LAJMI I FUNDIT:

Largimi përfundimtar i sovjetëve nga Gjermania

Largimi përfundimtar i sovjetëve nga Gjermania
Ilustrim

Njëzet e nëntë vjet më parë, më 31 gusht 1994, përmes një ceremonie shtetërore të veçantë të zhvilluar në Berlin nën patronazhin e ish-Kancelarit gjerman Helmut Kohl, dhe ish-presidentit të Federatës Ruse, Boris Jelzin, u përmbyll procesi katërvjeçar i largimit përfundimtar të rreth 580 mijë ushtarëve e civilëve rusë (sovjetikë) që kishin qëndruar në Gjermaninë Lindore për gati 40 vjet me radhë – nga 8 maji i vitit 1945, dita e kapitullimit të Gjermanisë naziste. Detyra që kryeja në Gjermani në vitet 1992-1997 si ambasador i Shqipërisë në Bon, më sjell mjaft kujtime unike të aktiviteteve të kësaj dite të shënuar.

Në fakt, pas shembjes së Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989, çështjet kryesore në raportet globale mes dy superfuqive të kohës, ShBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, ishin garantimi i një bashkimi paqësor të Gjermanisë, si dhe përforcimi i lidhjeve politike e ushtarake të saj me Perëndimin, duke u integruar para së gjithash në NATO. E njëjta gjë duhej të ndodhte edhe me vendet e tjera ish-socialiste të Evropës Qendrore e Lindore. Ky proces intensiv fillon me Samitin e Maltës së 2-3 dhjetorit 1989 mes presidentit George Bush dhe Sekretarit të Parë të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbatchev. Vazhdoi më tej me vizitën e Gorbatchevit në Uashington më 30 maj 1990, për t’u materializuar më pas më 12 shtator 1990 në të ashtuquajturën “Marrëveshje 2 + 4” (mes dy Gjermanive dhe katër fuqive aleate të Luftës së Dytë Botërore: ShBA, Bashkimi Sovjetik, Britania dhe Franca).


Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik më 31 dhjetor 1991, të drejtat dhe detyrimet e marra përsipër nga ky shtet, si subjekt i të drejtës ndërkombëtare, do t’i kalonin Federatës Ruse). Sidoqoftë, nga takimet e shumta mes kësaj periudhe, të realizuara në frymën e kontakteve Bush- Gorbatchev, do të duhet të veçohet vizita e Kancelarit Kohl në Kaukaz, në vendlindjen e Gorbatchevit, realizuar në datat 14-17 korrik 1990, gjatë së cilës, dy liderët e dy vendeve respektive ranë mes të tjerave dakord që: 1) Realizimi i bashkimit gjerman të bëhej duke respektuar parimin e sovranitetit shtetëror, e mbi këtë bazë, Gjermania e bashkuar duhej të anëtarësohej me të drejta të plota në NATO. 2) Deri në fund të vitit 1994, Rusia të tërheq të gjitha trupat ushtarake dhe personelin civil të vendosur në ish-territorin e Gjermanisë Lindore që në vitin 1945. Për sistemimin në banesa dhe në punë të ushtarakëve sovjetikë të kthyer, Gjermania duhej t’i jepte Federatës Ruse tetë miliardë marka. Të njëjtën gjë duhej të bënin edhe tri fuqitë aleate perëndimore në territorin e ish-Gjermanisë Federale. Por, për ndryshim nga trupat ruse, ato do të zvogëlonin kontingjentin e tyre ushtarak në Gjermani, për ta integruar më pas atë në kuadër të forcave të NATO-s. 3) Forcat ushtarake gjermane në Gjermaninë e Bashkuar të reduktoheshin në jo më shumë se 370 mijë. 4) Gjermania e Bashkuar të njihte kufirin e saj me Poloninë, të spostuar pas Luftës së Dytë Botërore në vijën e lumenjve Oder-Nisë. Pikërisht këto katër pika përbënin edhe thelbin e “Marrëveshjes 2 + 4” përmendur më sipër, hyrja në fuqi e së cilës më 3 tetor 1990 shënon de jure bashkimin gjerman, sepse nga kjo ditë marrin fund përfundimisht të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë e katër fuqive aleate fituese në Luftën e Dytë Botërore mbi Berlinin dhe Gjermaninë, si dhe pushon së ekzistuari si shtet më vete Gjermania Lindore, territori i së cilës i bashkohej me këtë rast tërësisht Gjermanisë Federale.

