LAJMI I FUNDIT:

Lobimi dhe antilobimi

I.
Lobimi për sa më shumë njohje të Kosovës nga shtete të ndryshme, përbën angazhimin e rëndësishëm të popullit të Kosovës në fazën aktuale. “Beteja” si kjo, mund të bëhet nga të gjithë ne. Pa kurtuazi e them që, jam një nga gazetarët dhe analistët e pakët që kam shkruar qysh në verë të vitit 2006 ekskluzivisht për lobimin (në atë kohë për lobimin rreth shpalljes së pavarësisë së vendit ), si një mënyrë shumëdimensionale për të përhapur idetë dhe konceptet në mënyrë të organizuar dhe, për t’i gjetur rrugët për të arritur deri te një qëllim i caktuar. Në fakt, sot ka aq shumë mundësi lobuese.

Lobohet individualisht dhe në formë të organizuar: si institut, media etj. Pastaj çka është kruciale: si organ i caktuar shtetërorë, si dikaster, ministri etj. Lobimi, s’është i ndaluar me ligj që të pengohet dhe, as s’konsiderohet si vepër inkriminuese. Përkundrazi…! Kur është fjala për njohjen ndërkombëtare të sa më shumë shteteve të Republikës së Kosovës, këtë duhet dhe mund ta bëjmë të gjithë në mënyrat dhe mundësitë tona bazuar në faktin që shtetësia, është pjesë e secilit qytetar të Kosovës. M’u shteti, u shërben qytetarëve në mënyrë direkte dhe është servis i tyre sepse, është bërë m’u nga ata ! Ne, kemi mundësi të jashtzakonshme lobuese.


Komuniteti ynë si pak të tjerë në botë, është i shpërndarë dendur nëpër botë dhe duhet të jetë i angazhuar deri në fund në fushën lobuese. Nuk ka shumë rëndësi se nga vjen ky komunitet, cilës krahinë i takon, çfarë dialekti fletë apo cilit territor i takon! Teknologjia informative, mundësitë ekonomike, sistemi politik dhe liria e qarkullimit mundësojn qasje të mëdha aty ku ata punojnë dhe, aty ku ata jetojnë. Qasjet mund të jenë nga më të ndryshmet por të rëndësishme janë qasjet lobuese politike, diplomatike, ekonomike, mediale etj. Absolutisht modelet e shumta kulturore dhe sportive, turistike, gjuhësore e sensibilizojnë projektin lobues të njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

Gjithë këto rrugë interesante, janë favorizuese dhe frytdhënëse. Angazhimi ynë i përbashkët lobues, s’ka pse të mos sjellë edhe më shumë rezultate në këtë drejtim. Fuqia kryesore lobuese, natyrisht që i takon Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, resorëve të tjerë politiko-diplomatik dhe institucional zyrtar mirëpo çdo shqiptar është e moralshme, korrekte dhe me interes të lobojnë që Republika e Kosovës të njihet nga sa më shumë shtete. Askush s’ka pse të hezitojë në këtë drejtim dhe qytetari shqiptar kudo që t’i jepet rasti dhe mundësia, ka për obligim të lobojë pozitivisht për këtë çështje me interes të gjithanshëm.

