LAJMI I FUNDIT:

Lugina e Preshevës – punë e papërfunduar

E titullova kështu këtë shkrim, tek sa po lexoja disa nga korrespodencat që kishin bërë brenda viteve 1913, 1919 dhe 1920 politikanët dhe qeveritarët serbë te asaj kohe me zyrtar politikë dhe civil, amerikan dhe anglez lidhur me propozimet që sapo ishin publikuar nga Asociacioni i Inxhinjeris Civile të Nju Xhersit ku ishte teoretizuar saktësisht ideja e rregullimit te një kanali ujorë për të hapur vijën e re lundruese trans Evropiane drejt portit të sapo hapur të Suezit.

I planifikuar në mënyrë precize dhe ekonomikisht shumë mirë i arsyetuar, ky plan kishte elektrizuar aq shumë klasën sunduese serbe të asaj kohe, sa që implikimi Rusë ishte bërë aq i domosdoshëm sa herë që qeveria e Obrenoviqit mendonte se pozicioni serb ishte dobësuar në nivel ndërkombëtarë. Çfarë e kishte ushqyer aq shumë qëndrimin e ashpër Rusë, në kundërshtimin dhe minimin e vazhdueshëm te çfarëdo marrëveshje mes qeverisë serbe dhe asaj amerikane për marrjen me koncesion të terrenit ku do të rregullohej ky kanal, ishte frika ruse për rritjen e mundshme të influencës amerikane mbi ekonomin serbe të asaj kohe dhe tmerri rus i humbjes së faktorit Serbi në planet e saja për rregullimin e Ballkanit, ky qëndrim i ashpër rus dhe pozita e saj e fuqishme ndërkombëtare në botën e viteve 1910-13, përball pozitës shumë të dobët ndërkombëtare të qeverisë amerikane (si një shtet që po konsolidohej në vazhdimësi) kishte imponuar bisedimet e Janarit të 1913-tës, në oborrin mbretërorë të Shën Peterburgut në Rusi.


Në atë marrëveshje siç shkruajnë mediat amerikane ishte vendosur që kjo ndërmarrje të ndërtohej bashkërisht mes kapitalit rus dhe atij amerikan.(Nju Jork Tajms, 18 janar 1913). Një investim i përbashkët mes SHBA-së dhe Rusisë, që thyerja e interesave dhe shfaqja e dyshimit sapo kishte filluar. Se në çfarë kahje u zhvilluan në vitet në vazhdim këto marrëdhënie gjithë e dimë, kur pak para dhe fill mbas Luftës së Dytë Botërore këto dy vende zyrtarizuan politikat e tyre që ishin diametralisht në kontrast njëra me tjetrën.
Kështu që edhe realizimi i kësaj marrëveshje mbeti peng i marrëdhënieve gjithherë të acaruara mes këtyre dy super-poleve ushtarako-politike. Zhvillimet morën rrugë tjetër dhe realizimi praktik i marrëveshjes, humbi nga agjenda ditore e dy qeverive në Shën Peterburg (më vonë në Moskë) dhe asaj në Uashington. Por kjo marrëveshje deri sa u “harrua” nga nënshkruesit e saj, ajo hapi një etapë të re shumë të dhimbshme për popullatat lokale që banonin rajonet ku ishte skicuar të rregullohej kjo rrugë lundruese shumë e përfolur në atë kohë.

Qeveria mbretërore serbe e dinastisë së Obrenoviqëve, si pjesë integrale e konjukturës së aparatit strategjik të Rusisë cariste në Ballkan, menjëherë filloj të zgjerohej drejtë jugut të lumit Morava duke filluar një eliminim masiv të shqiptarëve autokton që banonin rreth brigjeve të Moravës, duke spastruar terrenin dhe krijuar “ngujime” të reja me kolon serb përgjatë krejt vijës së lumit Morava dhe Vardar duke përfshirë edhe krijimin e fshatrave artificiale serbe me kolon të ri edhe në jug të Preshevës dhe rreth qytetit të Kumanovës. Plan i menduar mirë me qëllime serioze strategjike krejtësisht në dobi të realizimit praktik të kushteve për forcimin e pozitave ruse në Ballkan dhe rritjen e influencës ruse, për mosrespektimin dhe tradhtinë e kësaj marrëveshje në të ardhmen.

