LAJMI I FUNDIT:

Kush është babai i kombit shqiptar?

Në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, është e rrugës të analizohen figurat që dominuan jetën politike e intelektuale të kombit shqiptar. Cili ishte rroli i tyre i vërtetë kur të hiqen glorifikimet për disa, apo pluhuri i harresës për disa të tjerë, apo katrani nxirës për ndoshta më të merituarit.

Duke u shpjeguar studentëve për rrugën komb-formuese të popujve të ndryshëm dhe për rrolin e disa personaliteteve në këtë punë, shpesh jam pyetur nga studentët: Nëse George Washingtoni është babai i kombit amerikan, nëse mbreti Gustav Vasa Ericson është baba i kombit suedez, nëse Mahtama Gandi është baba i kombit indian, nëse Ali Gjinah është babai i kombit pakistanez, nëse Mustafa Kemal – Ataturku është babai i kombit turk… Atëherë kush është babai i kombit shqiptar?


Përgjigjja në këtë pyetje është e vështirë. Shumë nga figurat historike i dhanë formë kombit shqiptar, kush më shumë e kush më pak, por nuk mund të thuhet se ndonjëri ishte dominant në këtë punë.
Nga baballarët e kombeve që përmenda më lart, përjashtuar Suedinë, e cila gjithnjë ishte e pavarur, gjithë të tjerët kanë qenë personalitete që kanë shpallë pavarësinë e vendit të tyre. Por, a e meriton Ismail-Qemal bej Vlora epitetin baba i kombit shqiptar?

Baballarët e kombeve janë njerëzit që kanë autorësinë e projektit të kombit dhe njëkohësisht zbatues të projektit në pjesën më të madhe të tij. Por, a ishte shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 një projekt i Ismail-Qemal bej Vlorës i ideuar kaherë prej tij, apo Ismail – Qemal beu ishte i përzgjedhur në këtë projekt nga dikush tjetër që e ideoi shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë?

Ismail Qemal bej Vlora ishte një politikan e diplomat i klasit të parë. Të kesh qenë diplomat në Perandorinë Osmane do thotë të posedosh kualitete të larta profesionale. Të ishe diplomat në Perandorinë Osmane nuk është si të jesh diplomat i Sali Berishës apo Hashim Thaçit, ku përzgjedhja e njerëzve me zotësi profesionale mund të jetë rastësi, por jo edhe kriter thelbësor. Jo, Ismail-Qemal bej Vlora, Sulejman Delvina, Turhan Pasha, Mehdi Frashëri, Mehmet Konica e shumë e shumë shqiptarë të tjerë që bënë karrierë në Perandorinë Osmane, kishin zotësi të mëdha profesionale, ani arritën të bëjnë karrierë në administratën perandorake. Dhe Ismail-Qemal bej Vlora ishte një figurë e tillë madhore.

Por kur dhe n’çfarë përmase Ismail-Qemal bej Vlora u angazhua në çështjen shqiptare, kjo është çështje që duhet të diskutohet.

Në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881), Ismail-Qemal bej Vlora ishte 34-37 vjeçar. Për krahasim, në këtë kohë Abdyl Frashëri (1839-1892) ishte vetëm 5 vjet më i vjetër. Por, derisa Ymer Prizreni, Iliaz Pashë Dibra, Abdyl Frashëri e shumë të tjerë ishin të kyçur në punët e Lidhjes së Prizrenit, Ismail-Qemal bej Vlora ishte në vlugun e aktivitetit për liberalizimin e shoqërisë osmane, kontribut ky me shumë vlerë për shumë popuj, e së këndejmi edhe për shqiptarët, por që ishte kontribut i tërthortë, por jo i drejtpërdrejtë çështjes shqiptare.

Ismail-Qemal bej Vlora u kyç direkt në çështjen shqiptare tek 30 vite më vonë, më 1908, kur edhe u konfrontua me xhonturqit. Atëherë kur Hasan Prishtina (1873-1933) u kacafyt me deputetët xhonturq në mbrojtje të dinjitetit të Ismail-Qemal bej Vlorës.

Por, kyçja e Ismail-Qemal bej Vlorës në çështjen shqiptare mbeti e vakët edhe në këtë kohë. Ai nuk e mbajti fjalën për kryengritje të përgjithshme shqiptare kur u besatuan në Kuvendin e Taksimit në Stamboll, së bashku me Hasan Prishtinën, Syrja bej Vlorën, Muhit Libohovën dhe Aziz Vrionin.
Atëherë, si ndodhi që disa muaj më vonë, pikërisht Ismail-Qemal bej Vlora të kryesojë Qeverinë shqiptare në Vlorë? Thjesht. Ishte përzgjedhje e Austro-Hungarisë. Përse pikërisht Ismail-Qemal bej Vlora ishte përzgjedhje e austro-hungarezëve? Njeriu që njihej miku më i mirë i austro-hungarezëve në mesin e shqiptarëve ishte kushëriri i Ismail-Qemal bej Vlorës, Syrja bej Vlora.

Në fakt, fushatën e tubimit të patriotëve shqiptarë për të shpallur pavarësinë e bënë agjenturat austro-hungareze. Po ta cytnin austro-hungarezet Syrja bej Vlorën apo Hasan Prishtinën si njeri që do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë, kishin drojë që forcat politike shqiptare, jo aq të ndezura me shqiptarizëm, do ta bojkotonin këtë akt. Duke përzgjedhur Ismail-Qemal bej Vlorën si njeri më afër çështjes osmane se asaj shqiptare, austro-hungarezët u siguruan që i gjithë spektri politik shqiptar ishte në favor të pavarësisë së Shqipërisë, sepse në këtë rast nuk ishte e pritshme që ta zëmë Syrja bej Vlora apo Hasan Prishtina të dilnin kundër.

Madje austro-hungarezët kishin dilemë se kujt do t’ia besonin këtë detyrë: Ismail-Qemal bej Vlorës të njohur si njeri i anglezëve apo Esad Pashë Toptanit (1863-1920) të njohur si njeri i francezëve?

Këtë në mënyrë të tërthortë na e tregon edhe Eqrem bej Vlora kur përkujton përkthimin që i ka bërë takimit mes Esad Pashë Toptanit e austro-hungarezëve. Dhe pikërisht Esad Pashë Toptani i hidhëruar që nuk qe ky i përzgjedhuri për shpallje të pavarësisë së Shqipërisë, nxori telashe të mëdha.

Përse austro-hungarezët për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë nuk favorizuan njeriun e tyre Syrja bej Vlorën po Ismail-Qemal bej Vlorën duket e logjikshme, njësoj sikur që amerikanët favorizuan ardhjen e Nikoliqit e Daciqit në pushtet, e jo të Boris Tadiqit si njeri i tyre, vetëm e vetëm që marrëveshja e pritshme Beograd – Prishtinë të jetë më e qëndrueshme. Po përse austro-hungarezët favorizuan njeriun anglez (Ismail-Qemal bej Vlorën) e jo atë francez (Esad Pashë Toptanin), kjo gjë duhet të studiohet.

Në këtë kontekst Ismail-Qemal bej Vlora meriton respekt të lartë, por jo edhe epitetin baba i kombit shqiptar. Këtë epitet nuk e meriton as Ahmet Zogu (1895-1961) i cili i dha formën aktuale kombit shqiptar.

Gjithsesi, me Ahmet Zogun mbyllet radha e atyre që do të mund të konsiderohen hisedarë të mëdhenj në epitetin “baba i kombit shqiptar”. E këtu mund të konsiderohen: Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Hasan Prishtina, Branko Merxhani, Gjergj Fishta…