Pikërisht për këto arsye, 3 tetori është njëkohësisht edhe festa kombëtare e Gjermanisë. Por, duhet sqaruar se pak para hyrjes në fuqi të marrëveshjes së mësipërme, Gorbatchevi kërkoi me insistim të rritej – nga tetë, në 18 miliardë marka – kontributi i Gjermanisë për riatdhesimin e ish-ushtarakëve sovjetike (pra kërkoheshin edhe 10 miliardë marka të tjera). I ndodhur në këtë pozitë dhe nën presionin e frikën e dështimit të “Marrëveshjes 2 + 4”, kancelari Kohl pranoi që shumën e premtuar për këtë qëllim ta bënte 12 miliardë marka. Përveç kësaj, tre miliardë marka të tjera do t’i jepeshin Federatës Ruse në formën e një kredie afatgjatë – pa interes. Pra, në total, për largimin përfundimtar të forcave ushtarake sovjetike nga territori i ish-Gjermanisë Lindore, Gjermania Federale do t’ia jepte Rusisë 15 miliardë marka. Kjo ofertë u pranua nga pala ruse dhe marrëveshja hyri në fuqi më 3 tetor 1990.

Trupat ushtarake sovjetike të vendosura në Gjermaninë Lindore kanë pasur emërtime të ndryshme. Deri në vitin 1954, ato konsideroheshin thjeshtë si trupa pushtuese në një hapësirë të caktuar territoriale të ish-Gjermanisë naziste. Në vitin 1954 u quajtën Grupi i Forcave të Armatosura Sovjetike në Gjermani. Në vitin 1989, pas shpalljes nga Gorbatchevi të reformave me emrin “Perestrojka”, këto forca ushtarake të vendosura në Gjermaninë Lindore u quajtën zyrtarisht Grupi Perëndimor i Trupave. Por, pavarësisht emërtimeve, është më se e qartë që trupat ushtarake sovjetike në Gjermaninë Lindore përbënin kontingjentin më të madh ushtarak të vendosur ndonjëherë në një vend tjetër sovran. Detyrë kryesore e tyre ishte kërcënimi i vazhdueshëm, prej aty, i Perëndimit, si dhe ruajtja e “unitetit” të kampit socialist brenda Traktatit të Varshavës. Pikërisht mbi këtë bazë, ato: a) Me urdhër të Stalinit mbajtën nën një izolim të plotë, në vitin 1948, Berlinin Perëndimor, për ta detyruar të kapitullonte e të bashkohej me Gjermaninë Lindore. Megjithatë, ky plan dështoi falë qëndresës heroike të popullsisë berlineze të kësaj hapësire territoriale, si dhe urës ajrore përmes së cilës aeroplanët amerikanë furnizonin çdo ditë këtë popullsi; b) Shtypën brutalisht revoltën popullore në Berlinin Lindor më 17 qershor të vitit 1953; c) Masakruan me armatim të rëndë e tanke, më 4 nëntor 1956, mbështetësit e Revolucionit Demokratik Hungarez; d) Dhanë “ndihmë” të drejtpërdrejtë për përmbysjen me dhunë, më 20 gusht 1968, të lëvizjes reformuese e liberalizuese në ish-Çekosllovaki, të frymëzuar nga Alexander Dubček, ish-Sekretar i Parë i Partisë komuniste çekosllovake etj.