Ishte shumë interesante që gjatë gjithë dokumenteve historike mbi marrëdhëniet ruso -amerikane në Ballkan, marrëveshja e 13 Janarit e vitit 1913 për ndërtimin e përbashkët të kanalit ujore në luginën e Preshevës (që pati tendenca tradhtie nga Rusia dhe Obrenoviqi më vonë) është marrëveshja e parë e nënshkruar mes këtyre dy vendeve për ndonjë çështje që zhvillohet në Ballkan. Edhe pse lugina e Preshevës ishte survejuar nga Konsulli Amerikan me seli në Konstantinopojë (Stambolli i sodit) z.Xhon Lieshman, i cili për herë të parë nga terreni kishte raportuar mbi idenë e hapjes së këtij kanali ujor në raportin e 7 korrikut të vitit 1909 në statusin e Konsullit gjeneral amerikan në Konstantinopojë duke e publikuar në dokumentacionet e përjavshme të U.S. Consular and Trade Raports. Qeveria serbe dhe ajo ruse shumë gjatë (që vazhdon edhe sot ) kishin tentuar të humbin origjinalitetin e këtij propozimi duke e paraqitur gjatë viteve herë si plan serb i një ish mbreti të tyre e herë si ide evropiane duke tentuar të humbin origjinalitetin e saj si ide dhe propozim amerikan që daton saktësisht prej ditës së 7 korrikut të 1909 kur për herë të parë Konsulli amerikan në Konstantinopojë shkruante për këtë ide dhe raportoi direkt nga terreni, saktësisht nga lugina e Preshevës dhe Shkupi ku ishte me vizitë zyrtare. Në dokumentacionin dhe korrespodencat e asaj kohe raporti i konsullit amerikan ne Stamboll, z.Xhon Lieshman, është dokumenti i parë zyrtar në gjuhën angleze që ka të bëjë me idenë e rregullimit të kanalit ujorë.

Korrespodencat e bëra brenda viteve 1909-1913-1920 mes zyrtarëve serbë dhe atyre amerikanë e anglezë, jep fotografin më të mirë se si ishte aktivizuar i krejt aparati politik serb në përfitimin e mbështetjes për këtë projekt dhe veçanërisht aspektin financiar nga bankat amerikane dhe angleze, ku në asnjërën korrespodencë të tyre askund nuk figuronte emri i popullit shqiptar lokal, por vetëm emërtimet e lokacioneve pa treguar se kush i banon ato, një veprim dinak për të fshehur realitetin e situatës dhe masakrat që i bënin për asgjësimi i shqiptarëve prej qytetit të Nishit e deri tek Shkupi.

Lugina e Preshevës sot është problem shumë më i madh se sa përmasat e saja të dukshme. Nga shkelja e të drejtave të njeriut e deri tek karakteri i saj strategjik dhe pozicional në raportet e vjetra-reja të super poleve ushtarako-politike, ky problem me histori shumë të lasht konflikti duhet shtruar për zgjidhje ashtu siç i takon një regjioni me lloj-llojshmëri karakteristikash, por gjithherë baza e zgjidhjes së saj duhet të jetë e drejta e vetëvendosjes së asaj popullate që jeton aty, asaj duhet lejuar të thotë fjalën e vet. Pas tre vitesh mbushen 100 vite nga koha e nënshkrimit të marrëveshjes mes SHBA-së dhe Rusisë për hapjen e kanalit ujorë, dhe brenda kësaj kohe ka ndryshuar gati krejt tablloja e botës politike, as Rusia më nuk është Cariste, por as SHBA-të më nuk janë shtet në konsolidim, por as Shqiptarët nuk janë thjesht objekt që duhej për llogari të vendosjes së monopoleve pushteti në Ballkan. Ka ardhur koha të zgjidhet ky problem. Formula e vetme dhe e sigurt është aplikimi i parimit të vetëvendosjes pra që ti lejohet asaj popullate atje të thotë fjalën e fundit se me kënd donë të jetojë, duke i dhënë kështu fund politikave eksperimentaliste në Ballkan.