LAJMI I FUNDIT:

Lotaria me të ardhmen

Si çdo verë edhe kjo për nxënësit dhe të rinjtë në Kosovë ishte mjaftë e ngarkuar. Kur them e ngarkuar kam për qëllim ata të cilët përfunduan klasën e 9-të dhe shkollimin e mesëm, e që të gjithë këta u nënshtruan testeve kombëtare të arritjes së njohurive, dhe pas tyre edhe provimeve pranuese pranë gjimnazeve e fakulteteve ku dëshironin të regjistroheshin.

Ky proces edhe për këtë vit thuajse përfundoi në mbarë Kosovën apo është në prag të përfundimit. Aq më shumë që njeriu e përcjellë këtë proces për së afërmi, aq më shumë të ngjanë në një sistem lotarie, ku një herë në javë përzgjidhen fituesit e saj.


E mjerueshme por e natyrshme për vendin tonë është bërë që fati i së ardhmes në vendit tonë të përcaktohet në bazë të një sistemi të lotarisë. Është e vështirë që të shohësh një të ri të talentuar e nxënës të mirë që nuk arrin të regjistrohet në vendin ku do, dhe më ironike është fakti se në fund ai merr një përgjigje të thjeshtë – “më shumë fat herën tjetër” – thuajse kjo punë është një punë fati.

Ka disa vite që në Kosovë është ndryshuar sistemi i arsimimit, e kjo me miratimin e sistemit të Bolonjës. Po ashtu, ka disa vite që në Kosovë praktikohet e mbahet edhe testi kombëtar, por të gjitha këto duket se e kanë përmirësuar fare pak sistemin e arsimit në Kosovë. Faji kryesor për këtë duket se bie mbi Ministrinë e Arsimit.

Problemi ka të bëjë me kuptimin e vërtetë dhe qëllimin e mbajtjes së testit kombëtarë, e ky test nuk është asgjë më shumë sesa një klasifikim i inteligjencës së nxënësve dhe zbulimit të talentit të tyre që në këtë mënyrë të orientohen në fusha të caktuara nga ku do të mund t’i kontribuojnë shtetit. Së paku kështu funksionon kjo punë në vendet evropiane, ku fëmijët qysh në ciklin e ulët përcaktohen për drejtimet e tyre, dhe ne këtë mënyrë të gjithë kalojnë nëpër një proces rigoroz të selektimit që kryesisht varet nga aftësia e tyre dhe puna e tyre gjatë viteve të shkollës. Fundja edhe nuk është e domosdoshme që të gjithë të jenë intelektual “me fakultet”, sepse një shoqëri e tillë askund nuk ekziston e as nuk ka ekzistuar, e kjo ndoshta edhe nga fakti se çdo shoqëri ka nevojë për bukëpjekës e mekanikë. Në këtë drejtim Ministritë e Arsimit në Kosovë deri tash kanë dështuar, që nga fillimi i aplikimit të këtyre testeve, nga vetë fakti që nuk ka arritur ta bëjnë selektimin e nxënësve.

Problemi tjetër përsëri ka të bëjë me testet dhe kjo nga fakti se në këto teste në përgjithësi numër më të madh të pikëve po marrin nxënësit që mund të karakterizohen si të dobët (gjatë vijimit të procesit të rregullt arsimor) sesa ata shembullorë, fenomen ky i palogjikshëm e që aludon në dy gjëra: ose profesorët e punësuar nga ministritë nuk po dinë të vlerësojë gjatë shkollimit; ose këtu po kopjohet (vidhet) me të madhe nëpër këto teste, dhe kjo e dyta ndodhë si arsye e mosinteresimit për punën nga ana e vëzhguesve, e që të gjitha këto na paralajmërojnë së kjo shoqëri e jona po kanoset nga të korruptimi moral që është shumë më i rrezikshëm se korruptimi material.

Në fund vjen edhe ëmbëlsira, apo regjistrimi në universitet, ku përveç që shpërndahen e shiten testet e zgjidhura të provimeve pranuese para kohe, po ashtu prej shumë vitesh është përcaktuar edhe një çmim për regjistrim që variron prej 5000 deri 10000 euro para të thata, varësisht nga fakulteti se ku dëshiron të regjistrohesh.

Qëllimi im nuk është qa të kritikoj Ministrinë e Arsimit e as të them se nuk është punuar deri më tash. Por, vendimet e marra duhet të zbatohen pa pardon, se tek e fundja nuk mjafton një vendim që të jetë në letër, por ai duhet edhe zbatuar. Se ky popull duhet të mësohet që nuk mjafton vetëm të ketë një ligj, por ato ligje duhet të respektuar nga të gjithë pa dallime, e shkelësit e tyre duhet ndëshkuar.

Në Kosovë ka njerëz e udhëheqës të arsimuar mirë, por shtrohet pyetja: edhe sa vite do ketë të tillë? Ata që do ta trashëgojnë këtë shoqëri në të ardhmen, në çfarë niveli të arsimimit e qytetërimit do të jenë? Ardhmërie është ajo të cilën ne e ndërtojmë sot.