LAJMI I FUNDIT:

Masat e reja anti-COVID, Hoti paralajmëron mbyllje totale

Masat e reja anti-COVID, Hoti paralajmëron mbyllje totale

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti paralajmëron se Kosova po shkon sërish drejt mbylljes totale, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kreu i ekzekutivit tha se pritet që masat e reja të hyjnë në fuqi brenda dy ditësh.

Ai tha se i kupton shqetësimet e bizneseve, por se primar është “ruajtja e shëndetit publik”.

Në këtë intervistë, kryeministri Hoti po ashtu kundërshtoi ashpër thirrjet për ndërprerjen e dialogut me Serbinë.


“Janë dy zgjidhje: ose mund të mbajmë vendin e izoluar edhe të ankohemi në Prishtinë me deklarata për shtyp, në konferenca për shtyp, ose shkojmë në Bruksel dhe ulemi në tavolinë të dialogut dhe mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës. Unë kam zgjedhur ketë të dytën”, porositi ai.

Ai shtoi se zhvillimet që lidhen me Dhomat e Specializuar duhet të lihen anash dhe të mos lidhen me proceset e tjera.

Kosova gati në “limitet e kapaciteteve spitalore”

Zoti kryeministër, në kohën kur po flasim, vendi po përballet me pandeminë, po shohim rritje të rasteve, po ashtu edhe masa të tjera. A po shkohet drejt mbylljes totale sërish?

Hoti: Gjendja është vërtetë e rëndë, tepër e rëndë. Numri i rasteve të reja është tepër i lartë edhe jemi gati në limitet e kapaciteteve që kemi në spitalet tona. Jemi të detyruar të marrim masa që janë bukur drastike. I kemi ndërmarrë disa masa deri më tash, disa masa pak më strikte vikendin e kaluar dhe tash jemi duke i përgatitur masat të cilat besoj për dy ditë hyjnë në fuqi sepse jemi duke i kryer disa konsultime të nevojshme brenda organizatave të ndryshme, me bizneset, me odat ekonomike, me grupe të ndryshme që i prekin kryesisht këto masa, por jemi të detyruar t’i ndërmarrim masa.

Jemi duke i ndjekur protokollet që i kanë zbatuar edhe vendet e tjera, por ne jemi në një situatë më të vështirë për shkak të kapaciteteve të limituara në spitale, për të akomoduar të gjithë ata që kanë nevojë për shërbim spitalor.

Duhet thënë që për vite të tëra nuk ka pasur rritje të kapaciteteve në spitale dhe pavarësisht përgatitjeve që i kemi bërë me rritje të kapaciteteve për testim ta zëmë, ose me përfshirjen e spitaleve nëpër regjione dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, edhe me rritjen e të punësuarve në institucionet shëndetësore, prapë është e pamundur që të përballojmë situatën. Prandaj, jemi të detyruar të shkojmë drejt masave ekstreme, përfshirë edhe mbylljen totale.

A ka mundësi të gjendet një mes, për shkak se po shohim që bizneset po kundërshtojnë mbylljen totale. Thonë se nuk do të mund të mbijetojnë. Do të thotë, si kryeministër i vendit, a shihni se ka ndonjë rrugë që do të mund t’i linte të kënaqura të gjitha palët?

Hoti: Tash, sigurisht prioritet është jeta e qytetarëve, shëndeti publik. Po gjithashtu, unë besoj që po tregojmë edhe kujdesin e duhur edhe për aktivitetin biznesor, në mënyrë që të kenë mundësi bizneset, qytetarët, njerëzit të mbijetojnë, të sigurojnë të ardhurat e tyre për familje dhe mbijetesë, por mbi të gjitha është shëndeti.

Ne po mundohemi të konsultohemi vazhdimisht për masa që i ndërmarrim. Në të njëjtën kohë, me aq sa kemi kapacitete, t’ju ndihmojmë bizneseve gjatë periudhe të vështirë dhe ju kemi ndihmuar jo pak.

