LAJMI I FUNDIT:

Lufta për Top Channel-in

Lufta për Top Channel-in

Nisja e këtij sezoni ka qenë plot të papritura në Top Channel. Tashmë është fakt që emisioni Shqip i Rudina Xhungës është mbyllur dhe ajo do të largohet në drejtim të një ekrani tjetër. Po të njëjtin fat ka pasur edhe emisioni satirik Pop Channel. Ndërsa pesha e Alban Dudushit, që do të vazhdojë të qëndrojnë në Top, është ulur ndjeshëm dhe ai do të jetë prezent vetëm dy herë në javë. Por risitë nuk janë vetëm këto.

Në fillim të korrikut Lapsi.al njoftoi se një nga shtyllat e prodhimit të këtij ekrani dhe krahu i djathtë i drejtorit të këtij televizioni Enkel Joti ka lënë detyrën. Skerdi Drenovën, i cili prej gati një dekade kishte udhëhequr produksione si: Tjetri, Master Chef, Big Brother, E diell, Pasdite në Top Channel, 100 Milionë, The Voice of Albania etj, e detyruan të japë dorëheqjen, pasi në të vërtetë, bëhej fjalë për një shkarkim nga detyra.

Po ashtu burime brenda këtij televizioni i folën Lapsi-t për një margjinalizim të motrave Marina dhe Luana Vjollca që nuk i duron dot vajza e madhe e Dritan Hoxhës, Lori. Familja nuk ka me sy të mirë as moderatoren e njohur, një nga ikonat e Top-it, Arbana Osmanin. Asaj këtë sezon i kanë dhënë një program të dorës së dytë, që pritet të fillojë në tetor, por që nuk është kurrë në nivelin e Big Brother apo të emisionit të së dielës pasdite.


Po atëherë ç’po ndodh në ekranin më të madh në vend? Burimet e lapsi.al flasin për një rritje të ndjeshme të pushtetit të moderatorit Ledion Liço, i cili është i dashuri i Sara Hoxhës. Ledioni mësohet se do të zërë orarin e Rudina Xhungës në programacionin e të hënës, por pushteti i tij po rritet ndjeshëm përpos kësaj. Dhe për këtë tashmë gëlon i gjithë Top Channel. Këtë shqetësim e shfaqi së fundi edhe faqja online “Anabel” që njihet për afërsinë e saj me motrat Hoxha dhe për pasqyrimin e gjithë itinerareve të tyre nëpër botë. Anabel theksonte se problemi i Top-it nuk është Ledioni, por shikueshmëria në rënie. Dhe ajo konkludonte se nuk ka asgjë të keqe që ai të ndikojë tek familja aksionere për një “rilulëzim” të ri të Topit. Nga shkrimi që mbante haptas anën e familjes binte në sy fjala aspak e pafajshme “rilulëzim”. Pra që TV më i madh në vend ka nevojë për një erë të re.

Dhe kjo është në fakt pika ku palët po ndeshen në Top Channel: Fillimi i një ere të re. Këtë po e kërkon përditë e më shumë aksionerja më e madhe Vjollca Hoxha, e cila i sheh të nëpërkëmbura interesat e saj jashtëtelevizive dhe vajzat e saj të cilat tashmë janë rritur dhe kërkojnë hapësirat e tyre në pronën që u ka lënë trashëgim i ati.

Ndërsa grupi rival përbëhet nga të gjithë drejtuesit aktualë të televizionit që janë në ato poste që prej kohës që i kishte emëruar aty i ndjeri Dritan Hoxha. Deri tani argumenti i tyre ka qenë se ata qenë profesionistët që duhet të bënin punën, që ishin vendosur aty nga Tani dhe që siguronin mbarëvajtjen e televizionit.

Por me vite gjërat ndryshuan. Pakënaqësitë ishin dy llojshe. E para ishte politike. Vjollca Hoxha ndihej e mënjanuar sepse nuk po përdorte dot influencën e televizionit për bizneset e saj. Menjëherë pas ndryshimit të pushtetit, dhe meritës që pati Top Channel për këtë, në një darkë me aksionerët, ata i paraqitën një listë me kërkesa Edi Ramës, tashmë kryeministër. Sipas pretendimeve të krahut të familjes, asnjëra prej tyre nuk është realizuar. Më i spikaturi ishte pazari për të marrë parkingjet e Tiranës, për të cilin Vjollca Hoxha kishte arritur konsensus edhe me ish kryebashkiakun Basha. Por edhe për të, Rama nuk i dha votat. I bëri Top-it ndonjë favor anësor, si vendosja e njeriut të tij në krye të AMA-s, e favorizoi në ndarjen e licencave të dixhitalit tokësor, por nuk i dha atë që pritej, ashtu sikurse kishte vepruar Berisha me klientët e tij mediatikë.

Pikërisht këtu e ka zanafillën edhe frustrimi i familjes aksionere. Shprehja që dëgjohej rëndom ishte: “Ne e sollëm në pushtet ai nuk po na e di”. Por ky frustrim bëhej edhe më i madh, kur televizioni vazhdonte të ndiqte politika pro Ramës. Lajmet e kishin humbur sensin kritik që e pat shoqëruar Top-in gjatë gjithë kohës dhe fjala u përhap se Rama kishte brenda televizionit njerëzit e tij me të cilët zgjidhte punë në mënyrë vertikale dhe pa kaluar nga pronarët. Kjo e shtoi amullinë.

Dhe faqja Anabel që me siguri është konsultuar me burime të familjes nuk i kushtonte kot rëndësi argumentit të rënies së audiencës. Ky është një nga argumentat që është përdorur nga njerëzit e Vjollca Hoxhës për të kërkuar kokat e drejtuesve aktualë. “Ne jemi kthyer në një TV pro qeveritar dhe kjo na është pasqyruar në shikueshmëri”. Kjo ka qenë edhe arsyeja e disa tronditjeve që sollën si efekte kolaterale mbylljen e beftë të emisioneve.

Por argumentit politik dhe ndikimit më të madh që kërkon të ketë zonja Hoxha mbi pronën që ka trashëguar nga bashkëshorti i saj, iu shtua kohët e fundit edhe një sfidë tjetër. Vajzat, Lori dhe Sara me kalimin e moshës u shndërruan edhe ato në personazhe publike. Filluan të jenë pjesë e kronikave rozë, filluan të jenë prezente ne media, të flitet për veshjet, pushimet, dashuritë dhe hobet e tyre. Ky status i ri kërkonte edhe vizibilitet dhe pushtet më të madh. Dhe këtë s’mund ta bënin kurrkund më mirë sesa në pronën që u kish lënë i ati.

Kështu nëse e ëma kërkonte më shumë influencë politike, të bijat kërkonin më shumë famë dhe hapësira. Pikërisht konvergimi i këtyre dy ambicieve nisi luftën për pushtet brenda Top-it dhe ndryshimet në organogramin e tij.

Të gjithë këtë histori, shumë media e kanë trajtuar si një rritje artificiale në përgjegjësi të Ledion Liços meqë ai është i dashuri i Sara Hoxhës. Por e gjitha kjo i kalon trillet e një dashuri rinore. Ajo është shndërruar në një betejë të vërtetë pushteti. Ledioni është vetëm hapi i parë. Burime brenda Top-it flasin për një “qeveri hije” të gatshme të zëvendësojë të gjithë drejtuesit aktualë. Zonja Hoxha ka në target ata që bëjnë politikat pro Rama, ndërsa dy vajzat e saj, ata që i eklipsojnë në kronikat rozë. Beteja sapo ka filluar. /Lapsi.al/Telegrafi/