Konkretisht në vitin 1989, kur ra Muri Berlinit, mendohej se në Gjermaninë Lindore ndodheshin rreth 370 mijë ushtarë e oficerë sovjetikë të vendosur në rreth tre mijë kazerma; 45 mijë zyrtarë civilë në shërbim të këtyre trupave; 165 mijë familjarë; 4 300 Tanke; tetë mijë makina të blinduara dhe mbi 100 mijë makina ushtarake; 700 aeroplanë ushtarakë; 700 helikopterë ushtarakë; 3 700 sisteme artilerie; rreth 700 mijë tonelata municion etj. Në zbatim të “Marrëveshjes 2 + 4”, i gjithë ky kontingjent u transferua në Rusi, kryesisht me trena dhe me anije përmes Detit Baltik, brenda katër viteve (1990-1994). Procesi u rrezikua shumë nga tentativa e ushtarakëve rusë për grusht shtet kundër Gorbatchevit në gusht 1991. Por, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në dhjetor 1991 dhe zgjedhjes së Jelzinit si presidenti i parë i Federatës së re Ruse, u rikonfirmua menjëherë zyrtarisht vullneti për zbatimin e “Marrëveshjes 2 + 4”. Për më tepër, siç kemi parë, megjithëse afati i largimit të trupave ishte fundi i vitit 1994, më 16 dhjetor të vitit 1992, gjatë vizitës se Kancelarit Kohl në Moskë, përmes një deklarate të përbashkët u ra dakord që ky proces të përmbyllej disa muaj më parë, konkretisht më 31 gusht 1994.

Pikërisht në këtë ditë, pra më 31 gusht 1994, presidenti rus Boris Jelzin vizitoi Berlinin me qëllim që të merrte pjesë në ceremoninë zyrtare mbi largimin përfundimtar të trupave ish-sovjetike nga Gjermania, pasi siç kemi vënë në dukje, të gjitha aktivitetet e kësaj dite do të organizoheshin nën patronazhin e përbashkët të tij me kancelarin gjerman Helmut Kohl.

Programi ditor ishte shumë i ngjeshur dhe me vëmendje tepër të shtuar politike e mediatike, sepse edhe ngjarja në vetvete kishte rëndësi të veçantë historike. Problemi më i madh dukej se ishte kujdesi që duhej treguar për të cilësuar apo vlerësuar ikjen e trupave sovjetike. Ato kishin ardhur dhe ishin vendosur në pjesën lindore të Gjermanisë si fitimtarë apo heronj të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa tani, pas gati 40 viteve, po iknin në një kohë kur Federata Ruse po kalonte një krizë të thellë e të gjithanshme ekonomike, politike e ushtarake, shoqëruar kjo edhe me krizë të gjerë ideologjike, pasi kishin dështuar totalisht edhe në promovimin e zbatimin me fanatizëm të marksizëm-leninizmit jo vetëm në ish-Bashkimin Sovjetik, por edhe në Evropën Qendrore e Lindore e më gjerë. Pikërisht për këto arsye, në shtypin e kohës (1994) theksohej se trupat ruse po e linin Gjermaninë si fitimtarë të shkatërruar (Geschlagene Sieger), përmendur për herë të parë në një intervistë nga Lothar de Maziere, ish-kryeministër i qeverisë së parë demokratike të Gjermanisë Lindore, i cili qëndroi në këtë detyrë vetëm për pak muaj – nga 12 prilli deri me 2 tetor të vitit 1990.

Megjithatë, në të gjitha aktivitet e zhvilluara në Berlin me 31 gusht 1994, mes të cilave mund të radhiten: a) Ceremonia solemne ne Teatrin e koncerteve (Schauspielhaus) të Berlinit që ndodhet në Sheshin Gendarmenmarkt në afërsi të Portës së Brandenburgut; b) Në takimin dhe drekën e përbashkët me presidentin gjerman Roman Herzog në vilën presidenciale Belevu; c) Në Parkun Treptou, ku ndodhet memoriali kushtuar ushtarëve sovjetikë të rënë në Betejën e Berlinit në periudhën prill-maj të vitit 1945; d) Në Memorialin kushtuar Viktimave të Pafajshme të Luftës e Tiranisë; e) Në pritjen e organizuar nga kryeministri i Landit të Berlinit, Eberhard Diepgen et. Përgjithësisht, me shumë kortezi, nga Kohl, Herzog apo Diepgeni u vlerësua pozitivisht qëndrimi i trupave sovjetike si dhe dëshira e vullneti që mbi këtë bazë, marrëdhëniet mes dy vendeve të forcohen e zhvillohen edhe më shumë në të ardhmen. Ndër të tjera, Kohl tha se ”… ushtarët sovjetikë nuk po ikin si pushtues, por si miq dhe partnerë …”.

