LAJMI I FUNDIT:

Librat e “vetëvrasjes dhe vdekjes”!

Librat e “vetëvrasjes dhe vdekjes”!
Ilustrim

Nga: Daut Dauti

Romani “Pse” i Sterjo Spasses ka qenë shumë i përfolur. Qarkullonte një porosi e mistershme për këtë roman. Porosia përcillej edhe me një kob që thoshte: “Mos e lexoni se pastaj bëni vetëvrasje”! Dikush tjetër thoshte: “Ani, lexojeni, por mos u thelloni shumë”.

I pyesja njerëzit nëse e dinin dikën që ka bërë vetëvrasje për këtë arsye? Dikush thoshte se një vajzë sapo kishte bërë vetëvrasje në Ferizaj, dikush thoshte se në Gjakovë apo Pejë disa djem i kishin dhënë fund jetës pas leximit. Të mos flasim për Prishtinën se atje me siguri çdo ditë kishte vetëvrasje meqë qyteti më i madh. Atje ishte edhe universiteti dhe lexues duhej të kishte shumë e, si pasojë, edhe vetëvrasje. Por, në qytetin tonë, në Gjilan nuk bënte askush vetëvrasje për këtë punë. Vetëvrasjet bëheshin diku larg ku njerëzit me siguri ishin më të ndjeshëm se ne dhe për këtë arsye Spasse kishte ndikim fatal ndaj tyre.


Tërë kohën kam menduar pse ky roman posedon këtë fuqi të krijimit të kësaj përfoljeje. Edhe pse nuk besoni në besëtytni, kur i dëgjoni këto porosi, nuk mund të thoni se mbeteni indiferentë. Me një doze druajtjeje e kam nisur leximin e këtij romani. Kjo ka qenë në kohën kur sapo kisha nisur shkollën e mesme. E lexova, dhe siç mund ta shihni edhe ju, nuk kam bërë vetëvrasje. E di se më ka pëlqyer. Por, tashti ka kaluar një kohë e gjatë nga leximi dhe nuk besoj që kam mbajtur në mend diçka më shumë se një përshkrim tejet të shkurtër të brendisë që përshkohet me disa pyetje filozofike për jetën. Po të pyetesha sot në provim nga profesori i gjuhës shqipe, për këtë roman, me siguri nuk do të merrja notë kaluese.

Në botë ekzistojnë disa libra që përcillen me porosi të kobshme. I tillë është edhe libri i tregimeve “1001 netë” që është ndër librat më të lexuar në botë – në Lindje për shekuj me radhë, kurse në Evropë që nga viti 1717 kur Antoine Galland i përktheu në frengjisht të gjitha vëllimet e që, pastaj, pasuan në gjuhët tjera evropiane. Me këtë rast nga Lindja është bartur porosia e kobshme: “Kush e lexon 1001 netë nga fillimi deri në fund, vdes menjëherë”. Thuhet se askush nuk e ka lexuar deri në fund.

Natyrisht që askush nuk ka bërë vetëvrasje pas leximit të romanit “Pse” dhe askush nuk ka vdekur menjëherë pasi që i ka dalë në fund “1001 netëve”. Fakti pse “1001 netë” nuk lexohet nga të gjithë deri në fund është se libri është tejet voluminoz. Në rastet e librave me tregime (përralla) njerëzit i lexojnë vetëm ato pjesë që i tërheq titulli. Të paktë janë ata që u dalin këtyre librave në fund pasi që këtu aplikohet leximi selektiv. Megjithatë, në botë nuk ka njerëz që nuk e kanë lexuar tregimin e Alajdinit dhe Llambën e tij, Ali Babën me 40 hajdutë, Dashurinë e Sulltanit dhe Sheherzadës etj.

Një libër tjetër po ashtu vjen nga Lindja për shkak se librat e parë janë botuar atje. Fjala është për “Librin e madhërishëm të Omarit” që është version i “Rubaireve” të Omar Kajamit në anglisht. Është botuar në Londër në fillim të shekullit XX në një botim luksoz dhe vetëm një kopje. Letra ka qenë tejet kualitative kurse kopertinat e lëkurës. Si shtesë, i tërë libri ka qenë i stolisur me gurë të çmueshëm. Qysh para botimit është përhapur fjala se ky libër është i mallkuar dhe se ndjellë vdekje masive. Në vitin 1911 libri është shitur disa mijëra dollarë që sot me siguri do ta arrinte vlerën e qindra mijëra eurove apo ndoshta të milionave. Kur librin e bleu një amerikan i pasur, botuesi ia dërgoi me anijen “Titanik”. Dihet se çka ka ndodhur me këtë anije. Libri tashti duhet të jetë diku në fund të oqeanit.

“Historia e një jetimi” është novelë e shkruar në vitin 1615 nga Martín de Leon y Cardenas. Tema është jeta e një djaloshi jetim, i cili nga Kordoba shpërngulet në Amerikën Latine për një jetë më të mirë, në kohën kur Spanja po e zgjeronte imperializmin e saj. Por, libri nuk është botuar e as nuk është përkthyer deri më 2018, për shkak të mallkimit që e ka përcjell këtë libër: ata që kanë tentuar ta botojnë, kanë vdekur gjatë procesit të botimit. I fundit ka vdekur në vitin 1965. Por, botuesin e vitit 2018 ende asgjë nuk e ka gjetur. Arsyeja pse ky libër ka qëndruar kaq gjatë pa u botuar, dihet. Autori nuk ka dashur ta botojë për shkak se është bërë prift më vonë. Në libër ka detaje të padëshirueshme për Kishën e atëhershme. Më vonë nuk është botuar për shkak se pushteti spanjoll e ka fshehur meqë libri flet për tregti të skllevërve gjë që madhështohet. Po ashtu përshkruhen edhe krimet e spanjollëve ndaj vendasve të Amerikës Latine.

Por, si lindin, kush i përhapë këto porosi të mistershme e të kobshme dhe për çfarë arsye? Pos në rastin e “Historisë së një jetimi”, vështirë të dihet përgjigja e saktë. Por, këto mallkime sot nuk e frikësojnë botuesin e as lexuesin. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori