LAJMI I FUNDIT:

Lavdi Presidentit Ibrahim Rugova

Lavdi Presidentit Ibrahim Rugova

Më 22 janar 2006, në Prishtinë, Kosova e lirë, pushoi zemra fisnike e Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Vdekja e tij, në moshën 61-vjeçare, megjithëse jo e papritun, ka tronditë zemrat e miliona shqiptarëve dhe miqve të huej në çdo kand të botës.

Humbja e tij në nji periudhë kritike për trojet dardane e për kombin shqiptar e ban këtë humbje edhe ma të thellë. Ngushëllimet tona ma të ndjeshme për familjen Rugova, kolegët e tij dhe të gjithë vëllaznit e motrat tona shqiptare të Republikës së lirë të Kosovës.


Unë e njoha Presidentin Ibrahim Rugova në prill të vitit 1990, kur ai me kolegët e tij erdhën në Washington D.C. I qartë në mendime, i bindun në drejtësinë e kauzës tij, i frymezuem nga idetë përparimtare dhe demokratike të botës euroatlantike, Dr. Rugova kërkoi me bindë Administratën amerikane në drejtësinë e kërkesave të tij për mbrojtje të popullsisë shqiptare të persekutueme nga autoritetet komuniste serbo-jugosllave, dhe për njohjen e identitetit shqiptar të atdheut tij. Këtë mision ai e kreu me sukses, tue fitue kredibilitetin e Kongresit dhe Ekzekutivit amerikan.

Falë punës tij, sot “problemi shqiptar” në ish-Jugosllavinë ashtë në rendin e ditës së diplomacisë botënore, e sidomos amerikane (Ato ditë, Shqipëria për Kosovën ka qenë nji udhëtare e hutueme në mes të dy botëve: njena e vdekun bashkë me ramjen e turpshme të komunizmit, dhe tjetra e traumatizueme nga mbasefekti i këtij fenomeni të shëmtuem dhe të paaftë me lindë si “botë europiane”).

Që nga viti 1990 e deri sot, unë e përkraha me ndërgjegje të plotë këtë figurë madhështore të historisë bashkëkohore të Kosovës martire, e çmova punën e tij dhe dhashë kontributin tim modest çdo herë që ai e kërkoi. Sot, unë vajtoj nji udhëheqës shqiptar që lindi e rriti nana shqiptare, nji shembull të shkëlqyeshëm të fisnikërisë dardane, nji intelektual të ndershëm e përparimtar, e nji burrë shteti që arriti shkallën superiore të njihet në histori si “babai i kombit” për ma shumë se dy milionë shqiptarë të Kosovës.

Presidenti Ibrahim Rugova, njeriu dhe vepra, do të mbeten gjithherë nji individ-subjekt i mirënjohjes, dhe nji subjekt-objekt studimi e interpretimi që do të pasunojnë historinë tonë kombëtare shqiptare. Për 16 vjet me radhë, intelektuali i angazhuem shqiptar, Dr. Ibrahim Rugova, ka jetue me litar në grykë. Ma në fund, e mundi sëmundja, e heshti vdekja fizike.

Por, Ibrahim Rugova ashtë nga ata që tejkalojnë pragun e vdekjes e fitojnë përmasa universale, në kohë e hapesinë. Kjo figurë e shqueme bujarie dardane ka marrë përmasa të përhershme që mundin edhe vdekjen. Pushoftë në paqe e lavdi të përjetshme!

Madhështia e personalitetit të Ibrahim Rugovës u realizue sidomos kur ai përballoi dilemën e terrorit millosheviqian: A duhet të tërhiqemi para nji realiteti të këtillë qysh në fillim, a duhet ta dënojmë, si duhet të reagojmë? A duhet të përpiqemi me e tejkalue, tue e zhveshë lakuriq murtajën e terrorit komunist serb para botës së qytetnueme, tue fitue kështu simpatinë e botës, si viktimë e pafajshme që refuzon dorëzimin pa kushte?

