LAJMI I FUNDIT:

Kur tellalli i luftës kërkon falje duket si tallje

RTS-i ose vrasësit me libreza gazetari

Kur vozhdi nisi marshimin vrastar, RTS-i thurte himne. Tash e njëqind vjet jo pak intelektual serbë kanë tërhequr vërejtjen për politiken kriminale të shumë gazetarëve serb. Për këtë kishin folur dikur Tucoviq e Novakoviq, e më vonë edhe B.Bogdanoviq. Derisa ushtria serbe po masakronte popullatën shqiptare në rajonet e pushtuara qysh në vitin 1913, shtypi serb kërkonte shfarosjen e tyre pa mëshirë, theksonte dëshmitari i kohës Kosta Novakoviq, i cili duke qenë edhe vetë ushtar i mobilizuar, kishte parë me sy atë që po ngjante në terren. Pasi që trojet shqiptare ishin pushtuar e ndarë, kryengritja kishte filluar menjëherë. Në vitin 1913, duke hyrë në Dibër, ushtria serbe kishte mobilizuar tre divizione, gjë të cilën, socialistët serbë e kanë quajtur “Lufta e tretë Ballanike”.


Tucoviqi këtë e komentonte kështu; “Kur filloi kryengritja shqiptare, qeveria serbe, përmes përfaqësuesit të ministrisë së punëve të jashtme deklaronte se shqiptarët do të marrin dënimin e merituar, ndërsa shtypi i kontrolluar nga borgjezia serbe kërkonte shfarosje pa mëshirë të tyre, ndërsa ushtria kryente urdhrat. Kështu, në rajonin e Dibrës, fshatra të tëra shqiptare u shndërruan në krematoriume në të cilat u dogjën të gjallë qindra gra e fëmijë shqiptar”. Përderisa kryengritësit shqiptar liruan një numër eproresh serbë të cilët i kishin zënë robër, pasi i kishin çarmatosur, soldateska serbe nuk kurseu as fëmijët, gratë, pleqtë dhe të sëmurit shqiptarë, theksonte Tucoviq.

Po ky skenar u aplikua edhe në luftën e fundit në Kosovë. Më shumë fshatra kanë djegur piromanet me libreza gazetari të RTS-it me shkrimet e tyre se sa artileria serbe dhe paramilitarët së bashku. RTS-i u bë tellall lufte dhe shkatërrimi. Jo rastësisht gjate fushatës së bombardimeve, komanda ushtarake e NATO-s, RTS-in e mori si cak bombardimi dhe pastaj u godit selia e këtij radiotelevizioni. Liria e fjalës nuk nënkupton edhe plasimin e gënjeshtrave dhe informacioneve luftënxitëse siç ka bërë një pjesë me e madhe e shtypit dhe e medieve serbe për njëqind vjet me radhë. Për shfletimin e dokumentacionit për gjithë ato gënjeshtra që ka plasuar për më shume se dy dekada të fundit, RTS-së, do t’i duhej edhe një shekull.

Nëse shikohet mënyra e tashme e informimit e cila ka mbetur në kthetrat e politikes e cila ende zihet në “Francuska 7”, kërkim falja e RTS-it duket si tallje me auditorin karshi politikes aktuale serbe ne rajon. Së paku sot, kur mijëra njerëz, pjesëtarë të etnive të ndryshme, ende konsiderohen të zhdukur, t’i frysh zjarrit të krimit në njërën anë, e në anën tjetër të flasësh për integrime evropiane duket krejt absurd. Kërkim falja e RTS-it si informacion kaloi gati në heshtje edhe në vetë Serbinë. Vetë njoftimi dhe burimi i asaj informate dukeshin si një tallje e re me auditorin të cilit i dedikohej. Meqenëse, ditë më parë, në opinion pati ide për dënimin e gazetareve luftënxitës, kjo duket se trokiti në dyert e RTS-it, medium ky i cili mbi dy dekada qëndroi në ballë të atyre që i frynë më shume zjarrit të luftës, duke u bërë kështu edhe vet pjesë e krimeve që ndodhen më vonë.

Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbokroate shembull për gazetar

Shtypi serb ende lëngon nga politika luftënxitëse e kohës se Milosheviqit. Mediet serbe ende i kanë borxh auditorit te vete informacionin e vërtetë. Ato pa përjashtim tash e 20 vjet e kanë gënjyer audiencën serbe dhe asnjëherë nuk kanë pasqyruar atë që po ngjan jashtë territorit të Serbisë. Një reportazh i shkurtër i gazetës Blic për dy vajza të shpëtuara nga masakra serbe në Podujeve, para disa muajsh, dëshmoi se sa i pa njoftuar është auditori brenda vetë Serbisë. Numri i komenteve për këtë reportazh, i cili për këta muaj të këtij viti mbeti i vetëm, dëshmon për mungesë të plotë të informacionit real që i servohet auditorit. Një shënim i revistës “VREME” për masakrën serbe ndaj te burgosurve shqiptar ne burgun e Dubravës, ditë më parë kishte shumë pak diferencim nga krimi.

Radio Evropa e Lirë në gjuhen serbokroate dallon për një etikë të jashtëzakonshme dhe profesionalizëm dhe asaj do të duhej t’ia kenë lakmi shumë medie të tjera dhe të mësonin prej saj. Ajo radio është bërë pjesë e shumë familjeve të cilat duan informim real. Fatkeqësia qëndron në faktin se një pjese e madhe e auditorit ka mbetur peng e do far kuazi-patriotesh që nuk kanë asgjë të përbashkët as me humanizmin e as me patriotizmin, Atdhetarizmi i askujt nuk e ka e as nuk mund ta ketë për bazë krimin mbi cilindo popull.

Kërkim falja e cila ndodhë pas 21 vjetësh do ketë kuptim vetëm nëse RTS-ja tregon, qoftë vetëm një pjesë të informacioneve kriminale që ka publikuar dikur dhe informon auditorin e vetë serb me gjakftohtësi, për gjithë atë që ka ngjarë në trevat e Ballkanit perëndimor, që nga Sllovenia, Kroacia, Bosnje e Hercegovina e deri në Kosovë.

RTS- i ia ka borxh moral kërkim faljen, së paku auditorit të vetë, për gjithë ato gënjeshtra të cilat shkaktuan aq shume gjakderdhje. Krimet që janë bërë në emër të gjithë atyre gënjeshtrave morbide përmes informacionit nuk mund te përmirësohen asnjëherë, por RTS nëse ndërron kapitullin e quajtur politike shfarosëse serbe ndaj popujve tjerë, atëherë edhe kjo kërkim falje mund të këtë kuptim. Me politiken aktuale të informimit, në rend të parë të auditorit të Serbisë, RTS, tash për tash është larg nga realiteti, fjala e lirë dhe humanizmi.

RTS edhe sot kontaminon auditorin serb me gënjeshtra për shqiptarët?

Nuk ka dekontaminim mediatik derisa nëpër gazeta ende i thuren himne vozhdit dhe kasapëve të tij. Vetëm duke shkruar për të vërtetën të cilën e di më mirë se çdo kush, vet RTS-i mund të këndellet gjithë populli serb i cili është fundosur në mite e trillime, për gjoja rrezikun që i kanoset nga të tjerët. Serbia e ka vetëm një rrezik; atë të jetës bashkë me krimin e pa dënuar. Mbi gazetarët luftënxitës, po aq sa mbi vrasësit e vërtetë, do të rëndojnë përjetë krimet që janë bërë në Sarajeve, Bijelinë, Vishegrad, në kampet naziste serbe për boshnjakët në Omarska, Keraterma, Manjaqa dhe Ternopole. Do të rëndojnë përjetë krimet e bëra në Srebrenicë e në Vukovar, krimet në Meje, në Izbicë, në Burgun e Dubravës, në Qyshk të Pejes, në Gjakovë, në Krushë e në Reçak të Kosovës. Dokumente audio-vizuele dhe fakte për krimet që janë bërë, askush nuk ka më shumë se vetë RTS-ja.