Jo të gjithë, janë koshient në këtë drejtim. Dikujt, as s’i intereson kjo çështje. Ka të tjerë madje që shkaktojnë huti-destruksion duke e injoruar, devalvuar dhe propaganduar negativisht statusin dhe perspektivën shtetërore të Kosovës. Nuk po them për ata që historikisht, e adhurojnë shtetin etnik shqiptar…! Mirëpo lobimi për njohje, nuk duhet të shkaktoj deformim të çështjes dhe denigrim në raport me interesin dhe kahet e ndryshme të nevojave shoqërore dhe qytetare që prodhon mu shtetësia ndërkombëtarisht e njohur.
Ngritja e shqetësimeve dhe mbjellja e defetizmit në opinion, janë paradigma edhe për t’u mbjellë dhe përhapur në popull koncepti që “shteti i Kosovës nuk po funksionon dhe, as që mund të funksionojë”. Kësisoj, defetistët thonë që njohjet s’po bëhen apo s’ka kush t’i bëj ! “S’ka kurgja, s’po punohet asgjë, s’po na njeh askush…”, me këto fjalë zgjohen në mëngjes defetistët dhe lëshohen çarshisë e kafeneve duke mos e lëvizur një gur nga rruga as për vetën e tyre dhe, as për shtetin e Kosovës. Këto dilema dhe dyshime që hidhen gjithandej me apo pa qëllim, reflektohen jo mirë në vorbullën e vizionit tonë njerëzorë dhe politik mbi lirinë dhe thelbin e saj, mbi sistemin qeverisës dhe shtetin. Sidomos lobimi për njohje, nuk është koncept dhe program i një radioje lokale. Nuk është një nen në statutin e një partie politike. Nuk është as vetëm biznes dhe aq më pak, një koncert muzikorë në një natë vere në Gërmi.

Por në publik dhe qarqe të caktuara, fërgohen copëra propagande dhe koncepte mbi atë se “gjithçka ka qenë zi në Kosovë dikur dhe, gjithçka prap ose është zi ose do të jetë nesër zi…”! Një rrjet i tërë njerëzish dhe personash ad hoc dhe të organizuar për arsye të hunit e të konopit së paku tash e dy decenie, mbaj mend që janë kujdestar të përhershëm të “shpirtit të popullit”, duke e helmuar pa pushim m’u shpirtin e tij. Në fakt, është duke u punuar që procesi i forcimit të shtetshmërisë të mbetet në nivelin sa më të paqëndrueshëm dhe, dështues. Dhe kundrejt lobimit për njohje ndërkombëtare, jo pak është duke u antilobuar.

Lobimi për njohje ndërkombëtare të Kosovës, nuk guxon të zhvendoset nga thelbi i tij kryesorë: nga interesi i përgjithshëm qytetarë-shtetërorë. Lobimi, aq më pak mund të personalizohet dhe të denigrohet ngase njohja nuk mund të justifikohet nga pozicioni individual apo gruporë por, nga pozicioni i përgjithshëm qytetarë dhe shtetërorë. Askush, s’mund ta përvetësojë aktin e njohjes në shkallë individuale-private. Individi, grupi, partia nuk mund ta përfaqësojë shtetin në nivel protokolarë-diplomatik nëse paraprakisht nuk ekziston autorizimi nga institucioni më i lartë, ta zëmë Qeveria, Ministria e Punëve të Jashtme etj.

Njohja, është një akt krejtësisht i qartë: ex–oficio. Prandaj, fërkimet që shkaktohen dhe debatet që përhapen nuk mund të bëhen pjesë e rëndësishme e çështjes lobuese dhe aq më pak, e çështjes protokolare-diplomatike. Dikush, mbase duhet të jetë i autorizuar në nivel institucional-zyrtar që ta sjellë apo pranojë ta zëmë, dokumentin e njohjes nga një shtet i caktuar. Ndryshe, çështja mund të degradohet dhe të degjenerohet. Në fakt, merr konotacione jo serioze dhe pa dimensione protokolare-ligjore.

II. Ekzistojnë apo nxiten keqkuptime: me, dhe pa qëllim. Por akti i njohjes së një shteti nga shteti tjetër, historikisht ka rregullat e caktuara nga e Drejta Ndërkombëtare Publike dhe nga tradita e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Kjo histori, bazohet në parakushtet që akceptojnë momentet “de facto” dhe “de jure” të njohjes që një vend, ka arritur t’i rrumbullakojë pozitivisht për vendin që do ta njoh ose e ka njohur.

Lobimi si lobim, është diçka tjetër: një veprim i ligjshëm nga secili qytetar i Republikës së Kosovës, dhe jo vetëm i saj. Prandaj edhe mërzia që shfaqet gjithandej, është bukur e pa bazë! Qytetarët e Kosovës, shqiptarët pa dallim dhe kushdo tjetër jo vetëm që kanë të drejtë por edhe duhet të shihen me admirim tek lobojnë nëpër botë për sa më shumë njohje të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare të shteteve.