Përgjigja që dha Dr. Ibrahim Rugova ka qenë rezistenca aktive me mjete paqësore – jo agresionit, jo shtypjes, jo nënshtrimit dhe jo dhunës si armë e qëndresës së patundun, deri në fitoren finale, të largët ndoshta, por të sigurt. “Lëvizja e jonë – shkruente Dr. Rugova – ka lindë nga nji domosdoshmëni (e imponueme), dhe nga nji zgjedhje e jona (e ndërgjegjshme). Populli e kuptoi se me kohë na do të fitojmë.

Ai kupton gjithashtu se nuk ka zgjidhje tjetër veç vetëpërmbajtjes kur ballafaqohet terrori… Nji luftë në Kosovë don të thotë masakër… Ne pësojmë dhunën shtetnore dhe segragacionin. Që kjo gjendje nuk ashtë nji luftë e hapun, ashtë merita e politikës sonë paqësore të rezistencës”.

Dr. Ibrahim Rugova ka qenë arkitekti dhe mjeshtri i punës që zbatoi këtë politikë! Si rrjedhim, nji shoqëni e re shqiptare ka lindë në Kosovë! Sot, vëllaznit e motrat tona po ndërtojnë nji jetë të re, moderne: nji vazhdimësi kulturale, morale e politike në Kosovë, me nji fjalë, esencën e nji identiteti dardan të njimendtë, paraardhës i lirisë së vërtetë për të gjithë.

Filozofi shqiptar, Ibrahim Rugova, që humbi gjyshin dhe babain 27-vjeçar në vitin e mbrapshtë 1945, të dy viktima të terrorit serb, dhe që përjetoi në Kosovën martire vitet e “vrasjes kolektive të nji populli të heshtun…” (Ch. von Kohl), shprehet kështu: “Na garantojmë se nuk do të ketë hakmarrje, na nuk do ta lejojmë! Përndryshe, do të dështojmë në përpjekjen tonë me këputë zinxhirin e dhunës (në vendin tonë)… Na jemi angazhue me adoptue vlerat politike e shpirtënore të Europës (së Perëndimit)”.

Kjo kthesë shënon edhe lindjen e patriotizmit të ri e modern në trojet dardane! Kundërshtimi që i bahej sistemit komunist në Kosovë ishte përbuzja e “rendit politik” dhe “qetësisë” që mbështetej në bindjet terroriste që përjashtojshin ekskluzivisht dhe sistematikisht qeverisjen e qytetarëve, dhe të drejtat e tyne me marrë pjesë në shoqëni e shtet.

Kundërshtimi që i bahej sistemit komunist në Kosovë nuk ishte vetëm përbuzja e nji qëndrimi imoral të papranueshëm, i nji perspektive politike që sakrifikonte të drejtën e çdo individi me qenë i lirë. Ky kundërshtim merrte formën e rezistencës koshiente, kur shtypja e pushtetit të kuq poshtënonte qeniet njerëzore, dhe në formën ma të ulët – sidomos të pambrojtunit, të dobëtit që vuejshin pa za në nji heshtje mbytëse.

Ky kundërshtim, që u konkretizue në rezistencën e organizueme kundër murtajës komuniste serbe në Kosovë, ushqeu shpirtënt e të gjithë pjesëmarrësve të revoltuem, sikur dojshin me thanë: O vëlla, o motër! Unë jam me ju! Ju jeni në zemrën time, në mendjen time, si nji dëshmi e gjallë e mesazhit tuej ringjallës që premton shpresën, shpresën e lirisë për të gjithë njerë- zimin! Njeriu duhet të ketë nji ndjenjë të fortë lidhjeje me nji tjetër njeri. Në mungesë të kësaj ndjesie, asgja nuk na afron.

Dy qenie njerëzore janë të hueja për njeni-tjetrin. Lind nevoja e pjesëmarrjes së pandashme në njerëzimin mbarë. Ushqehet e kultivohet ndjesia e bashkësisë, e afrimit, e unjisimit në nji qëllim të përbashkët, në nji rrugë të përbashkët… në ndërtimin e mbajtjes së nji bote të përbashkët. Ky ashtë revolucioni paqësor i Kosovës së okupueme.

