LAJMI I FUNDIT:

Maliqi: Bashkimi Evropian dhe Modelet Kadastrale

Maliqi: Bashkimi Evropian dhe Modelet Kadastrale

Dr.sc Edon Maliqi, Profesor i Hartografisë dhe Gjeoinformatikës, ka bërë së fundmi një analizë rreth modeleve kadastrale që ekzistojnë në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

I
Në dy dekadat e fundit Kadastra merret si bazë për zhvillimin e Sistemeve të Informacionit të Tokës (Eng: Land Information System). Vende të ndryshme termin “Kadastër” përkufizojnë në mënyra të ndryshme. Prandaj në Deklaratën me numër 11/1995, dhënë nga Federata e Gjeodetëve të Botës është përcaktuar kuptimi i termit “Kadastër”. Në këtë aspekt, Kadastrat regjistrojnë të dhëna për të drejtat e njerëzve (publike dhe private) në raport me një zonë të caktuar të tokës, p.sh. informacioni për pronarin e një parcele, të dhënat gjeometrike (koordinata dhe harta), përdorimi i tokës, etj. Çdo gjë në tokë është e lidhur siç lidh familjen gjaku i saj, e kadastrat kanë lidhje me tokën gjithnjë. Në fakt, kur njerëzit filluan të merreshin me bujqësi, ishte e nevojshme të dihej se kujt i takon një tokë dhe kush duhej të paguante taksat e caktuara për pronat e caktuar. Meqë, bujqësia i lidhi njerëzit me tokën, ishte e nevojshme të krijohet Kadastra, përkatësisht është. rezultat i një marrëdhënieje që njeriu ka me tokën, por ama toka nuk i përket njeriut, ndërsa njeriu tokës, po.


II
Zhvillimi i industrisë në Evropë sikur e prishi marrëdhënien e fortë të njeriut me tokën. Sepse tokën e bëri mall dhe krijoi tregun e tokës. Toka shihej si kapital, ndërsa Kadastrat e bënë të mundur tregun e tokës. Planifikimi i përdorimit të tokës ishte i domosdoshëm sidomos për shkak të rindërtimit pas luftës së dytë botërore. Por si rritja ekonomike ashtu edhe rritja e popullsisë ndikuan në këtë gjë. Dhe, në këtë situatë Kadastrat kanë luajtur rol të rëndësishëm. Të dhënat kadastrale përdoren për të përkrahur transaksionet dhe tregjet e tokës, ndihmojnë në administrimin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, si: bujqësia, mbrojtja e ambientit, pylltaria, shërbimet publike, etj. Prandaj në fillim, toka ishte objekt i shfrytëzimit, pastaj u shndërrua në një mall dhe kapital të shkëmbyeshëm dhe së fundmi toka është bërë një objekt që duhet planifikuar dhe mbrojtur. Derisa Kadastra e vjetër mbetet vetëm një inventar i Tokës, me Kadastrën e re synohet integrimi i qëllimeve mjedisore, sociale, ekonomike, ligjore e tatimore.

III
Në Bashkimin Evropian (BE) nuk ekziston një model i vetëm kadastral. Pothuajse secili shtet ka një model të vetin kadastral në mënyrë që t’i përmbush nevojat e shtetit. Kadastra dhe Regjistri i tokës në shtet anëtare të BE-së mund të grupohen sipas disa karakteristikave të njëjta, si në vijim:
• Në gjithë Bashkimin Evropian Kadastra konsiderohet si një mjet me interes kombëtar në politikën ekonomike, prandaj me Kadastrën udhëheq administrata qendrore e atyre vendeve, me përjashtim të Gjermanisë ku përgjegjësia bie mbi shtetet federale (landet).
• Në vendet ku Kadastra u krijua për qëllime të tatimimit, pra në Belgjikë, Spanjë, Francë, Itali dhe Luksemburg, ministria që menaxhon me Kadastrën është Ministria e Financave. Një grup tjetër i shteteve (Greqi, Finlandë, Holandë dhe Portugali) është kur Kadastra menaxhohet nga ministri të tilla si: Ministria e Bujqësisë ose Ministria e Ambientit. Gjithashtu ka shtete si Danimarka dhe Suedia që Kadastra është përgjegjësi e një institucioni të pavarur që funksionon si agjenci në kuadër të një ministrie (Ministria e Ambientit).
• Vendet e BE-së grupohen në dy kategori: (1) Në shtete që kanë një institucion të vetëm kadastral siç janë Austria, Danimarka, Finlanda, Luksemburgu, Portugalia, Suedia dhe (2) Në shtete që kanë institucione të ndara për Kadastër dhe Hartografi si: Gjermani, Belgjika, Spanja, Franca, Greqia, Holanda, Irlanda, Britania e Madhe dhe Italia.
• Të gjitha vendet e BE-së kanë një Kadastër të bazuar në parcela, prandaj secila parcelë ka një identifikues unik.
• Të gjitha vendet e BE-së janë në përfundim të procesit për kalim nga Hartografia tradicionale në atë moderne (digjitale).

IV
Harta kadastrale përdoret për të gjithë regjistrat në BE. Shkalla e integrimit të Kadastrës me Regjistrin varet edhe nga baza ligjore. Sistemet kadastrale në Evropë përmblidhen në katër modele:
i. Integrimi në të njëjtin institucion ose organe të veçanta në të njëjtin institucion siç është Belgjika, Franca, Holanda dhe Italia. Ky integrim ka ndodhur viteve të fundit.
ii. Kadastra dhe Regjistri janë institucione ta pavarura por që ndajnë të njëjtën bazë të të dhënave siç janë: Austria, Finlanda dhe Suedia.
iii. Kadastra dhe Regjistri janë institucione të ndryshme që komunikojnë zyrtarisht siç janë: Gjermania, Danimarka dhe Spanja.
iv. Në Irlandë dhe Mbretëri të Bashkuar nuk ekziston marrëdhënie zyrtare në mes Kadastrës dhe Regjistrit.

Për ta përmbledhur këtë çështje, për regjistrimin të tokës në BE ekzistojnë dy modele të sistemeve kadastrale:

1. Në modelin e Evropës Qendrore, Kadastra shërben si bazë grafike e regjistrimit të tokës, kështu që ndryshimet fizike duhet të pasqyrohen në Kadastër dhe ndryshimet ligjore në Regjistër, duke e ruajtur një paralelizëm.
2. Në modelin latin, Kadastra shërben si mjet për mbledhjen e tatimeve për tokën, andaj regjistrimi i të drejtave pronësore nuk është i detyrueshëm.
Në BE, Kadastra e Tokës është pothuajse gjithmonë e bazuar në parcela dhe nuk ka dallim zyrtar në mes tokës në zonë urbane dhe tokës në zonë rurale. Vetëm disa vende kanë edhe Kadastër urban pra të ndërtesave. Në disa shtete të Evropës, Kadastrën e Ndërtesave e kanë në përgjegjësinë e ndonjë ministrie tjetër për dallim nga Kadastra e Tokës.
Prandaj, njohja e modeleve kadastrale në Shtetet Anëtare të BE-së është një kusht themelor për harmonizimin e Kadastrës së Tokës në nivelin e BE-së, si një inventar për qëllime mjedisore, sociale, ekonomike, ligjore dhe tatimore.