Si askush, qendrat strategjike Vashingtoni dhe Londra para dhe pas 17 shkurtit (2008), kanë lobuar dhe lobojnë pa pushim për sa më shumë njohje ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Dhe nuk ka dyshim që çështja e njohjes deri më tani, ka ecur mirë bazuar në praktikën historike-ndërkombëtare të njohjes së shteteve mirëpo kjo çështje, mundet të avansohet edhe më mirë. Vera (“stina e njohjeve të reja”), duhet të na mobilizojë më shumë dhe në vend të pushimeve, të na shtyjë kah shumëfishimi i formave dhe kapaciteteve lobuese.

Janë shumë arsye në këtë drejtim por ndër të parat, është çështja e vendimit të ardhshëm që do të sjellë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës edhe pse vendimi i saj nëse do të jetë negative nuk do të jetë obligues, pastaj është edhe, Sesioni vjeshtoë i Asamblesë së OKB-së.

Forcimi i legjitimitetit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës, rrëzon konceptet antilobuese dhe hap gradualisht dyer të shumta të Kosovës për bashkëpunim dhe anëtarësim në mekanizma të ndryshëm supranacional. Pse jo: është edhe kënaqësi jona e përbashkët që ta rrisim sasinë numerike (kuantitetin) të njohjeve. Nuk ka dyshim që “njohjet kualitative”, tashmë kanë ndodhur. Mirëpo duke lobuar për të rritur numrin e njohjeve, Republika e Kosovës përballon më fuqishëm presionin që po e bënë Beogradi tek vendet sllave, vendet arabe dhe tek vendet e ashtuquajtura të “Botës së Tretë”. Dhe padyshim, përballon më fuqishëm gjendjen zhvilluese në planin e brendshëm dhe, në atë të jashtëm. Me një fjalë, Kosova e përforcon më shumë pozicionin e saj duke rritur kapacitetet e qëndrueshmërisë shtetërore.

Njohjet, prodhojnë në masë efekte pozitive. Ato, bëhen shtylla të forcimit të perspektivës dhe të funksionimit. Njohjet, e rrisin kapacitetin e bashkëpunimit dhe bëhen ura të përfitimit shumëdimensional. Njohjet, krijojnë më shumë siguri të brendshme dhe siguri gjeostrategjike. Ajo që është kruciale, shumësi i njohjeve e forcon pozitën politiko-ekonomike dhe diplomatike, duke e hapur edhe më shumë rrugën e Kosovës drejt karrikes së domosdoshme në OKB.

III.
Kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës ( të brendshëm e të jashtëm), nuk mund të pajtohen me perspektivën pozitive të Kosovës. Ata, e lobojnë të kundërtën. Dhe nuk janë vetëm pjesa virtuale e problemit por janë shumë më antilobues si nga aaspekti logjistik, institucional, tekniko-material etj. Në Beograd, veç dhjetëra platformave të mëhershme është skicuar edhe platforma e të gjitha institucioneve të shtetit serbë për të penguar funksionimin e brendshëm normal të shtetit të Kosovës dhe, pengimin e njohjes ndërkombëtare. Rasti më i fundit, arrestimi i tre agjentëve serb në fshatin Çagllavicë (nga qindra e qindra agjentë dhe informatorë të ndryshëm që Beogradi ka të stacionuar dhe të infiltruar nëpër Kosovë: pavarësisht mohimit…!), dëshmon problemet që i bëhen vendit tonë në rrugën e zhvillimit dhe të njohjes ndërkombëtare.

Por njohjet, duhet të bëhen edhe më të prekshme, më të shpeshtueshme bazuar në faktin që Kosova është tashmë është pranuar në mekanizmat ekonomik si, FMN dhe BB. Lobimi ynë prandaj, është i natyrshëm dhe gjërat pse jo, do të ecin edhe më mirë. Për pak më shumë se një vit, Kosova është njohur nga më shumë se 60 shtete.