Dhe, ky ka qenë edhe mesazhi i lëvizjes paqësore të Kosovës që udhëhoqi Dr. Ibrahim Rugova. “Kjo ashtë rruga e rezistencës politike e civile, e inspirueme nga nji intelektual i formuem në shkollën që refuzon dhunën, në shkollën e universalitetit të të drejtave, dhe të demokracisë.” (Allain e Galmiche) Ky ashtë edhe patriotizmi i ri e modern që zhvillohet sot në trojet dardane! Për shqiptarin Ibrahim Rugova, nji Kosovë e lirë dhe e pavarun ka qenë esenca e mendimit të tij.

Trashëgimi tij, dëshira e tij ma intime, bota e tij që asgja tjetër nuk e zëvendson ose ndryshon, ashtë nji esencë që tejkalon çdo gja tjetër në jetën e tij… Për botën e Rugovës, aty ku mbarojnë vlerat e trashëgueme shqiptare, aty fillon anti-shqiptarizmi. Për brezninë e Rugovës, nevoja e absolutes në botën e kaosit ka qenë – e unë mendoj se akoma mbetet – e zëvendsueme nga shqiptarët me nji përqafim pa kushte të tokës dardane, që disa herë ka marrë edhe tone fanatizmi, dhune e agresioni.

Kosova e lirë dhe e pavarun që andrroi Ibrahim Rugova, po kultivon patriotizmin e ri dardan…! Për intelektualin Ibrahim Rugova, nji Kosovë e lirë dhe e pavarun, dhe hymja në Europë kanë qenë dhe mbeten nji element i fatit shqiptar, nji paevitueshmëni historike.

Ai mendoi për atë, e studioi atë, e përfytyroi me nji konfidencë të plotë në të ardhmen, dhe priti për momentin e duhun me realizue këtë element të fatit shqiptar. Kjo ka qenë andrra e tij, që ai ushqeu me kujdes, e dashunoi dhe e shpërndau rreth e rreth vehtes, për miq e kundërshtarë njilloj.

Intelektual i frymëzuem nga idetë e Renaissance-s europiane dhe idealet e humanizmit kontinental, ishte i përgatitun me pranue modernizmin… Në shekullin që jetoi, mendimi i tij intelektual nuk ka qenë nji kërcim nga konceptet mesjetare në modernizmin e shekullit njizet.

Që nga studiuesi i Pjetër Bogdanit deri te studenti i Roland Barthes ka nji vazhdimësi pa ndërpremje kujdesi për njeriun. Për Dr. Ibrahim Rugovën, nji komb përbahet nga qenie të lira, të krijueme nga Zoti – që ai besonte – si individë të lirë me vullnet të lirë (nji frymë kristiane që ai e njohu mirë), individë që jetojnë, e mendojnë me plot ndjesi. Ai kuptoi se nji “ideologji” nuk duhet të jetë për asnji arsye qoftë, “la somma sapienza”, as jeleku i ngushtë, ligji “hyjnor” i padiskutueshëm dhe i paprekshëm.

Njeriu duhet të mbetet qendra e vëmendjes sonë; çdo gja tjetër mendohet në funksion të shërbimit për njeriun, e vetëm për njeriun. Intelektuali aktivist Ibrahim Rugova e kishte të qartë këtë aksiomë, dhe nuk e tradhtoi asnjë herë. Ai zgjodhi aksionin “… me qëllim që kombet e Ballkanit nji ditë të pranojnë jetën e përbashkët, që të provojë se ashtë e mundun mbrojtja e nji kauze kombëtare, pa ra në kurthin e nacionalizmit” (Allain e Galmiche).

Përndryshe, ai do të kishte kalue orët e gjata në bibliotekë…! Intelektuali aktivist Ibrahim Rugova e kishte të qartë diferencën në mes të shqiptarëve të shtypun e serbëve shtypës në Kosovë! Të parët njohin veten plotësisht në imazhin e krijuem nga vetë popullsia shqiptare e Kosovës.

