LAJMI I FUNDIT:

Linda*, e mbijetuara e trafikimit seksual që tash punon si kuzhiniere në Shqipëri (Video)

Linda*, e mbijetuara e trafikimit seksual që tash punon si kuzhiniere në Shqipëri (Video)

Linda* ishte 16 vjeçe kur fqinji i saj e joshi nga fshati i saj i varfër në jug të Shqipërisë. Për vite të tëra ajo është munduar me ‘mish e me shpirt’ që të gjejë mundësinë për të ikur nga kthetrat e babait të saj të dhunshëm për t’i ndihmuar financiarisht vëllezërit dhe motrat e saj më të vegjël.

Ajo i besoi fqinjit të saj, i cili e kishte ndjekur atë tek rritej dhe kishte qenë dëshmitar i luftës së saj për mbijetesë pas vdekjes së nënës së saj. Linda asnjëherë nuk e kishte paramenduar se fqinji i saj do ta fuste atë në një cikël të egër abuzimi e keqpërdorimi. Adoleshentja shumë shpejt e pa veten të mbyllur në një dhomë hoteli ku ajo u abuzua seksualisht vazhdimisht për gjashtë muaj. Kryesit e veprës i kishin përgatitur asaj një pasaportë false për ta zhvendosur atë tutje. E në ndërkohë, policia i kishte rënë në gjurmë një rrjeti trafikantësh gjatë një patrullimi rutinor në rrugë.


Linda gjeti strehim në një strehimore kombëtare para se të transferohej në organizatën “Different and Equal”, një organizatë e shoqërisë civile e mbështetur nga UN Women që punon me të mbijetuarat shqiptare të trafikimit, transmeton Koha.net.

Më 2015, një grup i OJQ-ve, Koalicioni Kombëtar i Strehimoreve Anti-Trafikim (NCATS), raportoi 85 raste të trafikimit në Shqipëri, ndonëse kjo shifër vlerësohet të jetë shumë më e madhe. Raportet zbulojnë se shumë janë të manipuluara dhe rekrutuara përmes martesave të rrejshme dhe mundësive të rrejshme për punësim. Gratë dhe vajzat e goditura nga skamja janë më së shumti të cenueshme, ndërsa trafikuesit u premtojnë atyre se do t’ua mbulojnë shpenzimet për jetesë. Mundësitë e vogla ekonomike në Shqipëri, veçanërisht në zonat rurale, janë shkaku kryesor i trafikimit.

E për të mbështetur gratë dhe vajzat e mbijetuara nga trafikimi, UN Women në Shqipëri ka mbështetur ofruesit e shërbimeve në strehimore me ndërtim kapacitetesh dhe me paga nën projektin “Parandalimi dhe adresimi i dhunës kundër gruas dhe vajzave në Shqipëri”, i implementuar nga UN Women e me financim nga Bashkimi Evropian.

Ky projekt, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë realizuar një video-klip të fuqishëm 45 sekondash.

Erjola Mano*, menaxhere e rasteve për “Different and Equal”, kujton herën e parë kur ka takuar Lindën dy vjet më parë, në moshën 17 vjeçe.

“Ishte e traumatizuar, kishte nevojë për kujdes dhe dashuri që i kishin munduar asaj gjatë fëmijërisë. Ajo ishte jashtëzakonisht shumë e brengosur për vëllezërit dhe motrat e saja më të vegjël. Më e rëndësishmja ishte se ajo kishte nevojë për motivim që të niste jetën ndryshe kësaj radhe”, thotë zonja Mano.

Linda u regjistrua në një kurs gatimi, e ndihmuar nga “Different and Equal”. Edhe pse mezi dinte të lexonte dhe shkruante, ajo ishte e përkushtuar që të mësonte dhe mori pjesë në një program të trajnimit profesional, i përkrahur nga projekti i “UN Women”. Programi i siguroi asaj një punë të përkohshme si ndihmës-kuzhiniere në një biznes privat, duke ia mbuluara asaj rrogën mujore për gjashtë muajt e parë. Momentalisht, tre muaj pas periudhës testuese, Linda është e punësuar me kontratë të rregullt në të njëjtin biznes.

Gjashtë gra të mbijetuara kanë përfituar nga programi për paga deri më tani dhe sot ato po rikthehen në shoqëri.

“Punësimi është komponenti kyç për integrim të suksesshëm, për zhvillim dhe fuqizim të grave dhe vajzave të mbijetuara nga trafikimi”, ka thënë zonja Mano. “Transformimi i Lindës nuk mund të përshkruhet me fjalë. Përmes vendimeve të saja, dikush mund të kuptojë se kjo punë ia ka ndryshuar jetën; është vetë jeta e saj”.

Matilda Nonaj, që është përgjegjëse për koordinim të përpjekjeve të Shqipërisë në luftën kundër trafikimit në kuadër të Ministrisë për Mirëqenie Sociale dhe Rini, thekson se trajnimet i kanë mësuar asaj qasje të reja potenciale për të plotësuar boshllëkun ekzistues në riintegrimin e të mbijetuarave të trafikimit.

“Ofrimi i kredive të buta për gratë për të themeluar biznese të vogla është ide e mrekullueshme që mund të aplikohet”, ka thënë Nonaj. “Praktikat më të mira ndërkombëtare të cilat na janë prezantuar janë inkorporuar në Planin e Veprimit për Riintegrimin Socio-Ekonomik të Vajzave dhe Grave Viktima të Trafikimit, të cilin e ka miratuar Këshilli i Ministrave”.

Linda është duke jetuar e pavarur tash e rreth tetë muaj. Ajo ka një punë që e do dhe është në gjendje të gjenerojë të hyra edhe për të mbështetur vëllezërit dhe motrat e saja. Synimi i Lindës është që të hap restorantin e saj. Ajo tashmë e ka menduar emrin dhe menynë.

* Emrat janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e tyre. /Telegrafi/