Jelzini vuri në dukje, nga ana tjetër, rëndësinë e madhe që duhet të kenë edhe në të ardhmen marrëdhëniet gjermano-ruse, në mënyrë të veçantë marrëdhëniet tradicionale me Berlinin. Duhet theksuar gjithashtu se po në këtë ditë, Theodor Waigel, ministër i Financave në Qeverinë gjermane e bashkëpunëtor i ngushtë i kancelarit Kohl, përmes një deklarate të veçantë vinte në dukje se ” … largimi i trupave sovjetike po shoqërohet edhe me dhënien e disa miliarda markave, të cilat nuk jepen vetëm për banesat dhe jetesën e ushtarëve të kthyer, por edhe për të mbështetur reformat në Rusi … si dhe për forcimin e politikës së sigurisë në rajon e më gjerë … ndaj, ato janë edhe një investim i mirë për paqen dhe lirinë në Evropë e në botë …. Mbi këtë bazë ne do të bashkëpunojmë ngushtësisht së bashku si në planin bilateral, ashtu edhe në kuadër të G-7 –ës….”!

Fatkeqësisht, ky bashkëpunim me Gjermaninë dhe Perëndimin në përgjithësi është ndërprerë aktualisht, sepse Rusia i është rikthyer mentalitetit të vjetër pushtues e perandorak, duke u shndërruar në agresore dhe duke cenuar rëndë sovranitetin territorial të Ukrainës, gjë që bie në kundërshtim të hapur me normat themelore të së drejtës ndërkombëtare.

Duke iu rikthyer 31 gushtit 1994, në Berlin, mendoj se duhet evidentuar që në këtë ditë të shënuar, presidenti i Federatës ruse, Boris Jelzin, megjithëse në gjendje shëndetësore jo shumë të mirë, u shfaq në publik mjaft i gëzuar, entuziast e me plot humor. Kjo konstatohej në çdo aktivitet ceremonial. Mund të përmenden me këtë rast: Përshëndetjet e shpeshta të tij me civilët e shumtë që mbushnin rrugët në vendet ku organizoheshin aktivitetet, veçanërisht pranë Portës së Brandenburgut, duke vënë kështu në alarm permanent personelin e sigurisë; Firmosja në librin e nderit në vilën Belevu në praninë e presidentit Herzog; Shoqërimi me zë e lëvizje i këngës shumë të njohur ruse “Kalinka”, luajtur nga orkestra e qytetit të Berlinit; Marrja e shkopit të dirigjentit dhe “dirigjimi” për pak minuta nga Jelzinit i orkestrës së vendosur në hyrje të Bashkisë Qendrore të Berlinit etj. Kjo situate vazhdoi edhe ne aktivitetin e fundit ditor, pritjen madhështore që Presidenti Boris Jelzin dha me këtë rast në darkë në Ambasadën e Federatës së Rusisë në Berlin, gjë që çuditërisht më krijoi edhe mua mundësinë ta takoja shkurtimisht. Le ta sqaroj disi më mirë.

Ambasada Ruse është një ndërtesë shumë e madhe e tepër e veçantë. Ndodhet në qendër të Berlinit, pranë Bundestagut dhe Portës së Brandenburgut, menjëherë pas hotelit të famshëm berlinez “Adlon”, në rrugën e mirënjohur Unter den Linden, me numër 4A. Historia e Ambasadës shkon rreth 190 vjet pas, konkretisht në vitin 1837, kur Perandoria Ruse bleu një sipërfaqe të konsiderueshme toke në këtë pjesë të Berlinit, për të ndërtuar mbi të pallatin që do të shërbente si përfaqësia e saj diplomatike. Këtë detyrë rusët ia besuan arkitektit të njohur të Prusisë, Carl Heinrich Knoblauch, dhe ndërtesa përfundoi në maj të vitit 1841. Ajo funksionoi si përfaqësi diplomatike deri më 22 qershor të vitit 1941, ditën kur Gjermania naziste sulmoi Bashkimin Sovjetik. Në këtë godinë u vendos menjëherë një nga ministritë kryesore të Qeverisë naziste, por që e shfrytëzoi atë shumë pak, pasi më 1942 një pjesë e mirë e kësaj ndërtese u rrënua nga bombardimet e forcave britanike. Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, Qeveria Sovjetike planifikoi që në të njëjtën sipërfaqe toke të blerë prej saj, të ndërtonte sërish nga e para një pallat të ri edhe më të madh, i cili do të shërbente si ambasadë. Këtë detyrë ia ngarkoi arkitektit të njohur rus Anatoli Strizhevskyi, cili bashkëpunoi për këtë qëllim edhe me arkitektin gjerman Fritz Bornemann.

Ndërtesa që është edhe sot, u inaugurua më 7 nëntor 1952, me rastin e 35-vjetorit të Revolucionit të Tetorit. Sipërfaqja e ndërtimit është rreth 14 mijë metër katrorë, që do të thotë se është rreth tri herë më e madhe se ndërtesa e mëparshme. Ka zyra të shumta pune e mjaft salla për pritje, për koncerte, për konferenca, për takime bilaterale e multilaterale e të tjera. Bien në sy gjithashtu muret e larta, skulpturat me motive të punëtorëve e fshatarëve rusë, llambadarët e shumtë me përmasa gjigande … E, pikërisht këtu u organizua edhe pritja e presidentit Jeltzin, që përmbyllte aktivitetet e datës 31 gusht 1994 të largimit të trupave ruse nga territori i ish-Gjermanisë Lindore. Puna e donte të transmetohej njëkohësisht edhe mesazhi i madhështisë, edhe ai i realizimit të punës apo i objektivave të marra përsipër nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1945. Nda,j edhe të ftuarit ishin jashtëzakonisht të shumtë, shoqëruar kjo me masa sigurie mjaft të rrepta. Në këtë mes, natyrisht që i pranishëm ishte edhe trupi diplomatik i akredituar në Gjermani.

Është normale që kudo, veçanërisht në një vend si Gjermania, që ambasadori i ShBA-së të ketë një rol mjaft të veçantë brenda trupit diplomatik, pavarësisht se niveli i këtij roli varet shumë nga personaliteti, vullneti dhe angazhimi i personit konkret. Në Gjermani në këtë kohë si ambasador amerikan ishte Richard Holbrooke, diplomat i shquar dhe personalitet i jashtëzakonshëm, gjë që e shtonte dukshëm vëmendjen ndaj tij. Megjithëse qëndrimi i tij në këtë detyrë në Gjermani zgjati vetëm 11 muaj (tetor 1993-shtator 1994), njiheshin zyrtarisht angazhimet e tij të shumta në Bon për çështjet e forcimit të raporteve të ShBA-së me Gjermaninë e Bashkuar (realizoi në korrik 1994 një nga vizitat me të suksesshme të presidentit Clinton në Berlin); ristrukturimin dhe zgjerimin e NATO-s; bisedimet për largimin përfundimtar të trupave ruse nga ish-Gjermania Lindore; zvogëlimi dhe integrimi i trupave aleate perëndimore në Gjermaninë Federale në strukturat e NATO-s, duke krijuar në vend të tyre Akademinë Amerikane të Berlinit (me bashkëkryetarë ish-presidentin gjerman Richard von Weiszacker dhe diplomatin e shquar amerikan Henry Kissinger) etj.

