thonjëza i konsideron citime autorësh… Ngjarjeve dhe fakteve të mirënjohura u heq e vë vellon enigmatike duke mahnitur veten…

Por, Agroni i Lukajve nuk do t’ia dijë për faktet. Ai publikon materiale të dorëzuara në arkiv prej Skënder Luarasit, familjarëve e miqve të Migjenit, ku shkruhet p.sh. datëlindja e Migjenit 30 shtator 1911 dhe bën sikur zbuloi “datëlindjen e re” që në fakt është sipas kalendarit të ri 13 tetor 1911, sikurse e ka sqaruar edhe S. Luarasi etj. Sa dëshirë ka Agroni i Lukajve për ta bërë Migjenin “të huaj” edhe në gjen, edhe në mendësi, në jetë e në vepër, apo për të tjetërsuar kontributin e mirënjohur të Skënder Luarasi, vetëm se ai ka zbuluar e mbrojtur të vërtetën e jetës dhe të veprës migjeniane, ku i ati i Agronit, ish-nxënës i Skënder Luarasit, ka kryer mëkatin e deformimit dhe përvetësimit.

Ndërkohë, dihet mirëfilli miqësia e hershme e Skënder Luarasit me Milloshin, dashamirësia e tij për botimin e “Vargjeve të Lira”, mbrojtja publike që i bënte jetës dhe veprës së tij duke u përballur me pikëpamjet të mjaft personaliteteve mbi të cilat koha i dha të drejtë: mbi gjenin e ndjesinë shqiptare të familjes ortodokse të Migjenit, përbërjen familjare, ditëlindjen, pikëpamjet, rolin dhe rëndësinë që paraqiste në letrat dhe arsimin shqiptar. Por, ka një lidhje edhe më të hershme historike mes familjeve Luarasi e Nikolla në bindjet atdhetare dhe ortodoksinë shqiptare. I ati i Migjenit dhe djali i madh i Petro Nini Luarasit, Dhimitri, qenë respektivisht delegatë të Shkodrës e Kolonjës në Kongresin Themelues të KOASH, në Berati, më 1922, ku edhe firmosën si ortodoksë atdhetarë shqiptarë…

Shkarrashkrimin me subjekt të ripërsëritur kushedi sa herë ndër vite dhe që ka marrë përgjigjet përkatëse, Agroni i Lukajve e botoi edhe në gazetën “Koha Jonë”, emërtim që na kujton një ngjarje interesante. Përkundër hipotezave të Agronit të Lukajve, Skënder Petro Luarasi dhe Millosh Gjergj Nikolla qenë intelektualë atdhetarë me interesa të gjera, atdhetare e kulturore. Në pranverë të vitit 1935, një grup intelektualësh përparimtarë menduan të botonin në Shkodër një revistë kulturore ku të shpalosej fjala e lirë shqipe dhe pikëpamjet përparimtare.

Sipas studiuesit Iliaz Gogaj, “Skënder Luarasi ishte organizator shoqëror i veprimtarisë së këtyre mësuesve, me të cilët u lidh një shoqëri e miqësi e vërtetë, duke i vënë edhe këto ndjenja të fuqishme në funksion të çështjes kombëtare” ( Iliaz Gogaj: Skënder Luarasi – shëmbëlltyrë e përkryer e mësuesit atdhetar e demokrat, “Mësuesi”, 2 maj 1992) Realizimi i këtij qëllimi paraqiste vështirësi të mëdha për shkak të ligjit të rreptë për shtypin dhe censurës qeveritare. Takimi i intelektualëve u bë në sallën e shoqërisë “Vllaznia”. Në mbledhje morën pjesë anëtarë të shoqërisë “Besa Shqiptare”, anëtarë të kolektivit mësimor të Gjimnazit dhe drejtori i konviktit, mësuesi i letërsisë Skënder Luarasi. Në procesverbalin e mbajtur më 19.5.1935 nga Masar Bushati shënohen emrat e pjesëmarrësve me këtë renditje: Skënder Luarasi, Selim Shpuza, Gani Dizdari, Salo Halili, Millosh Nikolla, Teufik Gjyli, Rragip Gjylbegu, Malo Beci, Rrefik Shpuza, Ahmet Çaku. Çështjet kryesore që u diskutuan qenë: ”Mundësia e nxjerrjes së një reviste në Shkodër, ku secili nga pjesëmarrësit ‘të paguante proporcional shpenzimet e shtypit… e të zgjeronte qarkun e veprimit tue sjellë edhe të tjerë shokë të interesuem”pajtimtarëve të rinj ndër kolegë, bashkëpunëtorë e studentë. Gjithashtu synohej që të kishte më shumë krijuesish shpirtra të rinj… dhe drejtime të rinj”.

