LAJMI I FUNDIT:

Made in Lugina

Made in Lugina

Drilon Hyseni

Kujt i ka ra hise të shikoj filmin “In the Land of Blood and Honey”, të realizuar nga aktorja e famshme hollivudiane, Angelina Jolie, s’ka se si të mos tmerrohet nga skenat “horror” të gjenocidit serb, ndaj popullit të pambrojtur boshnjak, gjatë luftës së fundit në Bosnje dhe Hercegovinë.


Filmi në fjalë zgjoi reagimin e menjëhershëm të kritikës serbe e cila e priti me një bojkot total, me pretendimin se ngjarjet në film, nuk janë ashtu siç i kishte filmizuar aktorja.

Përgjatë rrëfimit nëpër këtë film, ajo që na intereson ne, për elaborimin e një çështjeje që në të vërtetë s’ka të bëjë me filmin fare, është tregimi interesant i regjisores.

Një grup nga paramilitarët serbë fshihen te një kishë, për t’u mbrojtur nga forcat guerile boshnjake, meqenëse mësojnë se aty nuk do t’i sulmonin kundërshtarët. Pra, Kisha, si institucion, edhe pse në gjendje lufte, ishte godina që respektohej pavarësisht situatave. Jo vetëm objektet fetare, por edhe ato shkollore e spitalore janë kursyer shpesh herë edhe nga armiqtë më të egër që njeh historia.

Sot, pas kaq luftërash e betejash të përgjakshme, të cilat ruhen të freskëta në kujtesën e popullit shqiptar, po ndodhin skenare të tipit hollivudian, të tilla si ato nga gjendja e arsimit shqip në Luginë të Preshevës, të cilat krijojnë situata të ashpërsuara dhe delikate.

Dhuratat me libra, të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, për shkollat shqipe në Luginë, u vendosën në një shkollë të Preshevës, për t’u shpërndarë pastaj nëpër vatrat e tjera të arsimit, në nivel rajoni.

Me të nuhatur sigurimi shtetëror serb, për depërtimin e librit shqip nga Kosova në Luginë, ndërsen inspektorët dhe policët për konfiskimin e të gjitha librave, me arsyetimin se nuk janë në përputhje me planprogramet e Serbisë. Inspektorët serbë, gjithashtu mbështeten në faktet se librat e depërtuara nga Kosova, nuk kanë dokumente përcjellëse.

Lidershipi shqiptar dhe shoqëria civile, kanë ngritur zërin e reagimeve, duke e quajtur aktin e konfiskimit të librit shqip, të turpshëm, të ulët, madje edhe qyqar. Zërit të reagimeve nga Presheva, i janë bashkuar si në “kor” edhe institucionet nga Tirana dhe Prishtina.

Këto skenare të vogla, në krahasim me ato të filmit holivudian të Angjelinës, nuk është dashur fare të ndodhin.

E para, se shkollat shqipe në Luginë të Preshevës, punojnë sipas planeve dhe të programeve mësimore të Serbisë dhe financohen nga Ministria e Arsimit.

E dyta, drejtoria e shkollave shqipe zgjidhet me pëlqimin e Ministrisë së Arsimit të Serbisë, kuptohet në këtë drejtim ekziston edhe një bashkëpunim mes këtyre institucioneve.

Pse atëherë librat në formë dhurate të vendosen në një shkollë, e mos të vendosen në Departamentin e Arsimit në nivel komune, prej nga do të shpërndaheshin librat sipas porosisë?

E njëjta pyetje do të tingëllonte edhe autoritetet e Beogradit, sepse ato s’kishin pse të intervenojnë me inspektorë e policë në shkollë, kur kanë pasur forma të tjera të merren vesh me drejtorin, për fatin e librave dhuratë. Vetë fakti se intervenimi i inspektorëve serbë gjatë orarit të mësimit, në kërkim të librit të anatemuar, të jep një shembull të keq të veprimit të pushtetit qendror të Beogradit.

Politizimi ekstrem i shkollave, na sjell në kohë të shkuar, kur shkollat shpesh shërbenin si vende të sigurta për veprime “sekrete”, të cilat pastaj shoqëroheshin me pasoja të dëmshme për nxënësit, arsimtarët dhe prindërit. Edhe sot objektet shkollore shërbejnë për manifestimin e Ditës së Flamurit Kombëtar, me programe të veçanta e me ngritje të Flamurit, i cili në Serbi është i ndaluar.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, janë të fundit në hapësirat etnike, ku çështjen e përdorimit të simboleve kombëtare nuk e kanë të rregulluar me ligj. Në vend se këto aktivitete të zhvillohen në kuadër të institucioneve kulturore: shtëpitë e kulturës, bibliotekat etj, ato shkojnë e adresohen nëpër shkolla, me arsyetimin se shteti i kursen ato për ndonjë intervenim!

Këto që po ndodhin, sot, në Preshevë, dy javë para festave kombëtare, janë treguesit e qartë se kremtet tona nacionale, nuk do të kalojnë në frymën e manifestimeve të dinjitetshme. Pas inskenimeve hollivudiane me Librin, do të vazhdojnë edhe me Flamurin, simbole këto shumë të dashura për shqiptarët. Kushdo që prek në këto simbole jetike për identitetin e shqiptarit në Luginë të Preshevës, çdo skenar, qoftë edhe ato të llojit hollivudian, nuk do të kalojnë pa lënë shenjë në shpirtin e çdo shqiptari, kudo qoftë ai, në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Ulqin, Preshevë a diasporë.