Përmes aktiviteteve të shumta të zhvilluara kryesisht në Bon, unë kisha krijuar marrëdhënie disi të veçanta me z. Holbrooke, pavarësisht se edhe me paraardhësin e tij, z. Robert Kimmit, kisha pasur raporte mjaft të mira. Kjo erdhi veçanërisht pas njoftimit zyrtar të bërë të ditur diku nga prilli i vitit 1994, që z. Holbrooke do të merrte në shtator të po atij viti detyrën e ndihmës-sekretarit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, me fokus kryesor bisedimet për zgjidhjen e krizës në Ballkan. Holbrooke ishte shumë i etur për të marrë sa më shumë informacione për Evropën Juglindore. Kemi zhvilluar biseda informale e rastësore, por edhe të planifikuara më parë. Kështu për shembull, në një prej tyre, diku nga maji i vitit 1994, i ftuar për mëngjes pune në rezidencën e tij, “jashtë çdo protokolli” mora me vete edhe z. Eduard Selamin i cili ndodhej rastësisht në Bon. E “binda me zor” të vinte me mua pasi ishte edhe kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme në Kuvend. Selami do ta shfrytëzonte këtë takim një vit më vonë, më 1995, për t’i dërguar një letër z. Holbrooke, me kërkesën për një bursë studimi njëvjeçare në ShBA.

U zgjata disi me sipër, por dua të theksoj gjithashtu se për ambasadorin Holbrooke, ceremonitë e 31 gushtit 1994 përbënin aktivitetet e fundit zyrtare në Gjermani, pasi në javën e dytë të shtatorit ai do të duhej të largohej drejtë Uashingtonit. Për këtë arsye, në Berlin kishin ardhur për vizitë nga ShBA edhe dy djemtë e tij, të porsadiplomuar në universitet. Pa dashje, pikërisht ato u bënë shkak edhe për takimin tim të shkurtër me Jelzinin, në pritjen e organizuar në darkë në Ambasadën Ruse.

Në të dyja hyrjet kryesore pranë njëra-tjetrës të Ambasadës kishte kontroll të hollësishëm, ndaj edhe grumbullim të madh njerëzish. Sapo kalova, dëgjoj dhe shoh nga krahu tjetër të bërtitura të forta si dhe një nga djemtë e ambasadorit Holbrooke të ngritur pezull nga punonjësit e sigurisë. Me sa duket, ato ishin të pashoqëruar. Instinktivisht shpejtova dhe në mes të sallonit iu drejtova një personi që dukej se kontrollonte e koordinonte shërbimin e hyrjes. I thashë vetëm një fjali: “Ç’po bëni, personat qe po dhunoni e pengoni të hyjnë janë djemtë e ambasadorit Holbrooke”. Ai komunikoi në radio dhe çështja u zgjidh shpejt. Më tha se problemi kishte ndodhur për shkak të ftesave. Kaq. Por, puna me mua nuk kishte mbaruar. Ai thirri një person dhe i tha të më shoqëronte në një nga sallat e pritjes. Salla që më futën ishte shumë më e vogël se qendrorja, por e zbukuruar në mënyrë të jashtëzakonshme. Binin në sy edhe ushqimet e shumta shumëngjyrëshe, mes të cilëve dalloheshin qartë mjaft krokodilë të vegjël, që ishte vështirë ti dalloje nëse ishin aty si zbukurim apo si ushqim.

Në këtë kohë dëgjoj një thirrje dhe heshtje të menjëhershme. Në sallë po futej me nxitim Jelzini me një grumbull të madh njerëzish nga pas, kryesisht ushtarakë, i cili po më drejtohej mua duke qeshur dhe shtrirë dorën gati dhjetë metra para se të më arrinte. Presidenti rus më dha dorën dhe më foli rusisht. Përkthyesi më sqaroi se tha: “ Më në fund po i largojmë trupat, për ta lënë Gjermaninë të qetë”. I thashë shpejt: “Shumë mirë po bëni, por t’ju prezantohem, unë jam ambasadori i Republikës së Shqipërisë”. U duk menjëherë që zhgënjimi i tij ishte i madh. Priste të ishte dikush tjetër … Sidoqoftë më dha sërish dorën dhe u largua. Në vijim bisedova po aty për disa minuta me z. Kinkel, të cilin e sqarova edhe për incidentin që kishte ndodhur në hyrje të Ambasadës, i cili me sa duket ishte bërë edhe shkak që unë të ndodhesha në atë sallë. Ai qeshi dhe me bindi të provonim së bashku pak mish krokodili …

(Nga dorëshkrimi i autorit, “Kujtime nga Gjermania, 1992-1997”)