Sipas procesverbalit: ‘’Më 20.5.1935, ditën e hënë ora 6,30 mb.dite ”në mbledhje do të diskutohej për emrin e revistës dhe përcaktimin e programit, të përcaktohej drejtori përgjegjës dhe nxjerrja e lejes së botimit.”

Skënder Luarasi propozoi që revista të quhej ‘’Koha Jonë‘’, Gani Dizdari “Drita”, Millosh Nikolla “Sot”, Teufik Gjyli “Drita e Djelmënisë‘’, Rragip Gjylbegu “Zgjimi” Malo Beci ‘’Kultura”, Refik Shpuza “Erdhi Koha”.

Në mbledhjen e datës 29.5.1935 u vendos që revista të titullohej ”Vepra” dhe të kishte një karakter kulturor e laik. Komisioni që do të hartonte programin e revistës u vendos të përbëhej prej pesë vetësh, të kryesuar nga Skënder Luarasi e Selim Shpuza. Në procesverbal u shkrua se ”Komisioni mori përsipër gatimin e programit të revistës, në vija të shkoqituna, tue kërkue një afat prej një javë ditësh” për në mbledhjen e ardhshme më 17.6.1935.

Por, autoritetet e regjimit nuk e lejuan botimin e revistës. Ndërsa ‘’Koha Jonë‘’ me stafin e saj botues, viteve të para të demokracisë, u sulmua e u shkrumbos, por nuk u mposht.

Kush ia zbërthen logjikën, i beson dhe publikon lajthitjet e Agronit të Lukajve se kinse “Enveri dhe Mehmeti, më vonë ia miratuan S.L., sajesat me merita e ngarkesa barrash, me copa letrash manoscrite, pastaj ia ulën, pastaj e ringritën… pastaj medemek e goditën, e përjashtuan nga Lidhja se mbrojti Kadarenë” e tërci e vërci. Ato janë fantazi e kulluar sepse dihet mirëfilli marrëdhënia e Skënder Luarasit me diktatorin, se si u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve në Konferencën e Tretë, 1949, për qëndrimin parimor në mbrojtje të parimeve demokratike si bashkë me Sejfulla Malëshëvën e Ymer Dishnicën, dhe u cilësuan ‘’armik i Partisë” jo vetëm në raportin e publikuar të kryesisë, por edhe në veprën e gjashtë të Enver Hoxhës. Sa për mbrojtjen që i bëri Kadaresë dhe romanit të tij “Gjenerali…”, u përjashtua vetëm nga Klubi i Shkrimtarëve, të mos pinte kafe me sheqer, me shokët, si ‘’sherrxhi, ngatërrestar”.

Ndërsa, shpifja tjetër e Agronit se kinse S. Luarasi aso kohe “gjuante kundra A. Pipës etj., duke u përpjekur të tërhiqte direkt vëmendjen e M. Shehut dhe E. Hoxhës…”, në fakt meriton ndëshkim penal, por po e mëshirojmë vetëm me gjykimin e opinionit publik. Skënder Luarasi i ka patur nxënës të dy vëllezërit Myzafer e Arshi Pipa, në Gjimnazin e Shkodrës në vitet 1934-35, krahas Qemal Stafës, Vasil Llazarit, Xhemal Brojës, Fadil Hoxhës, Lazër Radit e qindra të tjerëve, prej të cilëve kurdoherë është nderuar e vlerësuar për kontributin atdhetar e intelektual, si mësues dhe mik i rinisë së emancipuar. Arshi Pipa ka shkruar një letër ku i referohet mësuesit të tij Skënder Luarasi:

“7 janar 1992

I dashur bashkatdhetar , z. Petro Luarasi

Ju falem nderit shumë për dorëshkrimin e çmueshëm të hartimit tim (“Mosha më e begatë është rinia”) për babanë tuaj, që atëherë, d.m.th. gjatë vjetit akademik 1935-1936 ishte profesor i shqipes në gjymnazin e Shkodrës. Ju e keni botuar këtë hartim te gazeta “Republika” e datës 16 qershor 1991, dhe më keni dërguar faqen e gazetës me hartimin tim. Ju falemderit për dhuratën se kjo juaja është vërtetë një dhuratë për motin e ri. Ju dëshironi që të ju them diçka për atin tuaj…

Do ta karakterizoja atë si revolucionar i së mëngjërës. Nuk e dij në ishte komunist kur erdhi në Shkodër, si profesor i shqipes. Por dij të them se ai ka lozur një rol të dorës së parë në mbjelljen e ideve revolucionare në Shkodër gjatë qëndrimit të tij të shkurtër. Ishte një folës shumë i mirë, me prirje të fortë aktori dhe me dashuri të veçantë për dramaturgjinë gjë që duket qartas nga përkthimet e tij…

Gjatë vjetit akademik 1935-36 ai u përqëndrua tek komentimi i ‘Vilhelm Telit’, përkthyer nga ai vetë. Ishte karizmatik prej natyre dhe tërhiqte nxënësit me të cilët kishte bisedime të shpeshta.

Revolucionarizmin e tij militant antifashist Skënderi e tregoi kur vate në Spanjë të luftojë bashkë me plot antifashistë të kombësive të ndryshme të radhitur në Brigadat Ndërkombëtare. Por, ai bënte pjesë që kur ish student n’Austri në pararojën e rinisë kombëtare, ushqyer me idealet atdhetare të babait të tij Petro Nini Luarasit si edhe të patriotëve të tjerë shqiptarë. Më vonë, pas Luftës së Dytë Botërore, qe Skënderi ai që bashkë me Sejfulla Malëshovën organizoi mbledhjen dhe themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, me praninë në tribunën e nderit të klerikëve katholikë si Imzot Vinçenc Prendushi dhe Dom Ndoc Nikaj. Ideologjia te Skënderi nuk vinte në radhën e parë, në këtë radhë vinte ideali i tij atdhetar-kombëtar. Kuptohet pse ai u tërhoq dalngadalë nga jeta politike,duke iu kushtuar profesoratit të shqipes dhe punës shkencore.

Studimi im shkruar frëngjisht mbi Migjenin “Mythi i prendimit në poezinë e Migjenit” (Sudost-Foschungen,1971) është bazuar në vëllimin Migjeni, Vepra (1961) të përgatitur nga Skënder Luarasi.

Me Skënderin jam takuar pas lirimit tim nga burgu më 1956. Ka qenë i vetmi ndër shokët dhe të njohurit që më dha të njohur botërisht, të tjerët më mënjanoheshin. Kemi shëtitur bashkë disa herë në bulevardin e Tiranës, duke folur për letërsi, art dhe mbi thema jo politike. Të jeni kryelartë për një baba të këtillë, duke ndjekur shembullin e tij”. (Kjo letër është botuar e plotë në gazetën ‘’Drita”, 16 janar 2002, f.12. Origjinali ruhet në familjen S.Luarasi)

Në trend Kultura

Më shumë
Pema gjenealogjike e familjes së Skënderbeut

Pema gjenealogjike e familjes së Skënderbeut

Kulture
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur

Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur

Fjala+
Historia e panjohur e pasardhësve të Skënderbeut

Historia e panjohur e pasardhësve të Skënderbeut

Kulture
BRODHA I VETËM SI NJË RE

BRODHA I VETËM SI NJË RE

Poezi
Thënie për gruan: Të arsimosh një femër do të thotë të arsimosh një shoqëri

Thënie për gruan: Të arsimosh një femër do të thotë të arsimosh një shoqëri

Fjala+
LETRA

LETRA

Poezi
Kalo në kategori