LAJMI I FUNDIT:

Ligji i rinisë, i cekët apo i plotë?

Pas shumë zvarritjeve, ligji për fuqizimin dhe pjesëmarrjen e rinisë u miratua.
A duhet të nënkuptohet kjo se institucionet tona përmbushën detyrimin ndaj rinisë, duke harruar problemet e shumta të tjera që ndërlidhen me të.

Para disa ditësh në parlamentin e Republikës së Kosovës u miratua në parim, projektligji për fuqizimin dhe pjesëmarrjen e rinisë. Ky projektligj I cili për kohë të gjatë filloi të draftohet nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim përfaqësues të shoqërisë civile nga fusha e rinisë edhe pse në disa raste vetëm simbolikisht, për pak sa nuk filloi të bëhej një telenovelë për rininë Kosova.


Duke pas parasysh numrin e madh të të rinjve në Republikën e Kosovës dhe mosgatishmërinë e institucioneve relevante për t’i ndihmuar Rinisë, u deshën plot 9 vite për të ardhur te një ligj që së paku përfaqësuesit politik mendojnë si zgjidhje të problemit të të rinjve.

Po të shfletosh projektligjin në brendësinë e saj, mund të shohësh se tani të rinjtë kanë një ligj i cili është gjithë përfshirës dhe ku të rinjtë mund të mbështeten. Por, problemet me të cilat ballafaqohet rinia e Kosovës janë shumë më të mëdha sesa të drejtat e tyre që paraqiten në këtë Ligj.

Ne vazhdojmë të kemi një rini e cila ende nuk është pjesë e proceseve të vendim-marrjes dhe proceseve tjera ku këta të rinj kanë kontribuar me idetë e tyre për zgjidhje më të mirë,
një rini e cila vazhdon të konsiderohen si pjesa më e vlefshme e popullatës së Kosovës, por e cila gjithmonë trajtohen si pjesa me më së paku përkrahje dhe ende shfrytëzohet për te arritur qëllimet e caktuara partiake apo politike.

Në Kosovë ende ka nevoje për reformim të sistemit arsimor duke i larguar teoritë dhe praktikat e sistemeve të vjetra, dhe duke i zëvendësuar me ato në të cilat nxënësve dhe studentëve iu mundëson kushte më të mira për hulumtime, punë praktike si dhe bashkëpunime më të mira me universitete tjera.

Institucionet tona ende vazhdojnë të rrinë duarkryq përballë problemit shumë serioz të të rinjve që është papunësia.

Thuhet se çdo vit në Kosovë, hyjnë nga 30.000 të rinj në tregun e punës dhe me gjithë kualifikimet e tyre profesionale, nuk mund të gjejnë veten e tyre në ndonjë vend të punës për shkak të mungesës së punëve praktike gjatë vitit të fundit të studimeve.
Shumë të rinj të cilët gjatë studimeve të tyre kanë realizuar punë vullnetare, praktikë apo diçka të ngjashëm në ndonjë kompani ose OJQ, në shumicën e rasteve nuk mund të ju llogaritet si përvojë punë, në mungesë të mekanizmave të qëlluar për vërtetimin e këtyre teorive.

Mungesa e një strategjie të qartë për punësimin e të rinjve, ka bërë që Republika e Kosovës ende të mos mund të japë gjithë kapacitetin rinorë nëpër punët sezonale që organizohet në pothuajse çdo vend të botës.

Kjo mungese mund të vërehet edhe me faktin se shumë të rinj nuk kanë hapësirat e mjaftueshme për të kryer praktikat e nevojshme pas universitare, apo edhe nevojën e avancimit të edukimit joformal për rininë e papunësuar apo edhe ata të cilat për arsye të ndryshme nuk kanë ndjekur shkollimin.

Duhet të jemi të qartë se përderisa nuk dëshirojmë që edhe kjo rini që ka mbetur në Kosovë të kërkoj rrugën e mërgimit për arsye të perspektivës jo të mirë, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se një Ligj për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen e Rinisë nuk duhet të llogaritet si një e arritur e madhe për të rinjtë e Kosovës.

Ligji u miratua, por a do t’i plotësojë gjithë këto nevoja të rinisë?

(Autori është aktivist në shoqërinë civile. Kontakti: blerton.abazi@gmail.com)