Ata identifikohen me vendin e tyne, shkrihen në botën e vendit tyne, marrin pjesë në jetën e vendit tyne; me nji fjalë, ata pranojnë me jetue në nji gjendje të mbarsun me tragjedi. Të dytët e mohojnë identitetin kosovar dhe interesi i tyne ashtë vetëm akademik ose tregtar. Serbët nuk e “ndjejnë” Kosovën. Prandej, shqiptarët vuejnë dhe luftojnë kundër kaosit të ngjarjeve tragjike që me ngulm, ata përpiqen me i transformue në nji lëvizje njerë- zore e çlirimtare…!

“Na garantojmë se nuk do të ketë hakmarrje; nuk do ta lejojmë! Në qoftë se qeveria jonë që nesër vjen në fuqi do të lejonte nji gja të këtillë, kjo don të thotë se qeveria jonë nuk ka thanë gja, nuk ka ba gja me këputë zinxhirin e dhunës. “Populli i Kosovës ashtë angazhue nga Ibrahim Rugova me adoptue vlerat politike e shpirtënore të Europës.” (Allain e Galmiche).

Përsëri, kjo ashtë filozofia e nji intelektuali shqiptar që ka humbë gjyshin e babën 27- vjeçar, viktima të terrorit komunist, në vitin e mbrapsht 1945. “I vranë si kafshët…” shprehet Ibrahim Rugova që predikon rezistencën paqësore…! Sa e madhe ashtë distanca, sa i naltë ashtë superioriteti i udhëheqsit Ibrahim Rugova, në krahasim me atë të Sllobodan Millosheviqit, që zhyti Ballkanin në furinë e luftës e shkatërrimit.

I pari në piedestalin e respektit ndërkombëtar e kandidat për çmimin “Nobel” për Paqe; i dyti kriminel lufte para Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë…! Kjo “lëvizje” për adoptimin e vlerave politike e shpirtënore të Europës përfaqëson esencën e nji identiteti dardan të njimendtë për çdonjenin, dhe ashtë paraardhëse e lirisë fizike për të gjithë, pa përjashtim. “Nga nji zhvillim i këtillë, shpjegon Dr. Ibrahim Rugova, njerëzit angazhohen për nji të ardhme ma të mirë; të bashkuem, ata angazhohen, mobilizohen.

Ata janë koshientë për këtë. Ashtë çështje jetë o vdekje”. Lind solidariteti i të persekutuemëve! “Ata (serbët) kanë pushtetin, na e kemi autoritetin”, shkruen Ibrahim Rugova. “Kjo ashtë, në fund të fundit, baza e qenies sonë, paradokset e tyne, ‘te qeshurit nën hijen e litarit’”. Kjo ashtë arsyeja që “…populli pa dyshim ma i shtypun në ishJugosllavinë ka lindë popullin ma të lirë”, shkruen gjykatësi francez Antoine Garapon. “Këtu kam njohë Rugovën. Ai nuk ka ndryshue.

Ai ashtë gjithënji ai që ka qenë. Rugova ashtë nji njeri i rrallë, nji në çdo njiqind vjet, dhe sot ai ashtë shpirti i Kosovës”, shprehet prof. Musa Jupolli, i Universitetit të Parisit. Sot, vajtojmë humbjen e këtij apostulli të paqes dhe lirisë për të gjithë. Por, nji ditë, poeti, që dielli e hana e yjet e shoqënojnë në botën që për ne të tjerët mbetet e errët, do të këndojë… bashkë me lyrën e tij të prarueme. Sepse, sot para kësaj viktime të rame nga smundja e pashërueshme, njerëzimi ushqehet me nji mësim, fisnikërinë e të cilit vetëm poeti gojartë ashtë në gjendje me shprehë…. Poet!

O kangëtar i orëve të dallueme! Mbaje sot për ne të gjallë ndjenjën naltësuese të frymëzimit që na mbushë këto ditë soditja e paepun e bujarit të shuem dardan…!

(In memoriam, i shkruar më 2006)