LAJMI I FUNDIT:

Lufta e përbashkët kundër terrorizmit

Lufta e përbashkët kundër terrorizmit

Austria ishte sot nikoqire e konferencës ministrore të ministrave të Jashtëm dhe të Brendshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të homologëve të tyre nga Italia, Sllovenia, Austria si dhe liderëve të organizatave të rëndësishme rajonale, për të diskutuar mënyrat e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm e terrorizmit. Takimi erdhi pas sulmeve të tmerrshme të fundit në Paris, Kopenhagë dhe Tunizi, që kanë shqetësuar të gjithë globin. Këto incidente të dhunshme janë një rikujtim i hidhur se beteja për mbrojtjen e vlerave të humanizmit dhe të diversitetit nuk janë beteja kombëtare të secilit nga shtetet tona, por është para se gjithash një përpjekje e përbashkët për të përcaktuar se çfarë lloj bote po e ndërtojmë për brezat e ardhshëm të shekullit të XXI-të.

Kosova mirëpret këtë nismë të Austrisë që erdh në kohën e duhur. Ministri Sebastian Kurz i ka prirë përpjekjeve për të ofruar një platformë të re të integrimit të komuniteteve pakicë në shoqërinë austriake dhe ne i mbështesim plotësisht politikat gjegjëse, si dhe ligjin e ri që rregullon mënyrën e organizimit të bashkësive fetare në Austri. Ne kemi ndjekur me vëmendje debatin në Austria dhe gjithashtu po punojmë drejt adoptimit të disa masave në shtetin tone për të siguruar që interpretimet ekstremiste të fesë nuk e sfidojnë qëllimin kryesor të të gjithë qytetarëve të Kosovës, anëtarësimin në BE dhe NATO.


Ne jemi një vend në të cilin shumica e popullsisë deklarohen myslimanë, por ne jemi po ashtu një shoqëri shumë sekulare me një traditë të gjatë të tolerancës ndërfetare. Myslimanët, katolikët, ortodoksët si dhe komunitetet më të vogla hebraike dhe protestante kanë lulëzuar në Kosovë për shekuj me radhë. Nuk ka qenë asnjëherë e pazakontë që myslimanët të vizitojnë objektet fetare të krishtera ose që të krishterët të vizitojnë teqetë për të kërkuar kurime për sëmundje të caktuara edhe në kohëra të tragjedive personale.

Lufta e Kosovës më 1999 nuk ishte një luftë fetare, por ishte një luftë e shkaktuar nga represioni etnik dhe politik. Ngjashëm, shpallja e pavarësisë së Kosovë, me ç’rast u lind një shtet i ri në kontinentin evropian, nuk është mbështetur në krijimin e një shteti homogjen etnik ose fetar, por është bazuar në një model qytetar dhe një shtet qytetar që e kemi ndërtuar pas negociatave të gjata këtu në Vjenë të lehtësuara nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, presidenti Martti Ahtisaari. Së këndejmi, është detyrim imi kushtetuese që të siguroj mbrojtjen e përhershme të të gjithë trashëgimisë fetare në shtetin tonë.

Megjithatë, Kosova u bë shtet në një kohë të vështirë të krizës financiare dhe luftërave në Lindjen e Mesme. Ne kemi arritur të rrisim ekonominë tonë, por papunësia në mesin e të rinjve mbetet e lartë. Shpërthimi i medieve sociale gjithashtu nënkupton se luftërat që zhvillohen larg vendit tonë bëhen pjesë e konsumit tonë ditor të lajmeve dhe shumë njerëz janë të prekur emocionalisht nga skenat e masakrave në Siri apo në vendet të tjera të shkatërruara nga lufta. Ne kemi parë në Kosovë krijimin e grupeve të vogla që kërcënojnë tolerancën historike ndërfetare dhe janë bërë eksponentë të diskursit ekstremist global. Ky zhvillim na ka trazuar meqë e kuptojmë se Kosova do të vështrohet me një vëmendje të posaçme nga partnerët tanë evropianë dhe ne duhet të punojmë edhe më shumë se vendet e tjera për t’i siguruar partnerët dhe fqinjët tanë se Kosova nuk është një eksportuese e problemeve por e nismave për paqe.

Kosova së fundi ka miratuar një ligj të ri që parasheh dënimin deri në 15 vjet burg të të gjithë kosovarëve që marrin pjesë në luftëra të huaja; Policia e Kosovës ka arrestuar edhe mbi 45 të dyshuar të përfshirë në trajnimin apo dërgimin e të rinjve në zona të luftës në Siri. Gjithashtu, janë arrestuar edhe imamë të caktuar që kanë nxitur gjuhë të urrejtjes apo që kanë rekrutuar të rinj kosovarë në luftëra jashtë vendit. Ne kemi organizuar konferenca ndërkombëtare ndërfetare që janë vlerësuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, si një kontribut jashtëzakonisht pozitiv. Si rezultat i përpjekjeve tona, ne kemi parë një rënie të numrit të kosovarëve pjesëmarrës në luftë në Siri. Sipas shërbimit tonë informative, jo më shumë se 60 kosovarëve janë tani në Siri dhe Irak, në krahasim me mbi njëqind vetëm një vit më parë.

Por, duhet bërë më shumë. Ne duhet t’i angazhojmë prindërit tanë të cilët nuk duan që fëmijët e tyre të humbin jetën në shkretëtirat e Lindjes së Mesme. Ne duhet të flasim me fqinjët tanë për t’i ndërpritur linjat ndërkombëtare të komunikimit ndërmjet ekstremistëve dhe duhet të punojmë për të përmirësuar perspektivën ekonomike të të rinjve. Këto sfida kërkojnë një qasje kolektive dhe një fushatë të integruar. Së këndejmi, ne jemi të gatshëm për t’iu bashkuar Austrisë në përpjekjet tona për të ruajtur paqen në kontinentin tonë dhe që feja të mos bëhet një çështje që na ndanë, por të jetë një vlerë që na bashkon në përpjekjet globale për paqe.

(Hashim Thaçi është zëvendëskryeministër i Parë dhe ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës. Ky shkrim është botuar në Die Presse)