Deri më tani janë 270 milionë euro që i kemi shpërndarë në forma të ndryshme te bizneset, përfshirë edhe këtë shumën e fundit para dy-tri javësh, prej 60 milionë eurosh që shpërndamë te bizneset bazuar në numrin e punëtorëve. Edhe për vitin e ardhshëm e kemi paraparë Fondin për rimëkëmbje ekonomike. Nuk janë masa që i marrim me dëshirë. Po mundohemi që të balancojmë gjërat në vendimmarrje, por duke e vendosur si prioritet shëndetin publik.

“Kushdo që kërkon ndërprerjen e dialogut e ka shumë gabim”

Kryeministër, ushtruesja e detyrës së presidentit të Republikës, Vjosa Osmani, ka kërkuar ndërprerjen e dialogut me Serbinë. Po ashtu edhe partneri i juaj në koalicionin qeveritar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që të ndërpritet dialogu për shkak të zhvillimeve të fundit, sa i përket Gjykatës Speciale. Cili është qëndrimi i qeverisë, çka do të ndodhë?

Hoti: Zhvillimet që lidhen me Dhomat e Specializuar duhet t’i lëmë anash, në kuptimin që të mos i lidhim me këto proceset e tjera. Është një proces tjetër që po ndodh me këto Dhoma të Specializuar. Fatkeqësisht, figura të larta dhe shtetërore dhe politike janë të përfshira në atë proces, por qeveria po funksion dhe zotimet shtetërore që i kemi, jemi duke i dalë zot. Kushdo që ka një qëndrim të tillë që duhet të ndalet procesi i dialogut, e ka shumë gabim. Nuk duhet të përdoret asnjëherë dialogu për qëllime të ngushta, siç po veprojnë disa. Procesi i dialogut dhe pjesëmarrja e Kosovës në dialog në Bruksel, nuk bëhet për interesa të Serbisë, por bëhet për interesa të Kosovës, të fuqizimit të shtetësisë së Kosovës.

Janë dy zgjidhje: ose mund ta mbajmë vendin e izoluar edhe të ankohemi në Prishtinë me deklarata për shtyp, në konferenca për shtyp, ose shkojmë në Bruksel dhe ulemi në tavolinë të dialogut dhe mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës.

Unë kam zgjedhur këtë të dytën. Ata politikanë që e kanë zgjedhur këtë të parën, për një kohë ju e dini se ku e kanë çuar vendin. Deri më tash dhe ne na është dashur punë shumë e madhe, vendime shumë të vështira jopopuliste, për të treguar që ne jemi një qeveri kredibile, që i dalim zot vendit, e hapur, pro-evropiane, që dimë se si të mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës dhe nuk kemi asnjë hezitim që të ulemi në tavolinë të dialogut sepse parimet i kemi të qarta dhe dimë se pse po shkojmë në atë tavolinë të bisedimeve.

“Kosova nuk do të mbetet e izoluar sa jam unë kryeministër”

A do të ketë qeveria që ju drejtoni fuqi që të mbijetojë dhe ta çojë përpara procesin e dialogut dhe të mbajë të unifikuar koalicionin?

Hoti: Besoj një gjë është e qartë, sa i përket procesit të dialogut, unë i kam plotësisht kompetencat kushtetuese për të çuar përpara këtë proces dhe unë nuk do ta lë vendin të izoluar. Le të ankohen sa të donë kushdo në skenën politike, Kosova nuk do të mbetet e izoluar për aq kohë sa unë jam kryeministër.

Pra, po thoni se dialogu nuk ka alternativë dhe se do të vazhdoni bisedimet me lidershipin serb për të arritur marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë?

