LAJMI I FUNDIT:

Letër e hapur ministrit Enver Hoxhaj

(Pas aktit të shëmtuar të “dekorimit” nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, të Azem Bejtë Galicës, me heqjen e emrit të tij nga shkolla e Kërpimehit dhe zëvendësimit me emrin e babagjyshit të vetë)

I nderuari z. Ministër,


Meqë aktualisht jeni në krye të një dikasteri ministror i cili, në lidhje me këtë rast konkret, është më kompetenti në vendimmarrje, edhe pse këtë letër të hapur e adresoj në emirin tuaj personal dhe në emrin e postit tuaj zyrtar, në fakt, ajo tërthorazi i dedikohet edhe kryeministrit, Hashim Thaçi, kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi, politikanëve tjerë aktual që gjenden në funksione kyçe vendimmarrëse të pushtetit me prejardhje nda Drenica, si dhe gjithë të tjerëve që sadopak e njohin historinë e këtij populli dhe e ndjejnë në zemër se edhe ata vetë i përkasin asaj.

Besoj se edhe nga nëntitulli i fillimit të kësaj letre, veç po e kuptoni se ku qëndron qëllimi i saj. Por, për të vazhduar më tej, më lejoni që fillimisht këtu të bëj një digresion të vogël tematik. T’ju tregoj një histori të shkurtë të familjes sime, me lutje që këtë pjesë në asnjë mënyrë të mos e konsideroni si lëvdatë apo krekosje e nostalgjisë personale familjare, sepse, pikërisht ky biçim fenomeni është edhe “lait motivi” që më bëri t’ju drejtohem juve me këtë letër të hapur.

Burojë nga një familje me mbiemrin Abrashi, e cila e ka prejardhjen nga Gjakova. Sot, abrashët, përveç në këtë qytet, jetojnë edhe në Mitrovicë, Prizren, Prishtinë.
Zanati i të parëve tanë ka qenë rrobaqepësia, apo ndryshe si quhej në popull –TERZI. Më konkretisht, qepnin petka nusërie tradicionale, karakteristikë e anës së Drenicës. Gjyshi, e më pas baba dhe mixhallarët tjerë të mi, dekada të tëra, me plot dashuri, krenari dhe ndershmëri e punonin këtë zanat, përmes së cilës e mbanin gjallë familjen e tyre të madhe.

Sa isha fëmijë, mixha, e në veçanti baba, shpeshherë me përplot emocione dhe lot në sy, më rrëfenin për shumë ngjarje të lavdishme të historisë tonë kombëtare, për trimërinë e pashoq dhe urtësinë e madhe të traditës së pasur të Drenicës shqiptare. Por, mbi të gjitha, edhe më të paharruara në mua do të mbeten ato kallëzime që kishin të bënin me luftërat e heroit dhe heroinës tonë kombëtare: Azem dhe Shotë Galica.

Gjithmonë jam krenuar se, martesa e Azem Bejtës me Shotën, është bërë me petkat nusërie të qepura nga të parët tanë, ndërsa, vetë Azemi dhe trimat e tij, kanë qenë miq më të afërt dhe më besnik të gjyshit tim dhe familjes Abrashi.

Sot, kur gjithë ne, jetojmë thuaja në Kosovën tonë të “lirë” dhe të “pavarur”, me të dëgjuar se një shkollë (fshatin Kërpimeh) e cila vite reshtur me plotë krenari e mbante emrin e heroit tonë kombëtar, Azem Bejta, ndryshohet, dhe asaj i vihet emri i gjyshit të kryetarit tonë aktual, Fatmir Sejdiu, tërë trupi mu rrëqeth dhe në fillim nuk desha t’i besoj fare këtij lajmi. Por, fatkeqësisht, kjo çmenduri kishte ndodhur vërtet?!

Andaj, unë me këtë letër të hapur, z. ministër, juve si person në krye të një institucioni të lartë dhe më kompetent shtetëror, nuk po ju drejtohem vetëm si shqiptar i zakonshëm që natyrshëm ndjen krenari ndaj vlerave ekzistuese dhe figurave tona të rëndësishme historike – kombëtare, por edhe si përmbushje të një borxhi moral ndaj të parëve dhe babait tim të ndjerë, të cilëve sot, krahas Azem Bejtës, sigurisht edhe eshtrat e tyre ju luajnë nga vendi në varr.

Ndoshta në këto momente jam i ngarkuar ca si shumë me emocione dhe ka mundësi ta teproj nga pak me këso krahasime, por me përgjegjësi të plotë e them se, këtë ashiqare blasfemi kombëtare, nuk e kishte bërë as Serbia kur ka qenë dikur sunduese dhe pushtet në Kosovë?!

Edhe nëse i anashkalojmë cilësimet aktuale “ekstreme” të masës për atentat në vlerat tona kombëtare, duhet ta dini patjetër, z. ministër, se ky veprim, apo mosveprim kompetent i kujtdo qoftë tjetër institucional, nga çdo shqiptar i arsyeshëm, nuk po konsiderohet vetëm si një akt i pamatur dhe antikombëtare, por edhe si fenomen i izoluar psiko-analitik, që ve në dyshim, në rend të parë, personalitetin e atyre që e kanë bërë këtë propozim.
A thua, sa larg mund të shkoj një megalomani dhe egocentrizëm personal. Një joshje patologjike me fuqinë e pushtetit dhe postit të lartë të dikujt, saqë të inicioj, apo së paku të lejoj, t’i hiqet një shkolle emri i heroit tonë të lavdishëm kombëtar, Azem Bejta, dhe në vend të tij, t’i vihet emri i babagjyshit të vetë?!!

Meqë kam pasur rastin t’ ju njoh edhe personalisht, z. ministër, haptazi deklaroj se fare nuk dyshoj në vlerat e juaja profesionale, intelektuale, njerëzore, dhe kombëtare, andaj, këtë mosveprim apo heshtje, dëshiroj ta kuptoj si një dobësi kalimtare, si dorëzim çasti ndaj një presioni ndoshta miqësor dhe kolegial. Por, ja se ende nuk është vonë që ta përmirësoni këtë lëshim pa dashje. Ju lutem, bëjeni sa më parë atë, z. ministër: rishqyrtojeni vendimin dhe kthejeni në vend emrin e Kryetrimit Azem Bejtë Galica, sepse, vetëm ashtu lajmë pakëz borxh ndaj atyre që me gjakun e vet sollën LIRINË! …Sepse, historia gjithmonë shkruhet nga ne sot, për t’u lexuar nesër nga të tjerët, z. ministër…