Ambasadori britanik në Beograd, Stephen Wordsworth ka thënë më 13 qershor se, bisedime për statusin e Kosovës nuk do të ketë më. “Kosovën e kanë njohur 60% e shteteve të OSBE-së, 70% e shteteve të Këshillit të Evropës, dhe 80% e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian”, ka thënë Wordsworth për mediat serbe. Deklarimi i këtillë, vjen pasi që Beogradi ende shpreson në bisedime për statusin e Kosovës duke pasur si paravan luftën për dështimin e brendshëm të shtetit të Kosovës dhe, pengimin e njohjes ndërkombëtare. Pra, duke pasut për bazë një antilobim të theksuar që edhe e kemi parë të gjithë ne.

Kthim mbrapa në statusin e Kosovës nuk do të ketë. Gjërat duhet parë me vëmendje e diplomaci dinamike. Njohja ndërkombëtare, s ‘është një “koktej rasti” siç mendon dikush por vendim serioz dhe i kalkuluar me kujdes nga secili shtet njohës. Historikisht, shtetet kanë përjetuar dhe përjetojnë rrugë të vështira në procesin e krijimit të shtetësisë dhe të njohjes. Kapacitetet e lobimit duhet të rriten, të akceptohen dhe grafikohen në dimensionin e komponentëve historike, propagandistike, politike, diplomatike etj. Në asnjë mënyrë s’duhet lejuar që procesi të stërkeqet, të devalvohet për interesa personale, grupore, partiake etj.

Ka mënyra të shumta dhe rrugë që lobimi të vazhdojë të intensifikohet veçanërisht në domenin institucional sepse, kjo është adresa kryesore e ligjësuar dhe e ngarkuar me detyra dhe përgjegjësi shtetërore në këtë drejtim. Çdo ngatërrim tjetër nga cilido drejtim, çdo prolongim, antilobim me apo pa qëllim nuk duhet lejuar të kalojë sepse, s’guxojmë të shfaqemi jo serioz në këtë drejtim.

Ne nuk jemi një vend në Afrikë apo në Azi ( pa asfare nënçmimi), e ku dergjen me dhjetra shtete të dështuara dhe ku shteti shihet më shumë si dekor dhe si numër. Ne, jemi vend pothuajse në mes të Evropës, e ku shtetësia dhe shtetshmëria si askund tjetër janë “alfa dhe omega” e organizimit të gjithanshëm shoqërorë dhe nacional. Tradita evropiane e politikës dhe e diplomacisë, e demokracisë, e kulturës shtetërore është themeli i vlerave civilizuese individuale dhe shoqërore. Shteti, nënkuptohet si organizmi–kupolë. Të tjerat pastaj, vijnë me radhë.

IV.
Njohja, është interes yni i përgjithshëm. E kundërta: lobimi pozitiv nga njerëz dhe agjesi të profileve të ndryshme nuk duhet të shihet si konkurrencë, si armiqësi, si pengesë. Njohja e sa më e shumë shteteve është interes i Kosovës. Por me njohjet, nuk përfundon puna. Puna, tek fillon. Paraprakisht, përkundër tendencave, Kosova, nuk guxon të profilizohet si shtet që nuk mund të organizohet dhe zhvillohet dhe për këtë duhet të mbahet në inkubator, nuk guxon të reflektoj si shtet që nuk mund të qeveriset.

Kosova, nuk guxon të reflektoj si shtet që nuk mund të kontrollohet s’brendshmi dhe që s’mund t’i kryej detyrat e veta. Kosova, nuk guxon të reflektoj si shtet që kultivon përtacinë, papërgjegjësinë, moszhvillueshmërinë.

Me një fjalë, Kosova s’mund të piketohet si shtet i dështuar. Por mu “dështimi i shtetit të Kosovës” është synim kryesor i Beogradit dhe, jo bash veç i Beogrdit. Njohjet, validiteti dhe numëruesi i duhur i tyre aktualisht, janë strategjia e politikës dhe e diplomacisë sonë. Të jemi prandaj të gjithë në mënyrën tonë zyrtare dhe jozyrtare, pjesë e kësaj strategjie dhe në asnjë mënyrë rrënues të saj.