Hoti: Dialogu nuk duhet të ndërpritet sepse nuk është në interesin e Kosovës. Unë besoj se ne i shërbejmë më së miri shtetësisë së Kosovës edhe atyre njerëzve që janë në Dhomat e Specializuara, duke treguar maturinë shtetërore për të gjitha proceset, përfshirë edhe procesin e dialogut.

S’ka vota për presidentin, duhet marrëveshje ose zgjedhje të reja

Meqenëse po flasim për procese të rëndësishme që ju keni nevojë për mbështetje, a e shihni të nevojshme që koalicioni aktual të zgjerohet për të çuar përpara këto procese?

Hoti: Tash jemi para një situate të re, ku presidenti (v.j. Hashim Thaçi) ka dhënë dorëheqje. Besoj që është periudhë e ndjeshme, pasi ai sapo ka dhënë dorëheqje. Tash kanë filluar proceset në Dhomat e Specializuara, prandaj në një moment të duhur kohor, do të ulemi dhe do të shohim nëse do të mund të arrijmë konsensusin e nevojshëm për të tejkaluar këtë situatë. Në aspektin kushtetues është më se e qartë. Tani, partitë politike duhet të ulen bashkë për të gjetur zgjidhje për presidentin e vendit, ose për t’u dakorduar për zgjedhje të reja. Është e qartë se me votat që i ka ky koalicion qeverisës, nuk mund ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, prandaj duhet një marrëveshje përtej këtij koalicioni qeverisës. Se si do të duket kjo marrëveshje, është shumë herët të flitet sepse nuk jemi ende duke diskutuar.

Sot ishit pjesë e samitit për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit dhe si konkluzë doli që megjithatë jeni pajtuar bashkë më liderët e shteteve tjera, që të krijohet një treg i përbashkët rajonal. Çfarë janë avantazhet e Kosovës në këtë treg të përbashkët?

Hoti: Në njëfarë mënyrë ne kemi pasur një treg rajonal, përmes CEFTA-s rajoni ka funksionuar si një treg në shumë aspekte, kemi pasur shumë barriera dhe kemi ende shumë barrierë, që janë kryesisht të natyrës jotarifore dhe që vijnë për shkak të problemeve politike që kemi në këtë rast në mes vendeve Kosovës dhe Serbisë, por edhe Kosovës me Bosnjë e Hercegovinën.

Unë besoj se deklarata që kemi nënshkruar dhe zotimet që kemi marrë sot, mundësojnë që të tejkalojmë shumicën e barrierave dhe të integrohen ekonomikisht vendet në rajon. Kjo është përfituese për të gjitha vendet, përfshirë edhe Kosovën, sepse është ndryshe kur ke qasje në një treg që ka shumë më tepër konsumatorë për të funksionuar dhe shitur produktet. Por, mbi të gjitha ndikon shumë në tërheqjen e investimeve, në rritjen e konkurrencës dhe përgatitjen e këtij tregu për integrim në BE. Ajo që për ne është shumë e rëndësishme, është se ky treg nuk e zëvendëson tregun e përbashkët me BE-në, por e rrit integrimin ekonomik në mes vendeve.

Unë sot i kam dhënë edhe vërejtjet tona, si qeveri, si Kosovë, për këtë proces sepse kemi një situatë që është e pabarabartë në mes vendeve të rajonit, në kuptimin se disa nga vendet e rajonit, përveç se po bëhemi bashkë dhe kemi aranzhime të caktuara tregtare me vendet e BE-së, disa vende të rajonit, siç është Serbia, ka marrëveshje tregtie me vendet e lindjes, me Kinën, Rusinë dhe vende tjera. Përmes atyre marrëveshjeve, ato vende depërtojnë në tregun e rajonit. Dhe më vjen mirë që janë marrë parasysh nga Bashkimi Evropian si vërejtje që vijnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Por, marrë parasysh unë kam pritje mjaft pozitive sepse është bërë një hap mjaft i madh drejt unifikimit të tregjeve, rritjes së konkurrencës, e kështu më radhë.

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Kalo në kategori